Pikëpamje | Drejtësi

Kosova duhet të luftojë për të siguruar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Enver Hadrit

Nga - 07.12.2016

Rasti i parë nëpërmjet pikëpamjes ligjore.

Enver Hadri ishte president i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Prej 1972, ai jetoi në Bruksel, ku punoi për të garantuar të drejta të barabarta për shqiptarët në Kosovë në krahasim me të gjithë qytetarët tjerë në ish-Jugosllavi. Në 1990, ai u vra kur u ndalua në një semafor në lagjen Saint-Gilles të Brukselit, në udhëkryqin në mes Rue St Bernard dhe Rue de la Victorie.

Sipas verdiktit përfundimtar të Gjykatës Assize në Bruksel, që u dha me 23 nëntor, 2016, organizatori i vrasjes ishte Bozidar Spacic – ish-kreu i operacioneve speciale në policionë sekrete jugosllave (UDBA), ndërsa vrasës ishin dy anëtarë të një bande kriminale të bazuar në Beograd, Andrija Draskovic dhe Veselin Vukotic. Të tre u gjykuan in absentia, pa qenë të pranishëm, dhe u shpallën fajtorë e u dënuan me burgim të përjetshëm.

Hollësitë e rastit janë ilustruar në media nëpërmjet disa artikujve informativ (kryesisht nëpërmjet mediave belge) dhe konteksti politik e social i rastit është diskutuar tërësisht në rrjete sociale dhe në artikuj gjithëpërfshirës në Kosovë. Sidoqoftë – konteksti ligjor i rastit gati se është anashkaluar, dhe këtë synoj ta bëjë fokus në këtë artikull.

Ligjërisht, ky rast i ka disa aspekte interesante që vlejnë të eksplorohen. Sistemi ligjor në të cilin rasti është zhvilluar është i veçantë dhe shton dimensione të reja. Edhe vet rasti është i rëndësishëm, meqë ndihmon me eksplorimin e konceptit të ‘krimit shtetëror’ dhe i ofron institucioneve të Kosovës mundësinë e ndikimit te praktikes gjyqesore në Evropë. Perspektiva ligjore mund të ndihmojë edhe me ndriçimin e hapave të ardhshëm që me gjasë do të bëhen në këtë kërkim të vazhdueshëm të drejtësisë.

Gjykim nga gjykatësi dhe juria

Rasti i Enver Hadrit u trajtua nëpërmjet sistemit ligjor belg, që është mjaft i përpunuar. Së pari, ka nën-ndarje në nivele të ndryshme të devoluimit rajonal: janë pesë ‘fusha’ gjyqësore, të bazuara në pesë krahinat e Belgjikës (Antverp, Ghent, Bruksel, Mons dhe Liege), 27 arrondissements gjyqësore në nivelin tjeter  rajonal, dhe 225 kantone gjyqësore në nivelin më të ulët. Janë gjithashtu katër zona kryesore të se drejtes rreth së cilave janë të vendosura gjykatat e caktuara: e drejta sociale, e drejta komerciale, e drejta civile dhe e drejta penale. Gjykatat e ndryshme merren me fusha të ndryshme të se drejtes në bazë të ndarjeve territoriale.

Sidoqoftë, është vetëm një Gjykatë Assize. Është gjykatë penale që ka juridiksion mbi shkeljet politike dhe mbi krimet kundër ligjit ndërkombëtar, si gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit, dhe operon me gjykime me juri, edhe për krime e edhe për gjykime politike. Jo si gjykatat tjera, (ose çdo gjykatë në Kosovë në fakt) Gjykata e Assize duhet të përbëhet për çdo rast specifik, me një strukturë të re të gjykatësve dhe anëtarëve të jurisë secilën herë. Përbëhet prej tri gjykatësve profesional dhe 12 anëtarëve të jurisë.

Ka kuptim të përkryer kriminologjik konsiderimi i rastit si krim shtetëror, dhe ndjekja e tij si i tillë.

Kjo është shumë e rëndësishme në rastin e Enver Hadrit sepse shton pjesëmarrjen civile në gjykimin profesional të rastit; përveç gjykatësve që janë të pranishëm, rasti gjykohet edhe prej anëtarëve të jurisë. Është shumë e rëndësishme që të cekim rëndësinë e këtij rasti, për shkak se vendosë një precedent shumë të vlefshëm për Kosovën. Duke marrë parasysh faktin se shteti i Kosovës nuk është përfshirë me këtë rast në asnjë mënyrë, dhe se kishte mungesë të madhe të mbulimit dhe mbështetjes institucionale, prap se prap është precedent ligjor në të cilin Kosova mund të thirret po të ketë nevojë.

Përkrah faktit se gjykata dha dënim me burgim të përjetshëm, duhet të cekim se hetimet, që zgjatën me vite, ranë në përfundim se vrasja kishte motive politike, dhe se ishte e mbështetur e financuar nga shërbimet e intelegjencës në ish-Jugosllavi, dhe ishte kryer me ndihmën logjistike të nëntokës së Beogradit. Kjo është shumë e rëndësishme në botën ligjore për një arsye të thjeshtë: krijon mundësi për përgjegjësi ligjore institucionale – përkrah asaj individuale.

Krimi shtetëror

Nga një pikëpamje e pastër kriminologjike, mund të shkojmë më tej dhe t’i referohemi kësaj vrasjeje si ‘krim shtetëror’. Koncepti i krimit shtetëror u tha për herë të parë nga William Chambliss gjatë adresimit presidencial të Shoqërisë Amerikane të Kriminologjisë në 1988. Ai i përshkroi krimet shtetërore si ‘veprimet të përcaktuara nga ligji si penale dhe të kryera nga zyrtarët e shtetit në ndjekje të punës së tyre si përfaqësues të shtetit’. Më vonë, Chambliss e zgjeroi këtë definicion, duke pretenduar se ‘sjelljet që shkelin marrëveshjet dhe parimet ndërkombëtare që janë themeluar në gjykata dhe traktate të organeve ndërkombëtare’ duhet të përfshihen në analizen kriminologjike të krimit shtetëror.

Ideja e përgjithshme prapa konceptit të ‘krimit shtetëror’ është se konsiderohet si veprim i shkeljes së një ligji ose e një të drejte të caktuar, bashkë me qëllimin e shkaktimit të dëmit dhe ndjekjes së synimeve organizative ose qeveritare që rezultojnë në dëme (që në rastin e Hadrit ishte e drejta e jetës, e kombinuar me qëllimet e UDBA). Kur i marrim parasysh të gjitha këto, ka kuptim të përkryer kriminologjik konsiderimi i rastit si krim shtetëror, dhe ndjekja e tij si i tillë.

Draskovic, Vukotic & Spacic: Çfarë ndodh tani me vrasësit e dyshuar të Hadrit?

Tani që është dhënë verdikti, është e rëndësishme që të dimë se çfarë do të ndodh tani me vrasësit e dyshuar te Hadrit nga një pikëpamje ligjore. Së pari – duhet të bëhet shumë e qartë që rasti ende nuk ka përfunduar. Ligjërisht – Draskovic, Vukotic dhe Spasic kanë të drejtë për apelim kundër verdiktit para se ai të bëhet përfundimtar, e drejtë kjo përdorimi i së cilës duket i pashmangshëm nga ana e tyre.

Së dyti – kushtetuta e Serbisë nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të vet në shtete me të cilat nuk kanë marrëveshje të reciproke të ekstradimit. Meqë nuk kanë marrëveshje të tillë me Belgjikën, të dënuarit gati sigurt nuk do të ekstradohen. Deri sa të bëhet përfundimtar verdikti, të tre janë ende ‘qytetarë të lirë të Serbisë’.

Vet verdikti duket me gjasë se do të apelohet nëpërmjet Gjykatës Supreme (e njohur gjithashtu si Gjykata e Cassation) që shpeshherë referohet si ‘gjykata e të gjitha gjykatave’. Po të mos përfshihet përgjegjësia ligjore institucionale e Serbisë në verdiktin përfundimtar – do të ketë gjithashtu mundësi që të paraqitet rasti në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e NJeriut (GjEDNj).

Dihet që Kosova nuk është pjese e Këshillit të Evropës. Megjithatë, edhe një shtet që nuk është pjese e Keshillit te Evropes mund të paraqes kërkesë ne Gjykaten Evropiane per te Drejtat e Njeriut kundër një shteti anëtar; theksi  është te ajo se kundër kujt paraqitet kërkesa – jo nga kush. Në këto rrethana, ideale për familjen e Hadrit është që me mbështetjen e shtetit të Kosovës të eksplorohen mundësitë për kërkim të përgjegjësisë ligjore institucionale.

Institucionet e Kosovës duhet ta ndjekin këtë rast deri në fazat përfundimtare, dhe së bashku me familjen e të ndjerit, të krijojnë një precedent tjetër ligjor nga kjo, në mënyrë që me rregull të mbyllet rasti, dhe të lihet shenjë në praktiken gjyqesore në Evropë.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0