Pikëpamje | Qeveria

Partitë opozitare të Kosovës duhet të sugjerojnë si dhe të vëzhgojnë

Nga - 12.07.2018

Mungesa e bashkërendimit dhe sugjerimit të politikave parandalon opozitë efektive në parlament.

Kur më 9 shtator, 2017, Ramush Haradinaj arriti t’i sigurojë 61 vota në Kuvendin e Kosovës për t’u bërë për herë të dytë Kryeministër, shumë përfaqësues nga partitë opozitare në Kosovë pretendonin se mandati i tij do të jetë edhe më i shkurtër se i kaluari në periudhën 2004-05, kur Haradinaj shërbeu në këtë pozitë për vetëm 100 ditë. Në atë kohë, dukej si argument i bazuar në numrat e deputetëve të qeverisë kundër atyre të opozitës, të cilët ishin të pranishëm në parlament atë ditë (61 me 59).

Mazhoranca qeverisëse ishte, dhe ende është, në një situatë shumë të pasigurtë, pasi që partitë opozitare mund ta kollapsojnë qeverinë duke i konvertuar vetëm disa deputetë. Megjithatë, qeveria Haradinaj arriti ta kalojë cakun simbolik të 100 ditëve, dhe po duket se do të vazhdojë të qeverisë në vitin 2018 e ndoshta edhe 2019, pa ndonjë sfidë të madhe nga partitë opozitare.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare duken të kënaqur me bisedime për ta nisur një mocion të mosbesimit kundër qeverisë, por janë plotësisht të vetëdijshëm se për të arritur sukses, iu nevojitet mbështetja e një prej partnerëve të koalicionit qeverisës.

Rehatia e mazhorancës qeverisëse buron kryesisht nga divergjencat e brendshme dhe serioze të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilat u bënë të dukshme në fund të vitit 2017 dhe arritën kulmin me ndarjen zyrtare në qerekun e parë të vitit 2018, kur 13 nga 32 deputetë të LVV-së u ndanë nga grupi parlamentar i saj.

Të gjithë përveç një prej këtyre deputetëve e themeluan një grup të ndarë parlamentar në Kuvend. Fillimisht u quajt ‘Grupi i Deputetëve të Pavarur’, e më vonë u bë përfaqësimi parlamentar i Partisë Social Demokrate (PSD). Ndërsa tjetra, Donika Kadaj Bujupi, iu bashkua përsëri partisë së Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kështu koalicioni qeverisës e fitoi një deputet shtesë – jetike në këtë situatë.

Deri sa LVV po merrej me përçarjet e brendshme, grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vazhduar me aktivitete të kujdesshme të opozitës, duke targetuar kryesisht keqmenaxhimin financiar të qeverisë. Këto aktivitete kryesisht janë kryer nga një gjeneratë e re e deputetëve të dalluar nga garda e vjetër e LDK-së, por mungesa e bashkërendimit ndërmjet partive opozitare për nisma parlamentare e lehtëson pozitën e qeverisë.

Metodat e opozitës

Por si përputhen veprimet e partive opozitare me strukturën ekzistuese për vlerësim të aktiviteteve të partive opozitare? Një studim i fundit i publikuar nga Leiden University në Holandë i prezanton dy mënyra në të cilat përfaqësuesit opozitar mund të operojnë në parlament.

E para është duke bërë përpjekje për ndryshim të politikave duke ndryshuar tekstin e projektligjeve apo duke propozuar projektligje të reja (‘aktivitete të politikëbërjes’). E dyta është duke shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe politikave, duke shtruar pyetje dhe duke organizuar seanca të mbikëqyrjes (‘aktivitete të mbikëqyrjes’).

Varësisht nga lloji i aktivitetit, studimi i identifikon katër moda të aktivitetit të partive opozitare: ‘opozitë konstruktive’, ‘opozitë kritike’, ‘opozitë aktive’, dhe ‘opozitë pasive’.

Moda e ‘opozitës konstruktive’ është kur partitë kryesisht fokusohen në politikëbërje dhe i shpërfillin aktivitetet e mbikëqyrjes, ndërsa moda e ‘opozitës kritike’ është kur aktivitetet e partive opozitare përqendrohen në mbikëqyrje dhe nuk kontribuojnë në politikëbërje. Synimi i qasjes kritike është të theksohen gabimet e qeverisë dhe të delegjitimohen politikat e saj, ndërsa opozita konstruktive mundohet ta krijojë një mazhorancë elektorale për të miratuar politika që i sugjeron vet.

Për pjesën më të madhe të vitit 2018, tri grupet parlamentare të opozitës në Kuvendin e Kosovës me sa dukej janë shtyer me njëri tjetrin për kush po nis më shumë aktivitete të mbikëqyrjes, ndërsa kontributi i tyre në politikëbërje ka qenë modest.

Në modën e ‘opozitës aktive’, partitë opozitare përdorin politikëbërje dhe vegla të mbikëqyrjes për të prezantuar kritika dhe alternativa për politikat e qeverisë, ndërsa në modën e ‘opozitës pasive’, partitë opozitare nuk përdorin aktivitete të politikëbërjes dhe mbikëqyrjes, dhe kështu nuk kanë ndikim në politikat e qeverisë.

Për pjesën më të madhe të vitit 2018, tri grupet parlamentare të opozitës në Kuvendin e Kosovës (LDK, PSD dhe LVV) me sa dukej janë shtyer me njëri tjetrin për kush po nis më shumë aktivitete të mbikëqyrjes (rezoluta, deklarata, interpelanca, debate dhe komitete hetuese), ndërsa kontributi i tyre në politikëbërje ka qenë modest – vetëm disa projektligje janë propozuar.

Duke e parë sipërfaqësisht, këto veprime përputhen me definicionin e ‘opozitës kritike’. Kjo gjithashtu përfaqëson një vazhdimësi të qasjes konfliktuale në gara politike ndërmjet partive qeverisëse dhe partive opozitare, që ka shkaktuar polarizim të diskursit në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, me t’i rishikuar me kujdes përmbajtjet e nismave të partive të opozitës e zbulojmë se ato kanë përdorur aktivitete të mbikëqyrjes për t’i prezantuar disa alternativa të politikave. Kjo ka ndodhur në raste kur rezolutat, deklaratat dhe rekomandimet që buruan nga interpelancat dhe debatet parlamentare të nisura nga partitë opozitare u diskutuan në Kuvend dhe u mbështetën prej tij – siç ka ndodhur me çështje të ndotjes së ajrit, politikave rinore, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe heqjes së pagesave për telefoni mobile roming ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Aktivitetet e rritura

Gjatë çerekut të fundit të vitit 2017, partitë opozitare e nisën vetëm një interpelancë me Kryeministrin (nisur nga LDK) dhe një debat parlamentar. Megjithatë, në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, partitë opozitare kanë nisur:

- 15 nga 18 debatet parlamentare (3 u nisën nga Vetëvendosje, 4 nga LDK, 4 nga PSD, dhe 4 ishin nisma të përbashkëta të Vetëvendosjes dhe LDK-së);

- 12 rezoluta dhe deklarata (4 të sponzoruara nga LDK, 4 nga PSD, dhe 4 nisma të përbashkëta të grupeve parlamentare);

- 11 interpelanca me Kryeministrin dhe Ministrat (5 të nisura nga Vetëvendosje, 3 nga LDK, 1 nga PSD dhe 2 nisma të përbashkëta të Vetëvendosjes dhe LDK-së);

- krijimin e 3 komiteteve parlamentare hetuese (nisma të përbashkëta të partive opozitare).

Përderisa partitë opozitare të Kosovës po kërkojnë ta maksimizojnë publicitetin për aktivitetet e tyre të mbikëqyrjes me shpresën që do të përkthehen në mbështetje elektorale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato po dështojnë sa i përket bashkëpunimit për zbatim më efikas të mbikëqyrjes dhe kërkimit të llogaridhënies nga kjo qeveri e fryrë e cila i ka 5 zëvendës kryeministra dhe 75 zëvendës ministra. Tek kohët e fundit ka pasur nisma të përbashkëta të Vetëvendosjes dhe LDK-së për aktivitete të mbikëqyrjes.

Paradoksalisht, partitë opozitare të cilat i kishin më pak se 1/3 e ulëseve në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës, ishin më efektive sa i përket ndikimit tek politikat e qeverisë se që është opozita sot, kur partitë opozitare i kanë gati gjysmën e ulëseve. Kjo demonstron se ndikimi i opozitës nuk është domosdoshmërisht i varur nga numri i deputetëve, por është më shumë nga bashkërendimi dhe nismat e fokusuara.

Partitë opozitare të Kosovës i kanë dëshmuar aftësitë e tyre për mbikëqyrje të qeverisë, e tani duhet t’i konfirmojnë kredencialet e politikëbërjes.

Me këtë qeveri minoritare që nuk zotëron mazhorancë bindëse të qeverisjes dhe me hiperaktivitetin e partive opozitare në vitin 2018, agjenda e disa seancave plenare ishte e stërmbushur. Në maj dhe qershor 2018, kishte raste kur seancat plenare përmbajtën 3-4 interpelanca me kryeministrin dhe ministra të tjerë dhe seancat shpeshherë u shtyen për shkak të mungesës së deputetëve.

Qasja disi e pakoordinuar e opozitës pashmangshëm krijoi një huti, për shkak se publiku dhe deputetët nuk kishin mundësi t’i absorbonin të gjitha informatat dhe t’i vlerësonin meritat e fakteve të prezantuara kur shqyrtoheshin fusha të ndryshme të politikave gjatë një seance. Një qasje e tillë me sa duket e ka favorizuar mazhorancën qeverisëse dhe ka bërë që ajo të përfitojë. Mazhoranca qeverisëse preferon të ketë shumë bisedime dhe pak ndikim real në Kuvend.

Në mënyrë që grupet parlamentare opozitare të kenë ndikim real në politikëbërje, duhet të ketë bashkërendim më të mirë në mesin e tyre për nisma parlamentare. Për më tepër, qasja parlamentare e opozitës duhet të bazohet në një strategji të qartë të mbikëqyrjes dhe politikëbërjes, e jo të jetë ad hoc dhe reaktive ndaj ngjarjeve.

Deri më tani, partitë opozitare të Kosovës i kanë dëshmuar aftësitë e tyre për mbikëqyrje të qeverisë (kur ishin të pranishëm në Kuvend), e tani duhet t’i konfirmojnë kredencialet e politikëbërjes duke prezantuar alternativa të forta të politikave në mënyrë të koordinuar.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.