S`fundmi | Politika

Kuvendi i Kosovës miraton qeverinë e re

Nga - 03.02.2020

Deputetët votojnë për kabinetin e udhëhequr nga kryeministri i ri Albin Kurti.

Kosova është bërë me qeveri të re pasi Kuvendi i Kosovës votoi për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kreu i VV-së, Albin Kurti, është kryeministri i ri, dhe pjesë e kabinetit të tij do të jenë 15 ministra e 33 zëvendësministra.

Me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend që kërkohet për të miratuar qeverinë e re, 66 deputetë votuan pro, asnjë kundër dhe 10 abstenuan.

VV-ja dhe LDK-ja do të kenë nga gjashtë ministri në qeverinë e re, ndërsa tri ministri do të drejtohen nga ministrat që përfaqësojnë komunitetet pakicë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në çdo qeveri me më shumë se 12 ministri, në minimum tri ministri duhet të drejtohen nga ministra që përfaqësojnë komunitetet pakicë, përfshirë të paktën një ministër nga komuniteti serb.

Qeveria e re ka edhe dy zëvendës kryeministra: Avdullah Hoti i LDK-së do të jetë zëvendës kryeministër i parë, ndërsa Haki Abazi i VV-së zëvendës kryeministër i dytë.

Të dielën, marrëveshja e koalicionit u miratua nga anëtarët e VV në një referendum të brendshëm  dhe nga LDK-ja me votim nga këshilli i saj drejtues.

Parimet e marrëveshjes së re të koalicionit — e cila nuk është publikuar ende — janë në përputhje me propozimin fillestar të paraqitur nga VV-ja në nëntor pas çertifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve : VV-ja dhe LDK-ja do të kenë numër të barabartë të ministrave, kryetarja e Kuvendit është nga LDK-ja, kryeministri nga VV-ja, ndërsa çështja se kush do të përkrahet për t’u bërë president i ardhshëm i Kosovës do të vendoset vitin e ardhshëm.

Por, të dy palët kanë bërë kompromise me qëndrimet e mëparshme për të arritur marrëveshjen përfundimtare të koalicionit.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti premtoi se qeveria që ai do ta drejtojë do të ketë vetëm 12 ministri. Por, të dielën, kur u pyet në një konferencë për media, tha se vendimi për të rritur numrin e ministrive në 15 u mor për të mos humbur më shumë kohë pasi krijimi i disa “super ministrive” tani do të ishte shumë i kushtueshëm dhe do të zgjaste shumë

Qeveria e re është prapë se prapë dukshëm më e vogël se qeveria para saj, e cila është kritikuar gjerësisht pasi kishte 21 ministra dhe më shumë se 80 zëvendës ministra.

Nënkryetari i VV-së Glauk Konjufca është ministri i ri i punëve të jashtme dhe diasporës pasi kaloi aty nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Roli i tij i mëparshëm i kaloi Vjosa Osmanit, nënkryetare e LDK-së dhe kandidate për kryeministre në fushatën zgjedhore, duke e bërë gruan e parë në këtë pozitë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

LDK kishte thënë më parë se posti i kryetarit të Kuvendit mund t’i kthehet VV-së vitin e ardhshëm, në këmbim të mbështetjes së kandidatit të LDK-së për president të Kosovës kur deputetët do të votojnë për pasuesin e Presidentit Hashim Thaçi. Megjithatë, kreu i partisë Isa Mustafa njoftoi të dielën se Kryetari i Kuvendit do të shërbejë një mandat të plotë, dhe se për Presidentin e ri i Kosovës do të vendoset vitin e ardhshëm.

Pozitat e kryetarit të Kuvendit dhe presidentit të Kosovës kanë dominuar diskutimin publik për shkaqet e vonesave në arritjen e një marrëveshjeje koalicioni në javët e fundit. LDK-ja më parë kishte insistuar që presidenca të bëhej pjesë e çdo marrëveshjeje, por VV-ja kishte qëndruar e bindur se kjo çështje nuk duhet të jetë partiake dhe prandaj duhet të vendoset në një datë të mëvonshme.

Në ndërkohë, VV-ja e befasoi  LDK-në duke e emëruar papritur Konjufcën si kryetar të Kuvendit në dhjetor dhe më pas duke deklaruar se ai nuk do të japë dorëheqje.

Qeveria e re nuk u votua nga Srpska Lista (Lista Serbe), edhe pse partia do të ketë dy ministra në qeverinë e re. Partia politike e mbështetur nga Beogradi i ka të gjitha 10 ulëset e rezervuara për përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës pasi siguroi shumicën dërrmuese të votave për kandidatët serbë në zgjedhjet e tetorit përkundër raportimeve për frikësim të votuesve.

Të dielën, kur u bë e ditur marrëveshja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, nënkryetari i Listës Serbe Igor Simić tha për Radio Televizionin e Serbisë se partia e tij nuk do të jetë pengesë në krijimin e institucioneve. Para votimit kryesor për miratimin e qeverisë së re, përfaqësuesit serbë votuan për ta dhënë miratimin për dy ministrat serbë, siç kërkohet nga Kushtetuta.

Kurti ka deklaruar më parë se nuk do të punojë me Listën Serbe pasi ata janë “mjeti” i dikujt tjetër, dhe u kritikua nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të hënën për ndryshim të qëndrimeve të mëparshme.

Skena politike e Kosovës ishte në një situatë të pasigurisë që nga korriku 2019, kur kryeministri Ramush Haradinaj papritmas dha dorëheqje dhe njoftoi se ishte thirrur nga Gjykata Speciale si i dyshuar. Kjo krijoi pasiguri kushtetuese pasi Haradinaj vazhdoi t’i udhëheqte mbledhjet e qeverisë edhe për një muaj.

Më 22 gusht Kuvendi votoi për t’u shpërndarë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme u caktuan për datën 6 tetor. Në ato zgjedhje VV doli e para  për t’u bërë partia më e madhe në Kuvend me 29 deputetë, me LDK-në në vendin e dytë me 28 deputetë. PDK-ja, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 2007, u radhit në vendin e tretë, ndërsa AAK-ja e Haradinajt — që kishte formuar koalicion parazgjedhor me Partinë Socialdemokrate — doli e katërta.

Megjithatë, u deshën gati dy muaj që rezultatet të çertifikoheshin zyrtarisht pas ankesave të ndryshme, rinumërimeve dhe veprimeve nëpër gjykata.

Marrëveshja VV-LDK për koalicion qeverisës përfundimisht u arrit pas gati katër muajsh  të bisedimeve midis palëve. Në pjjesën më të madhe të kohës negociatat ngecën për shkak të postit të ardhshëm presidencial, për të cilin LDK këmbëngulte që VV-ja ta përkrahte kandidatin nga radhët e saj, dhe herë pas here bisedimet ishin në prag të kolapsit.

Më 20 janar, Presidenti Thaçi zyrtarisht e mandatoi Kurtin si kandidat për kryeministër pasi kreu i VV-së e njoftoi atë se ishte i gatshëm për ta formuar qeverinë.

VV dhe LDK lajmëruan për arritjen e marrëveshjes së koalicionit më 2 shkurt, një ditë para skadimit të afatit ligjor 15-ditor që Kurti kishte për ta paraqitur kabinetin e propozuar qeverisës në Kuvend për miratim. K

Ministrat e ri të Kosovës

1. Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës— Glauk Konjufca (VV)
2. Ministre e Drejtësisë — Albulena Haxhiu (VV)
3. Ministër i Financave dhe Transfereve— Besnik Bislimi (VV)
4. Ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike — Rozeta Hajdari (VV)
5. Ministër i Shëndetësisë — Arben Vitia (VV)
6. Ministër i Integrimit Evropian — Blerim Reka (VV)
7. Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike — Agim Veliu (LDK)
8. Ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit— Lumir Abdixhiku (LDK)
9. Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural— Besian Mustafa (LDK)
10. Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit — Hykmete Bajrami (LDK)
11. Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit — Vlora Dumoshi (LDK)
12. Ministër i Mbrojtjes— Anton Quni (LDK)
13. Ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal— Emilija Rexhepi (6+)
14. Ministër për Komunitete dhe Kthim — Dalibor Jevtić (Srpska Lista)
15. Ministër për Zhvillim Rajonal— Ivan Milojević (Srpska Lista)

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.