Të shtunën, më 20 maj, nën thirrjen “Hape zemrën”, në Tiranë u mbajt Parada e Krenarisë, përbrenda Javës së Krenarisë.
Nën flamurin e madh shumë-ngjyrësh, rrugët e Tiranës u mbushën me qindra qytetare e qytetarë, aktiviste e aktivistë, njerëz LGBTQ+, aleate e aleatë.
Midis ngjyrash, këngëve e valles, pjesëmarrëset e pjesëmarrësit edhe protestuan. Në krye të paradës, ata e ato mbajtën një banderolë të madhe, duke kërkuar qasje në shëndetësi për personat transgjinorë –– për të cilët qëndron shkronja T në akronimin LGBTQ+. Pos kërkesave për mbrojtje të njerëzve transgjinorë, që janë ndër më të shtypurit botërisht, pjesëmarrësit/et ndaluan para Kryeministrisë së Shqipërisë, ku protestuan me kërkesën që institucionet t’i mbrojnë jetët e qytetarëve LGBTQ+ e t’i mbajnë premtimet e tyre.
Shqipëria, ngjashëm me shtetet tjera në rajon, vazhdon të jetë vend armiqësor për njerëzit LGBTQ+. Në mungesë të mbrojtjes institucionale e në prani të diskriminimit të kudondodhur në shoqëri, jetët LGBTQ+ vazhdojnë të zhvleftësohen.
Sipas një raporti të organizatës Aleanca LGBT, ku renditen gjetjet e një sondazhi të realizuar në Shqipëri në vitin 2020, një shumicë dërmuese e personave LGBTQ+ të anketuar, afër 98%, kanë raportuar se gjatë vitit të fundit janë ndeshur me ofendime, tallje e poshtërim të vazhdueshëm për shkak të orientimit seksual/identitetit gjinor/karakteristikave dhe shprehive të seksit.
Po ashtu, njerëzit LBGTQ+ nuk ndihen në shtëpi në Shqipëri. 79% e të anketuarve kanë thënë se kanë pasur qëllim të largohen nga Shqipëria, qoftë për shkak se nuk ndihen të lirë, se ndihen të papranuar për shkak të orientimit seksual e identitetit gjinor, nuk kanë qasje në arsim, shëndetësi, punësim e edhe për shkak se ndihen të diskriminuar nga institucionet shtetërore.
“Sot kërkojmë angazhim shtetëror e politik të vërtetë për të mbrojtur ekzistencën, dinjitetin dhe mirëqenien e secilit prej nesh. Ky rrugëtim nuk mund të kryhet duke mbytur zërat më vulnerabël të kësaj shoqërie”, tha aktivistja Xheni Karaj përballë Kryeministrisë në Tiranë, duke thirrur për drejtësi, mbrojtje e barazi për njerëzit LGBTQ+.
“A guxoni të hapni zemrën dhe të ecni përpara? Ne, po!”, thanë organizuesit/et e kësaj parade dhe qindra njerëz iu bashkuan, për t’i çelur zemrat kundër urrejtjes.
Imazhi i ballinës dhe fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0.