Ne kemi dashur që ta bëjmë një numër për seksin që kur e kemi krijuar revistën “Kosovo 2.0”. Kemi qenë gjithmonë të vendosur për t’i paraqitur gjërat ashtu siç janë, qoftë imazhin, qoftë korrupsionin, qoftë fenë (numrat tanë të mëparshëm). Prandaj, na është dukur e udhës të shkruajmë edhe për seksin.
Asnjëherë në Kosovë mediat nuk kanë iniciuar vërtet dhe haptas një diskutim publik për seksin dhe për seksualizmin. Gjatë procesit tonë, ata që na kanë shkruar për të na treguar për padurimin e tyre për të lexuar këtë numër dhe ata që na kanë shkruar për të na pyetur për përmbajtjen e këtij numri na kanë nxitur t’i qasemi temës guximshëm.
Në këtë numër, ne e bazojmë pikëpamjen tonë për seksin mbi idenë se ai është një aparat politik nëpërmjet të cilit trupat rregullohen, kontrollohen dhe disiplinohen. Në shoqërinë tonë, për seksin flitet duke mos folur për të. Në fakt, seksi mbetet ndër temat më të keqinterpretuara dhe më të papranueshme, pre e pikëpamjeve kundërthënëse se çka do të thotë liria seksuale; si e përcaktojmë ne prapambetjen apo emancipimin në lidhje me seksin; ç’do të thotë të joshesh nga personat e gjinisë së njëjtë; apo si e kupton njeriu trupin e vet.
Ndërkohë, hezitimi, frika dhe rezistimi për të folur për seksin janë të dukshme edhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Dhe ato ndeshen me një pengesë të përbashkët. Në 20 vjetët e fundit, shoqëritë tona u janë nënshtruar transformimeve politike dhe shoqërore, prej retorikës socialiste në atë nacionaliste, dhe prej saj në atë demokratike. Kjo nuk ka ndikuar vetëm në mënyrat se si ne i kuptojmë dhe i shprehim identitetet tona, por edhe e ka forcuar patriarkalizmin dhe normalitetin heteroseksual.
Nëse e shikojmë diskursin qendror për barazinë gjinore, ne vazhdimisht do të dëgjojmë terma si “emancipimi”, “përfaqësimi politik”, “vetëdijesimi” dhe “diskriminimi”, të cilat kryesisht përdoren për të shpjeguar vështirësitë për barazimin e femrave me meshkujt. Përderisa janë kryesisht femrat ato që i nënshtrohen diskriminimit në bazë të gjinisë, rrallë herë kritikohen apo kundërshtohen nocionet e burrërisë dhe mashkullisë, dhe në veçanti paraqitja e meshkujve si krerë familjesh, krerë shtetesh, mbajtës familjesh, mendimtarë e të tjera. Në këtë mënyrë, diskursi qendror për barazinë gjinore rrallë e sfidon ndarjen e punës dhe të roleve në bazë të gjinisë, që përcillet edhe te marrëdhëniet seksuale.
Kështu, në fund, beteja ndërmjet gjinive zbërthehet në kërkesën bazike që në aktin e seksit, meshkujt të jenë penetrues, ndërsa femrat marrëse pasive. Teksa përcaktuesit e tillë u japin formë marrëdhënieve “normale” heteroseksuale, ata rrjedhimisht përdoren edhe për të justifikuar homofobinë. Hapësira për të sfiduar normat e tilla shoqërore duket e vogël.
Ne kemi zbuluar se shumë njerëz në rajon hasin në pengesa shumështresore, që paraqiten në forma të ndryshme të trysnisë dhe të represionit. Shkrimet në këtë numër flasin për ekzistencën e tyre, dhe japin një shpjegim të detajuar të raportit ndërmjet jetës së lesbikeve, homoseksualëve, heteroseksualëve, biseksualëve, transvestitëve dhe hermafroditëve, dhe identitetit, gjinisë, familjes dhe komunitetit të tyre – dhe të vështirësive të tyre si rezultat i mungesës së mbështetjes nga shoqëria dhe homofobisë së kudondodhur.
Mesazhi dhe qëndrimi ynë janë të qartë. Ne e shohim këtë numër si një thirrje për të gjithë që ta pranojnë publikisht dhe lirshëm orientimin e tyre seksual. Ky numër është një thirrje për t’u dhënë fund barrierave shoqërore dhe ligjore që ua pamundësojnë njerëzve të shprehin lirshëm seksualizmin e tyre, të gëzojnë lirinë seksuale, dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në formësimin e sferës publike.
Vështirësitë janë padyshim të mëdha, andaj tregimet që do t’i lexoni nuk janë gjithmonë të këndshme. Sjelljet dhe gjuha diskriminuese, dhe incidentet e dhunës do t’jua dëshmojnë këtë. Jo më larg se disa vjet më parë, mediat e mëdha kanë lejuar botimin e shkrimeve urrejtëse ndaj personave LGBT, e madje edhe i kanë mbështetur qëndrimet urrejtëse. Personat LGBT dhe mbështetësit e tyre në rajonin e gjerë nuk ia kanë dalë që të organizojnë parada, për arsye të sigurisë, pasi nuk është garantuar siguria personale e pjesëmarrësve. Institucionet shtetërore vazhdojnë të shpërfillin reformat legjislative dhe edukative që do të mundësonin pjesëmarrje dhe përfaqësim të barabartë dhe të drejtë për të gjitha gjinitë. Në thelb, ata të cilët ne i shohim si mbrojtës të qenieve tona, – qofshin ata policë, mjekë, shkolla, mësimdhënës apo familje, – janë ata që na zhgënjejnë.
Nuk mund të bëhet fjalë për diskutim të vërtetë për të drejtat e njeriut nëse vazhdojmë ta trajtojmë seksin si diçka që është “e drejtë apo e gabuar”, “e natyrshme apo e panatyrshme”, apo e pranueshme në shoqëri. Ndryshimet që duhet të ndodhin janë të natyrës politike. Duhet të pranohen orientimet seksuale dhe liria seksuale si të drejta të individit mbi trupin e tij/saj, mbi emocionet e tij/saj dhe mbi veten e tij/saj.
Prandaj, nëpërmjet këtij numri, ne mëtojmë të thyejmë kulturën e heshtjes, të turpit dhe të dhunës. Në këtë mënyrë, ne u bashkohemi atyre të cilët tashmë po i prijnë luftës për lirinë personale të secilit individ.