Akuzat e fundit për korrupsion brenda Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), të drejtuara nga kreu i dikurshëm i gjykatësve të misionit, Malcolm Simmons, e drithëruan publikun kosovar, e edhe komunitetin ndërkombëtar.
Më 16 nëntor, Simmons bisedoi me gazetën e mirënjohur franceze, Le Monde, duke pretenduar se kishte korrupsion në zemër të misionit, e duke thënë se kjo organizatë u nënshtrohej ndërhyrjeve politike. “Nuk dua të jem më pjesë e kësaj farse”, tha Simmons.
Reagimi nga EULEX-i erdhi menjëherë. Po atë ditë misioni publikoi një deklaratë duke pretenduar se Simmons ishte përfshirë në një seri hetimesh nga EULEX-i në lidhje me “akuza serioze” përgjatë viteve. Akuzat e tjera për Simmons-in më pas dolën në shtyp, si doktoratura e rreme dhe mungesa e kualifikimeve ligjore.
Ky rast na kujton incidentin e kaluar në të cilin u përfshi një prokurore tjetër britanike, Maria Bamieh, e cila u shkarkua nga EULEX-i në gusht të vitit 2014, gjoja për shkak të akuzave që i bëri kundër misionit për shpërfillje të korrupsionit dhe dhënie të ryshfetit. Më vonë ajo deklaroi se përpjekja për ta ndjekur atë penalisht ishte kulmi i asaj që ajo e përshkroi si fushatë trevjeçare e cila synonte ta ndalonte për të mos e ekspozuar “kulturën e korrupsionit” brenda misionit.
Në të dyja rastet, akuzat nuk janë dëshmuar dhe motivet nuk janë qartësuar, por Bamieh dhe Simmons kanë kontribuar në një narracion që thotë se misioni që u dërgua për ta luftuar korrupsionin mund të jetë ngatërruar vetë në keqbërje, dhe me gjasë e kanë hapur një dritare të vogël të një institucioni që shpeshherë perceptohet si institucion i mbyllur hermetikisht.
Ndihmë për publikimin e aktiviteteve të paligjshme
Bamieh dhe Simmons shihen prej shumëkujt si sinjalizues të dyshimtë të aktiviteteve të paligjshme, por a ekziston një sinjalizues i tillë i përkryer? Këshilli i Europës e përkufizon sinjalizuesin e aktiviteteve të paligjshme si “një person i cili raporton apo zbulon informata për rrezikim apo dëmtim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënieve të punës, qoftë në sektorin publik apo në atë privat”, por ky koncept është më i ndërlikuar në realitet sesa në teori.
Sa herë u krye një veprim i sinjalizimit të aktiviteteve të paligjshme, ai u përcoll me akuza dhe pasoja të padëshiruara, prej Edward Snowden-it e deri te Julian Assange. Ndonëse disa prej tyre janë viktima të shkarkimit të padrejtë dhe fushatave të njollosjes, gjithmonë do të ketë individë të cilët e keqpërdorin konceptin e sinjalizimit të aktiviteteve të paligjshme, jo për t’i shërbyer interesit publik, por për t’i shërbyer interesave të tyre personale.
Por paqartësia e rasteve të EULEX-it nuk duhet t’i dekurajojë njerëzit të cilët duan të publikojnë aktivitete të paligjshme në Kosovë. Aktualisht, rastet e njohura të këtij lloji në Kosovë janë të rralla. Ndonëse zbulimi i praktikave të korrupsionit ndodh më rrallë, në vitin 2015 ishin vetëm tri raste në të cilat njerëzit kërkuan ndihmë ligjore.
Ligji për Mbrojtje të Informatorëve u miratua në vitin 2011, dhe gjuha e përdorur në të ishte problematike, meqë termi “informator” ka konotacion të keq për kosovarët. Në Kosovë, para luftës së vitit 1999, “informatorë” konsideroheshin ata të cilët i kishin shërbyer regjimit, dhe shpeshherë quheshin spiunë të regjimit shtypës. Plagët e së kaluarës janë ende të pranishme, e kësisoji njerëzit ngurrojnë t’i denoncojnë haptas keqbërjet brenda institucioneve apo kompanive të cilat e dëmtojnë interesin publik.
Ligji për Mbrojtje të Informatorëve nuk është problematik vetëm për shkak të gjuhës që e përdor për t’i përshkruar sinjalizuesit e aktiviteteve të paligjshme. Ky ligj nuk i përmbush standardet e Këshillit të Europës dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.