Ishte orë e gjatë e pritjes, në mëngjesin me diell të 1 tetorit të vitit 1997, dita e parë tradicionale e universitetit. Në udhëkryqin e “Velanisë” dhe “Top Bahçes” në periferi të Prishtinës, disa mijëra studentë shqiptarë të Kosovës, të gjithë në fanella të bardha, qëndruan disa hapa larg forcave speciale serbe, të armatosura deri në dhëmbë. Sipas anekdotave lokale nuk mund të gjindej as edhe një fanellë e bardhë në dyqanet e qytetit — të gjitha ishin shitur. Në protestën e parë kundër regjimit ndër vite dhe lëvizjen më të madhe studentore që Kosova ka parë ndonjëherë, studentët dhe profesorët qëndruan palëkundur duke shënuar fundin e një dekade të rezistencës së heshtur.
Lagjia e Prishtinës, “Velania”, vendi në të cilin nuk shihej fundi i turmës së protestuesve që synonin marshimin drejt universitetit, në qendër të qytetit, nuk ishte zgjedhur rastësisht; kjo lagje u bë vatër e sistemit paralel të arsimit të lartë për shqiptarët e Kosovës, prej kur autoritetet serbe morën kontrollin e shkollave dhe të universitetit në vitin 1991. Të pamirëpritur në objektet universitare, shqiptarët krijuan strukturat e tyre arsimore paralele; rektorati dhe shumica e fakulteteve paralele u fokusuan në shtëpitë përreth asaj zone. Edhe pse sistemi paralel i arsimit ishte bërë simbol i rezistencës ndaj administratës serbe, shqiptarët ishin ngopur nga të qenit të detyruar të mbajnë mësim në nënçatitë, garazhet dhe bodrumet private të qytetarëve.
Studentët, të mbështetur nga profesorët e tyre, kërkuan rivendosjen e të drejtës së tyre për të studiuar në gjuhën amëtare brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës. Në shtator të vitit 1996, Sllobodan Millosheviqi kishte nënshkruar një marrëveshje me presidentin e shtetit të vetshpallur të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovën, e cila parashihte kthimin e nxënësve dhe studentëve në objekte shkollore dhe universitare. Shpejt u bë e qartë se Millosheviqi nuk e kishte ndërmend të respektojë marrëveshjen.
Rreshti i parë i protestës së 1 tetorit përbëhej nga studentët: Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli, Driton Lajçi dhe Albin Kurti dhe në mes në mënyrë simbolike rektori i universitetit, Ejup Statovci. Fotografia nga arkiva e Mihane Salihu-Bala.
“Nga konteksti i sotëm, është pak e vështirë t’ia shpjegosh gjeneratave të reja, sepse duket sikur një kërkesë minimale, por në thelb kjo kërkesë e vogël është shumë indikative’’, thotë Milot Caka, student i fakultetit elektroteknik në kohën e protestës, ndërsa sot menaxher banke. “Në atë kohë, dukej si një kërkesë e madhe, për shkak të situatës së vështirë. Kjo ilustron më së miri se sa vështirë dhe e rëndë ishte situata, që ne nuk lejoheshim të hynim në universitet, vetëm pse ishim studentë shqiptarë”.
Sot, Caka mund të njihet lehtë nga dokumentimet e protestës, në rreshtin e dytë të marshit, duke mbajtur flamurin e Universitetit të Prishtinës. Ai ishte anëtar i Këshillit Organizativ të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit, dhe mori pjesë në hartimin e programit të protestës që udhëzoi mijëra studentë dhe profesorë të ngrisnin zërin kundër segregimit dhe diskriminimit. Dy pikat kryesore të kësaj platforme ishin: “Protestat e studentëve janë organizuar për të çliruar objektet dhe hapësirat e universitetit tonë të okupuar nga regjimi serb që nga viti 1991”, dhe “Prostestat janë të studentëve, paqësore dhe jo të dhunshme”.
Mijëra studentë shqiptare të Kosovës, të gjithë të veshur me fanella të bardha kërkuan të drejtën për të mësuar në gjuhën e tyre amëtare. Fotografia nga arkiva e Mihane Salihu-Bala.
Shqiptarët e Kosovës i kujtojnë mirë fytyrat prijëse të marshit protestues, sot personalitete të njohura të politikës: Albin Kurti, Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Muhamet Mavraj në rreshtin e parë, me rektorin e ndjerë Ejup Statovci në mes. Të katër këta studentë, së bashku me Cakën, ishin organizatorët kryesorë të protestës.
“Ne e kishim të qartë se çfarë mund të ndodhte, por kur thërrisni shumë njerëz që të bashkohen me ju, ndieni përgjegjësi të madhe ndaj tyre’’, thotë Caka. “Ishim të vetëdijshëm se mund të arrestohemi ose burgosemi”.
Konfrontimi
Përballja ndodhi vetëm disa qindra metra pas fillimit të marshit. Me helikopterin që po rrotullohej mbi kokat e tyre dhe automjetin e blinduar përballë tyre, studentët dhe profesorët prisnin në heshtje. U dëgjuan urdhërat për ndërhyrje. Protestuesit u ulën, këmbëngulës në rezistencën e tyre, në pritje të një reagimi të ashpër.
Protestat e studentëve vazhduan në muajt në vijim, që pasuan pas protestës së 1 tetorit. Fotografia nga arkiva e Mihane Salihu-Bala.
“Autoblinda filloi të lëvizë drejt nesh, derisa ne qëndronim ulur. Këto sekonda zgjatën shumë’’, thotë Caka. “Nuk e dinim nëse do të ndalonte ose jo. Nuk zgjati edhe aq, por ato sekonda u duken shumë të gjata”.
Automjeti i blinduar u ndal mu para protestuesve. Por, forcat e policisë i rrethuan nga të gjitha anët. Imazhet e rrahjeve brutale, arrestimeve, gazit lotsjellës, policisë duke përndjekur turmat, u transmetuan në të gjithë botën. Situata në Kosovë papritmas mori vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, pasi u bë e qartë se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte shqetësuese, dhe shqiptarët e Kosovës kishin ndërmarrë hapin e parë e të rezistuarit aktiv ndaj regjimit të Millosheviqit.
“Ne e dinim se regjimi ishte shumë i dhunshëm”, thotë Tomor Hoxha, i cili në atë kohë ishte 18 vjeç. Sot drejtor i një qendre të gjuhëve të huaja, Hoxha ka marrë pjesë në shumë protesta përgjatë jetës së tij, por pohon se asnjëherë nuk ka përjetuar gaz lotsjellës më të fortë se atë ditë të vitit 1997. “Për vite të tëra ne pamë dhunë, arrestime, përjetuam tmerrin’’, thotë ai. “E dinim se mund të përfundojë shumë keq, por duhej të fillonim diku’’.
Ngjajshëm me studentë të tjerë që ishin përgjegjës për mbajten e rendit të rregullt të protestuesve, Hoxha mbante një shirit të kuq në krahun e tij. “Lëvizja studentore ishte zgjidhja më e mirë për të filluar ballafaqimin e regjimit”, thotë ai. “Studentët mezi prisnin, edhe pse e dinin që policia do të jetë e dhunshshme. Më kujtohet sikur dje”.
Nën petkun e politikës
Rezultati i dhunshëm i protestës studentore ishte pikërisht ajo që Rugova i druhej. Gjatë tërë dekadës, rezistenca paqësore e Rugovës, mënjanonte çdo formë të revoltës kundër regjimit të Millosheviqit. Për të shmangur çdo ndërhyrje nga elita politike, organizatorët e protestës u takuan me përfaqësuesit e çdo partie politike shqiptare në Kosovë, duke i’u kërkuar të mos i kundërvihen lëvizjes. Siç edhe pritej, mobilizimi i tyre hasi në shumë hezitim, sidomos nga Rugova i cili shqetësohej se nëse protesta do të përfundonte me dhunë, do të dëmtonte çdo gjë që ai kishte përqafuar përgjatë viteve ’90.
Bujar Dugolli, kryetar i Unionit të Studentëve në atë kohë, në monografinë e tij kujton se si studentët kanë bërë shumë përpjekje për të fituar mbështetjen e Rugovës. Edhe pse ata nuk dëshironin që protesta të ketë ngjyrime politike, e dinin se mbështetja e partisë kryesore politike ishte e rëndësishme sepse do ta ndihmonte mobilizimin në masë sa më të gjerë. Në fund, Rugova tha se ideja e protëstës ishte shumë e rrezikshme dhe refuzoi të jap përkrahjen e tij.
Megjithatë, metodat e Rugovës, që dikur zor se mund të kundërshtoheshin, nisën të hasin në kritika të shumta; ndërsa po kalonte dekada, shtypja ndaj shqiptarëve sa vinte e rritej.
“Solidariteti ishte i madh (gjatë viteve ’90)”, thotë Hoxha. “Pasi u shkarkuan nga puna, shqiptarët [e Kosovës] luftuan për bukë. Nëse ke pasur një thes me miell, gjysmën do t’ia jepje fqinjit. Ishim shumë të mobilizuar, menduam se në këtë mënyrë do të sfidonim regjimin, por me kohë e pamë se kjo nuk po na ndihmonte. Kjo është arsyeja pse protestat e vitit 1997 kishin ndikim të madh – sepse ishte e rëndësishme me dalë dhe me udhëheqë”.
Një udhëheqje e tillë erdhi në formën e Unionit të Studentëve të Universitetit, anëtarët e së cilit humbën besimin në aftësinë e Rugovës dhe politikanëve të tjerë për t’i kthyer në objektet e universitetit. Në muajt që shpien te protesta e 1 tetorit, Unioni i Studentëve organizoi shumë takime me studentë dhe qytetarë, ashtu që kauza e tyre të gjente sa më shumë mbështetje. Planet e tyre i bënë publike për media dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe komunitetin ndërkombëtar, diplomatët e të cilëve i bënin presion organizatorëve për ta rimenduar planin, të shqetësuar se mos protesta do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën veçse të brishtë në Kosovë.
Por organizatorët nuk zmbrapseshin, duke argumentuar se rrethanat e tyre tashmë po përkeqësoheshin dhe diçka duhej të bëhej. “Një nga mitet [në Kosovë] ishte se nuk guxoni të protestoni kundër Serbisë, që nuk ka hapësirë për rezistencë aktive’’, thotë Caka. ‘’Ne dëshmuam se kjo nuk ishte e vërtetë, se pritja ishte e padurueshme; ne nuk po arrinim gjëkundi dhe gjërat vetëm po përkeqësohen”.
Organizatorët e protestës studentore ishin siguruar që media dhe populli në përgjithësi të marrin vesh planet e tyre. Fotografia nga arkiva e Mihane Salihu-Bala.
Të gjithë njëzëri
Përderisa të tjerët përpiqeshin t’i dekurajojnë nga mobilizimi, studentët gjetën mbështetje tek rektori i Universitetit, Ejup Statovci. Si rektor i Universitetit paralel të Prishtinës, Statovci ishte arrestuar shpesh, dhe shtëpia e tij u bastis disa herë gjatë viteve ’90. “Ishte Statovci, ai i cili insistoi që profesorët të ishin përkrah studentëve të tyre në protestë”, thotë Caka, i cili kujton fjalimin e rektorit para studentëve: “Ju duhet të udhëhiqni sepse e ardhmja është e juaja, por ne si profesorë nuk mund të ndahemi nga ju. Ne do të jemi aty, bashkë me ju”.
Mbështetja e Statovcit ishte kyçe, duke siguruar pëkrahjen e profesorëve në një rezistencë të unifikuar. Lëvizja Studentore e vitit 1981 — në të cilën shumë protestues kërkuan që edhe Kosova të ketë status kushtetues të barabartë me gjashtë republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ndërsa të tjerë bënin thirrje për bashkimin me Shqipërinë — në masë të madhe frymëzoi brezin e ri të studentëve.
Disa nga studentët që ndhimuan organizimin e protestës së 1 tetorit, sot janë figura të njohura në politiken kosovare, përderisa të tjerët kanë zgjedhur një jetë larg nga të qenurit në qendër të vëmendjës. Në foto janë: Albin Kurti (në të majtë), sot udhëheqës i opozitës, dhe Milot Caka, që momentalisht është menazher në bankë. Fotografia nga arkiva e Rina Krasniqit.
Demonstratat e 81-shit përfunduan me ndarje të hidhur, pasi që pasi që një numër i profesorëve zgjodhën të mos jenë në një anë me protestuesit. Historia nuk u përsërit në vitin 1997, ndërsa qasja e bashkuar ringjalli frymën e aktivizmit te shqiptarët e Kosovës.
Studentët po ashtu gjetën solidaritet të papritur në mesin e bashkëqytetarëve të tyre, të cilët kishin mbushur cepat e qendrës së Prishtinës, në shenjë mbështetjeje. Vetëm më vonë, studentët kuptuan se mijëra prindër, fqinj dhe shokë ishin në pritje të tyre nëpër të gjithë qytetin.
“Për ne, ishte e rëndësishme që protesta të ndodhte, aktivizmi, mobilizimi i njerëzve’’, thotë Caka “Pas reagimit të dhunshëm të policisë, u bë e qartë gjendja. Ke një kërkesë kaq të vogël dhe trajtohesh në këtë mënyrë, çka nëse kërkon më shumë të drejta? Kështu ndodhi mobilizimi; u rikthye guximi”.
Protesta e 1 tetorit udhëhiqej nga studentët, por ç’është më e rëndësishmja ajo përkrahej edhe nga profesoret e tyre. Fotografia nga arkiva e Mihane Salihu-Bala.
Muajt në vijim pasuan me protesa tjera të studentëve, të cilët nuk ishin më të gatshëm të pranojnë status quo-në. Gjatë zhvillimeve të lëvizjes studentore, debutoi publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, radhëve të së cilës, së bashku me mijëra gra e burra, iu bashkuan edhe shumë studentë. Protestat vazhduan, por me eskalimin e luftës dhe masakrat e para të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, mesazhi i studentëve ndryshoi: Tanimë të fokusuar jo më vetëm në të drejtat e tyre arsimore, studentëve i’u bashkuan me qindra e mijëra qytetarë për të protestuar në solidaritet me viktimat e luftës dhe për thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare.
Hoxha thotë se pavarësisht të gjithë protestave që pasuan, rëndësia e asaj të 1 tetorit, 1997 është e posaçme, pasi që shqiptarëve të Kosovës u’a ktheu dinjitetin prapa. “Që nga ajo ditë, lëvizja studentore ishte vazhdimisht në veprim, me protesta kundër dhunës që kishte mbërthyer Kosovën në atë kohë”.
Edhe pse marshimi u shtyp dhunshëm, protesta shënoi një kthesë të madhe. Shqiptarët e Kosovës kishin ndjekur rezistencën pasive të Rugovës për pjesën më të madhe të dekadës; ata nuk ishin më të gatshëm të prisnin. Kishte ardhur koha për të vepruar.K
*Foto kryesore: Kur Policia serbe shtypi protestën paqësore të studentëve me 1 tetor të vitit 1997, pamjet e rrahjeve brutale, arrestimeve, gazit lotsjellës dhe përndjekjet e turmave nga ana e policisë serbe ishin transmetuar në mbarë botën. Fotografia: Hazir Reka.