Pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri të dielën (30 qershor), ende është e paqartë nëse ky veprim i fundit në krizën e vazhdueshme politike në Shqipëri do të jetë fundi i përçarjes së muajve të fundit apo do të shërbejë thjesht si një intermezzo që paraprinë vazhdimin e ngërçit politik.
Në zgjedhjet vendore të 30 qershorit të cilat u bojkotuan nga partitë kryesore opozitare, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), morën pjesë 21,6 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike (PD), e cila e përgenjështroi këtë shifër zyrtare të KQZ-së, duke pretenduar se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë vetëm 15 përqind.
Ndërkohë, në ditët që pasuan ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja filloi edhe numërimin e votave dhe publikimin e rezultateve. Nga numërimi i 5043 kutive të votimit – nga 5402 sa janë gjithunji – është e qartë se koalicioni i udhëhequr nga Partia Socialiste (PS) e kryeministrit Edi Rama në shkallë vendi ka fituar 768,743 vota.
Partia Socialiste, duke mos pasur në garë dy kundërshtarët e saj kryesore, ia doli të fitonte në 60 nga 61 bashkitë e vendit.
Fitorja ishte e pritshme pasi që partitë kryesore opozitare, PD-ja dhe LSI-ja (Lëvizja Socialiste për Integrim), i bojkotuan zgjedhjet, ndërsa vetëm PS-ja dhe disa parti opozitare të vogla morën pjesë në proces – në 31 nga 61 komuna, kandidatët për bashkiakë garuan pa kundërshtarë.
Bindja Demokratike, që drejtohet nga një prej ish-figurave kryesore të PD-së, Astrit Patozit, i morri mbi 26,000 vota. Partia “Mega” i mori rreth 3,3000 vota, ndërsa kandidatët e pavarur i morrën gati 6,000 vota të gjithë së bashku.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor në kryeqytet, doli se kandidati i PS-së dhe kryebashkiaku aktual, Erjon Veliaj, kishte shënuar fitore të thellë me 94% ose 152 mijë vota; gjegjësisht 8 mijë vota më pak se në vitin 2015 kur ishte kandidat i koalicionit PS-LSI.
Partia Socialiste, duke mos pasur në garë dy kundërshtarët e saj kryesore, ia doli të fitonte në 60 nga 61 bashkitë e vendit. Ajo mori bindshëm edhe qytetet e tjera kryesore – Durrësin, Shkodrën, Korçën, Elbasanin, Vlorën, Fierin, Kukësin, etj.
E vetmja nga 61 bashkitë ku s’ka fituar PS-ja është bashkia me shumicë greke e Finiqit ku ka fituar kandidati i Partisë “Mega”.
Pasqyrë e krizës
Kriza aktuale politike në Shqipëri u nxit nga protestat masive studentore të cilat ndodhën në dhjetor të vitit 2018, kur mijëra studentë patën dalur për të kërkuar uljen e tarifave të studimit pas ndryshimeve të diskutueshme në politikat e arsimit.
Ndonëse fillimisht që të tri partitë e mëdha politike u munduan t’i përdorin protestat në avantazh të tyre, shumë shpejt u bë e qartë se studentët pa parti do t’i demaskonin të gjitha këto tentativa.
Anipse protestat e studentëve u venitën, për t’u shuar plotësisht më pas, në fillim të vitit 2019, PD-ja dhe LSI-ja opozitare e panë një mundësi të artë të kapitalizimit politik të asaj që ato e perceptuan si disponim dhe momentum anti-Rama.
Kësisoj, në shkurt 2019, PD-ja vendosi t’i “digjte” mandatet e 43 deputetëve të saj. Përkundër kundërshtimit nga PD-ja, këto ulëse u zëvendësuan nga ish-kandidatët që kishin qenë në radhë në listat zgjedhore të PD-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
LSI-ja e mbështeti qëndrimin formal të PD-së për ta lënë parlamentin, por vet nuk veproi njësoj.
Ajo që pasoi ishte katër muaj protestash të vazhdueshme, shumë herë edhe të dhunshme, të dy partive opozitare. Opozita deklaroi se nuk do të mirrte pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit pa dorëheqjen e kryeministrit Rama, kurse ky i fundit tha se zgjedhjet do të mbaheshin me apo pa pjesëmarrjen e opozitës.
Fakti që Gjykata Kushtetuese aktualisht është jofunksionale ka bërë që të mos ekzistojë një arbitër përfundimtar për këto kontestime të ndërsjella.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, më 8 qershor vendosi anulimin e zgjedhjeve me justifikimin se nuk mund të mbaheshin zgjedhjet kur dy blloqet politike ishin në konflikt dhe se nuk kishte kushte për zgjedhje të lira dhe të drejta; ai e dekretoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokale.
Megjithatë, PS-ja e kundërshtoi këtë vendim, duke thënë se nuk do të tërhiqet nga data e 30 qershorit dhe më 13 qershor parlamenti votoi nëpërmjet një rezolutës këshilluese për ta mohuar vendimin e presidentit.
Fakti që Gjykata Kushtetuese aktualisht është jofunksionale – pasi që 7 nga 9 anëtarët e saj u shkarkuan ose dhanë dorëheqje gjatë procesit gjithëpërfshirës të vetingut të të gjithë gjyqësorit – ka bërë që të mos ekzistojë një arbitër përfundimtar për këto kontestime të ndërsjella.
Tensioni u shtua kur PS-ja e nisi një iniciativë për shkarkimin e Presidentit Meta. Komisioni parlamentar i Ligjeve vendosi ngritjen e një komisioni ad hoc që do të hetojë nëse Presidenti ka shkelur ligjin kur e ka anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, kurse më 4 korrik ky raport do të votohet në Kuvend.
Ndërkohë, PS-së do t’i duhet një mazhorancë me dy të tretat e votës, apo 94 vota, për ta realizuar shkarkimin e Metës – rezoluta kundër anulimit të zgjedhjeve të qershorit nga ana e presidentit u kalua me shumicë prej 100 votash.
Tensioni është rritur edhe më shumë muajin e kaluar pas publikimit në gazetën gjermane Bild të disa bisedave të përgjuara, në të cilat dëgjohen zyrtarë të lartë shtetërorë dhe anëtarë të PS-së tekqë flasin për blerje votash në zgjedhjet nacionale të vitit 2017. Në një nga këto përgjime dëgjohet edhe kryeministri Rama, i cili pyet një zyrtar të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë nëse një person i tretë e kishte zbatuar planin, e Bild aludon se ai po i referohej blerjes së votave.
Reagimet pas zgjedhjeve
Pak pas mbylljes së qendrave të votimit, kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për media, tha se me këtë proces zgjedhor fitoi shteti, por që në të njëjtën kohë ai nuk e mbylli derën e dialogut me opozitën.
“Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë. Dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr, pak e nga pak, por në mënyrë të dukshme, nga sulmet kundër Shqipërisë në gjuhë të huaj. Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë,” tha ai.
Në anën tjetër, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, poashtu fill pas mbylljes së procesit zgjedhor, deklaroi se 85 përqind e shqiptarëve e dëshmuan se janë kundër qeverisjes së Ramës. “30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka thënë ai.
E tërë kjo katrahurë ka bërë që të dalin në shesh edhe disa hamendësime rreth mundësive për daljen nga ngërçi politik.
Gazetari dhe analisti kosovar, Baton Haxhiu, i cili shihet si i afërt me skenën politike shqiptare, sidomos me kryeministrin Rama, pas zgjedhjeve deklaroi se zgjidhja do të vjen nga një koalicion qeveritar PS-PD, i cili do të merret vesh të qeveris gjer në verën e vitit 2020 dhe atëherë t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjer atëherë, sipas tij, ky koalicion do ta shkarkojë nga posti presidentin Ilir Meta.
Xhelal Mziu, kryebashkiak i Kamzës, një tjetër bastioni të PD-së, tha pas takimit me kryetarin Basha se ai nuk do ta lirojë zyren për kryetarin e ri socialist të bashkisë së Kamzës.
Në një konferencë për shtyp dy ditë pas zgjedhjeve, Meta, i cili e themeloi LSI-në para se të jepte dorëheqje për t’u bërë president, iu përgjigj me gjuhë të ashpër dhe akuza kryeministrit Rama, duke aluduar që kryeministri kishte një “agjendë nëntokësore” për ta kapur shtetin, por duke shtuar se ai vetë e ka një zgjidhje politike. Sipas tij, më 13 tetor duhet të mbahen njëkohësisht zgjedhjet e parakohshme lokale, parlamentare dhe presidenciale.
Bashkëshortja e tij, e cila është kryetare aktuale e LSI-së, Monika Kryemadhi, tha se më 30 qershor nuk pati zgjedhje, por thjesht votime. Njëherazi, ajo ka folur edhe rreth një dileme që ka ngritur i tërë ky proces – a do t’i lëshojnë kolltuqet kryebashkiakët nga partitë opozitare të cilëve iu skadon mandati, por të cilët nuk i njohin këto zgjedhje lokale?
Kryemadhi në një emision televiziv tha se kryebashkiakët e sapozgjedhur nuk do të shkojnë në zyre asnjëherë. “E di sa gjëra do ndodhin deri në 12 gusht?!” shtroi ajo pyetje retorike, duke iu referuar datës kur fillon mandati i kryebashkiakëve të posazgjedhur.
Xhelal Mziu, kryebashkiak i Kamzës, një tjetër bastioni të PD-së, tha pas takimit me kryetarin Basha se ai nuk do ta lirojë zyren për kryetarin e ri socialist të bashkisë së Kamzës.
“Zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme. Unë nuk e lë zyrën për këto zgjedhje, është personale,” tha ai.
Kryebashkiakja demokrate e Shkodrës, Shkodra Voltana Ademi, një nga figurat demokrate më kritike ndaj kryeministrit Rama, nuk e ka përjashtuar mundësinë se nuk do ta lejojë kryebashkiakun e zgjedhur socialist që të futet në zyre, por ka thënë se fillimisht do ta pres raportin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).
OSBE-ODIHR në raportin e saj preliminar ka konstatuar se zgjedhjet e 30 qershorit kanë qenë të rregullta dhe nuk ka pasur parregullsi në 95% të vendvotimeve. Sa i përket konfliktit Meta-Rama rreth dekreteve për datën e zgjedhjeve lokale, OSBE-ODIHR është treguar e rezervuar, nuk ka mbajtur anë dhe ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ që mund të vendosë në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit.
Brenda PD-së nuk ka harmoni sa i përket kësaj çështjes.
Reagimet tjera ndërkombëtare kanë qenë jopërfundimtare sa i përket konfliktit ndërmjet Ramës dhe Metës, ndonëse nëpërmjet këtyre reagimeve është implikuar mbështetja për autencitetin e zgjedhjeve.
Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic, i cilësoi zgjedhjet e 30 qershorit si “të zhvilluara në një kontekst të ndarjes politike”, por i përshkroi ato si “të qeta dhe të rregullta”. Ajo shtoi se pret pjekuri politike dhe dialog konstruktiv nga dy taboret politike.
Në anën tjetër, ShBA-ja, përmes një deklarate të ambasadës së saj në Tiranë, i ka vlerësuar zgjedhjet si të qeta, duke shtuar se ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve “mund të presin Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti pas një procesi rigoroz vetingu”.
Brenda PD-së nuk ka harmoni sa i përket kësaj çështjes.
Një nga figurat më të fuqishme të kësaj partie – ish-kryeparlamentare për dy mandate dhe ish numri dy i partisë në kohën e lidershipit të Sali Berishës – Jozefina Topalli, e akuzoi Bashën se e ka katandisur PD-në në një parti tanimë pa pushtet – as qendror, as lokal.
Për më tepër, ajo e ka akuzuar atë edhe për nxitjen e vëllavrasjes mes shqiptarëve.
“Me urdhrin për djegien e mandateve, Lulzim Basha e nxori [PD-në] me dhunë jashtë Parlamentit, duke tradhëtuar e fyer mbi 400 mijë demokratë që e votuan siglën e kësaj force politike,” tha ajo, duke shtuar se “me këtë akt, aktin më të papërgjegjshëm të historisë së demokracisë, [Basha] praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse.”
Ndaj mënyrës se si po e drejton partinë Basha kanë reaguar edhe figura të tjera me peshë në këtë parti.
Rudina Hajdari – deputete e PD-së dhe e bija e Azem Hajdarit, themeluesit e simbolit historik të kësaj partie – deklaroi se tani Shqipëria ka mbetur pa një të djathtë dhe zgjidhjen e sheh tek “ringritja e së djathtës”, duke aluduar në ndryshime brenda lidershipit të PD-së.
Ristrukturim të partisë ka kërkuar edhe fëmija i një politikani tjetër të ndjerë, por me rëndësi, të Partisë Demokratike. Glauk Olldashi, i biri i Sokol Olldashit – ish-ministrit demokrat të Punëve të Brendshme dhe të Transportit – tha se është dëshmuar që populli ka humbur besimin tek PD-ja dhe se kjo parti ka nevojë për një proces të brendshëm zgjedhor.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.