S`fundmi | Politika

Gjykata kushtetuese vendos që zgjedhjet nuk janë të nevojshme

Nga - 29.05.2020

Thaçi bën thirrje që të formohet sa më shpejt qeveria e re.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që qeveria e re mund të formohet pa shkuar sërish në zgjedhje. Ky vendim, i shpallur të enjten mbrëma, është votuar njëzëri nga nëntë gjykatësit e Kushtetueses.

Presidenti Hashim Thaçi më 30 prill ka nxjerrë një dekret që mandatoi kandidatin kryeministror të LDK-së Avdullah Hoti ta formojë qeverinë e re pas votimit të mocionit të mosbesimit në mars që e rrëzoi koalicionin Vetëvendosje-LDK të udhëhequr nga Albin Kurti. Dekreti u dërgua menjëherë për shqyrtim të kushtetutshmërisë nga Vetëvendosja (VV) dhe u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese të nesërmen.

Vendimi i ri i gjykatës e shfuqizon masën e përkohshme dhe i hap shteg formimit të një qeverie të re.

VV-ja dhe lideri i saj, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë sjellë argumentin se e vetmja mënyrë kushtetuese për ta formuar qeverinë është përmes shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje, pas një lehtësimi të mjaftueshëm të kufizimeve të COVID-19 që do të lejonte mbajtjen e sigurt të tyre. Megjithëkëtë, vendimi i gjykatës thotë se “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës”.

Sipas vendimit, meqë në rast të mocionit të suksesshëm të mosbesimit “nuk është e qartë se cila është partia politike ose koalicioni me të drejtën e propozimit të mandatarit”, mbetet “në diskrecion të Presidentit për t’u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe koalicionet e përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar se cila ka gjasën më të madhe për të formuar Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet”.

Janë ngritur pyetje të rëndësishme rreth pavarësisë së gjyqësorit të Kosovës.

Vendimi u mirëprit me nxitim nga Thaçi, i cili ka thënë se ka për qëllim ndërtimin sa më të shpejtë të një qeverie të re.

“Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar ai në Facebook. “Tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës menjëherë nxori një deklaratë ku bën thirrje që të gjitha institucionet dhe partitë politike ta zbatojnë vendimin, duke thënë se liderët duhet “të veprojnë së bashku për një kalim të rregullt në të mirë të paqes, stabilitetit dhe begatisë për të gjithë njerëzit e Kosovës”.

Sidoqoftë, vendimi i gjykatës është kritikuar rëndë nga VV-ja, të cilët e quajtën shembull të “kapjes” së shtetit, ndërsa analistët vendës dhe ndërkombëtarë po ashtu kanë dhënë argumente se vendimi i gjykatës është marrë për t’u shërbyer interesave politike.

Janë ngritur pyetje të rëndësishme rreth pavarësisë së gjyqësorit të Kosovës, madje vetë ish-këshilltari ligjor i Thaçit Alexander Borg Oliver së voni ka thënë për BIRN-in se gjykata “priret ta ndryshojë interpretimin dhe arsyetimin për t’iu përshtatur kujtdo që ushtron më së shumti ndikim politik dhe pushtet”. Ai ka shtuar se është e qartë që çdo vendim që lejon formimin e një qeverie të re pa zgjedhje do të ishte “plotësisht i gabuar”.

Një raportim i kohës së fundit nga Kallxo.com tregon që një nga gjyqtarët e Gykatës Kushtetuese është dënuar për korrupsion nga një gjykatë e Beogradit, një është ish-anëtar i PDK-së dhe një tjetër e LDK-së, ndërsa tre të tjerë kanë shërbyer më parë si konsuj e ambasadorë.

Koalicioni i ri që pritet të vijë në pushtet përbëhet prej një numri partish që më parë kanë qenë pjesë e koalicionit PAN, i cili është karakterizuar në përgjithësi nga skandalet e korrupsionit dhe nga dyshimet për shpërdorim të detyrës. Qeveria e re pritet të udhëhiqet nga LDK, partia që ka dalë e dyta nga zgjedhjet e kaluara, por pa pozitë për kandidaten për kryeministre në fushatën e kaluar Vjosa Osmani, e cila vazhdimisht është shprehur kundër pjesëmarrjes së partisë së saj në rrëzimin e një qeverie të sapoformuar dhe të mbështetur në mes të pandemisë.

Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e tetorit 2019 pas një fushate për luftim të korrupsionit, nxori një reagim ndaj vendimit të gjykatës në Facebook të premten herët, duke e përshkruar si “përtej imagjinatës e nën çdo nivel, logjik e juridik. “Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë”, ka shkruar ai.

Meqenëse më herët kishte lënë të kuptohet se do ta pranonte vendimin vetëm nëse gjykatësit do ta interpretojnë Kushtetutën pa e rishkruar atë, Kurti ka thënë se këshilltarët ligjorë të partisë së tij do ta bëjnë një “vlerësim të plotë dhe të hollësishëm” kur të lëshohet arsyetimi i plotë prapa vendimit dhe se VV-ja do t’i shpallë hapat e mëtutjeshëm politikë në ditët vijuese.

Aktivistët e VV-së kanë organizuar test-protesta me respektim të distancës fizike në sheshet e kryeqytetit gjatë ditëve të fundit, në pritje të një verdikti të padëshirueshëm.

Çfarë thotë vendimi i gjykatës

Arsyetimi i plotë i gjykatës për vendimin ende nuk është bërë publik, por 12 faqet e nxjerra të enjten mbrëma japin mjaft informata brenda 36 pikave.

Për arritjen e vendimit, gjykata ka ngulur këmbë që Kushtetuta duhet të lexohet si dokument i vetëm me kohezion të brendshëm, e jo thesht si nene të veçanta, dhe se “të gjitha pushtetet dhe bartësit e funksioneve publike, pa përjashtim, kanë për obligim që të kryejnë detyrat e tyre publike në shërbim të jetësimit të vlerave dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar të funksionojë Republika e Kosovës”.

“Normat kushtetuese nuk mund të nxirren jashtë kontekstit dhe të interpretohen në mënyrë mekanike dhe të pavarur nga pjesa tjetër e Kushtetutës”, thotë ajo.

Gjykata argumenton se nuk do të kishte “asnjë kuptim” që Kuvendi doemos të shpërndahet nëse zgjedh të shpreh mosbesim në një qeveri që ka themeluar vetë, meqë mocioni i mosbesimit është mekanizëm i kontrollit kushtetues të qeverisë nga Kuvendi si organ përfaqësues i popullit. Një qasje e tillë do të ishte “në kundërshtim me parimin kushtetues të kontrollit parlamentar të Qeverisë”, sipas gjykatës.

Vendimi përcaktën tri rastet e vetme kur Kuvendi duhet të shpërndahet: a) nëse qeveria nuk mund të formohet brenda 60 ditësh nga mandatimi i kandidatit kryeministror nga presidenti, b) nëse dy të tretat e deputetëve votojnë pro shpërndarjes, dhe c) nëse brenda afatit prej 60 ditësh prej fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit, nuk zgjedhet ky i fundit. Pas një mocioni të mosbesimit — pra në skenarin e tanishëm — “Presidenti ka mundësinë, por jo detyrimin të shpërndajë Kuvendin”, thotë ajo.

Vendimi thekson dallimin e pragut që nevojitet për shpërndarjen e Kuvendit (dy tretat e të gjithë deputetëve) krahasuar me atë që kërkohet për kalimin e një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë (një e dyta e të gjithë deputetëve). Ajo jep argumentin që kjo përcakton peshën dhe rëndësinë e këtyre veprimeve, dhe duke i dhënë mandat presidentit për ta shpërndarë Kuvendin pas një vote të mosbesimit do të rritej në mënyrë “arbitrare” pushteti i tij.

“Përkundrazi, Presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një Qeverie të re”, shkruan vendimi.

Për më shumë, vendimi i gjykatës përpiqet të shpjegojë se si rrethanat e tanishme “dallojnë qartazi” nga ato të shpërndarjes së legjislaturave të mëparshme — në vitet 2010, 2014, 2017 dhe 2019. Ajo thotë se deputetët nuk patën “nevojë për ndihmën e Presidentit për t’u shpërndarë” në vitin  2014 dhe 2019, meqenëse Kuvendi kishte votuar me shumicë prej dy të tretash për t’u shpërndarë; në anën tjetër, në vitet 2010 dhe 2017 presidenti e shpërndau atë sepse “nuk ka pasur vullnet e as shumicë të nevojshme për të formuar një Qeveri të re”.

Në rastin e tashëm, gjykata ka vendosur që “shumica e të zgjedhurve të popullit, janë deklaruar në favor të krijimit të një Qeverie të re”, prandaj shpërndarja e Kuvendit nga presidenti “kundër vullnetit të përfaqësueseve të popullit do të ishte arbitrare e qartazi kundërkushtetuese”.

“Përkundrazi, Presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një Qeverie të re”, shkruan vendimi. 

Neni 82 i Kushtetutës thotë: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Njëra nga pikat që tashmë ka shkaktuar shumë reagime është interpretimi i përpjekjeve për të formuar një qeveri të re me partinë fituese të zgjedhjeve.

Gjykata ka analizuar letrat e shkëmbyera mes presidentit dhe kryeministrit në detyrë pas mocionit të mosbesimit, ku Thaçi ka ftuar Kurtin ta nominojë një kandidat të ri për kryeministër. Kurti është përgjigjur se, si lider i partisë fituese në zgjedhjet e fundit — pa e refuzuar shprehimisht dërgimin e nominimit — ai ka kërmbëngulur për zgjedhje të reja dhe ka kërkuar sqarime rreth bazës kushtetuese mbi të cilën presidenti përpiqej ta formonte qeverinë e re pa ta, pasi Thaçi atëhermë kishte filluar t’i konsultonte partitë e tjera për këtë çështje.

Gjykata thotë se “fryma e Kushtetutës reflekton qëllimin e qartë dhe të vetëkuptueshëm të nevojës për veprime të shpejta” dhe kjo “nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e këtyre të fundit për të mos vepruar në afat të pakufizuar kohor” dhe shton: “pretendimi i parashtruesve se ‘Gjykata ka thënë se Presidenti mund të anashkalojë fituesin e zgjedhjeve, vetëm nëse ky heq dorë shprehimisht nga e drejta e tij por në asnjë rrethanë tjetër’, nuk është i saktë”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.