Një video ku shihej një infermiere duke e rrahur një grua të moshuar qarkulloi në rrjete sociale dhe u bë lajmi i ditës të mërkurën e 2 nëntorit. Video, të cilën fillimisht e publikoi një qytetare në llogarinë e saj në rrjetin social në Facebook, u shpërnda gjithkund brenda minutash.
Kështu, pamje me fytyrën e viktimës dhe infermiereve të përfshira bënë xhiro në Facebook, Instagram, Twitter, uebfaqe e ekrane të medieve në Kosovë dhe tjetërkund. Pak prej medieve morën mundin t’ia mbulojnë fytyrën viktimës, gjë që për rezultat pati identifikimin e shpejtë edhe të viktimës edhe të infermiereve në keqtrajtim. Emrat, fotografitë, të dhënat tjera për to u bënë publike.
Pak më vonë, Policia e Kosovës lajmëroi arrestimin e infermiereve. Komentet dhe vëmendja publike ndaj rastit vërshuan hapësirën mediale. Derisa gjithkush e kudo po e komentonte e gjyktonte ngjarjen, qoftë në biseda private a në seksione të komenteve, disa media shpejtuan për raportime “ekskluzive” nga vendi ku kishte ndodhur ngjarja.
Me kamerë të përqendruar në fytyrën e përlotur të viktimës –– pamje me shumë gjasë të marra pa pëlqimin e saj –– disa gazetarë i përcollën hollësisht familjarët, teksa e merrnin për krah viktimën nga rezidenca. Përpos këtyre pamjeve, rrjetet sociale dhe ekranet televizive u mbushën edhe me emrin e mbiemrin e viktimës, të dhëna për familjen e saj, sidomos djalit të saj të ndjerë dhe të dhëna tjera për jetën e saj.
Brenda më pak se 12 orëve, dashtë e pa dashtë, mësuam detaje të jetës së saj që, në thelb, nuk i hynin në punë askujt, në një nismë mediatike që i ngjante një përpjekjeje për ta sensacionalizuar dhunën ndaj viktimës dhe vuajtjen e saj.
Që të sigurohen se po na tregojnë se sa e rëndë ishte ngjarja, disa medie në Kosovë nxorën në pah edhe diçka tjetër: që shumë medie e gazetarë në Kosovë nuk e kanë idenë se ku përfundon roli i medies dhe ku tjetërsohet interesi publik, duke u shndërruar në spektakël për t’i rritur numrat e lexueshmërisë a shikueshmërisë.
Publikimi i vazhdueshëm i pamjeve nga vendet ku qëndronte viktima ngjante njëlloj si kur e vendos në qendër një individ të pambrojtur në gjykim publik, ku i fton të gjithë dhe ua përligj të drejtën që të komentojnë e gjykojnë.
“Në emër të gazetarisë”
Përmendja e sëmundjes së saj apo djalit të saj të rënë dëshmor, për ta veshur ngjarjen me patetizëm emocional si për ta rënduar “tragjedinë” që i kishte ndodhur viktimës, jo vetëm i shpërfill standardet bazike mbi të cilat duhet të funksionojnë mediet, por rrezikon të relativizojë përvojën e viktimës dhe krimin e kryer ndaj saj. Abuzimi fizik dhe mendor ndaj kujtdo është vepër penale dhe është mjaftueshëm rast i ndjeshëm, edhe pa zbuluar detaje të tjera që i rëndojnë rrethanat. Raportimi mbaron këtu.
Viktima nuk bëhet më shumë viktimë se është nëna e dikujt apo se kamerat tregojnë fytyrën e saj të përlotur pas ngjarjes apo të familjarëve të saj teksa e përjetojnë rëndë ngjarjen. Zbulime të detajeve të tilla që cenojnë privatësinë e një individi janë thjesht ftesë për gjykim publik dhe e largojnë vëmendjen nga aspekte që vërtetë kanë rëndësi. Dhuna nuk është show televiziv.
Kjo ngjarje do të duhej të hapte tema tjera për gazetarë –– tema që do t’i shërbenin njëmend interesit publik. Për shembull, kjo ngjarje do të mund të niste kërkim gazetaresk për atë se si shpërfillen e cenohen të moshuarit në vendin tonë apo si portretizohen si anëtarë të padobishëm të shoqërisë; çfarë rrjeti të sigurisë ofron qeveria e Kosovës për ta, si licensohen shtëpitë e përkujdesit dhe si lidhet e gjithë kjo me moshizmin — diskriminimin dhe paragjykimin e njerëzve për shkak të moshës së tyre. Në vend të kësaj, kjo ngjarje disave u shërbeu si “tokë pjellore” për të tërhequr shikueshmëri.
Standardet bazë të gazetarisë mbrojnë viktimat. Ato kërkojnë që, kur ndiqet interesi publik, të zbulohet sa më pak që është e mundur për viktimat e përfshira. Identiteti dhe privatësia duhet të mbrohet sepse sado e pabesueshme mund të tingëllojë për disa nga mediet tona, jeta e viktimave dhe familjeve të tyre vazhdon edhe pas spektaklit disa orësh mediatik.
Por, mbi të gjitha, standardet për mbulimin profesional të ngjarjeve nga mediet janë të qarta — gjykimet, opinionet, sensacionalizimi nuk u takojnë gazetarëve. Gazetarëve po ashtu nuk u takon të ndajnë sentimente moralizuese apo paragjykuese ndaj ngjarjes dhe njerëzve të përfshirë në të e as të bëhen pjesë e ngjarjes kur raportojnë për raste të tilla.
Gazetarëve u takon të dinë ta bëjnë punën e tyre më mirë se kaq pasi është obligim dhe përgjegjësi profesionale e secilit medium e gazetar/e.
Këto standarde bazike janë në Kodin e Etikës të Këshillit të Mediave të Shkruara (KMShK) në Kosovë, pjesë e së cilit janë pothuajse të gjitha mediet që dje eksploatuan viktimën dhe ngjarjen në tërësi. Këto standarde janë edhe pjesë edhe e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), që duhet t’i mbikëqyrë mediet audio-vizuale për shkelje potenciale etike. Por, pavarësisht KMShK-së apo KPM-së, këto standarde duhet të jenë të nënkuptueshme për secilin që vendos ta marrë profesionin e gazetarit apo gazetares.
Nuk bëhet fjalë për thjesht disa rregulla të vjetra e të dala mode, që veç gazetarët nëpër redaksi të mbushura me pluhur në shekullin e kaluar është dashur t’i respektojnë. As nuk janë standarde që mund t’i shkelim sepse duam të jemi të parët dhe në trend me mediet tjera. As nuk janë standarde që duhet të mbesin në politika imagjinare redaktoriale meqë “nuk dhezë”. Këto standarde janë thelbësore sepse duke i respektuar ato, i mbrojmë qytetarët për të cilët punojmë.
Sikur secili prej gazetarëve që e shndërroi ngjarjen e djeshme në spektakël dhe e riviktimizoi gruan e keqtrajtuar do t’i kishte parasysh këto dhe do të ishte i përkushtuar t’i respektonte këto standarde, nuk do të lejonte asnjëherë që viktima dhe familjarët e saj të shndërroheshin në protagonistë të një spektakli, që nuk e ka vendin në medie. Në asnjë medie dhe asnjëherë.
Disa prej medieve, me intervistat e tyre me familjarë, lanë të kuptohet se nuk kishin asnjë dyshim etik për ato intervista meqë familjarët më dëshirë po pranonin të intervistoheshin. Por, është pikërisht detyra e gazetarit/es dhe redaktorëve/eve ta vlerësojnë situatën më objektivisht se familjarët. Ta dinë se kur një intervistë është etikisht e lejueshme, e nevojshme dhe nuk e rritë dëmin e shkaktuar. E në intervistë, të dinë se cilat pyetje të bëhen e cilat jo. Andaj, tejkalimi i këtyre rregullave nuk arsyetohet pavarësisht ngjarjes. Jo të gjithë qytetarët e kuptojnë se jeta vazhdon përtej spektaklit mediatik.
Mënyra e mbulimit të kësaj ngjarjeje shkon edhe përtej diskutimit për standarde të gazetarisë. Me mënyrën se si mediet raportojnë, ato ndikojnë në formësimin dhe orientimin e diskutimit publik. Ajo që pamë dje është se mediet e bënë secilin/ën të ndihet që ka të drejtë t’i gjykojë e komentojë vendimet personale të një familjeje dhe të vendosë se vuajtja e kujt është më e vlefshme.
Megjithëse kjo nuk është hera e parë që ngjarje të tilla të ndjeshme eksploatohen nëpër ekrane, mënyra e mbulimit të kësaj ngjarjeje rrezikon të vendosë një standard të ri në hapësirën tonë mediale dhe në atë që qytetarët mund të presin nga mediet. Që dje, për gazetarët gjithçka mund të jetë e lejueshme. Ata mund të të hyjnë në jetën private dhe të tregojnë edhe nëse dikush bart pelena natën, krejt për hir të “gazetarisë”. Por, kjo s’është gazetari.
Feature image: Kosovo 2.0
Shkrimi i pare e me vend, qe e kam lexuar ne lidhje me rastin ne fjale. Kritike me vend dhe me plot dije per gazetarine.
Me ne fund nje reagim kritik dhe profesional ndaj maskarades se mediave dhe te rrjeteve sociale lidhur me kete ngjarje te dhimbshme, por edhe tmerresisht te keqperdorur. Aq i ulet eshte si niveli gazetaresk poashtu edhe ai etik-profesional i tyre, sa ke pershtypjen se televizionet kane mbledhur njerez nga rruga, ua kane dhene nga nje mikrofon ne dore dhe i kane emeruar ata reportere e gazetare!