Në thelb | COVID-19

Kosova shënon rekord të ri të rasteve me COVID-19

Nga - 30.10.2020

Shërbimet shëndetësore përballen me trysni në mes të valës së dytë të virusit.

Kosova ka shënuar rekord të ri të rasteve me COVID-19 për një ditë të vetme, ndërsa shërbimet shëndetësore janë duke u shtrënguar gjithnjë e më shumë. 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IShPK) njoftoi të premten (më 30 tetor) që ka konfirmuar 418 raste të infektuara gjatë 24 orëve të fundit. Rekordi i mëparshëm ishte ai i ditës paraprake (e enjte, 29 tetor) kur kishte 284 raste rë reja të konfirmuara. 

Prishtina ka më së shumti raste me 188 persona të infektuar që u konfirmuan të premten, ndërsa raste të reja janë konfirmuar në shumicën e komunave. 

Katër vdekje të reja janë raportuar gjithashtu të premten, duke e rritur kështu numrin e përgjithshëm të personave që është konfirmuar se kanë vdekur nga COVID-19 në 678. 

Numri zyrtar i testimeve me metodën RT-PCR në baza ditore është rritur në mënyrë të konsiderueshme ditët e fundit, me një rekord të 1,600 testeve të bëra në 24 orët e fundit. Numri zyrtar i testeve ditore i shënuar nga IShPK rrallë ka kaluar numrin 700 deri në mes të tetorit por është rritur në mënyrë të qëndrueshme deri në 1,000 teste në ditë gjatë dy javëve të fundit. 

Një e treta e kapaciteteve aktuale të kujdesit shëndetësor në Kosovë tashmë janë mbushur me pacientë të cilët dyshohet apo është konfirmuar se kanë COVID-19.

Rekordi i ri i të infektuarve është pjesë e një vërshimi të ri të rasteve në Kosovë, ku ngjashëm me pjesën tjetër të Evropës është duke ndodhur vala e dytë e COVID-19.

Pas ngritjes fillestare të rasteve në gusht, numrat e të infektuarve kanë qenë relativisht të ulët gjatë shumicës së shtatorit dhe fillimit të tetorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i pacientëve të shtruar në spitale është ulur, duke e lehtësuar trysninë ndaj sistemit të shërbimeve shëndetësore i cili ishte duke përjetuar vështirësi. 

Por me fillimin e rritjes së të infektuarve, një e treta e kapaciteteve aktuale të kujdesit shëndetësor në Kosovë tashmë janë mbushur me pacientë të cilët dyshohet apo është konfirmuar se kanë COVID-19.

Në fillim të tetorit kanë qenë 150 raste të pacientave me COVID-19 të shtruar në spital në të gjitha objektet e shërbimit shëndetësor në Kosovë. Sot, ky numër më se është dyfishuar duke arritur në 316, nga të cilët 204 janë konfirmuar si të infektuar me virus dhe pjesa tjetër janë raste të dyshuara. 

Drejtori në detyrë i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, thotë që kapacitetet janë rritur që kur Kosova ka shënuar rastet e para të virusit në mes të majit dhe tani janë deri në 900 shtretër të gatshëm për pacientë me COVID-19. 

Krasniqi gjithashtu shton që kanë punuar drejt rritjes së furnizimit me oksigjen në klinikat që do të shfrytëzohen për të trajtuar këta pacientë. 

Ku janë duke u trajtuar pacientët me COVID-19?

Shumica e pacientëve me COVID-19 në Kosovë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 

Lulzim Emini, udhëheqës i komisionit për menaxhimin e objekteve të QKUK-së për COVID-19 thotë që pacientët me simptoma më të rënda ose komplikime serioze janë duke u trajtuar në objektin e “Intensivës së COVID-it”, e cila më parë ishte Njësia Qendrore e Kujdesit Intensiv të spitalit. Pacientët të cilët dyshohen se janë të infektuar me COVID-19 por që nuk janë ende të konfirmuar po trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë. 

Pacientët me COVID-19 janë duke u trajtuar gjithashtu në spitale rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Gjilan. 

Në ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë që është duke u përshpejtuar ndërtimi i një objekti që do të jetë pjesë e Klinikës Emergjente në QKUK dhe do të përfundohet gjatë muajve të ardhshëm në mënyrë që të përdoret si objekt për COVID-19. Sipas Zemajt, ky objekt do t’i shtojë 500 shtretër në kapacitetet e tanishme.

Kjo ka pasur ndikim të dukshëm në pacientët pa COVID-19, të cilëve shpesh u duhet të presin me muaj për trajtime të rëndësishme.

Momentalisht është e paqartë se si vërshimet e fundit të rasteve me COVID-19 dhe shtrirjet në spital do të ndikojnë në ofrimin e shërbimeve të tjera mjekësore. 

Shumë shërbime jo-emergjente shëndetësore kanë rifilluar vetëm në fund të shtatorit, pasi kanë mbetur të pezulluara për muaj të tërë. Pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 në mars, ShSKUK ka njoftuar për pezullimin e të gjitha procedurave dhe intervenimeve jo-emergjente për të parandaluar përhapjen e virusit. 

Doktorët dhe drejtorët e klinikave të QKUK-së thonë që kjo ka pasur ndikim të dukshëm në pacientët pa COVID-19, të cilëve shpesh u duhet të presin me muaj për trajtime të rëndësishme.

“Numri i procedurave [të kryera] është shumë më i vogël  në krahasim me numrin e procedurave të kryera gjatë vitit të kaluar,” thotë Tefik Bekteshi, drejtor i klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK. “Kjo përkthehet në zgjatje të listave të pritjes, vonesë në procedura, pasoja për pacientët me sëmundje koronare por gjithashtu do të thotë që këta këta pacientë u drejtohen institucioneve private”. 

Si në vendet tjera në të cilat shërbimet shëndetësore janë goditur fuqishëm nga pandemia, doktorët në Kosovë thonë që ngurrimi i qytetarëve për të vizituar doktorët në situatën e tanishme ka çuar në vonesa të diagnozave kyçe, të cilat mund të kenë pasoja të mëdha në uljen e gjasave për trajtim të suksesshëm. 

Mbyllja e re si ‘mjet i fundit’ 

Përderisa shtetet Evropiane si Franca dhe Gjermania kanë filluar të njoftojnë për masat e reja të mbylljes gjatë ditëve të fundit si tentativë për të mbajtur valën e dytë nën kontroll, masa të reja kufizuese ende nuk janë shpallur në Kosovë, përkundër rritjes së vrullshme të numrave. 

Të enjten (më 29 tetor), Zemaj ka thënë në emisionin Rubikon të Klan Kosovës që mbyllja e re mund të ndodhë vetëm si ‘mjet i fundit’. Ai gjithashtu ka thënë që kufizime të reja për tubime dhe lëvizje të njerëzve mbi moshën 60 vjeçare dhe të atyre me sëmundje kronike do të prezantohen “këto ditë”. 

Më herët gjatë kësaj jave, Ministri i Shëndetësisë kishte thënë që rritja në infektime është si pasojë e personave që nuk respektojnë masat kufizuese dhe që qeveria do të marrë “të gjitha masat, duke përfshirë kufizime të mëtutjeshme nëse është e nevojshme”. 

Momentalisht, qeveria është duke tentuar ta luftojë përhapjen e COVID-19 përmes masave si mbajtja e detyrueshme e maskave në vende publike. Gjithashtu, ka orar të kufizuar për bare, kafeteri dhe restaurante të cilat lejohen të qëndrojnë të hapura deri në orën 23:30 (dhe të luajnë muzikë deri në orën 21) — duhet të mbajnë distancë minimale prej 2 metrash në mes të tavolinave dhe të sigurojnë dezinfektues të duarve në çdo tavolinë. 

Sipas vendimit të qeverisë të datë 25 shtator, matja e temperaturës është e obligueshme “gjatë hyrjeve në objekte publike dhe private”. I njëjti vendim ka hapur teatrot dhe kinematë të cilat kanë qenë të mbyllura që nga masat fillestare kufizuese të ndërmarra në mars, por tash lejohen të funksionojnë me 40% të kapaciteteve. 

Jashtë, tubimet e më shumë se pesë personave janë të ndaluara “në sheshe publike, parqe, etj.”

Shkollat në vend janë hapur në disa faza gjatë shtatorit, por që nga atëherë dhjetëra janë mbyllur pasi virusi është përhapur në mesin e nxënësve dhe arsimtarëve. Ministria e Arsimit ka thënë që shkollat e mbyllura i janë kthyer mësimit online. 

Në gusht, një Ligj i ri për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, duke përcaktuar gjobat për ata që nuk i respektojnë masat dhe kufizimet e reja. Gjoba për njerëzit pa maska në vende publike është 35 euro.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.