Në shtator të vitit 2022, Doarsa Kica Xhelili njoftoi se kishte aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nga Lista Guxo. Kica Xhelili ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin e Kosovës që prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021. Votat për deputete i kishte marrë si pjesë e listës së përbashkët zgjedhore mes LVV dhe Listës Guxo.
Kur kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, publikoi në rrjetin social Facebook një fotografi me Kica Xhelili, tashmë anëtaren më të re të partisë, brenda sekondash, ndaj saj, shpërthyen komentet online. Komentuesit përdorën gjuhë të ashpër ndaj Kica Xhelilit dhe e gjykuan për veprimin. Me qindra komente fyese, denigruese, poshtëruese shumë qytetarë e akuzuan atë se kishte “kontrabanduar” vullnetin qytetar teksa kishte marrë votat si pjesë e një partie tjetër dhe tash po kalonte në një tjetër.
Përvoja e përballjes me gjuhë urrejtjeje nëpër medie sociale ishte e vështirë për Kica Xhelilin.
“Këto komente në fillim të vijnë gjithmonë të rënda”, thotë ajo. “Më pas, rrjedh domosdoshmëria e një analize pak psikologjike, pak sociale, e pak e formulave propagandistike që të bën të kuptosh që më së paku ka të bëjë me ty e më shumë me shoqërinë”.
Sipas saj, gjuha e urrejtjes jo domosdo ka të bëjë me subjektin që e ajo gjuhë e shënjestron.
“[Komentet me gjuhë urrejtjeje] nuk janë mbi diçka që ti e thua përmbajtësisht, sa pamundësi që të dëgjojnë një variant ndryshe të të menduarit”, thotë Kica Xhelili, duke shtuar se kjo shërben për të krijuar përshtypjen e ekzistimit të një opinioni në shumicë, e për intimidimin e komentimit nga ata që mendojnë ndryshe.
Kica Xhelili si figurë publike nuk është rasti i vetëm ku përdorues të rrjeteve sociale shfryjnë mllefin ndaj veprimeve të njerëzve që nuk u pëlqejnë, nuk pajtohen apo thjesht duan t’i përqeshin.
Shpesh cak i gjuhës së urrejtjes janë edhe qytetarët që s’mbajnë ndonjë pozitë publike. Në fillim të këtij viti, një intervistë e dy vajzave për televizionin KTV, pati qarkullim viral në rrjete sociale. Teksa gazetari po i pyeste rreth preferencave muzikore, ato u përgjigjën në shqip duke përdor herë pas here fjalë në gjuhën angleze. Në seksionin e komenteve, përdoruesit e medieve sociale i përqeshën, fyen dhe shpërndanë gjuhë urrejtje për shkak se nuk folën tërësisht shqip.
Raste të tilla kur video-intervistat, të cilat zakonisht bëhen në format të vox-populi ku gazetarët kërkojnë opinione të qytetarëve që i hasin në rrugë po bëhen gjithnjë e më shumë cak i abuzimit në mediet sociale. Si platforma, mediet sociale shpesh përdoren për shpërndarjen e formateve të shkurtëra në video, shpesh të shkëputura nga konteksti.
Tashmë fyerja dhe gjuha e urrejtjes thuajse është kthyer në normë nëpër mediet sociale. Ky është një problem që po menaxhohet me vështirësi nga mediat në Kosovë, marrë parasysh numrin e madh të përdorueseve të internetit.
Gjuha e urrejtjes në rritje dhe nevoja për bazë ligjore për kontrollimin e tyre
Platformat më të njohura të medias sociale si Facebook, X (ish-Twitter), Instagram dhe Youtube përdoren gjerësisht nga gazetarët dhe mediet për shpërndarjen e lajmeve te publiku. Në Kosovë, platforma sociale më e përdorur është Facebook, sipas të dhënave që publikojnë ekspertët e kësaj fushe. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse mediet në Kosovë e përdorin më së shumti për shpërndarje të lajmeve dhe prodhimeve tjera mediale.
E pikërisht në këto platforma shpërndahet po aq shumë gjuha e urrejtjes.
Gjuha e urrejtjes, ndonëse është term që përdoret e diskutohet shpesh, është vështirë e definueshme se çka saktësisht përbën dhe të arrihet në një term që mund të pranohet botërisht.
Në kuptimin më të përgjithshëm, termi “gjuhë urrejtjeje” nënkupton komunikim apo shprehje e opinionit publik në çdo formë, që përmban në vetvete qëllimin për të diskriminuar, ngacmuar, provokuar një reagim ose nxitur një qëndrim negativ, mostolerancë, armiqësi ose dhunë ndaj individëve ose grupeve të caktuara të njerëzve. Kjo gjuhë sulmon racën ose përkatësinë gjinore, moshën, etninë, kombësinë, fenë, orientimin seksual, identitetin gjinor, paaftësinë, përkatësinë gjuhësore, përkatësinë kulturore, morale ose pikëpamjet politike, statusin shoqëror, profesionin, karakteristikat fizike apo mendore, apo ndonjë tipar tjetër.
Komentet që përhapin a nxisin gjuhë të urrejtjes mund të trajtohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe të raportohen në Polici apo të ngritet padi.
Kodi Penal i Kosovës, në nenin 141, pika 1, thotë: “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.”
Sipas Flutura Kusarit, juriste e medieve, ligjërisht, gjuha e urrejtjes është e rregulluar në Kosovë, vetëm se mungon zbatimi i legjislacionit në praktikë. Sipas saj, shënjestër shumë më e shpeshtë e gjuhës së urrejtjes online janë gratë, qoftë ato aktiviste, gazetare, dhe ato të përfshira në politikë. “Ka rritje të sharjeve e të fyerjeve, të nxitjeve për dhunë, për dhunim, për ekzekutim të cilat bëhen në mediat sociale”, thotë ajo.
Kusari, një pjesë të përgjegjësisë e hedh tek mediet, që sipas saj, nuk i kushtojnë rëndësi sa duhet luftës që ndodhë tek komentet. “Nganjëherë [gjuha e urrejtjes] është e nxitur nga vetë media dhe kjo pastaj i dekurajonë njerëzit që të marrin pjesë në diskutimet publike”, thotë ajo duke shtuar se ky dekurajim veçanërisht i prek gratë. “E dinë se nëse përfolën në media do të jenë mijëra komente që kryesisht janë sulme ndaj jetës së tyre personale”.
Kusari thotë se nëse dikush komenton nëpër rrjetet sociale, me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, ai/ajo që është subjekt i këtyre komenteve mund të bëjë padi në gjykatë dhe të kërkojë që të bëhet largimi i ati komenti, por ka mundësi që të kërkojë edhe kompensim dëmi. Sipas saj, këtë standard e ka vendosur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut përmes një serie të vendimeve të saj, por s’është testuar ende në vend.
“Në qoftë se një media e publikon një lajm në Facebook në faqen e tyre dhe pastaj ka komente që doemos kanë përmbajtje penale dhe ato komente raportohen, pra del një shkrim për mua dhe bën thirrje për vrasje dhe unë e raportoj tek media, mediat kanë obligim menjëherë të reagojnë dhe nëse nuk reagojnë lind përgjegjësia penale edhe për ta”, thotë ajo. Sipas Kusarit për komente me gjuhë të urrejtjes ka shumë pak raportime, sepse ka pak besim që mediat do të reagojnë.
Mediet në Kosovë kryesisht nuk i moderojnë seksionet e komenteve, qoftë për shkak të mungesës së burimeve njerëzore për ta mbuluar shumësinë e komenteve, qoftë për shkak se komentet e shumta nxitin tjerat dhe rrisin shikueshmërinë e publikimeve dhe klikimet. Algoritmet e platformave sociale janë të dizajnuara për ta maksimizuar angazhimin e përdoruesve në të dhe për ta monopolizuar vëmendjen e tyre, duke i shtyer përdoruesit drejt përmbajtjes polarizuese dhe nxitëse.
Teksa moderimi i komenteve që përmbajnë gjuhë urrejtjeje prej vetë platformave sociale, zbatohet në disa gjuhë prej disa prej tyre si Facebook, ky moderim nuk është i plotë në gjuhët, përfshirë shqipen.
Ndërkohë, për mediet pos kodit personal etik gazetaresk, nuk ka asnjë kornizë tjetër që i obligon mediet që t’i kontrollojnë, fshijnë apo redaktojnë komentet që përmbajnë gjuhë urrejtjeje e përçarëse në faqet e tyre në mediet sociale.
Këto lloj komentesh nuk janë as në kompetencën e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) që është trup vetërregullues, i krijuar nga vetë mediet për ta rregulluar përmbajtjen e publikuar në mediet e shkruara. KMShK nuk ka mandat për trajtimin e komenteve nëpër rrjetet sociale, andaj edhe vendimi për to është i pamundur karshi ankesave të qytetarëve.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK, tregon që nuk pranojnë numër të madh të ankesave për komente në rrjetet sociale, por edhe ato që i pranojnë, nuk i trajtojnë. Mushkolaj thotë se KMShK i udhëzon palët që të ndjekin procedurat dhe t’i ankohen rrjetit social përkatës ose të ndjekin rrugët tjera ligjore.
KMShK ka mandat vetëm në rastet kur gjuha e urrejtjes është shfaqur brenda përmbajtjeve mediale. Sipas Mushkolajt, komentet denigruese, gjuha e urrejtjes dhe fyerja, të publikuara në platforma mediale trajtohen njësoj si çdo përmbajtje tjetër në media dhe për to merren vendime përkatëse.
Numri i madh i komenteve me gjuhë të urrejtjes nëpër mediet sociale mund të nxitet nga mënyra se si paketohen përmbajtjet nga vetë mediet. Ka raste të shumta kur mediet i japin ngjyrime e kahe të tilla përmbajtjes, të cilat më pas shkaktojnë komente të panumërta dhe gjuhë të urrejtjes.
Në fillim të këtij viti u raportua se një vajzë e moshës rreth 15-vjeçare vdiq pas një aksidenti në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Kur raportuan, disa medie nëpër tituj vendosën etninë e viktimës. Mjaftoi fakti që viktima ishte serbe që në seksionet e komenteve të shumë prej medieve që raportuan për këtë rast të vërshojnë komente që përmbanin gjuhë të rrezikshme urrejtjeje. Përpos kësaj, disa komentues haptaz iu gëzuan kësaj vdekjeje, teksa edhe uronin që më shumë të tilla të ndodhnin.
Shpalosja e etnisë së viktimës nga mediet në rastet kur ky element nuk përbën ndonjë rëndësi për lajmin mund të shihet e lexohet si e pakujdesshme, qëllimkeqe dhe si akt që synon nxitje të urrejtjes dhe shkel Kodin e Etikës së KMShK.
Në anën tjetër, drejtues mediesh e pranojnë se është shumë sfiduese të kontrollohen komentet në rrjetet sociale, por një pjesë të përgjegjësisë e hedhin edhe tek lexuesit dhe komentuesit. Kryeredaktori i mediumit online, AlbanianPost, Lirim Mehmetaj, thotë se provojnë që maksimalisht të mos lejojnë komente jo të duhura nëpër rrjetet sociale, në mënyrë që të mos nxitet gjuha e urrejtjes dhe të mos etiketohen apo gjykohen personat që janë subjekt i trajtimit të një teme.
“Shfaqja e mendimeve nëpër komente tregon për mundësinë që të bëhesh pjesë dhe të japësh kontribut, por jo të ofendosh apo kërcënosh”, thotë ai.
“Abuzimi online është po aq i rëndë sa abuzimi në jetën reale”
Komentet nëpër mediet sociale që përmbajnë gjuhë të urrejtjes mund të shkaktojnë pasoja të rënda te personat që janë subjekt i komentimit.
Vitin e kaluar, videot në TikTok që shfaqnin Lulzim Pacit, profesor i biologjisë në një shkollë të mesme, duke vallëzuar, vërshuan rrjetet sociale. Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes Fjolla Ujkani bëri një postim në Facebook përmes së cilit u bëri thirrje zyrtarëve të arsimit në Vushtrri që të ndërmarrin masa ndaj atyre që ajo i quajti “veprime të pahijshme dhe degjeneruese” nga profesori. Komentet përqeshëse ndaj tij vërshuan rrjetet sociale dhe profesori ishte në shënjestër të abuzimit online. Në një intervistë për KTV, teksa fliste për të gjitha komentet negative që i ka marrë, Paci shpërtheu në lot. Gjatë intervistës, ai tregoi se i kishte thënë vëllait të tij që –– siç la të kuptohej, në rast se turpërohej nga ai –– mund t’u thotë të tjerëve se Lulzim Pacin e ka veç të afërm e jo vëlla.
Sipas Naim Telakut, psikolog, personi që është cak i komenteve negative e përqeshëse online, fillimisht mund të ndihet i izoluar dhe përjashtuar në aspektin social, pastaj mund të fillojë të ndiejë një dozë frike për ndikimin afatgjatë që mund ta kenë ato komente.
“Mund të fillojë të ndihet i kërcënuar dhe përjashtuar, të përjetojë ndjenja të ndërgjegjes së vrarë”, thotë Telaku, teksa përmend disa nga efektet që shkaktojnë komentet me gjuhë urrejtje nëpër rrjetet sociale.
Radha e pasojave që i shpjegon Telaku është edhe më e gjatë e shkon deri te telashet me gjumin e apetitin. “Abuzimi online është po aq i rëndë sa abuzimi në jetën reale, ndoshta edhe më i rëndë”, thotë ai.
Telaku thotë se kur ndodhë abuzimi në jetën reale, numri i abuzuesve është më i vogël dhe viktima ka më shumë hapësirë të reagimit, ndërkaq kur abuzimi bëhet online, bëhet një numër tepër i madh i abuzuesve të cilët sikur e ushqejnë dhe stimulojnë njëri-tjetrin që për pasoje të zakonshme ka rritjen e dozës së abuzimit.
“Këto komente negative dhe ofenduese pastaj mund të kenë një impakt në mundësitë për punësim të personit, apo për ndërtimin e lidhjeve sociale e romantike”, thotë ai.
Komentet negative kanë ndikuar edhe te deputetja Kica Xhelili në aspektin emocional. Sipas saj, shpesh i ka shkuar ndërmend të tërhiqet nga jeta publike. Por, ajo thotë se ka krijuar imunitet ndaj komenteve të tilla dhe tash i eviton ato.
“Fatkeqësisht, politika nuk të liron asnjëherë nga sulmet. Kjo vlen sidomos për rastet kur ti e ke parasysh që jashtë politikës jeta jote, sikur emocionale, financiare e profesionale do të ishte shumëfish më e rehatshme”, thotë Kica Xhelili.
Ajo thotë se komentet negative i kanë marrë energji të jashtëzakonshme për ta evituar ndikimin që dinë ta kenë.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.