Blogbox | #CkaKishaNdërru

“Kështu e ka privati”

Nga - 20.02.2022

Rrethanat që e mundësojnë shtypjen e punëtorëve duhet të adresohen sa më parë.

Normalisht, lista e dëshirave për ndryshimet pozitive në Kosovë është goxha e gjatë e secila nga këto dëshira, po të realizohej, do të prodhonte ndryshime të mëdha në komunitet, por tash më duhet të ndalem te një ‘dëshirë më esenciale’ e që ka të bëjë me të drejtat e punëtorëve. Zgjodha këtë temë sepse është pjesë e diskutimeve që dëgjoj sapo dal nga pragu i shtëpisë, është përvojë e rrethit tim dhe e imja.

Në një treg pune që ofron pak e në të cilin konkurenca për një vend pune është relativisht e lartë, mendja të shkon menjëherë tek kushtet e punës, atmosfera, normat, pagesat dhe dallimet e theksuara në mes të punuarit në sektorin publik dhe atë privat në Kosovë. Derisa shumë vende të zhvilluara nëpër Evropë vijën ndarëse midis sektorit publik dhe atij privat e kanë bërë pothuajse të padukshme kur është fjala për respektim të të drejtave të punëtorëve, në Kosovë kjo vijë ndarëse jo që nuk është e padukshme, por vetëm sa vazhdon e thellohet.

Shpesh na bie të dëgjojmë se si shumë punëkërkues e kanë ëndërr të punësohen në sektorin publik për shkak të sigurisë, qëndrueshmërisë, trajtimit dhe përgjithësisht kushteve më të mira të punës. Njëkohësisht, dëgjojmë shprehje si “kështu e ka privati” sa herë që dikush përballet, me mohim të pushimit vjetor, vonesë të pagës, pasiguri e shkelje të ndryshme në vendin e punës. 

Sektori publik konsiderohet si sektori ideal e ai privat si e kundërta. Këto shprehje të përditshmërisë sonë, në fakt, bazohen diku. Bazohen në përvojat e punëtorëve, të cilët në mungesë të angazhimit institucional në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në çdo sektor, detyrohen të punojnë me kushte të rënda, vetëm për të mbijetuar.

Midis privatit dhe publikut

Vija ndarëse midis sektorit publik e privat dhe dallimet midis tyre do të përpiqem t’i ilustroj përmes një krahasimi midis dy situatave.

Një punëtor administrate, i cili merr një pagë mbi mesataren në Kosovë, pushon gjatë fundjavave, festave zyrtare –– të cilat janë të shumta në Kosovë –– e mundësisht edhe i zëvendëson ditët e pushimit në raste kur festat biejnë gjatë ditëve të fundjavës. Punon me një orar të caktuar, 8-orësh, me një orë pushim gjatë ditës. Merr pushim vjetor sipas Ligjit të Punës, pushim mjekësor. Kompensohet për kontributin dhe përvojën e punës së tij. Thjesht, i gëzon të drejtat që përcaktohen me ligjet në vend.

Të dy realitetet ekzistojnë në Kosovë, ku do të duhej të operohej me një ligj dhe një varg rregullash të njëjta.

Një punëtor në sektorin privat, të themi në një kompani ndërtimi, shitës, punëtor krahu, shpeshherë merr një pagë nën mesatare, pushim ka kur lejon punëdhënësi, ka orar të paparashikueshëm dhe të paparacaktuar në fillim –– edhe këtu, sipas kërkesave të punëdhënësit — nuk është i regjistruar si punëtor, nuk i paguhen kontributet, nuk i njihet përvoja e punës. Po ashtu, nuk ka sigurim shëndetësor sidomos në rastet kur puna përfshin situata që rrezikojnë mirëqenien fizike të punëtorit dhe në rast të ndonjë aksidenti apo lëndimi, barra bie mbi punëtorin e jo mbi punëdhënësin.

Dy situatat më lart paraqesin dy realitete diametralisht të kundërta. Të dy realitetet ekzistojnë në Kosovë, ku do të duhej të operohej me një ligj dhe një varg rregullash të njëjta. Derisa ligji është autoriteti në situatën e parë, punëdhënësi shpesh e zëvendëson ligjin, në situatën e dytë.

Kjo e vë në pah nevojën e menjëhershme të ndërhyrjes nga qeveria, përmes mekanizmave të saj për t’i dhënë fund përvojës së rënduar të punëtorëve të sektorit privat. Nëse vonohet kjo ndërhyrje, fuqia punëtore që keqtrajtohet vazhdimisht, detyrohet që ose të mos bëhet pjesë e tregut të punës fare, ose që vendin e njëjtë të punës apo jetën më të mirë ta kërkojë jashtë Kosovës.

Si shoqëri vazhdojmë të flasim pandërprerë për largimin e lëshimin e vendit në shumicën e rasteve nga rinia, por fatkeqësisht nuk kemi marrë ndonjëherë masa e madje as nuk e kemi kërkuar thelbin e një problematike të tillë. 

Natyrisht, zinxhiri i problemeve që dërgojnë deri në emigrim është shumë i gjatë, por ndër pjesët kryesore është edhe fakti që sektori publik tashmë është i stërmbushur dhe për të punuar në sektorin publik në Kosovë (ta zëmë që meritokracia këtu lulëzon) duhet të presësh me vite të tëra që së paku të lirohet ndonjë vend, në mënyrë që të aplikosh. Ndërkohë sektori privat vazhdon keqtrajtimin ndaj punëtorëve dhe në një ose tjetrën formë e asfiskon dëshirën e tyre për të punuar brenda Kosovës.

Pra, në të ardhmen do të doja shumë të ndryshoja rrethanat që e mundësojnë keqtrajtimin e punëtorëve në sektorin privat, për shembull pagën minimale, nivelin e inspektimit të bizneseve apo ndërmarrjeve private. Tash është koha që të krijojmë kushte të përshtatshme punësimi e pune sepse në Kosovë nuk ka mungesë të vendeve të punës sa ka mungesë të të drejtave të punëtorëve nëpër vendet e tyre të punës. Kosova nuk ka fuqi punëtore për të importuar.

Imazi i ballinës : Arrita Katona / K2.0