Blogbox | Arsimi

Lamtumirë, pesëshe!

Nga - 26.09.2023

Kur e lashë luftën për numra dhe fillova të ndjek dijen.

Isha në klasë të katërt kur për herë të parë u notova me një jo-pesëshe. Sekondat derisa mësuesja vizatonte në ditar katërshen më kishin dhënë një terror të paparë. Ai terror nuk mbeti veç në atë moment. U shpërnda edhe në javët e muajt në vijim pavarësisht që ajo notë ishte thjesht një numër, që më vonë do zëvendësohej nga një tjetër.

Por, ndjenja e katërshes nuk u zëvendësua. Ishte sikur të prishej sekuenca binare e zerove dhe njëshave me një tjetër numër. Prishej i gjithë sistemi. Dhe, kjo ndodhi njëmend brenda mendjes time. 

Në realitet ekzistonin pesë nota, prej të cilave vetëm njëra (njëshi, 1) përshkruhej si “pamjaftueshëm”. Por, në një realitet pak më të ngushtë ku banoja unë dhe plot nxënës tjerë ishin vetëm dy nota: pesëshe dhe jo-pesëshe në vitet e para të fillores. Pesëshja ishte arma për vlerësim. Jo-pesëshja, arma me të cilën mbytej vetëbesimi. 

Të notoheshe me notë tjetër veç pesëshes ndërhynte dhunshëm në vlerësimin e nevojshëm, por tepër të kufizuar që të jepte familja e shoqëria. Një vlerësim i krijuar kryesisht nga një grumbull prindërish apo mësimdhënësish, që ndoshta s’kishin fort kohë të merreshin me secilën lëndë, secilën shkathtësi e dije të përfituar nga fëmijët e nxënësit e tyre. Ose krejt pesëshe, ose prishej e gjithë “struktura” e vlerësimit të tyre, e përkrahjes së tyre për të arritur më shumë. 

Me siguri si unë janë ndierë mijëra e mijëra filloristë kosovarë për vite me radhë. Notat s’ishin për t’u vlerësuar mbi filan lënde, filan njësie mësimore. Shiheshin si në një formë vlerësimi mbi thelbin tënd si person. Ndoshta përjetësisht. Ato ndikonin në thuajse të gjitha marrëdhëniet tona: me mësimdhënës, me prindër, me miqtë që po krijonim, me veten. E ndërtonin edhe mënyrën se si e shihnim veten në pasqyrë. 

Këto ndjesi i kam kuptuar nga shkrimet e ditarit tim të jetës, në të cilin shkruaja për lumturinë time gjatë secilës ditë. Po e përjetoja çuditshëm dhe normalisht nuk ndihesha aspak mirë, kur lexoja për ndjesitë e mia që kam përjetuar kur isha e vogël, vetëm për një jo-pesëshe.

A nuk do të duhej të ndihesha keq kur e dija se mësuesja ime sillej më së miri me nxënësit që kishin të gjitha pesëshe dhe unë doja të isha një nga ta? A nuk ishte e pritshme të ndihesha keq kur e dija se katërshja ime do të mund t’i dëshpëronte prindërit e mi? Përse nuk fliste askush për atë se si këta “thjesht numra” ndikonin shëndetin tonë mendor?

Ne jemi përtej numrave

Për çdo shtator na sillet në botën tonë online një letër që ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln i kishte shkruar mësuesit të djalit të tij në vitin 1830 me rastin e nisjes së vitit shkollor. Tallemi se si na sillet ajo letër në botën tonë online, por ndoshta edhe s’do të duhej. Të gjitha kërkesat e tij, dyqind vjet më parë, ishin kërkesa që do t’i ndihmonin djalit të tij ta ndërtonte karakterin dhe jo kërkesa që do t’i ndihmonin prindërit që ta kënaqnin egon e tyre. 

Tingëllon klishe? Ndoshta thjesht duhet ta mbërrijmë një herë klishenë. 

Më kujtohet kur ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, para dy vitesh pati përmendur largimin e notimit diferencial me nota 1 deri në 5, për nxënësit e klasave I-IV, duke u mbështetur në atë se fëmijëve duhet t’u zbulohen talentet dhe lëndët ku kanë më shumë nevojë për ndihmë. 

Kjo pati nxitur shumë reagime prej njerëzve që merren me arsim. Njerëzit brengoseshin se me heqjen e notimit diferencial, nxënësit mund të rehatoheshin dhe të mësonin më pak.  

Nuk po e kuptoj. Pse duhet të mësojnë më pak? Mbase do të ishte më mirë sikur të mësonin më pak në mënyrën se si mësohet tani. A është koha që ta shtrojmë pyetjen se mos duhet që nxënësit të ketë shtytje tjetër për të mësuar përveç vlerësimit që merr nga pesëshja? Mos duhet të flasim për cilësinë e arsimit e jo numrin e notave?

Kërkimi i pesëshes na ka bërë më përtacë. Bota është goxha më e gjerë se sa ajo e librave shkollorë. Në fillore e kam pasur të pamundur të lexoja libra jashtëkurrikular. Kurreshtja ime ka qenë një-drejtimëshe: shkolla. Pesëshet. Pikë. 

Ishin të kota rekomandimet për libra tjerë. Pesëshja më jepte rehatinë e nevojshme. Doja të isha krejtësisht besnike ndaj mësimeve në shkollë e të mos e konsumoja energjinë time në diçka tjetër. S’është ndoshta as e nevojshme ta them se sa më ka dëmtuar kjo gjë. Se sa shumë më ka penguar të mendoja lirshëm e në mënyrë kritike deri në shkollë të mesme. 

Të njëjtat ndjesi i kam përjetuar edhe në fakultet. Aty pos që kishte rëndësi nota, vazhdoi ai vlerësimi, që e kisha parë edhe në fillore e shkollë të mesme ndaj mësimdhënësve në bazë të numrit të studentëve që nuk kalonin në provime. Sa më shumë studentë të “rrëzuar” aq më parimor mësimdhënësi. 

Mirëpo, në atë fazë arrita ta ndaloj këtë cikël së pari me veten, duke e pyetur veten se pse po luftoja për notat? Madje, në fakultet edhe familjarët e mi e  kuptuan paarsyeshmërinë e kësaj lufte që bëja. Por, pikërisht këtë “luftë” ata ma mësuan ta bëj që nga fëmijëria. 

Ne jemi përtej numrave, që na vizatohen nëpër ditare. Kemi nevojë ta zgjerojmë mënyrën se si e kuptojmë të të mësuarit. Ai nuk duhet të jetë cikël i luftërave drejt numrave, por i përpjekjes drejt dijes. 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?