Blogbox | Libra

Keqkuptime fatale me realitetin

Nga - 05.12.2019

Atlasi i Pseudo-mitologjisë, Svetislav Basara, Službeni Glasnik, Beograd, 2018.

Në shtetet post-jugosllave, dallimi i faktit nga trillimi është punë tepër e paqartë. Disa polemika serioze kulturore dhe sociale kanë shpërthyer për shkak të pamundësisë (apo mungesës së vullnetit) për t’i dalluar këto dy koncepte. 

Punimet e Ivo Andrić për diskurset kombëtare boshnjake, kroate dhe serbe lexohen si histori dhe pastaj përdoren si dëshmi për supremaci etnike, edhe pse Andrić kryesisht shkroi prozë letrare të bazuar në kronika dhe burime historike. Bëhet e qartë çfarë ndodh kur letërsia interpretohet në mënyrë histografike, kur proza letrare injektohet me vendosmëri historike dhe shfrytëzohet në përpjekje për të kompensuar për padrejtësitë famëkeqe të së kaluarës.

Unë kryesisht po i referohem paaftësisë për të dëshmuar faktin që letërsia është një art dhe gjithçka lejohet brenda saj, nëse është e bazuar në performancën e një autori.

Letërsia nuk konsideron dhe nuk duhet të konsiderojë asgjë si të shenjtë. Letërsia nuk duhet të përdoret për të dëshmuar apo hedhur poshtë fakte historike.

Letërsia shpesh mbështetet në histori duke e përdorur atë si material ndërtimor, duke i zgjedhur dhe duke luajtur me disa copa të saj që përshtaten në logjikën narrative të një teksti nëpërmjet të cilit autori/ja dëshiron të zbulojë më shumë për kohën dhe hapësirën në të cilën ai/ajo banon. Bëhet për hir të rishkrimit apo krijimit të historisë me anë të shprehjes artistike.

Kjo ide funksionon për ata autorë që nuk e perceptojnë letërsinë si një instrument të thjeshtë të agjitacionit politik apo kombëtar. 

Në anën tjetër, thelbi i çështjes është te pritja, apo – për të qenë më i saktë – te një ndërgjegje parahistorike që ka ngritur fole në kulturat e komuniteteve të jugosferës të cilat me sa duket nuk mund të bëjnë dallim mes të kaluarës ashtu siç është dëshmuar në diskursin shkencor, mitomaninë dhe trajtimin artistik të së kaluarës.

Të gjithë që jemi këtu - dhe mendoj në të gjitha shtetet që kanë dalur nga shpërbërja e Jugosllavisë - kemi qenë dëshmitarë që historia rrjedh paralelisht me jetën e përditshme.

Në pedagogjinë e serbëve, novela “Migrimet” e Miloš Crnjanskit lexohet si një epikë etnike, që tregon për fatin tragjik të serbëve gjatë migrimeve të shekullit 19. Megjithatë, shkenca letrare ka konfirmuar disa herë që ky punim është një novelë e një natyre universale – pavarësisht që mbulon një periudhë historike në jetën e një kombi që specifikohet në mënyrë eksplicite. Në fakt, ekziston konsensusi që protagonistët e saj shërbejnë si enë të një tregimi që shkon përtej kufijve etnikë. 

Kur u kthye në Beograd në vitet e 70-a, edhe Crnjanski aludoi se “Migrimet” është vetëm një novelë, duke e bërë të qartë që ai nuk kishte shkruar një histori të serbëve në lidhje me migrimet e tyre, por një punim letrar dhe artistik, një novelë ku karakteret qendrore ecin në rrugëtimet e tyre në një kontekst historik.

Në dekadat e fundit, të gjithë që jemi këtu – dhe mendoj në të gjitha shtetet që kanë dalur nga shpërbërja e Jugosllavisë – kemi qenë dëshmitarë që historia rrjedh paralelisht me jetën e përditshme. Në fakt, shifra dhe ngjarje të caktuara historike vazhdimisht po hynë në fokuset e kulturave tona, por asnjëherë nuk po qëndrojnë për krejt ecjen e tyre të merituar në historitë tona. Po kthehen si struktura e gjallë e realitetit tonë dhe kur është e nevojshme, mund të merren si alibi për prapësi dhe krime, apo si dëshmi për ëndrra mitomanike dhe të parealizueshme të një të kaluare të lavdishme dhe të shquar. 

Është pikërisht në interesin e letërsisë që libri i Svetislav Basaras i titulluar “Atlasi i Pseudomitologjisë” i ekzaminon këto histori të devijuara.

Më specifikisht, në këtë libër të furishëm e polemik të mbushur me satirë dhe ironi tepër të mprehtë, Basara i tregon pasojat e zëvendësimit të letrares me qasje histografike ndaj teksteve fiktive. Ajo që e nxiti Basaran ta shkruajë këtë punim është satira e historianit Radoš Ljušić për novelën e tij “Fillimi i Kryengritjes kundër Dahijes”. 

Ljušić e lexon novelën e Basaras si një punim histografik, duke e akuzuar autorin për “përdhosje” të historisë serbe dhe figurave historike të saj. Megjithatë, kemi mësuar se kjo nuk është e vetmja arsye prapa gjithë kësaj. Në një prej fusnotave të novelës – diçka që përfaqëson një lëvizje krejtësisht legjitime në praktikën letrare serbe – Basara e citon Ljušićin si autorin e një studimi historik joekzistues. Historiani u alarmua kështu që vendosi ta analizonte novelën e Basaras duke pasur parasysh parimet histografike. Me fjalë tjera, ai do ta përfaqësojë atë si të targetuar kundër historisë së serbëve.

Ljušić po kërkonte “histori” në një tekst fiktiv ose po kërkonte seksione ku autori e shpërfill “të vërtetën”. Kështu u pa fusnota nga “Dahije” nga historiani jonë nëpërmjet një lente hiperpatriotike. Mugulloi në një skandal epik”, shkruan Basara.

Të kujton stilin që e përdorë Radivoj Radić në kult klasikun e tij “Serbët Para Adamit dhe Pas Tij” (ku histografia mitomanike serbe zbërthehet me përpikëri) – Basara ballafaqohet drejtpërdrejt me kritikat e Ljušić, për të shkruar atë që ai e quan historinë e histografisë bashkëkohore serbe.

“Atlasi i Pseudomitologjisë” është libër që ka për synim të ilustrojë se si krijohen mitet kombëtare serbe dhe çfarë qëllimi kanë.

Për shkak se novela e tij u lexua si vepër historike dhe jo fiktive, autori i “Atlasit të Pseudomitologjisë” mundohet të demonstrojë shthurrjen logjike që ndodh në ndërgjegjen e një kombi kur letërsia preket me të dhënat dhe faktet historike.

Basara nuk ndalet kur botohet novela e tij. Në vend të kësaj, ai vazhdon t’i dekonstruktojë disa të vërteta të supozuara historike që janë prezantuar kryesisht si rrëfenja mitomanike, e kjo supozohet se ka ndodhur për t’i konsoliduar retorikat nacionaliste dhe për t’i monopolizuar interpretimet e së kaluarës.

“Atlasi i Pseudomitologjisë” është libër që ka për synim të ilustrojë se si krijohen mitet kombëtare serbe dhe çfarë qëllimi kanë.

Basara e zbulon tërësisht krijimin e këtyre miteve, duke kthyer vëmendjen drejt (keq)përdorimit të tyre në pozicionimet dhe grindjet e përditshme politike. Sidoqoftë, esenca e këtij libri është një përpjekje për të përdorur mjete satirike – meqë është e pamundur të debatohet krijimi i miteve serbe me argumente racionale dhe logjike – në mënyrë që të shpjegohet qartë shtrirja e plotë e tmerrit të nxitur nga përdorimi i të kaluarës (në shumicën e rasteve, të gabuarës) në këtë moment të posaçëm në histori.

Apo, siç ka thënë Basara: “Parimisht, nuk kam asgjë kundër kësi lloj historiografie për fëmijë dhe të rinj, për masat dhe fillestarët. Historitë “zyrtare” janë pak a shumë të njejta anembanë botës – të mërzitshme, të rreme dhe shumë bajat. Historiografia serbe nuk është më ndryshe, edhe pse njerëzit në botë dinë të bëjnë dallim të qartë kur krahasojnë atë që ka ndodhur me të vërtetë (dhe që ndodh) me perceptimet dhe interpretimet e ndryshme të ngjarjeve në fjalë – perceptime dhe interpretime që mund të ndryshojnë në përputhje me esencën e çështjeve të përditshme politike, dhe janë relative e të pasigurta, siç është gjithçka që është njerëzore. Këto sjellin keqkuptime fatale me realitetin nëse absolutizohen ashtu si në Serbi”. 

Pikërisht këto keqkuptime fatale me realitetin janë ato që e prekin nervin në trupin e nacionalizmit serb dhe aparatit mitomanik. Në këtë libër, Basara synon t’i prezantojë ashtu siç janë me të vërtetë, bashkë me efektet anësore ndikimi i së cilave në shoqërinë serbe është afatgjatë. 

Mund ta bëjmë një krahasim këtu. Në kontekstin e Bosnjes dhe Hercegovinës, Tarik Haverić e bën një gjë të ngjashme në librin e tij “Kritika e Mendjes Boshnjake”. Bindshëm dhe vazhdimisht, në mënyrë stilistike, të dy autorët e tregojnë sferën e mjegullimit kolektiv në këtë pjesë të botës, duke i theksuar të çarat që paraqiten në një mendje të etnicizuar për shkak të paaftësisë për ta dalluar historinë nga një vepër e shkruar fiktive.

Mund të jetë që kjo paaftësi buron pjesërisht nga një shpërfillje e qëllimshme që është, në anën tjetër, origjina e të gjitha keqkuptimeve dhe linçimeve që i drejtohen atyre që guxojnë të fusin hundët në “të vërtetat e shenjta” për popullin tonë.

Autori i “Atlasi i Pseudomitologjisë” i përmend disa falsifikime në historiografinë serbe, duke theksuar atë të cilës iu kam referuar më parë – këtu, historia kurrë nuk kalon, por përbën një mjet të mobilizimit nacionalist kur keqpërdoret në mënyrë mitomanike dhe politike. Si pasojë e kësaj, kundërplasja me të cilën ballafaqohet ai që përzihet në “të shenjtën” është krejtësisht e kuptueshme. 

“Ndërsa sa i përket historive të monitoruara nga afër”, shkroi Basara, “apo religjioneve të rreme historiciste si ai i Ljušićit, ngjarjet në thelb kurrë nuk kalojnë, ato kurrë nuk ndodhin në kohë; mbledhen dhe shndërrohen në një depo të madhe të frustrimeve masive”.

Basra hyn në hapësirën e demaskimit të psikopatologjisë nacionaliste të serbëve që sheh tradhëti dhe armiq në gjithçka dhe te të gjithë. Ajo i shpjegon gabimet e saj me komplote globale dhe determinizëm historik, duke këmbëngulur pa rreshtur në diskutime për vuajtjet dhe fatkeqësitë e saj, sikur këto mjerime nuk janë shkaktuar nga vendimmarrja e dobët e elitave serbe.

Autori shkruan se rruga qorre në të cilën ka ngecur Serbia buron “nga disa zgjedhje dhe vendime të gabuara që janë bërë në të kaluarën në liri totale dhe me ndërgjegje (relativisht) të pastër”.

Në rrethana të tilla, historia përfaqëson një vegël për shtrëmbërime të pandershme të së kaluarës, synimi i të cilave është legjitimimi i veprimeve aktuale, apo – për të qenë më i saktë – krijimi i një situatë ku tmerret e së tashmes shihen gjithmonë duke marrë parasysh të kaluarën e lavdishme.

Basara shkruan në “Atlasi i Pseudomitologjisë”: (…) unë nuk e konsideroj historinë e një populli si një tregim për të kaluarën. Unë e marr si të përmbledhur në momentin e tashëm, në gjendjen e në të cilën janë njerëzit këtu dhe tani. Pra, historianët serbë mund ta përlëvdojnë historinë e serbëve sa të duan dhe mund të thurin tregime pafund për “të kaluarën e lavdishme”, duke ia atribuar të tashmen e dhimbshme konspiracioneve, padrejtësive dhe fatit të keq, por kjo nuk është histori. Është pallavër politike ose më zi, një pseudo-mitologji e pavlerë.

Sipas Basaras, historia serbe është një religjion i rremë i rrënjosur në dëshira sensuale. Përdoret për t’i mbuluar të gjitha vendimet e gabuara të së kaluarës, të gjitha luftërat e kota dhe dhuna që tani po paraqitet si martirizëm mitik.

Por, siç dëshmon Basara në librin e tij, shumica e këtyre ngjarjeve të së kaluarës erdhën si rrjedhojë e veprimeve të qëllimshme të liderëve kulturorë dhe politikë serbë, kështu që gjithçka për të cilën janë pajtuar ata – [në periudhën] nga krijimi deri te shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe para saj, në të kaluarën më të largët – është bërë me qëllim, vetëm për t’u parë në kohën e sotme si gabim historik apo komplot botëror i sajuar kundër njerëzve.

Pas secilës epokë, elitat serbe shkojnë në luftë kundër këtyre periudhave, pavarësisht që i kanë krijuar dhe zgjedhur vet shumicën prej tyre.

Gjërat do të kishin qenë më ndryshe po të kishin hequr dorë nga kjo rrëfenjë në fund, pas të gjitha disfatave të viteve të 90-a. Megjithatë, “Atlasi i Pseudomitologjisë” tregon se ky rrugëtim mitomanik është edhe më i pranishëm në kontekstin e sotëm. 

Përherë e zhytur në të kaluarën, Serbia është, për mendimin e Basara, vazhdimisht duke pluskuar në sferën e iracionales dhe duke u kthyer në fillim përsëri e përsëri, e kjo shkakton pavazhdimësi që i shkundin themelet e kulturës dhe shoqërisë serbe.

Elitat serbe shkuan në luftë gjatë gjithë shekullit 20 e këto luftëra i kanë krijuar dhe zgjedhur vet.

Madje Basara e përmend Vuk Karadžićin në këtë libër, përfshirë këtu gabimet dhe devijimet e tij, si dhe çështjen e gjuhës, duke pretenduar se në ndërgjegjen ende të feudalizuar të Serbisë, dahijet nga Anatolia janë zëvendësuar nga dahijet nga Šumadija.

Për më tepër, kur kemi parasysh ideologjinë rreth Shën Savës – parimisht faktin se Nikolaj Velimirović e ka krahasuar Shën Savën me Hitlerin, duke e përshkruar si paraardhës të nazizmit – Basara demonstron se sa është zhytur shoqëria serbe, me liderët kulturorë dhe religjiozë të saj, në këtë gjendje të errët dhe të qëndrueshme të mitologjikës. 

Siç shkroi Basara: “Etiketimi i Shën Savës si paraardhës i nazizmit – një ideologji që urren ortodoksinë, shenjtërinë dhe sllavët në veçanti – ishte një shenjë e humbjes absolute të orientimit shpirtëror dhe moral që së shpejti do të jepte fryt të thartë – dhe vazhdon të jep deri sot. (…) Në thelbin e saj, Ortodoksia e Shën Savës ka pak lidhje me Krishtërimin Ortodoks. E para është një doktrinë primitive politike që tani shërben si bazë ideologjike për lëvizje profashiste që u shfaqën anembanë Serbisë pak para Luftës së Dytë Botërore si këpurdhat pas shiut (…)”

Autori i “Atlasi i Pseudomitologjisë” konkludon në mënyrë të duhur se nëpërmjet ideologjisë së përqendruar në Shën Savën, shoqëria serbe është dekrishtërizuar, duke u zmbrapsur nga Ungjijt në kazanin e errësirës dhe miteve pagane.

“Ky epsh për histori edhe kur historia mund të mënjanohet”, shkruan Basara, “kjo nevojë për përvoja të fuqishme, për shpërthime të emocioneve historike, kjo lidhje me gjakun dhe tokën në Serbi, me kohë u rritën e u bënë aq të forta sa që u krijua një kult adhuronjës i cili – dhe do ta shihnim se ky paradoks ishte thjesht një paradoks i pretenduar si i vërtetë – humbi gjithçka që e lidhte me tokën dhe gjakun, duke e transformuar në një abstragim, në një simulim Baudrillard-ian që po e shtrydh dhe po e nxjerr jashtë realitetin”. 

Basara e përdorë vrasjen e Zoran Đinđić si shembull të mohimit themelor të realitetit që i takon botës në të cilën gjindet. Është një pikë historike ku Serbia e humbi një mundësi për të triumfuar mbi rrëfenjat kombëtare dhe mitologjike të saj në një mënyrë apo tjetër dhe për t’u ballafaquar me realitetin.

Për autorin, kjo ngjarje e shënoi në mënyrë simbolike fundin e historisë serbe.

“E vërtetë, jeta në Serbi vazhdoi pas asaj dite, por vetëm në një kuptim biologjik, siç rriten thonjtë dhe flokët pas vdekjes. Vazhdoi në formë të një grupi matematikor të individëve të cilët e gjejnë kuptimin e tyre vetëm duke e recikluar të kaluarën, që mbahet e bashkuar nga kultet e errëta të lojtarëve të tenisit dhe birra e keqe”, shkruan Basara.

“Atlasi i Pseudomitologjisë” sigurisht do të shihet si libër tradhtar në qarqe nacionaliste që janë të izoluara brenda fantazive të krijimit të miteve, meqë nacionalizmi klith duke pretenduar tradhëti sa herë që e zbulon fytyrën e tij të vërtetë në pasqyrë.

Përsëri, siç thotë Basara: “(…) ngjarjet – qofshin apo jo fiktive – kurrë nuk janë ashtu siç janë (apo shumë rrallë janë). Ato janë çfarë duhet të jenë për një mendje mitologjike dhe çdo përpjekje për ta nxjerrur në pah psikopatologjinë e një qasje të tillë këputet para se të zhvillohet më tej, duke u etiketuar si ‘tradhëti’ ose si pjesë e ndonjë komploti anti-serb”.

Sidoqoftë, autori është i vetëdijshëm që asnjë diskutim racional apo logjik nuk mund të mbahet brenda këtyre rrëfenjave e prandaj i kundërshton me satirë thumbuese. 

Libri i Basaras është një dokument i rëndësisë supreme që dëshmon kraterin e mbetur prej dekadave të politikave të ulëta serbe, krater ky i cili po zgjerohet edhe më shumë, sipas librit.

Foto kryesore: K2.0