Blogbox | Gjinia

Kronikë në gur

Nga - 04.07.2018

Sfidimi i stereotipeve gjinore në sektorin e energjisë

Muajin e kaluar, derisa po vizitoja kompleksin industrial “Trepça” në Mitrovicë, ciceroni po shpjegonte që, ndër të tjera, së shpejti do të hapet edhe konkursi për punëtorë të rinj, burra.

‘Po pse nuk është konkursi i hapur edhe për gratë’, – pyeta unë.

‘A ke dëgjuar ndonjëherë që ne kemi pasur minatore? Kjo nuk është punë për gra dhe mund të ju ndikojë keq në shëndetin e tyre’, – u përgjigj ciceroni.

Mendësia se ky sektor u përket vetëm burrave, nuk ndalet këtu. Kushdo që i ka vizituar termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e di që vendpunimet janë paraparë vetëm për burra (p.sh. nuk ka toalete për gra).

Megjithatë, kjo gjendje është thuajse e njëjtë edhe në vendet e tjera në botë. Sipas raportit vjetor të Forumit Botëror të Ekonomisë (FBE) mbi pjesëmarrjen e grave në sektorë të ndryshëm, ka pasur progres relativisht të vogël në rritjen e punësimit të grave në sektorin e energjisë dhe minierave.Vlerësohet se pjesëmarrje e përgjithshme në sektor në pozita të ndryshme është 25%.

Shpesh thuhet se nuk kemi gra që kanë njohuri për këtë sektor, edhe pse raporti i burrave dhe grave në nivelin bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin 2017/2018 në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike është 38% gra dhe 62% burra (1741 studentë); ndërsa në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, nga 1187 studentë, 247 janë gra (20%).

Në pozitat vendimmarrëse të qeverisë, sektori i energjisë dhe i minierave ka mungesë të theksueshme të përfaqësimit të balancuar gjinor; në fakt në pozitat vendimmarrëse në këtë sektor nuk ka asnjë grua. Ndërsa kjo strukturë “përmirësohet” në bordet e ndërmarrjeve publike, të operatorëve dhe të autoriteteve rregullative, ku kemi vetëm 1 grua nga gjithsej 28 anëtarë sa janë për momentin (3% gra dhe 97% burra).

Mungesa e grave në institucionet e sektorit të energjisë dhe të minierave është dëshmi e çekuilibrit gjinor në pozita vendimmarrëse.

Më saktësisht: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka 6 anëtarë bordi, nga ta një grua – Fllanza Beqiri-Hoxha. Trepça ka 6 anëtarë bordi, të gjithë burra; Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM): 5 anëtarë; Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE): 4; Operatori i Sistemit, i Transmisionit dhe i Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT): 4; Shërbimet e Shpërndarjës së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS): 3 anëtarë.

Mungesa e grave në institucionet e sektorit të energjisë dhe të minierave është dëshmi e çekuilibrit gjinor në pozita vendimmarrëse. Për të inkurajuar profesionistet e reja që të përfshihen në këtë sektor, nevojiten çasje të ndryshme në politikëbërje dhe në mendësinë e pjesëmarrësve  të përfshirë në këtë sektor.

Përpos që përfshirja e grave në vendimmarrje është e domosdoshme, gjithashtu perspektiva gjinore do të duhej të merret parasysh kur bëhet vlerësimi i ndikimit të ‘varfërisë energjetike’ dhe të ndotjes nga përdorimi i burimeve të paripërtritshme të energjisë. Aq më keq, niveli i lartë i papunësisë tek gratë në krahasim me burrat në Kosovë si dhe shoqëria patriarkale nënkuptojnë se përdoruesit më të mëdhenj të këtyre burimeve në vend janë kryesisht gratë dhe konsumi i brendshëm i energjisë përbën pothuajse gjysmën e të gjithë konsumit të energjisë në Kosovë.                                                                                                      

Prandaj, gratë janë veçanërisht më të prekura ndaj asaj që njihet si ‘varfëria energjetike’ – mungesa e qasjes në shërbimet moderne të energjisë, ku mirëqenia e qytetarëve ndikohet negativisht nga mungesa e qasjes në energji elektrike për familjet dhe për gatim të pastër. Termi gjithashtu i referohet përdorimit i lëndëve djegëse ndotëse për të plotësuar nevojat themelore të jetesës.

Sipas Bankës Botërore në Kosovë, ndotja më e madhe në Kosovë vjen nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” si dhe nga përdorimi i qymyrit dhe drurit si lëndë djegëse. Një studim i Rochester Institute of Technology Kosova (RIT) 2015, dëshmon se 45% e popullatës përdorin drurin si lëndë djegëse për punë shtëpiake apo për ngrohje dhe 44% nga rryma elektrike (e bazuar kryesisht në qymyr, që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut). Situata përkëqësohet në vendet rurale, ku zakonisht kanë mungesë të qasjes në shërbimet moderne të energjisë (p.sh. energjia elektrike për ndriçim apo për ngrohje qendrore).

Hapi i parë që do të duhej të bëhej, është reflektimi i konsideratave gjinore në dokumentin kryesor politikëbërës të sektorit, Strategjia e Kosovës për Energji (2017 – 2026), për zbatimin e së cilës nevojiten rreth 3 miliardë euro.

Analizat e përgatitura nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, kanë identifikuar një sërë sfidash me të cilat përballet sektori energjetik dhe sektori minerar, duke përfshirë mungesën e qasjes së vazhdueshme në energji elektrike, teknologjia e vjetër në termocentralet, ndotja dhe shumë probleme shëndetësore që lindin si pasojë e kësaj.

Strategjia kombëtare për energji nuk parasheh një kapitull të veçantë, që është shumë i  nevojshëm, për edukimin dhe për arsimimin e gjeneratave të reja në këtë sektor. Në Universitetin publik të Prishtinës, degët e doktoratës dhe të masterit në elektroenergjetikë (FIEK) janë mbyllur, ndërsa edhe niveli bachelor rrezikon të mbyllet së shpejti për shkak të mungesës së kuadrove.

A ka vend për gratë në sektorin e energjisë?

Industria ndërkombëtare e energjisë, aktualisht po kalon një periudhë të ndryshimit të paparë me mijëra vende të reja të punës që do të krijohen gjatë viteve të ardhshme. Kjo vlen edhe për Kosovën.

Me hapjen e tregut të energjisë së Kosovës, me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Komunitetit të Energjisë, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të krijohen edhe vende të shumta të punës që kërkojnë specialistë të fushave të ndryshme, jo vetëm në inxhinieri dhe në matematikë, por edhe në shkenca politike, juridike e politika publike.

Sipas Bankës Botërore, në Kosovë gati një e treta e popullsisë jeton në varfëri ndërsa niveli i papunësisë është më i larti në Evropë.

Që nga negocimi i kontratave të energjisë, vlerësimi i ndikimin strategjik të infrastrukturës së re, menaxhimi i projekteve në energjinë e ripërtrishme dhe eficenca e energjisë nëpër vendbanime, kërkojnë fuqi punëtore të re, e cila nuk parasheh dallime gjinore.

Sipas Bankës Botërore, në Kosovë gati një e treta e popullsisë jeton në varfëri ndërsa niveli i papunësisë është më i larti në Evropë. Për të rritur punësimin, për të zvogëluar varfërinë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, Kosova ka nevojë për furnizim të qëndrueshëm dhe me kosto të përballueshme.

Burimet minerare dhe sektori i energjisë konsiderohen sektore kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Andaj, është më se e nevojshme që të investohet në ruajtjen e drejtimit në UP/FIEK si dhe të përfshihet energjetika edhe në fakultetet e tjera ku trajtohen aspektet shoqërore, mjedisore, politikat dhe teknologjia (p.sh. Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Edukimit etj).

Për të adresuar mungesën e grave në institucionet e sektorit të energjisë dhe të minierave, dhe për të inkurajuar profesionistet e reja që të përfshihen në këtë sektor, vitin e kaluar u themelua Shoqata e Grave në Sektorin e Energjetikës, nga gra profesionale që punojnë brenda sektorit.

Kjo shoqatë po synon t’i fuqizojë gratë në sektorin e energjisë me anë të zhvillimit të karrierës, të zhvillimit profesional, të pjesëmarrjes në vendimmarrje, dhe të kontributit në zhvillim e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës. Mirëpo, për të arritur ndryshimin, shoqata nuk mjafton.

Është më se e nevojshme të kemi politika publike që përvec adresimit të sfidave kryesore të sektorit kanë edhe për synim thyerjen e tabuve të cilat e përshkruajnë sektorin e energjisë si një mjedis teknik i punës që është i papërshtatshëm për gratë. Po ashtu, është më se e nevojshme që kuotat gjinore të zbatohen në institucionet e energjisë deri sa të arrihet një ngritje e vetëdijes se ky sektor nuk do të ketë politika efektive pa pjesëmarrjen aktive të grave.

Foto kryesore: Agon Nimani. 

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.