Bursa | Të drejtat e punëtorëve

Kontratat afatshkurtra që ua mohojnë të drejtat punëtorëve

Mijëra të punësuar me kontrata të parregulluara të sektorit publik.

Jetoni* thotë se ka aplikuar në pak a shumë 100 konkurse në sektorin privat dhe në atë publik. Por, ai ende s’ka gjetur punë; në shumë raste as nuk është ftuar për intervistë.

Odiseada e tij për të gjetur vend pune përfundoi në mars të vitit 2019. I bindur se s’mund të gjente punë në Kosovë, Jetoni vendosi t’i kërkonte ndihmë një të afërmi që është pjesëtar i një partie politike. Atij iu premtua një vend pune, dhe pas pak u publikua një konkurs i hartuar për t’iu përshtatur Jetonit. 

Më në fund u punësua. Çdo muaj merr pagë prej 341.15 eurosh neto. Kjo domethënë që ai e ka mundësinë të fitojë për ta mbështetur veten dhe familjen e tij prej gjashtë anëtarësh me banim në Drenicë. Megjithatë, shumica e rrogës i shkon për qira dhe ushqim në Prishtinë.

“Tash e disa vite jetoj me qira pasi e kam të pamundur më udhëtu çdo ditë”, thotë Jetoni. “Jemi tre shokë që e kemi marrë një banesë të cilën e paguajmë 150 euro në muaj. Shyqyr që nuk jam i martuar e nuk kam fëmijë se nuk e di çka kisha ba”.

Jetoni gjeti punë vetëm falë kontratave afatshkurtra të njohura si kontrata mbi vepër. Foto: Naser Fejza / K2.0.

31-vjeçari ka përfunduar studimet themelore dhe master për shkenca politike në Fakultetin Filozofik. Ai gjithashtu ka studiuar kriminologjinë në Fakultetin Juridik. Pavarësisht shkollimit, thotë se nuk ka mundur të gjejë një vend të qëndrueshëm të punës dhe ka pasur sukses vetëm me punë afatshkurtra që s’kanë zgjatur më shumë se disa muaj secila. Ai ka siguruar vendin e tanishëm të punës në një ministri përmes një Marrëveshjeje për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura edhe si kontrata mbi vepër.

“Konkursi ishte vetëm formalitet”, thotë ai. “Ishin disa pyetje shumë teknike, bile as komisioni nuk kanë qenë adekuat për atë konkurs”.

Ai thotë se megjithëse zyrtarisht është punësuar me kontratë për shërbime të veçanta, në të vërtetë ai bën një punë krejt të zakonshme — fut të dhënat e lëndëve në databazën elektronike të ministrisë.

“Shumë gjëra që është dashtë ata me i bë në punën e përditshme të tyre, i bëjmë ne”, thotë Jetoni. “Ne fusim të dhëna të viteve të kaluara. Në kushte normale, secili shërbyes civil është dashtë që këto të dhëna me i regjistru dhe jo me u mbledhë 3-4 mijë lëndë”.

"Paga është e vogël, por po mbesim me shpresë që do të arrijmë të punësohemi si shërbyes civilë dhe do të kemi paga më të mira".

Arta, e punësuar përmes një MShV-je në Komunën e Fushë Kosovës

Sikur Jetoni, në këtë mënyrë janë punësuar edhe mijëra të tjerë në listat civile nga shteti dhe institucionet lokale.

Ndonëse institucionet e Kosovës kanë të drejtën ligjore të angazhojnë persona me MShV, angazhimi duhet të bëhet për një periudhë prej më pak se gjashtë muajsh, dhe për shërbime të veçanta të cilat nuk bëhen nga stafi i rregullt civil.

Deri në shtator të vitit 2019, punësimet përmes MShV-ve janë paraparë në Ligjin për Shërbimin Civil. Ligji thotë se duhet të zbatohet një procedurë e thjeshtuar e rekrutimit në mënyrë që individët të angazhohen përmes MShV-ve. Se çfarë procedure, nuk saktësohet.

Neni 12 i Ligjit parasheh se MShV-të rregullohen nga Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve, i cili mbulon kontratat komerciale si për objekte, ashtu edhe për individë.

Arta* po ashtu është punësuar përmes një MShV-je. Ajo thotë se është punësuar në Komunën e Fushë Kosovës pas një telefonate nga zyrat e Nismës Socialdemokrate, ku më parë ka qenë aktiviste.

“Më thirrën në telefon dhe më thanë që do ta nisja punën në Komunë ditën tjetër”, thotë ajo. “Edhe pse punojmë në Komunë, kontratat i kemi me ministrinë”.

Arta thotë se 12 të tjerë kanë nisur të punojnë në Komunë po atëherë kur nisi ajo. Që nga shkurti i vitit 2019 ajo merr pagë mujore prej 220 eurosh neto.

“Paga është e vogël, por po mbesim me shpresë që do të arrijmë të punësohemi si shërbyes civilë dhe do të kemi paga më të mira”, thotë ajo. “Me këtë pagë po i mbulojmë vetëm do shpenzime të vogla për pesë anëtarët e familjes”.

Arta thotë se ka marrë kontratën përmes MShV-së në Komunën e Fushë Kosovës sepse ka qenë aktiviste e Nismës. Foto: Naser Fejza / K2.0.

Kontrata fillestare prej gjashtë muajsh i është zgjatur për gjashtë muaj të tjerë. Sidoqoftë, Arta dyshon se do të mund ta sigurojë një punë afatgjatë këtu. “Gjasat janë të vogla me mbetë në punë, sepse nuk ka punë për krejt ne aty”, thotë ajo.

Punësimet problematike nëpërmjet shkeljeve ligjore 

Punësimet me MShV  konsiderohen problematike nga organizatat e ndryshme joqeveritare që monitorojnë institucionet për parime të qeverisjes së mirë, transparencës dhe kundër korrupsionit. 

Një hulumtim i vitit 2019 i OJQ-së Demokracia Plus nxjerr në pah se kontratat mbi vepër që bëhen nga institucionet e Kosovës përdoren kryesisht për punësim afatgjatë. Kjo bie në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil. Sipas këtij ligji, punësimet e rregullta duhet të kenë konkurs të hapur, gjë e cila nuk aplikohet gjithmonë për angazhimin e personave me MShV.

Shkeljet ligjore ndodhin atëherë kur këto punësime të përkohshme kthehen në kontrata të përhershme, duke rënë ndesh me obligimin ligjor të kalimit nëpër konkurs.

Autori i këtij studimi, Visar Rushiti, thotë se kontratat mbi vepër janë keqpërdorur nga institucionet dhe kanë ndodhur kryesisht për të siguruar vota dhe për interesa partiake.

“Meqenëse për këto kontrata nuk respektohet konkursi publik, atëherë menaxherët e institucioneve e kanë pasur më të lehtë të rekrutojnë militantë partiakë edhe pa kualifikimet e nevojshme për ato pozita”, thotë ai. “Zakonisht këto kontrata janë përdorur nga institucionet për qëllime punësimi deri në 6 muaj dhe pastaj kalimi në staf të rregullt pasi personi përkatës ka bërë një përvojë të punës prej 6 muajsh dhe realisht ka mësuar punën. Pastaj, ka shumë raste kur persona të caktuar kanë qëndruar shumë më gjatë se 6 muaj, pra edhe me vite, edhe pse kjo ka qenë krejt e kundërligjshme”.

Rushiti thotë se institucionet duhet të bëjnë planifikimin për angazhimin e personelit një vit më herët. Një planifikim i tillë do të eliminonte nevojën për angazhime të shumta të personave me kontrata mbi vepër, si dhe shpërdorimin e kësaj mundësie ligjore.

Visar Rushiti thotë se planifikimi më i mirë do t’i shmangte angazhimet e tepërta përmes MShV-ve. Foto: Naser Fejza / K2.0.

“Këto nevoja duhet të miratohen nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Financave. Pastaj vitin vijues të rekrutohen në mënyrë të rregullt pozitat për të cilat kanë nevojë institucionet”, thotë ai.

Agron Demi nga Instituti GAP thotë se institucionet pretendojnë që buxheti i ulët dhe numri i kufizuar i punësimeve është arsyetim për punësimet me MShV. Sipas tyre, këta faktorë e pamundësojnë rekrutimin e punëtorëve përmes kontratave të rregullta. Për shkak të kësaj, ata punësojnë punëtorë që nuk paguhen përmes buxhetit të pagave, por me linja të tjera buxhetore, përshembull të mallrave dhe shërbimeve, gjë e cila e mundëson rekrutimin ad hoc

“Institucionet publike duhet të jenë më transparente kur angazhojnë persona me kontrata mbi vepër, duke publikuar të dhëna për qëllimin, kohëzgjatjen, pagesën si dhe për kriteret që kërkohen për punësim në këto pozita”,  thotë Demi. “Në të kundërtën, shkelja e parimit për mundësi të barabarta punësimi në shërbimin publik përbën shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Agron Demi thotë se institucionet hedhin pretendime për buxhet të ulët dhe numër të kufizuar të punësimeve për ta arsyetuar përdorimin e kontratave mbi vepër. Foto: Naser Fejza / K2.0.

Në shtator të vitit 2019 ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili pritet të zëvendësojë Ligjin për Shërbimin Civil, duke e centralizuar procesin e punësimit të shërbyesve civilë; ky ligj më vonë është suspenduar deri më 28 shkurt të vitit 2020 pas një ankese të suksesshme në Gjykatën Kushtetuese nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), i cili argumentoi se 32 nene të ligjit të ri e dëmtojnë pavarësinë 

Deri sa të zgjidhet ankesa, MShV-të do të rregullohen nga legjislacioni i vjetër. Por, kur Ligji i ri për Zyrtarët Publikë të hyjë në fuqi, ai parasheh se rregullimi do të bëhet në bazë të legjilacionit për prokurim publik.

Rushiti thotë se ky është ndryshim pozitiv, sepse legjislacionet sikur Ligji për Prokurimin Publik janë ndërtuar për të siguruar një proces më transparent:

“Çdo kontratë me vlerë më të madhe se 1,000 euro duhet të bëhet publike dhe përmes publikimit do të dihen këto elemente: kriteret dhe kushtet e punës, pozita, pagesa, kohëzgjatja dhe për përsëritje do të duhet të ketë prapë konkurrim përmes tenderit të ri dhe kjo pastaj e rritë edhe konkurrencën e personave për t’u angazhuar në atë pozitë”.

Institucionet e niveleve lokale dhe qendrore janë të stërngarkuara me njerëz të punësuar përmes MShV-ve.

Po ashtu, ai thotë se do të duhej të implementoheshin procedura të qarta përmes urdhëresave në mënyrë që të ketë rregullim më të madh sa i përket punësimit përmes MShV-ve. Sidoqoftë, deri sot nuk është parë ndonjë shenjë që të ketë ndonjë urdhër administrativ ose mjet tjetër të ngjashëm që do t’i sqaronte proceset.

Mbingarkesa e ministrive

Institucionet e nivelit qendror dhe lokal janë të stërmbushura me persona të angazhuar me MShV. 

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), në vitin 2018 me MShV janë punësuar 2,493 persona. Edhe pse numri i të punësuarve është shqetësues, Auditori në raportin vjetor ka konstatuar rënie krahasuar me vitin 2017 kur në këtë mënyrë janë punësuar 2,929 persona. Numri është zvogëluar për 436 persona, apo për rreth 18%.

K2.0 ka pranuar përgjigje nga disa prej ministrive që vërtetojnë se punësimet e tilla vazhdojnë të ndodhin.

Disa nga institucionet që prijnë me numër të madh të personave të angazhuar me MShV së voni janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (e cila është shkrirë me Ministrinë e Punëve të Jashtme në qeverinë e re), dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (që tash hyn me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mjedisit).

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në 2019 ka pasur 116 punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta sipas të dhënave të lëshuara për K2.0. Foto: Naser Fejza / K2.0.

Në listën e dërguar nga MKRS-ja, ku përfshihen emrat e personave të angazhuar përmes MShV-ve për vitin 2018-2019, shihet se deri në muajin gusht të vitit 2019 në këtë ministri kanë qenë të angazhuar 116 persona me MShV. Prej tyre 12 janë punësuar në Rezidencën Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova’’ në pozita si ciceron, roje, mirëmbajtëse.

Ndërsa 104 të tjerët janë punësuar si zyrtarë, bashkëpunëtorë të rojeve dhe mirëmbajtës në MKRS; 14 prej tyre janë punësuar pa konkurs, e katër persona janë të angazhuar qysh prej vitit 2009 përmes MShV-së. 

Hiç më i vogël nuk është as numri i të angazhuarve në Ministrinë e Diasporës; sipas shifrave që ka mbledhur K2.0, 99 persona kanë qenë të angazhuar me MShV nga viti 2018 deri në gusht 2019. Kjo ministri arsyeton angazhime të tilla me periudha kohore kur ka më shumë aktivitete me qëllime kulturore. 

“Këtu përfshihen të angazhuarit gjatë aktiviteteve të ditëve të diasporës në Kosovë dhe të aktiviteteve në ditët e kulturës shqiptare në diasporë, në aktivitetet në qendrat kulturore në diasporë etj’’, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim në kuadër të Ministrisë së Diasporës për K2.0. 

Kjo ministri ka thënë se angazhimi i tyre është bërë me konkurs. E njëjta ministri kishte angazhuar 12 persona me kontrata mbi vepër në vitin 2017, bazuar në të dhënat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

E treta për nga numri i të punësuarve me MShV, sipas numrave të K2.0, është Ministria e Mjedisit. Megjithatë, të dhënat e ofruara nga ministria dhe ato që janë publikuar në raportin e Auditorit për numrin e të punësuarve kanë dallime të mëdha.

Zyra për informim e MMPH-së thotë se në vitin 2018 kanë pasur të punësuar vetëm 64 persona, njëri prej të cilëve kishte arritur të merrte kontratë të rregullt. Por, raporti i Auditorit thotë se në fakt në ministri kishin punuar 148 persona me kontrata mbi vepër, 67 prej të cilëve janë punësuar si punëtorë terreni pa aplikuar ndonjë procedurë të rekrutimit. Në këtë ministri, Auditori ka konstatuar se 13 persona të punësuar në emër të shërbimeve të veçanta në vitin 2018 kryenin detyra të rregullta, si zyrtarë të sigurimit, në administratë dhe si roje të mjedisit.

Punësimet me kontrata mbi vepër kanë vazhduar edhe në vitin 2019. Zyra për informim në MMPH ka thënë për K2.0 se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 ka punësuar 62 punëtorë me kontrata mbi vepër. Kjo ministri nuk e ka saktësuar se sa prej të punësuarve janë punësuar pa konkurs. Kurse në vitin 2017 janë angazhuar 14 persona me MShV, pa konkurs.

Sipas hulumtimit të K2.0, prej ministrive që kanë ofruar të dhëna, Ministria e Administratës Publike (e cila së fundi është shkrirë me Ministrinë e Punëve të Brendshme), Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (tash e shpërndarë në disa ministri të tjera) dhe Ministria e Drejtësisë kanë punësuar numrin më të vogël të njerëzve përmes MShV-ve. Disa ministri nuk kanë ofruar të dhëna. 

Nga prilli deri në shtator të vitit 2019, 26 persona janë angazhuar përmes MShV-ve në Ministrinë e Administratës Publike, përderisa në vitin 2018 janë angazhuar 22 nëpërmjet kësaj mënyre. Edhe pse zyra e informimit e kësaj ministrie ka thënë për K2.0 se këto kontrata janë bërë brenda afateve ligjore dhe në përputhje me rregulloret e Ligjit për Shërbimin Civil, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë ndryshe. 

Një raport i kësaj zyre për vitin 2018 thotë se Ministria e Administratës Publike ka punësuar 28 njerëz përmes MShV-ve.  Prej tyre, 14 kanë punuar për më shumë se gjashtë muaj; ata u punësuan në pozita të përhershme të cilat ruhen vetëm për punëtorët e rregullt.

Zyra e Kryeministrit po ashtu ka punëtorë me kontrata mbi vepër. Por, ndryshe nga institucionet e tjera, Zyra e Kryeministrit ka punësuar individë për programe të veçanta. Tre ekspertë janë punësuar për zhvillimin e programit “Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit,” një fond i shtetit amerikan që vepron në 35 shtete. Përqendrimi i këtij fondi është luftimi i varfërisë globale përmes partnershipeve të veçanta me shtete të ndryshme.

Të punësuarit me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta konsiderohen të privilegjuar në tregun e punës në Kosovë, ku papunësia llogaritet të jetë rreth 30%.

Në maj të vitit 2019 me vendim të Qeverisë së Kosovës u ndanë mjete financiare për implementimin e projektit Kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit si dhe për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë.

Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se dy ekspertë janë angazhuar me kërkesë të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj. 

Përveç tyre, Gashi ka thënë se janë edhe 11 persona të tjerë të angazhuar në Zyrën për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Punësimi i tyre është bërë bazuar në MShV, ndërsa Gashi nuk ka treguar nëse ishte hapur konkurs për punësimin e tyre.

Zyra e Kryeministrit i ka angazhuar edhe gjashtë ekspertë për dialogun me Serbinë. Zëdhënësja e Qeverisë nuk ka treguar nëse për angazhimin e tyre ishte hapur konkurs. Ata janë punësuar për një kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Institucionet publike po ashtu kanë shfrytëzuar MShV-të. 

Për shembull, sipas ZKA-së, në Telekomin e Kosovës gjatë vitit 2018 janë angazhuar 178 persona për punë dhe detyra specifike, edhe pse nuk është e qartë nëse janë punësuar përmes MShV-ve. Shefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, fillimisht ka kërkuar t’i dërgohen pyetjet me shkrim, pastaj nuk iu është pëgjigjur atyre.

Ndonëse Ligjin i Punës specifikon: “Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”, PTK-ja nuk e ka bërë këtë sipas raportit të ZKA-së.

Edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit ka punësuar njerëz me MShV. Sipas Raportit Vjetor Financiar të Ministrisë së Financave, në vitin 2018 në këtë agjenci kanë qenë të angazhuar 29 persona përmes MShV-ve. Pavarësisht përpjekjeve të K2.0 për të marrë informata prej zyrtarëve të Agjencisë, ata nuk u përgjigjën. Raportet e ZKA-së nuk përfshijnë të dhënat për numrin e njerëzve të punësuar përmes MShV-ve në këtë agjenci.

Gjetjet e raporteve të ZKA-së tregojnë që në të shumtën e rasteve, institucionet e Kosovës nuk i publikojnë konkurset për punësimin e njerëzve me kontrata mbi vepër, kështu duke i diskriminuar të tjerët.

Auditori është i qartë se angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës pa respektuar parimet bazë për një proces fer, transparent dhe konkurrues, përveç se mund të mos jetë në harmoni me obligimet e tanishme ligjore, rrit edhe rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

Punëtorë pa të drejta

Shumë nga të punësuarit me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta konsiderohen të privilegjuar në tregun e punës në Kosovë, ku papunësia llogaritet të jetë rreth 30%.

Sidoqoftë, edhe pse MShV-të ofrojnë mundësi për qytetarët që përndryshe do të ishin të papunë, në shumicën e rasteve këto kontrata neglizhojnë të drejtat e tjera të punëtorëve. Punësimet përmes MShV-ve në institucionet qeveritare dhe lokale ose ndërmarrjet publike shpeshherë bien ndesh me Ligjin kundër Diskriminimit, sepse nuk ka trajtim të barabartë. Tri shtyllat kryesore të këtij ligji kryesisht mbrojnë kundër diskriminimit në punësim ose ngritje në pozitë në sektorin publik dhe atë privat.

Gjetjet e raporteve të ZKA-së tregojnë që në të shumtën e rasteve, institucionet e Kosovës nuk i publikojnë konkurset për punësimin e njerëzve me kontrata mbi vepër, kështu duke i diskriminuar të tjerët. Për më shumë, njerëzit e punësuar përmes MShV-ve privohen nga të drejtat themelore sikur pushimi vjetor dhe pushimi prindëror.

Kjo ka ndodhur me 27-vjeçaren Dafina Zeka nga Prishtina. Dafina ka studiuar ekonominë në Universitetin e Prishtinës. Deri në shtator 2019, ajo ka punuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (e cila tash është shkrirë me ministri të tjera). 

Fillimisht, ajo ka punuar si praktikante për një vit. Më pas e ka nënshkruar kontratën e parë mbi vepër në Ministri më 14 korrik 2017. Ajo u punësua si “zyrtare për shqyrtimin dhe pranimin e rasteve” në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve dhe e merrte pagën prej 400 eurosh bruto prej buxhetit të shtetit. 

Kontrata e saj përtërihej rregullisht. Kështu është shkelur Ligji për Shërbimin Civil (i cili do të zëvendësohet së shpejti) sepse e kufizon kohëzgjatjen e këtyre kontratave në gjashtë muaj.

Pasi punoi për më se dy vjet, kontrata e saj nuk u përtëri më. Shërbyesit civilë të karrierës kanë kontrata të përhershme dhe mund të pushohen vetëm si rrjedhojë e shkeljeve të rënda. Sidoqoftë, ajo nuk e ka pasur statusin e shërbyeses civile sepse ka pasur kontratë mbi vepër.

Ajo pretendon se kjo është bërë për ta mundësuar punësimin e një individi me lidhje politike. “Pas një jave që më kanë largu mu, MTI-ja ka hap konkurs të rregullt për pozitën që unë kam punu, konkursin e kanë hapë pikërisht në kohë të zgjedhjeve’’, thotë ajo.

Përveç kësaj, Zeka thotë se është larguar nga puna në kohën kur ishte shtatzënë. 

“Më kanë largu nga puna pa asnjë paralajmërim, vetëm kanë kërkuar nga unë që t’i dorëzoj  çelësat e zyrës”, thotë Zeka. “Jam befasu për një largim të tillë”.

Dafina Zeka thotë se do të vazhdojë ta luftojë shkëputjen që e konsideron të padrejtë të kontratës së saj me MShV. Foto nga Dafina Zeka.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se largimi i saj nuk lidhet me faktin se ajo ishte shtatzënë.

Me datën 03.09.2019 znj. Zeka i ka përfunduar kjo kontratë dhe nuk ka të bëje asgjë me shtatëzaninë e znj. Zeka. Institucioni ligjërisht nuk ka asnjë obligim ndaj zyrtarëve që kanë këtë lloj kontrate, pasi që kjo kontratë nuk i siguron askujt punësim në shërbimin civil të karrierës”, thuhet në përgjigje të zyrës për informim në kuadër të MTI. 

Një javë pasi ka përfunduar kontrata e Zekës, MTI hapi konkursin e rregullt për pozitën Zyrtar/e për Bazën e të Dhënave 2. Zeka aplikoi për këtë pozitë, që ishte e ngjashme me pozitën e saj të mëparshme, mirëpo konkursi u anulua një muaj pasi asaj i ishte dërguar ftesa për testim me shkrim.

“Konkurs është i pezulluar sipas njoftimit nga Mail Info ( Ministria e Administratës Publike – MAP), sipas së cilës gjitha procedurat e rekrutimit në gjitha fazat  pezullohen deri në miratimin e rregulloreve për zbatimin e Ligjit Nr.06/L-144 për Zyrtarë Publik (LZP) nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e MTI. 

Dafina deri më tani ka bërë ankesë vetëm në institucionin ku ka qenë duke punuar, mirëpo ankesa e saj është hedhur poshtë nga Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave në MTI. 

Në anën tjetër, Ligji i Punës saktëson se punëdhënësi, qoftë publik apo privat, nuk ka të drejtë t’i largojë nga puna gratë shtatzëna. 

Zeka beson që Ligji i Punës dhe Ligji i Shërbimit Civil duhet t’i mbrojë edhe personat e angazhuar me MShV. Ajo thotë se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi. Por këtë po ia vështirëson boshllëku ligjor dhe mungesa e përcaktimit të qartë se kujt i bie përgjegjësia.

Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), dhe Inspektoriati i Punës thonë se nuk i shqyrtojnë ankesat e punëtorëve të angazhuar me MShV.

Përfaqësuesi i KPMShCK-së, Behram Geci, ka thënë se shkeljet që bëhen te punësimet me kontrata mbi vepër nuk trajtohen nga Këshilli. Punësimet me MShV trajtohen nga Këshilli vetëm nga aspekti i statistikave dhe përfshihen në raportet e monitorimeve.

Për më tepër, nga dhjetori i vitit 2018, KPMShCK është jofunksional për shkak se anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati. Në prill 2019, Kuvendit i janë propozuar gjashtë kandidatë të përzgjedhur në konkursin e udhëhequr nga Komisioni vlerësues i përbërë nga deputetet e Kuvendit të Kosovës. Përkundër përfundimit të procedurave, Kuvendi nuk ka arritur të votojë në seancën plenare për kompletimin e bordit. Tashmë i mbetet legjislaturës së re që ta zgjedhë bordin e KPMShCK-së.

“Sivjet (më 2019) e kemi të pamundur për të bërë monitorime dhe vëzhgime. Poashtu nuk kemi as të dhëna nga institucionet, sepse kemi mbetur pezull”, ka deklaruar Geci. 

Ai pretendon se MShV-të trajtohen me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe jo me Ligjin e Punës. 

Në qoftë se kjo është e vërtetë, të gjithë personat e angazhuar bazuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve privohen nga të drejtat që dalin nga Ligji i Punës, siç është pushimi vjetor dhe ai i lehonisë.

Është e vështirë, në mos e pamundshme, që punëtorët me MShV të ankohen për trajtimin që u bëhet. Foto: Naser Fejza / K2.0.

Me punëtorët e angazhuar me MShV nuk merren as në Inspektoratin e Punës. Valon Leci, ushtrues detyre i kryeinspektorit të Punës thotë se Inspektoriati i mbikëqyr ankesat e punëtorëve me MSHV vetëm në rast të sigurisë dhe shëndetit në punë, ndërkaq për punë të tjera është KPMShCK. 

Inspektorati thotë se numrin më të madh të ankesave e ka nga sektori publik. 

“Ajo që është interesant dhe paradoksale është se mbi 70-80% janë ankesa nga të punësuarit në sektorin publik”, thotë Leci. “Ankesat kryesisht kanë të bëjnë me orarin e punës, kontratat e punës, etj.  Përderisa në Republikën e Kosovës ekziston opinioni publik se në sektorin privat shkelen shumë të drejtat, kjo reflekton me ankesat të cilat drejtohen në Inspektoriatin e Punës ku afërsisht 80% të rasteve vijnë nga sektori publik”. 

E në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë thënë së nuk kanë pranuar ndonjë kallëzim penal në lidhje me kontratat për MShV. “Në zyrën e personelit të Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk ka pasur asnjë lloj ankese për kontrata me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta’’, ka thënë zyrtarja për informim Mirlinda Gashi.

Ndërkaq Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) nuk bën ndarje të ankesave që vijnë nga punëtorët varësisht nëse janë të punësuar me MShV, në sektorin publik apo në atë privat.

Punëtorët me MShV janë nën rrezikun e vazhdueshëm të shkeljes së të drejtave të tyre, sipas Institucionit të Avokatit të Popullit. Foto: Naser Fejza / K2.0.

Zyra për Informim në kuadër të IAP-së ka treguar vetëm në përgjithësi për numrin e ankesave të punëtorëve, përkundër pyetjeve specifike që i janë bërë. Ata thonë se zakonisht nuk pranojnë ankesa nga të punësuarit meqë ata vlerësojnë se iu rrezikohet vendi i punës, apo kur ka ankesa zakonisht janë vetëm nga kandidatët që pretendojnë që u është bërë e padrejtë nëpër konkurse.

“Sa i përket numrit të rasteve për shkelje të të drejtave të marrëdhënieve të punës apo në punësim për vitin 2018 dhe këtë vit 2019, vitin e kaluar janë parashtruar 76 ankesa për shkelje të të drejtave në punësim, prej të cilave 44 raste janë të hapura për hetim, ndërsa këtë vit, nga 1 janari deri më 28 qershor janë parashtruar 27 ankesa, prej të cilave 16 raste janë të hapura për hetim”, thuhet në përgjigjen e IAP-së.

"Sot, me gjetë një vend pune në shoqëri civile apo në profesion e kisha lanë këtë punë. Por, nuk kam kah me ia majtë njëherë."

Jetoni, i punësuar në qeveri përmes një MShV-je.

Sipas IAP-së, shkalla e lartë e papunësisë ka ndikuar që rastet e diskriminimit në vendin e punës të raportohen shumë rrallë, pasi të punësuarit frikësohen nga hakmarrja e punëdhënësve të tyre.

Bazuar në ankesat e parashtruara për shkelje të të drejtave të punëtorëve në punësim, IAP konsideron se nuk ka pasur përparim të dukshëm dhe përmirësim të situatës lidhur me respektimin e të drejtave të punëtorëve. Ky institucion konstaton se të drejtat e punëtorëve vazhdimisht shkelen.

Ndërkohë, pamjaftueshmëritë në monitorim, gjykimet për ankesa dhe ligjet që lidhen me MShV duket se i lënë punëtorët e punësuar përmes këtyre marrëveshjeve pa mbrojtje në vendin e punës. “Sot, me gjetë  një vend pune në shoqëri civile apo në profesion e kisha lanë këtë punë. Por, nuk kam kah me ia majtë njëherë”, thotë ai.

Ndaj, ai e përmend vetëm një mundësi.

“Jam duke e pritë një vizë pune”, thotë Jetoni. “Në momentin që më aprovohet, do të dal jashtë Kosovës, se qe 10 vjet jam duke aplikuar nëpër puna, por nuk kam mundur të punësohem. Me kësi puna të përkohshme nuk mbahet shtëpia”.K

Imazhi i ballinës: Naser Fejza / K2.0.

Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.