Einstein shpeshherë citohet të ketë përshkruar çmendurinë si “përsëritja e vazhdueshme e të njejtit veprim, me pritje të rezultateve të ndryshme”. Ky nocion aplikohet në shumë çështje në Kosovë dhe Ballkan Përendimor, por më së shumti në rastet kur gazetarët përpiqen që të marrin informata nga institucionet publike në Kosovë. Pavarësisht strukturës gjithëpërfshirëse ligjore, gazetarët kosovar vazhdojnë të kenë vështirësi në marrje të informatave në bazë ditore. E kjo është e drejtë e tyre.
E drejta për qasje në dokumente është thelbësore për mundësimin e mbrojtjes së të drejtave të tjera, për garantimin e demokracisë, si dhe për zhvillimin e një vendi. Kjo e drejtë i përket të gjithë qytetarëve, jo vetëm gazetarëve, dhe si e tillë rregullohet e mbrohet nga disa kongrese të të drejtave të njeriut. Ndoshta më kuptimplota prej tyre është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut që përcakton të drejtën për të “kërkuar, marrë dhe dhënë informata”, si pjesë e së drejtës universale për shprehje dhe mendim.
Përderisa vazhdojmë që të mbushim kërkesa për qasje, të pranojmë mohimin, të shkruajmë raport për të, e ta lëmë me kaq - nuk jemi duke ndihmuar edhe aq.
Në Kosovë – shtet që e ka nënshkruar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut – disa akte ligjore dhe legjislacione dytësore i rregullojnë të drejtat dhe procedurat për qasje në dokumente publike. Duke nisur nga Kushtetuta e Kosovës, që parasheh të drejtën e të gjithë njerëzve për qasje në dokumente publike (Neni 41), si dhe rregullat administrative që përcaktojnë procedurat e nevojshme në lidhje me këtë të drejtë. Përveç Kushtetutës dhe procedurave është një ligj i rëndësishëm që rregullon saktësisht këtë çështje i quajtur Ligji për Qasje në Dokumente Publike.
Gazetarët janë mbështetur në këtë ligj tash e shumë vite, por jo gjithmonë me sukses, prandaj e shohim nevojën për t’i analizuar gabimet dhe për të parë se çfarë mund të bëjmë ndryshe tash e mbas. Përderisa vazhdojmë që të mbushim kërkesa për qasje, të pranojmë mohimin, të shkruajmë raport për të, e ta lëmë me kaq – nuk jemi duke ndihmuar edhe aq. Por nëse e ndryshojmë strategjinë, mund të ketë mundësi për ta kthyer këtë situatë në favorin tonë. Mund të ketë
Ligji thua?
Në të shkruar, Kosova e ka një prej strukturave më të mira legjislative sa i përket qasjes në informata, dhe të gjithë qytetarët – por veçanërisht gazetarët – duhet t’i njohin të drejtat e tyre. Transparencë maksimale dhe mbrojtja e privatësisë janë parimet thelbësore të legjislacionit për qasje në dokumente publike, e këto janë të bazuara në standarde ndërkombëtare.
Ligji për Qasje në Dokumente Publike hyri në fuqi në dhjetor 2010 – atëherë i shfuqizoi e zëvendësoi disa legjislacione dhe urdhëra administrative që ishin në fuqi më parë. Ai përmbanë dispozita ligjore nëpërmjet të cilave secili person fizik e ligjor (institucionet, kompanitë etj.) ka qasje nëse kërkon dokumente që mbahen, hartohen ose pranohen nga institucioni publik përkatës.
Refuzimi zyrtar
Institucionet publike lejohen me ligj që t’i refuzojnë kërkesat e lirisë së informimit pjesërisht ose plotësisht, në rrethana të paracaktuara.
Në rast të refuzimit total ose të pjesshëm, brenda 15 ditëve të pranimit të reagimit, aplikanti/ja mund të dorëzojë një kërkesë për rivlerësim të çështjes nga ana e institucionit përkatës publik. Institucioni përkatës pastaj duhet ta rishqyrtojë vendimin e vet në periudhë shtatë ditore.
Refuzimi i kërkesës së aplikantit/es, si dhe mospërgjigja nga institucioni publik në fjalë brenda periudhës së paracaktuar, merren si reagime negative dhe i japin të drejtë aplikantit/es që të nis procedura me Institucionin e Avokatit të Popullit, si dhe nëpërmjet Gjykatës Themelore.
Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me disa përjashtime të caktuara që janë të përcaktuara qartë në Nenin 12 – 11 arsye për mohimin e justifikuar të lirisë për informata: siguri kombëtare, mbrojtje dhe marrëdhënie ndërkombëtare; interesa komerciale e ekonomike; dhe privatësi e interesa tjera private e legjitime. Nëse refuzohet një kërkesë për informata, ajo duhet justifikuar nga institucioni publik.
Ky ligj i detyron të gjitha institucionet publike që ta emërojnë një njësi të zyrtarëve që është përgjegjës për pranimin e parë si dhe shqyrtimin e kërkesave për informata – duhet të jetë procedurë e thjeshtë, e shpejtë dhe e lirë. Për të qenë më efikas, një person ngarkohet me detyrën e ruajtjes së informatave të sakta e të reja në uebfaqet e institucioneve publike përkatëse. Gjithashtu, secili institucion duhet të ketë një adresë të postës elektronike në të cilën qytetarët mund t’i adresojnë kërkesat e tyre të lirisë së informatave. Leximi i dokumenteve publike brenda lokaleve të institucionit përkatës ose në internet duhet të jetë pa pagesë.
Për të garantuar transparencë të plotë, secili institucion publik e ka për obligim që ta shkruaj një raport çdo vit për vitin e kaluar, në të cilin duhet të përfshihen rastet në të cilat institucioni përkatës i ka mohuar popullit qasje në dokumente, si dhe arsyet për këto mohime. Deri në fund të janarit, secili institucion publik duhet ta dërgojë raportin e vet përkatës për vitin e kaluar në njësitin përkatës të Qeverisë së Republikës së Kosovës/Zyrës së Kryeministrit
Por si është në praktikë?
Kështu funksionon qasja në dokumente publike në teori, dhe duhet të cekim se ka shumë raste kur kërkesat për qasje në dokumente publike është aprovuar dhe dokumentet relevante u janë dhënë partive të interesuara; kjo në veçanti ndodh me çështje me më pak rëndësi, dhe kur institucionet e nivelit më të ulët, si komunat, janë të përfshira. Megjithatë, në praktikë, kërkesat për qasje në dokumente publike shpeshherë refuzohen pa bazë.
Një prej problemeve kryesore është se institucionet bëjnë dallime të pavenda në mes të informatave që konsiderohen private dhe ato që janë në interesin publik. Shembulli më i dalluar i kësaj lidhet me refuzimin e një kërkese për publikim të shpenzimeve publike të Organizatës Jo-qeveritare Rrjeti i Ballkanit për Gazetari Hetuese – BIRN (Balkan Invstigative Reporting Network), nga ana e Zyrës së Kryeministrit në vitin 2012.
Në një demokraci normale e me themel, kur gjykata jep verdiktin përfundimtar, partitë e përfshira janë të obliguara që ta respektojnë e ta zbatojnë.
Nëpërmjet projektit “Drejtësia dhe Populli” të Grupi i Ligjeve dhe Politikave Publike Ndërkombëtare -PILPG (Public International Law & Policy Group), BIRN vendosi që ta sfidojë sistemin dhe ta ndjekë deri në fund në gjykatë. Pas katër viteve plot beteja ligjore, BIRN më në fund e fitoi rastin – gjykata vendosi që është në interesin e publikut që ta dijnë se ku shpenzohen paratë e taksapaguesve; ky vendim pra tregoi se refuzimi është bërë pa bazë.
Në një demokraci normale e me themel, kur gjykata jep verdiktin përfundimtar, partitë e përfshira janë të obliguara që ta respektojnë e ta zbatojnë. Në këtë rast specifik, Zyra e Kryeministrit përsëri refuzoi që t’i publikonte shpenzimet, gjë që tregon se si ligji është shumë funksional në letër, por jo gjithmonë në praktikë.
Sidoqoftë, e mira e këtij rasti është që jo vetëm se ka vendosur një precedent, por edhe që po ndiqet deri në fund nga BIRN. Por fatkeqësisht, këtë nuk e bëjnë shumë gazetarë. Nuk e fusin vetën nëpër këtë proces të armiqësimit duke paditur dikë, e le më duke aktivizuar mekanizma ekzekutiv.
Por kjo është e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë mendësi. Përderisa kërkojmë një dokument, na refuzohet, dhe e lëmë me kaq, asgjë nuk do të ndryshojë. Do të na refuzojnë përsëri herën e ardhshme – pa ngurrim. Por nëse gazetarët vazhdimisht kërkojnë llogari nga institucionet, atëherë situata duhet të ndryshojë në praktikë, sepse teorikisht qasja në informata është gjë e mirë, por është praktikë që po i mungon zbatimi.
Mirë. Cilat janë mangësitë?
Janë disa probleme të mëdha që kanë të bëjnë me tërë konceptin e qasjes në informata në Kosovë, që shpeshherë manifestohen nëpërmjet keqinterpretimit të ligjit dhe zbatimit ad hoc të masave administrative prej institucioneve të caktuara.
Edhe pse ligji është shumë i qartë kur specifikon mënyrat se si mund të kërkohen informatat, disa institucionet kanë krijuar procedurat e tyre që duhet t’i ndjekin partitë e interesuara, e që nuk janë gjithmonë në përputhje me ligjin. Kjo qasje vetëm krijon pengesa për palët e interesuara, që kryesisht janë gazetarët.
Për shembull janë disa institucione që kërkojnë plotësimin e një forme dhe pagesë 1 euro kur kërkohet zbatimi i lirisë për informata – po i përmendim vetëm disa: Komuna e Malishevës, Komuna e Kastriotit dhe Agjencia për Regjistrim të Bizneseve – në thelb këto janë në kundërshtim me ligjin. Pagesa mund të kërkohet nga aplikanti/ja për kopje të dokumentit. Kjo është e arsyeshme dhe e rregulluar nga një urdhëresë e Ministrisë së Financave, por vlenë vetëm për kopje, e jo për regjistrim të kërkesave. Shumë institucione me ose pa qëllim e bëjnë këtë gabim, dhe kështu i dekurajojnë njerëzit.
Një mangësi tjetër e rëndësishme në këtë proces ka të bëjë me zyrtarët që janë përgjegjës për të pranuar fillimisht dhe marrë parasysh kërkesat për qasje në dokumente. Gjatë shumë diskutimeve me tryezë të rrumbullakët, në të cilat kam marrë pjesë prej 2012 deri në 2016, gjithmonë është cekur që këta zyrtarë nuk janë të trajnuar si duhet në lidhje me zbatimin e ligjit.
Në fund të fundit, përgjegjësia i mbetet atyre dhe prandaj duhet të dinë se çfarë dokumente mund të japin e çfare jo, pa u konsultuar gjithmonë me mbikëqyrësit e tyre. Këtu është e gjithë poenta e emërimit të këtyre njësiteve – kursimi i kohës dhe decentralizimi i përgjegjësive; në praktikë kjo ende nuk ndodh, meqë në shumë raste reagimet vonohen deri sa të kërkohet leje për publikim të dokumenteve të kërkuara.
Nuk është e mjaftueshme që të ankohemi pasi që të ndryshohet ligji.
Pra, çka ndodh tutje?
Vlenë të ceket se ligji për qasje në dokumente publike është duke iu nënshtruar një procedurës së rregullimit bashkë me Ligjin për Mbrojtje të të Dhënave Personale dhe Ligjin për Klasifikim të Informatave dhe Verifikim të Sigurisë. Ndonëse është shumë e rëndësishme që këto ligje të jenë në përputhje me njëra tjetrën, është gjithashtu thelbësore, veçanërisht për gazetarët, që ky proces të ndiqet e të mos lejohet ndryshimi i konsiderueshëm i pjesëve transparente të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Nuk është e mjaftueshme që të ankohemi pasi që të ndryshohet ligji. Është e domosdoshme që t’i parandalojmë ndryshimet që nuk janë në përputhje me konceptin e transparencës duke qenë aktiv dhe duke ndjekur e raportuar për ndryshimet që po i bëhen ligjit.
Për më tepër, gazetarët duhet ta njohin thellësinë dhe gjerësinë e ligjit dhe ta përdorin çdo pjesë të tij në favor të tyre, si dhe duhet ta ndjekin procesin edhe pasi t’iu refuzohen kërkesat – institucionet shpeshherë shfrytëzojnë faktin që gazetarët nuk janë këmbëngulës dhe dorëzohen lehtë. E vetmja mënyrë për ta përmirësuar situatën e qasjes në dokumente publike është duke e përdorur sistemin plotësisht.
Sapo të vendoset ky precedent, një kulturë tjetër e transparencës dhe llogaridhënies do ta ndriçojë errësirën. Dhe kur të krijohet kjo kulturës, gazetarët duhet ta përdorin ligjin sa më mirë e të kërkojnë llogari nga institucionet.
Më e mira e krejtë kësaj është që rasti BIRN vs Zyra e Kryeministrit veç se e ka vendosur një precedent të qartë. Ata duhet ta përdorin!K
Ky artikull është pjesë e projektit të Qendrës Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar në partneritet me Osservatorio Balcani e Caucaso. Përmbajtjet e këti publikimi janë përgjegjësi vetëm e projektit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merren si pasqyrim i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.