Sulmet ndaj gazetarëve, gjuha e urrejtjes në arenën publike, censurimi i imponuar dhe presioni politik ndaj shërbimit të transmetuesit publik – kjo është përmbledhje e situatës shqetësuese të mediave kroate.
Në vitet e fundit, Kroacia ka rënë në listën e shteteve të renditura sipas lirive të mediave; sipas Reporters Without Borders (RSF – Gazetarët Pa Kufij), Kroacia ka rënë nga vendi i 63-të në vendin e 74-të. Edhe më shqetësuese është mungesa e reagimit publik ndaj sulmeve kundër gazetarëve kroatë. Vet qeveria po përpiqet ta kontrollojë punën e shërbimit të transmetuesit publik.
Sasa Leskoviqit, kreu i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë, organizata e tij ka regjistruar disa kërcënime që janë bërë kundër gazetarëve, prej kërcënimeve serioze verbale e deri te kërcënimet me vdekje e sulmet fizike. Lekoviq mendon se problemi më i madh, në pjesën më të madhe të rasteve, është që autorët e krimit nuk dënohen si duhet.
Kërcënimet kundër mediave janë shpeshtuar pas vendimit kundër gjashtë kroatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe vetëvrasjes së gjeneralit Sllobodan Praljak në Tribunalin e Hagës më 29 nëntor, 2017. Natasa Bozhiq, gazetare e programit kroat N1, u kërcënua me vdekje për shkak se shtroi pyetje në lidhje me heqjen e medaljeve dhe gradave të ushtarëve të cilët kanë kryer krime të luftës.
Kërcënimet me vdekje janë raportuar nga disa gazetarë të cilën kanë shkruar për dënimet për krime të luftës ndaj Praljakut dhe të tjerëve. Gjithashtu, shoqatat e krahut të djathtë kanë arritur t’i fshijnë faqet e grupeve të krahut të majtë në Facebook duke i dërguar kërkesa gjigantit të rrjeteve sociale. Facebook reagoi duke i mbyllur portalet kroate të krahut të majtë, si Lupiga, Antifa Zagreb dhe Antifasistcki vjesnik.
Harlem Desir, përfaqësues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), i bëri thirrje qeverisë kroate t’i hetojë kërcënimet me vdekje ndaj gazetarëve, dhe ta ketë parasysh sigurinë e tyre.
Akterët e shoqërisë civile kanë kërkuar më shumë liri të shprehjes dhe protesta kundër censurimit. Foto: Jelena Prtoric.
Histeria që erdhi pas vendimit kundër gjeneralit Praljak është vetëm pika kulmore e trendit aktual të censurimit, polarizimit dhe përhapjes së shpejtë të narrativave nacionaliste në mediat kroate.
“Në pjesën më të madhe të rasteve, autorët e krimeve nuk zbulohen, përveç nëse personi në fjalë nuk mundohet ta fshehë identitetin e vet”, shpjegon Lekoviq.
“Policia i zbuloi autorët e krimit në këtë rast, sepse nuk është problem të arrihet kjo. Kur prodhohen IP të veçanta apo kur dërgohen letra anonime pa shenja të gishtërinjve, në raste të tilla nuk mund të bëhet gjë. Edhe kur zgjidhen rastet, ato bëhen me dënime me kusht, që do të thotë se askush nuk përfundon në burg”.
“Urrejtësit e çdo gjëje kroate” kundër Shërbimit të Transmetuesit Patriotik
Kërcënimet ndaj gazetarëve dhe konfliktet në sferën publike dhe nivelin personal janë vetëm një pjesë e situatës së lirive të mediave në Kroaci. Pasi ka rënë për 11 vende në renditjen e përvjetshme të Reporters Without Borders, anëtarja e BE-së, Kroacia, tani llogaritet si shtet që e ka situatën më të keqe sa i përket lirive të mediave kur krahasohet me fqinjët e saj – Slloveninë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Serbinë.
Liritë e shtypit në rajon
Çdo vit, Reporters Without Borders publikon Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, nëpërmjet të cilit tregon gjendjen e mediave në 180 shtete të botës. Shtetet me numrat më të vegjël gëzojnë më shumë liri të fjalës. Norvegjia aktualisht zë vendin e parë.
37. Sllovenia
65. Bosnja dhe Hercegovina
66. Serbia
74. Kroacia
76. Shqipëria
82. Kosova
106. Mali i ZI
111. Maqedonia
(Renditja sipas të dhënave të fundit nga viti 2017)
Në një raport të publikuar në vitin 2017 nga RSF për ndërhyrjen e qeverisë te transmetuesi publik, u tha se qeveria kroate po përzihej në punët e mediave publike, dhe se “gazetarët të cilët hulumtojnë për korrupsion, krim të organizuar apo krime të luftës shpeshherë u nënshtrohen fushatave të presionit agresiv dhe frikësimit”. Në raport u përmend se shpifjet janë kriminalizuar në Kroaci, dhe se fyerjet ndaj republikës, simboleve, himnit apo flamurit janë të dënueshme me burgim deri në tre vjet.
Ky trend i kufizimit të lirive të mediave nisi diku në vitet 2014-15, kur i ashtuquajturi Koalicioni Patriotik erdhi në pushtet. Këtu u përfshi partia e krahut të djathtë Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) nën kryesinë e Tomisllav Karamarkos, dhe partia tjetër e krahut të djathtë – e cila sapo ishte formuar në atë kohë – Ura e Listave të Pavarura (Most).
Lekoviq aludon se toni i përdorur nga Karamarko në lidhje me lirinë e shtypit ishte: “Të gjithë në shtëpitë e tyre, brenda katër mureve të tyre, mund të flasin dhe të mendojnë çfarë të duan, por jo publikisht”.
Emërimi i Zllatko Hasanbegoviqit si ministër i kulturës dhe pjesë e pushtetit të Koalicionit Patriotik në vitin 2016 ishte gjithashtu moment i rëndësishëm; që atëherë, emri i tij është bërë sinonim i përkeqësimit të lirive të mediave. Kjo, përkundër faktit se pozita ministrore e tij përfshin përgjegjësi në fushën e mediave.
Lëvizja e parë e ministrit të ri ishte shfuqizimi i mbështetjes për mediat jofitimprurëse. Këtu përfshihen organizatat të cilat nuk financohen nga reklamuesit apo shërbimi i transmetuesit publik. Mediat jofitimprurëse kanë tendencë të trajtojnë çështje të cilat rrallëherë diskutohen në mediat e rëndomta. Gjatë kësaj kohe u themelua edhe Shoqata Kroate e Gazetarëve dhe Publicistëve (HNIP) nga gazetarët e krahut të djathtë, shumë prej të cilëve kanë lidhje të afërta politike. Lekoviq beson se kjo lëvizje ishte e motivuar politikisht dhe kishte synim kryesor kontrollimin politik të mediave.
Nuk vonoi shumë dhe nisën sulmet kundër shërbimit të transmetuesit publik, Radio Televizionit Kroat (HRT). Rreth 70 gazetarëve dhe redaktorëve iu ndërrua pozita ose u zhvendosën si pjesë e këtij spastrimi me motive ideologjike.
Spastrimi i mediave vazhdoi deri në fund të pushtetit të Koalicionit Patriotik. Në vitin 2016, pas një skandalit korruptiv që përfshiu Zëvendëskryeministrit të atëhershëm të Qeverisë dhe kryetarin e HDZ-së, Tomisllav Karamarko, si dhe bashkëshorten e tij, partnerët e koalicionit u ndanë – që tashmë ishin labilë – dhe kështu i erdhi fundi kësaj administrate, me mandatin më të shkurtër në historinë e Kroacisë.
Në fund të pushtetit të kësaj Qeverie, administrata nisi t’i bënte presion kanalit HRT3 (Kanalit të tretë të Shërbimit të Transmetuesit Kroat); ndonëse për një kohë të gjatë ishte lëvduar për faktin se kishte përmbajtje të cilat “nuk ishin për të gjithë”, ky kanal njëkohësisht përfaqësonte edhe bastionin e fundit të kulturës së mediave (të cilat nuk janë të rëndomta). Ishte hapësirë në të cilën kishe mundësi të dëgjoje dhe shikoje opera, diskutime teatrore, ndeshje të shahut dhe dokumentarë të radios.
Kanali i tretë i Transmetuesit Publik të Kroacisë, HRT3, u sulmua nga Qeveria por u mbrojt nga qytetarët dhe gazetarët. Foto: Anja Mergedus.
Megjithatë, HRT3 nuk ishte i vetmi institucion i cili nisi ta ndiente peshën e ndërhyrjes gjithnjë e më të madhe të Qeverisë në media.
Pas mbylljes së emisionit “Dobro jutro: kultura” në HRT3, radio stacioni i tretë i Transmetuesit Publik, HR3, e humbi emisionin “Jutro na trecem” – në të cilin ftoheshin artistë, akterë të kulturës dhe shkencëtarë – brenda natës. Dy emisione të tjera të radios, “Audiodoc” dhe “Skrivena strana dana”, radio dokumentarët e fundit të prodhuar dhe të transmetuar në Kroaci, u mbyllën në të njëjtën kohë. Në orarin e vjeshtës të këtij stacioni ato dokumentarë u zëvendësuan me përmbajtje të reja të cilat i kushtohen spiritualizmit të krishterë dhe “përmbajtje religjioze dhe shkencore”, të redaktuara nga autorë të cilët ishin shumë më të afërt me Qeverinë e asaj kohe.
Në korrik të vitit 2016, nisma qytetare e quajtur “Liri për të Tretët” (“Slobodna Trecima”) organizoi një protestë. Kjo nismë ishte më shumë se simbolike, sepse krijoi një emision në radio në të cilin ftoheshin mysafirë të cilët kërkonin që Shërbimi i Transmetuesit Publik të mbetej ashtu siç ishte dikur, dhe të krijohej hapësirë për emisionet e mbyllura në orarin e vjeshtës.
Këto kërkesa mbetën pa përgjigje, ndërsa në muajt që pasuan u shtua numri i programeve religjioze në televizion. “Në gusht, çdo javë dhe në të gjitha katër kanalet televizive transmetoheshin mesatarisht katër dokumentarë religjiozë, repriza të shumicës së emisioneve standarde religjioze, dy mesha dhe dy emisione të trashëgimisë katolike”, shkroi gazeta e përjavshme Novosti si pjesë e analizës së titulluar ‘Requiem for HRT’, publikuar në shtator 2016.
Qasje tjetër, rezultate të njëjta
Në vjeshtën e vitit 2016, Kroacia mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare. HDZ erdhi përsëri në pushtet, në koalicion me Most-in për herë të dytë. Ndonëse ishte një rrymë më e butë e HDZ-së – dhe Kryeministri i ri Andrej Plenkoviq u prezantua si ana më liberale e HDZ-së, me pretendimin se ai dëshironte ta kthente këtë parti në pozitën e së djathtës qendrore – politikat e Qeverisë sa u përket mediave kanë ndryshuar shumë pak.
Me ardhjen e Plenkoviqit, Zlatko Hasanbegoviq u largua nga pozita e ministrit të kulturës dhe u zëvendësua nga Nina Obuljen Korzinek. Obuljen i ngriti shpresat për normalizimin e politikave mediale kroate. Megjithatë, ka kaluar më shumë se një vit i mandatit të ministres aktuale dhe emisionet e mbyllura nuk janë kthyer. Gjithashtu është zhvilluar edhe një raund i spastrimit në Shërbimin e Transmetuesit Publik.
Në kontratën e re të nënshkruar në vitin 2017 ndërmjet Qeverisë dhe Shërbimit të Transmetuesit Publik thuhet qartë se HRT ka për detyrë “ta mbrojë dinjitetin dhe t’i promovojë vlerat e luftës atdhetare”.
Në shtator 2017, emisioni “Hrvatska uzivo” – emision që u jep hapësirë komuniteteve pakicë dhe grupeve të prekshme, anëtarët e së cilave kanë pak qasje në media – u mbyll brenda natës. Njëkohësisht u rrit niveli i raportimit patriotik. Kur Aleksandar Stankoviq – moderator i emisionit të njohur politik që transmetohet çdo javë, Nedjeljom u dva – e përdori termin “luftë qytetare” (në vend të termit luftë atdhetare), për t’iu referuar konfliktit të viteve të ‘90-a, ai u qortua menjëherë nga menaxhmenti i HRT-së.
Gjithashtu, menaxhmenti kërcënoi duke pretenduar se do ta shkarkojnë moderatorin e radios dhe gazetarin Milorad Sikanjiq për gjuhë të supozuar të urrejtjes, pasi ai e kritikoi liderin e Partisë së Popullit Kroat (HNS) për shkak të formimit të koalicionit me HDZ-në e krahut të djathtë, kur kishte qenë aleat i partisë së të majtës qendrore, Partisë Socialdemokrate (SDP), me vite të tëra.
Si pjesë e lëvizjeve të fundit të patriotizmit, filmi komik “Ministry of Love” (Ministria e Dashurisë) është ndaluar nga Transmetuesi Publik nga fillimi i janarit, pas presionit nga shoqatat e vejushave të mbrojtësve kroatë. Ky film shtjellon një situatë të reagimit ndaj krizës financiare, ku Qeveria reagon duke filluar hulumtimin e të gjitha rasteve në të cilat vejushat e kohës së luftës ende marrin pensione, edhe nëse janë duke jetuar me partnerë të rinj.
Në kontratën e re të nënshkruar në vitin 2017 ndërmjet Qeverisë dhe Shërbimit të Transmetuesit Publik thuhet qartë se HRT ka për detyrë “ta mbrojë dinjitetin dhe t’i promovojë vlerat e luftës atdhetare”.
Në një analizë të zhvilluar nga uebfaqja Bilten bëhet krahasimi me kontratën e kaluar dhe vërehet e se në kontratën e re përmenden në mënyrë më të qartë “vlerat kombëtare kroate”. Sipas kontratës së re, në të ardhmen HRT gjithashtu duhet “t’i promovojë masat e politikave demografike, familjare dhe pro natalitetit, në programet e saj informative”.
’Mos e prek. Publiku kundër censurimit’. Ndërhyrja e Qeverisë te Transmetuesi Publik i Kroacisë është kritikuar ashpër nga qytetarët dhe organizatat ndërkombëtare të lirisë së mediave. Foto: Jelena Prtoric.
Njëkohësisht nuk ka ndryshuar as qëndrimi i ministres së re në lidhje me mediat jofitimprurëse. Nuk janë krijuar grante të reja dhe fluksi i financimit është ndalur. Deri në 30 milionë kuna kroate (4 milionë euro), të cilat janë tërhequr prej fondeve europiane për qëllimin e financimit të “komunitetit të mediave”, ende nuk i janë dhënë sektorit të vetëm medial i cili është i kualifikuar për ato fonde.
Njëkohësisht, disa portale kanë kërkuar shpëtim te bamirësit individualë në formën e financimit publik. Portali Forum e theu akullin në fund të vitit 2016 me fushatën e parë mediale të financimit publik, e cila titullohej “Le ta shohin se jemi shumë”. Brenda 24 orëve u siguruan më shumë se 5,000 donacionet e kërkuara. Këtë e arriti edhe portali Lupiga në dhjetor, pasi arriti të mblidhte 20,000 dollarë (16,000 euro).
Megjithatë, organizatat e tjera me gjasë po e ndjekin rrugën e portalit Muf.hr, i cili i kushtohej kritikës feministe të kulturës popullore. Katër vjet prej themelimit të tij, themeluesit e Muf.hr lajmëruan muajin e kaluar se do ta mbyllnin portalin. Ndonëse gjendja financiare nuk ishin faktor vendimtar në këtë çështje, ata deklaruan se “situata mund të kishte qenë më e mirë po të mos e kishte shkretuar ministria e kulturës sektorin e mediave jofitimprurëse në dy vitet e fundit”.
Të qortuar ndërkombëtarisht
Përveç çështjeve financiare, sulmet e fundit e përmendura në fillim të këtij artikulli nuk janë dënuar nga autoritetet. Muajin e kaluar, një delegacion ndërkombëtar i përfaqësuesve të lirisë së shtypit i përbërë nga disa organizata ndërkombëtare mediale e vizitoi Kroacinë dhe shprehu shqetësime për shkeljen e lirive të mediave dhe presionin gjithnjë e më të madh të ushtruar ndaj gazetarëve. Delegacioni raportoi se “Qeveria nuk po bën aq sa duhet për ta parandaluar presionin politik ndaj mediave dhe për t’i dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve”.
Kroacia është shteti i vetëm i Bashkimit Europian i cili është vizituar nga ky delegacion dy herë në një periudhë prej më pak se dy vjet – një vizitë u mbajt edhe në qershor të vitit 2016. Ndonëse kësaj radhe delegacioni deklaroi se situata ishte përmirësuar në krahasim me atë të vitit 2016, ky grup gjithashtu shprehu shqetësime për “raportim të anshëm dhe strukturë të brendshme të menaxhimit të HRT-së”, dhe për faktin se Shërbimi i Transmetuesit Publik po i ekspozohet presionit politik dhe presionit nga grupet e caktuara të interesit. Gjithashtu, delegacioni ceku se ndikimi shkatërrues i gjuhës së urrejtjes ishte shtuar, dhe se arena publike ishte helmuar nga sulmet verbale, duke përfshirë këtu sulmet kundër gazetarëve.
“Së fundmi, Kryeministri deklaroi se gazetarët nuk duhet të sulmohen, por shumëkush mendon se ai e tha këtë vetëm sa për ta larë gojën”, thotë Sasha Lekoviq. “Në Kroaci, gazetarët nuk mbrohen nga sulmet dhe ata injorohen krejtësisht. Qeveria nuk ka reaguar ndaj paralajmërimeve për trajtimin e sulmeve kundër gazetarëve, censurimit dhe presionit. Kjo ka bërë që vetëcensurimi t’i përkeqësojë problemet që lidhen me lirinë e mediave”.
Në Kroaci, metodat e përdorura nga Qeveria dallojnë nga ato të përdorura në Serbinë fqinje, ku vazhdimisht ka sulme të orkestruara nga gazetat sensacionale të cilat janë të lidhura me Qeverinë. Por, “rezultati përfundimtar është pothuajse i njëjtë”, beson Lekoviq, duke shtuar se pasqyrohet një erozion i lirive të mediave dhe censurimi, por edhe përkeqësim i lirisë së fjalës në kontekstin e rritjes gjithnjë e më të madhe të numrit të shoqatave konservatore në arenën publike kroate, dhe rolit pasiv të Qeverisë, e cila nuk i dënon sjelljet e tilla.
“Në Kroaci tani po ndodh një lloj kundërrevolucioni klerikonacionalist kulturor… nuk e di si ta quaj ndryshe”, thotë Lekoviq me një ton të mprehtë. Trende të ngjashme dallohen edhe në sferat e tjera të jetës, nga arsimi e deri te kultura. Pra, pritet që së shpejti sektori civil të përballet me një luftë të vërtetë.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.