Pikëpamje | Shëndetësia

Kërkesat populiste për ta kufizuar të drejtën e mjekëve për të punuar janë ilaçi i gabuar për sistemin e shëndetësisë në Kosovë

Nga - 13.11.2019

Prioritet i qeverisë së ardhshme duhet të jetë zbatimi i mirëfilltë i reformave të vazhdueshme.

Pak pas zgjedhjeve të vitit 2019, Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se njëri nga planet e tij për reformimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë është ndalimi i punës së njëkohshme të mjekëve në sektorin publik dhe privat.

“Mjekët duhet të zgjedhin a duan të punojnë në sektorin privat apo publik”, raportohet të ketë thënë Kurti. “Nuk është e drejtë që t’i përdorin spitalet publike që të rekrutojnë pacientë për trajtime mbas orarit të punës në ambulanca private që këta doktorë i kanë krijuar”. 

Kjo që po tingëllon si ide e re, në fakt është tregim i vjetër të cilin qeveritë e kaluara janë përpjekur ta promovojnë, por kanë dështuar për shkak të kufizimeve kushtetuese.

Propozim jokushtetues

Në dhjetor 2012, Kuvendi i Kosovës e miratoi një Ligj për Shëndetësinë, i cili u sponsorizua nga Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Ferid Agani. Neni 41 i këtij ligji i adresonte të gjitha çështjet e ngritura nga Kurti në vitin 2019, duke i ndaluar mjekët e sektorit publik që të punojnë njëkohësisht edhe në sektorin privat, dhe duke ndaluar referimin e pacientëve nga sektori privat nëpër klinika private. 

Pasi u miratua ligji në Kuvendin e Kosovës, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe disa anëtarë të Kuvendit të Kosovës e kundërshtuan këtë dispozitë në Gjykatën Kushtetuese.

Ata argumentuan se kjo dispozitë do ta shkelte të drejtën për të punuar, që garantohet nga Neni 49 i Kushtetutës, dhe se abuzimi i sistemit të shëndetësisë nga disa mjekë nuk ishte justifikim për t’i penalizuar të gjithë mjekët. Përveç kësaj, ata thanë se menaxhimi më i mirë i shëndetësisë në sektorin publik, veçanërisht në formë të vlerësimit dhe të monitorimit të performancave, si dhe zbatimi i një sistemi informativ të shëndetësisë, përbëjnë një alternativë më efikase për t’iu kundërvënë abuzimit të tillë, që është më e mirë se ndalimi i rreptë i punës së njëkohshme në të dy sektorët.

Ministria e Shëndetësisë argumentoi se kjo dispozitë nuk do ta shkelte të drejtën e punës, sepse nuk do t’i ndalonte mjekët ta ushtrojnë profesionin mjekësor. Edhe po të kishte ndërhyrje në të drejtën e punës, argumentoi Ministria, një ndërhyrje e tillë do të ishte e justifikuar.

Profesionistët e sektorit publik të shëndetësisë tashmë kanë obligime kontraktore për të qenë në punë gjatë orarit të rregullt.

Kushtetuta lejon kufizime mbi liritë dhe të drejtat themelore të garantuara nga Kushtetuta deri në atë pikë ku është e domosdoshme për përmbushjen e qëllimit të kufizimit në një shoqëri të hapur dhe demokratike (Neni 55). Ministria argumentoi se punësimi i profesionistëve të shëndetësisë në sektorin publik dhe privat është dëshmuar si i dëmshëm për interesat e qytetarëve.

Më tej, Ministria deklaroi se qëllimi i obligimit të mjekëve për të zgjedhur ndërmjet punësimit në sektorin publik dhe privat do të eliminonte abuzimin e pozitës së punës në sektorin publik për përfitime personale, duke referuar pacientë nga sektori publik në atë privat, që është në kundërshtim me të drejtën e pacientëve për të zgjedhur ndërmjet shërbimeve të shëndetësisë publike dhe private. Interesi publik për të siguruar shërbime kualitative të shëndetësisë është më i rëndësishëm se e drejta e profesionistëve të shëndetësisë për të përfituar materialisht dhe për ta ushtruar profesionin e tyre.

Ndonëse ndalimi i praktikës mjekësore të dyfishtë mund të duket i ashpër, Ministria argumentoi se nuk kishte mënyrë tjetër për ta parandaluar një konflikt të interesit në ushtrimin e profesionit mjekësor.

Megjithatë, në fund Gjykata Kushtetuese mori vendimin që dispozita në ligjin e Ministrisë ishte jokushtetuese sepse i shkelte të drejtat themelore të punës së mjekëve – Gjykata gjeti se ndalimi i punës së njëkohshme në sektorin publik dhe privat nuk ishte proporcionale dhe e domosdoshme.

Çelësi i vlerësimit të ndalimit të punës së njëkohshme në të dy sektorët është matja e proporcionalitetit të ndalimit në raport me interesin e kërkuar publik. Një pjesë shumë e rëndësishme e testit të proporcionalitetit ishte vlerësimi se a mund të arrihet qëllimi publik i ndalimit – domethënë për ta garantuar shëndetësinë kualitative për qytetarët – me më pak mjete.

Në këtë pikë, Gjykata Kushtetuese theksoi se ndalimi i zvogëlonte mundësitë e profesionistëve të shëndetësisë në sektorin privat për t’i plotësuar të hyrat nëpërmjet punëve të tjera në institucionet private të shëndetësisë. Gjykata gjithashtu theksoi se profesionistët e sektorit publik të shëndetësisë tashmë kanë obligime kontraktore për të qenë në punë gjatë orarit të rregullt. Pra ligji i ri do ta ndalonte në mënyrë efektive vetëm punën në institucione private të shëndetësisë pas orarit të rregullt të punës.

Për më tej, Gjykata Kushtetuese argumentoi se menaxhimi më i mirë i sektorit publik të shëndetësisë do të ishte mënyrë shumë më efektive për t’i kundërshtuar referimet e pacientëve nga institucionet publike në ato private. Monitorimi më i mirë i performancave, inspektimet, procedurat disiplinore dhe sanksionet, si dhe zbatimi i rreptë i Ligjit të Punës – që mund të përfshijë ndalimin kontraktor të referimit të pacientëve në klinika private – do ta arrinin të njejtin rezultat, por nëpërmjet masave më pak ndërhyrëse në raport me të drejtën e punës. 

Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata Kushtetuese erdhi në përfundimin se ndalimi i punës së njëkohshme në sektorin publik dhe privat nuk është proporcional dhe përbën shkelje të të drejtës së mjekëve për të punuar.

Pasi dispozita për ndalimin e punës së mjekëve të sektorit publik në institucione private të shëndetësisë u shpall invalide, Ligji për Shëndetësi 2012 hyri në fuqi pa të, edhe pse mbeti ndalimi i referimit të pacientëve nga institucionet publike në ato private pa arsye të fortë.

Dhënia e kurës së parashkruar

Gjykata Kushtetuese jo vetëm që e sqaroi të drejtën e punës në sektorin e shëndetësisë, por edhe e dha një udhërrëfyes që i drejton qeveritë e ardhshme në adresimin e problemit të referimeve të palejueshme të pacientëve, në mënyrë që sistemi i shëndetësisë të performojë më mirë, pa shkelje të Kushtetutës.

Mesazhi kyç është: menaxhimi më i mirë i institucioneve të shëndetësisë publike dhe zbatimi i reformave në sektorin e shëndetësisë, duke përfshirë këtu një sistem funksional të informimit për shëndetësi.

Ligji për Shëndetësi i vitit 2012 e ka vënë bazën për reforma të sektorit të shëndetësisë.

Janë katër elemente kyçe të reformës: Së pari, zbatimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore të detyrueshme, përfshirë këtu themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Së dyti, riprojektimi i funksioneve të Ministrisë së Shëndetësisë për t’u përqendruar në politika, rregulla dhe monitorim.

Së treti, themelimi i Dhomave të Profesionistëve të Shëndetësisë për të vepruar si rregullatorë të profesionit mjekësor. Dhe së fundmi, riprojektimi i strukturës organizative të institucioneve të shëndetësisë, përfshirë këtu themelimin e Spitalit të Kosovës dhe Shërbimeve Klinike Universitare, si ofrues të shërbimeve të shëndetësisë.

Qëllimi i reformave është parimisht ndryshimi i sistemit të financimit të shëndetësisë nga një model me buxhet të centralizuar në një model të kombinuar të financimit që përfshin buxhetin shtetëror si dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private, si dhe decentralizimi i menaxhimit të institucioneve të shëndetësisë dhe burimeve profesionale nga Ministria e Shëndetësisë në institucione dhe profesionistë shëndetësorë.

Qeveritë e ardhshme që do të synojnë ta reformojnë sektorin e shëndetësisë mbase duhet të fokusohen parimisht në zbatimin e reformave aktuale.

Ministria e Shëndetësisë do të duhej të riorganizohej për ta fuqizuar politikëbërjen, rregulloren, dhe funksionet e monitorimit dhe të vlerësimit. Pritja është që Spitali i Kosovës do të ketë kapacitete më të mira për menaxhimin, planifikimin dhe administrimin e institucioneve shëndetësore që janë pjesë e tij, e kështu do të kontribuojë në përmirësimin e efikasitetit të menaxhimit të institucioneve shëndetësore si ofrues të shërbimeve shëndetësore.

Funksionet që aktualisht ushtrohen nga Ministria e Shëndetësisë për mbështetjen e aspekteve operative të institucioneve të shëndetësisë do të ushtroheshin nga Spitali i Kosovës. Qëllimi është të themelohen vija më të qarta të përgjegjësisë dhe të llogaridhënies, për t’u ndarë më mirë politikëbërja në nivel të Ministrisë dhe operacionet në nivel të Spitalit të Kosovës.

Pasi që spitalet do të menaxhoheshin nga Spitali i Kosovës, Ministria do të kishte mundësi të përqendrohej më shumë në detyrat thelbësore të politikëbërjes, për ta mbështetur vendimmarrjen politike, për ta përcaktuar zhvillimin strategjik, për t’i identifikuar nismat për zbatimin e politikave, strategjive, normave dhe standardeve, si dhe për të projektuar ligje dhe për t’u fokusuar në drejtimin e procesit të reformave. Kjo do të kërkonte themelimin e një strukture të re organizative, si dhe të kapaciteteve profesionale për politikëbërje, monitorim dhe mbikëqyrje, përfshirë këtu themelimin e një sistemi të ri informativ për shëndetësi.

Qeveritë e ardhshme që do të synojnë ta reformojnë sektorin e shëndetësisë, mbase duhet të fokusohen parimisht në zbatimin e reformave aktuale, në vend se të nisin të reja.

Ato duhet të sigurohen që Ministria e Shëndetësisë të reformohet ashtu që me vërtet të fokusohet në funksione politike dhe rregullative, që Dhomat e Profesionistëve të Shëndetësisë të jenë efektive, që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Spitali i Kosovës t’i menaxhojë në mënyrë efikase dhe efektive shërbimet e shëndetësisë, përfshirë këtu performancën e profesionistëve mjekësorë në sektorin publik.

Kërkesat populiste për t’i kufizuar referimet e palejueshme të pacientëve në klinika private dhe puna e shtuar e mjekëve të sektorit publik në sektorin privat mund të tingëllojë shumë tërheqëse dhe atraktive, por nuk i adresojnë shkaqet rrënjësore të problemeve në sektorin e shëndetësisë.

Problemet janë të natyrës sistemike, dhe nuk mund të zgjidhen me zgjidhje të shpejta popullore, që mund të kenë pasoja të paqëllimshme dhe të mbrapshta, e ta përkeqësojnë situatën në sektor, në vend se ta përmirësojnë. 

Në rastin e Kosovës, kura është relativisht e thjeshtë. Vetëm zbatoni reformat aktuale, në vend se të mundoheni ta shpikni përsëri rrotën. 

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.