Në një debat televiziv në shkurt të vitit 2024, Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë në Kosovë, pranoi se ai e sheh një grua pa partner, si emocionalisht jostabile. Agani kështu u shpreh duke iu referuar grave të pamartuara, që kanë fëmijë përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF) nga donator i panjohur, siç propozon aktualisht Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizm të Asistuar Mjekësor. Agani, si ish-ministër, nuk ka pushtet politik, por fjalët e tij reflektojnë pamjen e debatit të gjerë toksik.
Projektligji në fjalë, i cili buron nga Udhëzimi Administrativ nr. 06/2023 për frytnimin e asistuar mjekësor, nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës gjatë disa seancave të votimit, kryesisht për shkak të kundërshtimit të disa deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Nëse kalon, ligji do t’i lejojë çiftet, që nuk mund ta përballojnë financiarisht fertilizimin e asistuar mjekësor në spitalet private, ta kryejnë IVF në institucionet shëndetësore publike. Mundësia që gratë beqare të realizojnë IVF në institucionet e kujdesit shëndetësor publik do të ishte hap i rëndësishëm drejt sigurimit të mëtejshëm të të drejtave riprodhuese të grave dhe autonomisë trupore të tyre. Deri tani, IVF ka qenë i qasshëm vetëm në spitalet private, me kosto të lartë.
Mundësia që gratë beqare të realizojnë IVF në institucionet e kujdesit shëndetësor publik do të ishte hap i rëndësishëm drejt sigurimit të mëtejshëm të të drejtave riprodhuese të grave dhe autonomisë trupore të tyre.
Debati i gjerë rreth IVF në kuvend dhe në televizione u përqendrua në dëmin e supozuar që i sjell shoqërisë sonë. Burimi kryesor i ankesave vjen nga neni 15 i projektligjit, i cili u ofron grave beqare mbi 18 vjeç qasje në IVF, duke i lejuar ato të fillojnë dhe të ndërtojnë familje në mënyrë të pavarur.
Disa deputetë me pikëpamje konservatore shprehën shqetësime se projektligji i ri do t’i lejonte gratë e pamartuara të bëhen nëna nëpërmjet fertilizimit të asistuar mjekësor. Sipas tyre, kjo cenon institucionin e martesës dhe familjes, por ky argument është i gabuar sepse mbështetet në një nocion konservator dhe të moçëm se çka është një familje.
Mizogjinia e hapur në komente të tilla si të Aganit i shkon për shtati të të menduarit dhe të jetuarit tradicional heteronormativl. Nëse një grua nuk përmbush imazhin e një nëne sakrifikuese, nuk është në shërbim të burrit dhe familjes së tij dhe nuk ndihmon për ta çuar para linjën e gjakut, ajo shihet si e panatyrshme dhe e tëhuajsuar nga gratë e tjera.
E pamartuar dhe e tëhuajsuar
Një mizogjini e tillë — nënkuptimi se gratë beqare janë jostabile — është dëgjuar dhe luftuar prej kohësh. Ky kontekst e bëri regjisoren Irina Dunn të thotë frazën e famshme “Një grua ka nevojë për një burrë, aq sa ka peshku nevojë për një biçikletë”. Kjo frazë u popullarizua gjithashtu më vonë nga aktivistja dhe shkrimtarja feministe, Gloria Steinem.
Gratë e pamartuara historikisht janë stigmatizuar nga familjet patriarkale, duke u parë si barrë ose si krijesa për t’i pasur mëshirë, që nuk e kanë jetuar jetën në plotninë e saj. Narrativa si kjo e reduktojnë vlerën e grave në statusin e tyre martesor dhe mbështeten në idetë tradicionale të feminitetit. Ata përdorin gjuhë hiperbolizuese dhe stereotipike për të përçuar pretendime të pasakta dhe çorientuese që synojnë polarizimin e opinionit publik. Ky quhet dezinformim i gjinorizuar, një formë e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave në veçanti, që përdor narrativa seksiste dhe mizogjene për ruajtjen e status quo-së heteronormative patriarkale.
Gratë e pamartuara historikisht janë stigmatizuar nga familjet patriarkale, duke u parë si barrë ose si krijesa për t’i pasur mëshirë, që nuk e kanë jetuar jetën në plotninë e saj.
Një narrativë e tillë, nxitja e frikës rreth të drejtës së grave që të bëhen nëna beqare përmes IVF, është përforcuar vazhdimisht nga deputetë/e të ndryshëm/me. Këtu përfshihen Visar Korenica, Eman Rrahmani dhe Labinotë Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Duda Balje, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut. Zëra të tillë kanë ushqyer narrativa sensacionaliste rreth shkatërrimit të institucionit tradicional të martesës dhe familjes, rreth shtatzënisë pa baba, fëmijës pa baba, rreth gruas, e cila, pa partner është e çmendur, rreth asaj se si IVF përmes një donatori të panjohur mund të shkaktojë incest apo mund të cenojnë identitetin tonë kombëtar.
(Frika nga) fundi i atësisë
Një tjetër narrativë kryesore e dezinformimit gjinor, që është përforcuar në diskursin publik në Kosovë, është se të qenit nënë beqare përmes IVF i bën baballarët të parëndësishëm. Grupet shoqërore dhe fetare këmbëngulin që një fëmijë ka nevojë për babanë dhe nënën. Të tjerë këmbëngulin se familja bërthamë është i ashtuquajturi model i familjes së natyrshme.
Por familja bërthamë veç se e ka reduktuar rolin e babait në mbajtës të familjes dhe të grave në kujdestare. Familja bërthamë ka toleruar e madje ka mundësuar lulëzimin e maskulinitetit të dhunshëm. Një njësi familjare patriarkale ka prodhuar një shoqëri ku dhuna e burrave është normë, dhuna ndaj grave është traditë dhe dhuna ndaj fëmijëve është disiplinë.
Dhe kush është përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe traditave brenda familjes bërthamë? Gratë, veçanërisht nënat. Më saktësisht, të bindurat, të cilat duhet t’i performojnë rolet e tyre me një buzëqeshje vesh më vesh dhe duhet ta pranojnë para botës se të qenit nënë është nderi dhe arritja më e madhe e jetës së tyre.
Nënat mbingarkohen me punën e papaguar të përkujdesjes, janë shpesh viktima të dhunës në familje, me të madhe të papuna dhe të varura financiarisht, të abuzuara ekonomikisht, madje edhe të përdhunuara nga vetë bashkëshortët e tyre. Por jetë të tilla, pavarësisht nga vështirësitë brutale, konsiderohen të pranueshme, sepse statusi martesor i një gruaje të martuar konsiderohet vërtetim për të si qenie njerëzore. Rrallëherë kemi dëgjuar deputetët/et tek thonë se dhunime të tilla ndaj trupit dhe jetëve së grave janë të dëmshme për institucionin e martesës apo për familjen tradicionale.
Pavarësisht nëse sigurojnë të hyra financiare apo jo, baballarët në Kosovë përgjithësisht duket se mjaftohen me kontributin e tyre biologjik. Përgjegjësia prindërore zakonisht nuk ndahet në mënyrë të barabartë tek çiftet e martuara. Personat që u ndihmojnë nënave të kujdesen për fëmijët e tyre janë zakonisht gra të tjera: nënat e tyre, vjehrrat, motrat, hallat, tezet e kështu me radhë. Ende nuk kërkojmë në mënyrë kolektive prej burrave që ata të kontribuojnë në mënyrë cilësore në jetën familjare, në partneritete të barabarta, në role më njerëzore martesore, si dhe në rritjen e fëmijëve.
Pavarësisht nëse sigurojnë të hyra financiare apo jo, baballarët në Kosovë përgjithësisht duket se mjaftohen me kontributin e tyre biologjik.
Prandaj, polarizimi i diskursit publik të Kosovës lidhur me të drejtat riprodhuese dhe politikat shoqëruese shëndetësore ka të bëjë me autonominë që shoqëritë dhe institucionet patriarkale e urrejnë aq shumë tek gratë — autonominë mbi trupat e tyre, jetën e tyre dhe përkufizimin e familjes. Kjo autonomi u jep grave vizionin, hapësirën dhe mundësinë për ta udhëhequr jetën e tyre me zgjedhjet e tyre të informuara.
Beqare dhe autonome
Të gjitha gratë janë të ndryshme, ashtu siç janë të ndryshme edhe shtysaat e tyre për amësi. Mund t’ia atribuojmë dëshirës së zjarrtë dhe vendosmërisë së fuqishme për të vepruar sipas instinkteve të trashëguara amënore, të cilat mund as mos t’i kuptojmë plotësisht. Mund të jetë nevoja për ta përmbushur vizionin e të qenit grua apo mund të jetë mënyrë për t’iu përgjigjur pritshmërive të përbrendëssuaraa shoqërore për rolet gjinore të grave. Mund të jetë gjithashtu thjesht lumturia e të pasurit një person që do ta duash plotësisht dhe që t’ua kthejë atë dashuri.
Pavarësisht nga shtysa apo vendimi i dikujt për t’u bërë nënë, është e rëndësishme ta pranojmë se kalimi nëpër procesin e IVF është diçka fizikisht dhe emocionalisht kërkuese. Një grua që zgjedh këtë formë të amësisë është tashmë e vetëdijshme për rrugën e vështirë të prindërimit dhe përkushtimin që kërkohet për t’ia dedikuar jetën kujdesit ndaj një qenieje tjetër njerëzore.
Prandaj është e rëndësishme që të fillojmë të kërkojmë modele të shëndetshme mashkullore në shtëpitë tona dhe në komunitetet tona, në vend që të këmbëngulim në rëndësinë e baballarëve biologjikë.
Një shenjë e përparimit politik dhe shoqëror do të jetë kur njerëzit tregojnë qëndrime më pak kundërthënëse ndaj imazhit të një nëne beqare, që me zgjedhjen e saj e rrit vetëm fëmijën e saj. Përparimi do të vijë kur njerëzit ta pranojnë faktin se në disa familje thjesht mund të mos ketë baba apo burrë dhe kur njerëzit ta kuptojnë se edhe kjo përbën një familje të vërtetë. Prandaj është e rëndësishme që të fillojmë të kërkojmë modele të shëndetshme mashkullore në shtëpitë tona dhe në komunitetet tona, në vend që të këmbëngulim në rëndësinë e baballarëve biologjikë.
Një grua beqare, që zgjedh këtë rrugë për t’u bërë nënë, do të ketë nevojë për të njëjtat shërbime dhe burime për t’u kujdesur për veten dhe fëmijën e vet. Kujdesi i sigurt amësor, mbështetja gjatë gjidhënies dhe kujdesi para-lindjes zbatohen njësoj për të gjitha gratë, pavarësisht nga prapavija e shtatzënisë së tyre ose statusi martesor. Kështu, e vetmja gjë për të cilën deputetë/et duhet të bëjnë panik, është për atë nëse grave u ofrohen shërbime shëndetësore cilësore.
Në vend që të kontribuojnë në dezinformim dhe nxitje të frikës, ata/o që mbajnë poste publike duhet t’i trajtojnë me kujdes debatet për çështje të ndjeshme. Hollësitë duhet të diskutohen dhe shtjellohen me kujdes në komisionet përkatëse parlamentare, grupet e fokusit dhe takimet e tjera zyrtare me akterët/et kryesorë/e, ku aktivistët/et e shoqërisë civile, veçanërisht feministët, konsiderohen si pjesë integrale e grupeve të punës.
Publiku i Kosovës meriton borxh informacione të filtruara dhe të përgjegjshme, por informacioni që publiku po e merr thyen besimin, i huton njerëzit dhe e largon vëmendjen nga zgjidhjet sistemike për problemet që prekin gratë, fëmijët dhe familjet. Bartësit/et e funksioneve publike duhet të komunikojnë në mënyra që ofrojnë edukim konstruktiv për politikat e përgjegjshme të prindërimit, planifikimin familjar dhe që mbrojnë sistematikisht të drejtat e grave, fëmijëve dhe të gjithë njerëzve.
Ky artikull është prodhuar në bazë të monitorimit të medies, i kryer nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.