Në thelb | Kulturë

Të mësuarit e gjuhëve të njëri tjetrit

Nga - 02.12.2018

Shqiptarët dhe serbët mbajnë mësime gjuhe për të ardhmen.

Aid Kelmendi ka qenë i interesuar në gjuhën serbe prej fëmijërisë.

Ndonëse arsyeja për këtë interesim ka ndryshuar me kalimin e vjetëve, dëshira fillestare e tij për ta mësuar gjuhën serbe nuk buroi nga përfitimet e hamendësuara ekonomike apo dëshira për të krijuar lidhje ndërkulturore. Ishte rrjedhojë e kuriozitetit bazik fëmijëror.

“Serbishtja ishte gjuha që e përdornin prindërit kur donin të fshehin diçka prej neve”, thotë Kelmendi, tani montazhier 22 vjeçar në Prishtinë.

Për gjeneratën e prindërve të tij, mësimnxënia e serbishtes nuk ishte vetëm një kuriozitet, por ishte thelbësore për të jetuar, dhe nisi në një moshë të hershme. Ndonëse shqiptarët përbënin rreth 90 përqind të popullsisë së Kosovës, serbishtja ishte gjuha zyrtare e shtetit në të cilin u rritën, e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, dhe ishte lëndë obligative për të gjithë fëmijët që nga shkolla fillore, madje edhe në shkolla të gjuhës shqipe.

Prindërit e Kelmendit më vonë e përfunduan arsimimin universitar në gjuhën serbo-kroate; nëna e tij studioi pedagogjinë në Mal të Zi dhe babai i tij studioi muzikën në Zagreb të Kroacisë. Historia e tyre ishte e zakonshme për shqiptarët e Kosovës që deshën ta vazhdojnë arsimimin e tyre në Jugosllavi, veçanërisht para hapjes së dyerve të Universitetit të Prishtinës në 1970, kur u bë i mundshëm përfundimi i studimeve universitare në gjuhën shqipe.

“Dua ta thej mendësinë se gjuha serbe është tabu në mesin e shqiptarëve”.

Aid Kelmendi

Por kur Jugosllavia po shpërbëhej gjatë viteve ‘90, ndarja etnike ndodhi në të gjitha sferat e jetës; shqiptarët e Kosovës kryesisht u përjashtuan nga institucionet shtetërore, përfshirë këtu shkollat dhe universitetet, si pjesë e shtypjes së dhunshme nga regjimi serb i drejtuar nga Slobodan Miloševići e kjo shkaktoi një hendek të njohurive ndërmjet gjeneratave më të reja dhe prindërve të Kelmendit. Si pjesë e rezistencës, shqiptarët e Kosovës e themeluan sistemin paralel të arsimit në podrume dhe shtëpi. Ky sistem operonte vetëm në gjuhën shqipe dhe gjuha u bë simbol i rezistencës dhe ndarjes.

I lindur më 1996, në kohën kur Kelmendi e nisi shkollën lufta kishte përfunduar, regjimi i Miloševićit ishte detyruar të tërhiqej nga Kosova dhe gjuha shqipe ishte bërë gjuha që përdorej më së shumti në jetën publike, përfshirë këtu sistemin e arsimit. Gati tri dekada pas ndarjes me forcë që ndodhi në vitet ‘90 dhe gati dy dekada prej fundit të luftës, gjuha serbe ka mbetur si gjuhë zyrtare në Kosovë, por përdorimi i saj në përditshmëri kryesisht është kufizuar në ato komuna që kanë popullsi shumicë serbe; serbishtja kurrë nuk është kthyer në kurrikulën thelbësore të Kosovës, siç nuk është mësuar gjuha shqipe në shkollat e serbëve të Kosovës.

Tani si i rritur, Kelmendi është një nga shumë shqiptarët dhe serbët e rinj që po e mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.

Përderisa përpjekjet e tij janë më të rëndësishme tani se sa që ishin kur ishte fëmijë, në themel mbetet dëshira e thjeshtë për ta shtuar qasjen në informata dhe për ta forcuar lidhjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve duke tejkaluar pengesat gjuhësore që kanë shërbyer si pikë e konfliktit për më shumë se dy dekada.

“Kur e flasim gjuhën e njëri tjetrit, ne respektojmë kulturën, traditat dhe zakonet e njëri-tjetrit”, thotë Kelmendi, i cili nisi të vijonte mësimin në një kurs formal dhe privat të gjuhës serbe para dy vitesh. “Dua ta thej mendësinë se gjuha serbe është tabu në mesin e shqiptarëve”.

Aid Kelmendi thotë se fillimisht i erdhi dëshira për ta mësuar gjuhën serbe sepse donte ta kuptonte çfarë thonin prindërit kur mundoheshin të fshehin diçka prej fëmijëve. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ai shton se prej kur ka filluar ta mësojë gjuhën, ai është munduar t’i përfshijë fjalët serbe në biseda me miq. Kelmendi thotë se duke e bërë këtë, ai e kundërshton stigmën negative që është asociuar me gjuhën në të kaluarën dhe se në këtë mënyrë ndihmon ta krijojë një ambient në të cilin serbët dhe shqiptarët “mund të lëvizin dhe flasin lirshëm”.

Fjala e tij e preferuar? Živeli (që do të thotë ‘rrofsh’ dhe ‘gëzuar’).

Ndonëse ende mund të jetë pjesë e një pakice, gjithsesi Kelmendi nuk është shqiptari i vetëm i ri që po e mëson gjuhën serbe. Filloreta Hoxha nga shkolla gjuhësore private Prishtina School of Language thotë se pavarësisht faktit se interesimi për ta mësuar gjuhën serbe nuk është shumë i madh, në vitet e fundit gjithnjë më shumë njerëz po interesohen për të marrë pjesë në kurse të gjuhës serbe.

Hoxha thotë se mosha mesatare e atyre që duan ta mësojnë serbishten është 20-30 vjeç. “Të rinjtë që vijnë për ta mësuar serbishten zakonisht kanë nevjë ta mësojnë për punë, qoftë në institucione publike ose në sektorin privat, por kemi punuar edhe me gazetarë të mediave të ndryshme, veçanërisht mediave të shtypit”, thotë ajo, duke shtuar se shumë pjesëmarrës e shohin njohurinë e gjuhës serbe si përparësi për punë, duke marrë parasysh se serbishtja është gjuhë zyrtare në Kosovë.

Gjuha, identiteti dhe pajtimi

Gjatë periudhave të ndryshme të historisë, serbët dhe shqiptarët kanë përvetësuar plot elemente të kulturave të tyre përkatëse, pëfshirë këtu gjuhët. Por me shtypjen ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet ‘90, gjuha u bë ndarëse e qartë.

Marija Mandić dhe Ana Sivački nga Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Beogradit argumentojnë në një studim për praninë e shqiptarëve në Beograd se gjuha është një nga shënuesit më të rëndësishëm të identitetit kolektiv. Prandaj nga një perspektivë e konfliktit politik etnik, për shkak të lidhjes së saj me identitetin, gjuha mund të kontribuojë në zhvillimin e konflikteve, ku një grup bën përpjekje ta shtypë përdorimin e gjuhës nga grupi tjetër.

Por a është e mundur që në vitet e fundit gjuha të kontribuojë në paqe?

Stefan Filipovići (25 vjeç, serb) është aktivist i shoqërisë civile që banon afër Prishtinës. Ai ka mësuar ta mësojë shqipen, por thotë se ende është fillestar.

“Kontakti im i parë me gjuhën shqipe ishte nëpërmjet një projektit të praktikës në Komunën e Graçanicës që u themelua nga [OJQ-ja që punon me qeverisje lokale] Qendra për Paqe the Tolerancë”, thotë Filipovići. “Ishte një kurs gjuhësor formal, por tani po mësoj çdo ditë nëpërmjet punës”.

Stefan Filipovići thekson rëndësinë që serbët dhe shqiptarët ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit për ta ndihmuar komunikimin në përditshmëri dhe për të krijuar marrëdhënie më të mira ndërmjet qytetarëve të thjeshtë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në të kaluarën, për shkak se serbo-kroatishtja ishte gjuha e Jugosllavisë dhe shqiptarët ishin minoritet gjuhësor brenda Federatës, shqiptarët e Kosovës domosdoshmërisht e mësuan serbishten, ndërsa serbët më pak e mësuan shqipen.

Por Filipovići thotë se është jetike që serbët dhe shqiptarët ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.

“Mund ta kalojmë gjithë ditën duke listuar arsye për rëndësinë e kësaj dhe prapë nuk do t’i vinte fundi listës”, thotë Filipovići. “Komunikimi i përditshëm është kyç për krijimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet qytetarëve të thjeshtë dhe mund të ndihmojë t’i hapë shumë më shumë qendrat urbane të Kosovës për komunitetin serb”.

Filipovići shtoi se nuk është e lehtë të jetosh me tensionin e përditshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pa marrë masa që ndikojnë për ta ndryshuar këtë situatë.

“Ndoshta gjuha mund të jetë njëra prej këtyre masave”, thotë ai.

“Pa komunikim, bashkëpunimi nuk është i mundshëm. I kemi të njejtat probleme, të njejtat nevoja, por duhet të jemi më të bashkuar dhe t’i komunikojmë këto me njëri tjetrin”.

Manuela Petrović

Si Filipovići, edhe Manuela Petrovići fillioi ta mësonte shqipen nëpërmjet punës.

“Unë fillova ta mësojë shqipen duke qenë në kontakt me të rinj që flasin shqip nëpër kampe verore, në punë dhe në studime”, thotë Petrović, e cila është nga Maqedonia por ka jetuar në Prishtinë prej vitit 2003. “Kurrë nuk kam qenë e mendimit se duhet të jem e mbyllur ndaj komuniteteve të tjera dhe të mos jem e interesuar për të komunikuar me shqiptarët”.

Petrovići thotë se sa më shumë gjuhë që flasim, aq më të vlershëm bëhemi si njerëz.

Kur diplomoi në degën e menaxhimit të shërbimeve publike, Petrovići e dinte se në të ardhmen me gjasë do të punonte në institucione publike dhe thotë se donte të ishte e aftë që t’i përmbushte nevojat e të gjithë qytetarëve. Petrovići thotë se për ta bërë këtë ishte e nevojshme ta mësonte gjuhën, kështu që për tre muaj morri pjesë në një kurs pa pagesë të gjuhës shqipe që u organizua nga Komuna e Fushë Kosovës, deri sa ishte duke e kryer praktikën.

“Pa komunikim, bashkëpunimi nuk është i mundshëm”, thotë Petrović. “I kemi të njëjtat probleme, të njëjtat nevoja, por duhet të jemi më të bashkuar dhe t’i komunikojmë këto me njëri tjetrin”.

Ivana Stevanovići filloi ta mësonte gjuhën shqipe duke dëgjuar muzikë dhe duke shikuar filma në gjuhën shqipe. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Ivana Stevanovići, e cila është nga Serbia por aktualisht jeton në Prishtinë dhe punon si bibliotekiste, pajtohet me këtë mendim. Në dallim nga Filipovići dhe Petrovići, Stevanovići e mësoi gjuhën shqipe nëpërmjet muzikës, filmave dhe më vonë duke folur me miq dhe kolegë. “E kombinova këtë me lexim të lajmeve për ta kuptuar më mirë dhe më shpejtë gramatikën”, thotë ajo.

Stevanović shpreson se nëse më shumë serbë dhe shqiptarë bëjnë përpjekje për ta mësuar gjuhën e njëri tjetrit, ata do të fillojnë të reflektojnë mbi “të ashtuquajturat dallime”, të cilat ajo beson se janë “të imponuara historikisht mbi të gjithë neve si konstrukte të diskursit publik”.

“Në thelb, nuk ka dallime ndërmjet nesh – i kemi të njëjtat shpresa e ëndrra dhe ballafaqohemi me të njëjtat vështirësi në përditshmëri”, thotë Stevanovići, duke shtuar se vetëm kur njerëzit gjejnë interesa dhe opinione të përbashkëta me ata që i perceptojnë si “tjetri”, mund të ndryshojë ajo mendësia “ne kundër atyre”.

Dhe jo vetëm diskutimi të shpie deri te ndryshimi. Ndihmon edhe rritja e nivelit të aftësive ndërkulturore për t’i kuptuar mediat.

“Për shkak se vazhdimisht i përcjelli zhvillimet politike Kosovë-Serbi, është shumë e rëndësishme që ta kuptoj gjuhën serbe pa ndërmjetësim apo përkthim".

Gresë Sermaxhaj, gazetare

Gresë Sermaxhaj, gazetare e re shqiptare nga Gjilani e cila punon në Prishtinë, ka filluar të mësojë gjuhën serbe në mënyrë që të mund t’i lexojë lajmet e perspektivave të ndryshme pa u kufizuar nga gjuha.

“Për shkak se vazhdimisht i përcjelli zhvillimet politike Kosovë-Serbi është shumë e rëndësishme që ta kuptojë gjuhën serbe pa ndërmjetësim apo përkthim”, thotë Sermaxhaj. “Interesimi im për gjuhën serbe është nevojë dhe dëshirë – nevoja për të qenë më e informuar, dhe dëshira për ta njohur kulturën e fqinjve, që kufizohet nga pengesat që i kemi ndërmjet’.

Sermaxhaj thotë se për gjeneratat e reja, mësimi i gjuhës serbe implikon progres drejt pajtimit ndëretnik. “Gjuha është hapi i parë drejt shkëmbimit të njohurive”, thotë Sermaxhaj, fjala e preferuar e së cilës në gjuhën serbe është mir (paqe).

Në Shqipërinë fqinje, antropologja e bazuar në Tiranë, Armanda Kodra Hysa, është e magjepsur nga marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe i studion veçanërisht martesat ndëretnike. Si rrjedhojë e kësaj, ajo e mësoi gjuhën serbe. Vendimi për ta mësuar gjuhën ishte zgjedhje strategjike që i ndihmoi në hulumtimin e saj si etnografe dhe i mundësoi qasje në materiale nga të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë.

“Për t’u marrë me kulturën tradicionale të duhet të paktën një gjuhë e Ballkanit për ta krahasuar literaturën relevante, por edhe për të gjetur materiale burimore”, thotë ajo.

Megjithkëtë, ish e pamundur për të që të gjente kurs të gjuhës serbe në Shqipëri. Kontaktoi shumë njerëz, prej Ambasadës Serbe e deri te universitetet, e në fund Hysa e gjeti një mësuese private malazezo-shqiptare për t’i ndihmuar asaj me mësim dhe mësimin e plotësoi duke shikuar media të gjuhës serbe dhe duke u shoqëruar me serbofolës në Facebook.

Rritje e interesimit, mungesë e mundësive

Mundësitë e organizuara për ta mësuar gjuhën e njëri-tjetrit nuk janë të shumta as në Kosovë, pavarësisht faktit se gjuhët shqipe dhe serbe janë gjuhë zyrtare.

Për aktivistin e shoqërisë civile, puna, e jo klasat formale, ka shërbyer si metodë primare për ta mësuar shqipën. Puna e tij e shpie nëpër gjithë Kosovën dhe, si rrjedhojë e kësaj, ai mëson nëpërmjet bisedave të përditshme e duke dëgjuar radio gjatë udhëtimeve.

“Muzika ndonjëherë është shumë interesante”, thotë Filipovići, i cili tregon se ka mundësi të kufizuara që serbët në Kosovë ta mësojnë gjuhën shqipe.

Për këtë, Filipovići e kritikon qeverinë në Kosovë, e cila ai beson mund të bëjë më shumë për të krijuar kushte të mira për t’i mundësuar serbëve ta mësojnë gjuhën shqipe në Kosovë.

Bibliotekistja Stevanović thotë se përvoja e saj e ka reflektuar këtë, duke shtuar se gjuha shqipe duhet të listohet si alternativë për nxënësit që studiojnë në shkolla serbe. Aktualisht nuk është e listuar, pasi që pjesa më e madhe e shkollave serbe në Kosovë nuk e përcjellin kurrikulën e Kosovës, por atë që vendoset nga Beogradi.

Jana Minochkina, zyrtare e çështjeve politike në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), konfirmoi se përderisa në mesin e të rinjve serbë është shtuar interesimi për ta mësuar gjuhën shqipe, shumë pak mundësi ekzistojnë për ta realizuar këtë.

Jana Minochkina, zyrtare e çështjeve politike në UNMIK, thotë se ka vërejtur se në mesin e të rinjve shqiptarë dhe serbë gjithnjë më shumë po shtohet interesimi për ta mësuar gjuhën e njëri tjetrit. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

“Pa marrë parasysh situatën politike, serbët dhe shqiptarët do të jetojnë përkrah njëri tjetrit. [Për shkak të kësaj] në mesin e serbëve gjithnjë po shtohet interesimi për ta mësuar gjuhën shqipe”, thotë Minochkina. “Grupi që unë jam duke e koordinuar, Task Forca e të Rinjve, është grup i liderëve të ri të komuniteteve të ndryshme dhe sivjet do të mundohemi ta gjejmë një mundësi për t’ua mësuar gjuhët serbe dhe shqipe”.

Minochkina, e cila është nga Rusia, i njeh sfidat e mësimit të gjuhëve serbe dhe shqipe. Pasi që ka jetuar në Ballkan për shtatë vite dhe ka punuar për ndërtim të paqes, për të ishte e rëndësishme t’i mësonte të dy gjuhët. Si plot serbë dhe shqiptarë të ri që janë të interesuar për të mësuar, edhe ajo kryesisht ka mësuar vetë.

Fillova ta mësojë gjuhën shqipe kur isha në Shqipëri më 2013, kështu që jam duke mësuar tani e disa vite”, thotë Minochkina. “Kudo që shkoj mundohem t’i mësoj të paktën fjalët themelore sepse gjuha është diçka që të ndihmon t’i kuptosh traditat dhe kulturën e një populli. Unë e mësova gjuhën shqipe duke u takuar me njerëz dhe pa arsimim formal në këtë aspekt”.

Klubi Kulturor Shqiptar hap dyert në Beograd

Edhe matanë kufirit në Serbi gjithnjë po shtohet gradualisht numri i njerëzve që po kërkojnë ta mësojnë gjuhën shqipe.

Një mënyrë për ta bërë këtë është në Departamentin e Gjuhës Shqipe i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Beogradit. Themelet e studimeve shqipe në Universitetin e Beogradit u vendosën më 1925 kur Dr. Henrik Barić, albanolog i mirënjohur i asaj kohe, e themeloi një seminar të gjuhës shqipe në këtë universitet. Një departament i veçantë për këtë lëmi u hap brenda Fakultetit të Filologjisë më 1960, fillimisht si Departamenti për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, para se të bëhej më vonë Departamenti i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe.

Ky departament mbetet i vogël në krahasim me tjerët në Fakultetin e Filologjisë, pasi që vetëm nga 10 studentë regjistrohen në vit. Si pjesë e kursit, studentët serbë që janë duke e studiuar gjuhën shqipe e vizitojnë çdo vit Prishtinën.

Naile Mala, profesoreshë në Departamentin e Gjuhës Shqipe, thotë se ky departament sigurisht se është rritur në vitet e fundit, por për ta dalluar më mirë shtimin e interesimit në mesin e serbëve të rinj për ta mësuar gjuhën shqipe, duhet ta largojmë vëmendjen nga programi tradicional akademik dhe ta drejtojmë kah pjesëmarrja në një shoqatë të pavarur kulturore.

Klubi Kulturor Shqiptar u themelua më 2016 me qëllim për ta fuqizuar kulturën dhe gjuhën shqiptare në Beograd. Më herët gjatë vitit u hap një kurs i gjuhës shqipe nëpërmjet këtij klubi dhe, sipas Malës, reagimi ka qenë inkurajues.

“E hapëm një kurs për gjuhën shqipe dhe 50 serbë të rinj u regjistruan menjëherë”, thotë ajo. “Më së shumti më ka lënë përshtypje fakti se pjesa më e madhe e tyre nuk janë filologë, por studiojnë shkencat natyrore”.

“Ata duan ta mësojnë të vërtetën dhe të mos mbështeten vetëm në ato që u shërbehen”.

Naile Mala, profesoreshë e gjuhës shqipe

Mala thekson se gjysma e pjesëmarrësve në këtë kurs janë anëtarë të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), një OJQ aktive nëpër rajon që punon për të ndërtuar lidhje ndërmjet të rinjve në Ballkan. Programet e shkëmbimit që drejtohen nga kjo nismë janë shpeshherë rasti i parë që i mundëson të rinjtë nga Kosova dhe Serbia t’i vizitojnë shtetet e njëri tjetrit.

Mala thotë se plot studentë të përfshirë në klubin e gjuhës shqipe janë të motivuar nga dëshira për të lexuar lajme të burimeve të ndryshme; duan ta mësojnë të vërtetën dhe të mos mbështeten vetëm në ato që i shërbehen.

“Shumë prej këtyre të rinjve shkruajnë haptas dhe me krenari në Facebook se janë shumë të lumtur që po e mësojnë gjuhën shqipe”, thotë ajo, para se ta theksojë mungesën e ndihmës financiare. “Fatkeqësisht, ne nuk gjejmë mbështetje nga shteti serb”.

“Prishtina dhe Tirana po harrojnë se përderisa është e lehtë ta përfshijnë kulturën shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, një gjë e tillë vështirë bëhet në Beograd për shkak të ngritjes së vazhdueshme të elementeve nacionaliste”, thotë Mala, duke cekur se klubi po kërkon mbështetje prej fondacioneve të huaja për të mbijetuar.

Rreth vicioz

Përkundër vrullit që është dalluar në Universitetin e Beogradit në këtë aspekt si dhe mundësive që po ofrohen brenda këti institucioni, situata për shqiptarët që shpresojnë ta mësojnë serbishten është më e vështirë.

Lindita Rugova, dekane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ky universitet ka ndërmarrë hapa në të kaluarën për të ofruar kurse të gjuhës serbe, por këto programe janë ndërprerë.

Sipas Rugovës, Departamenti i Gjuhës Serbo-Kroate dhe Letërsisë Jugosllave u themelua paralelisht me Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në vitin akademik 1960-61, si pjesë e Fakultetit të Filofozisë, kurse më 1989 u bë pjesë e Fakultetit të ri të Filologjisë.

“Pasi u dëbuan me forcë [shqiptarët e Kosovës] nga objektet universitare [në fillim të viteve ‘90] dhe u zhvillua sistemi universitar paralel, funksioni i saj mbaroi si rrjedhojë e interesimit të vogël për ta mësuar këtë gjuhë”, thotë Rugova.

Në 2015, për gjeneratën e re të studentëve u akreditua një program katër vjeçar i nivelit Bachelor për Studime Ballkanike. Ky program ofroi kurse në gjuhën shqipe, si dhe ofronte mundësinë për të zgjedhur për ta mësuar një gjuhë tjetër të Ballkanit, njërën nga gjuhët sllave të ish-Jugosllavisë, të njohura si gjuhës BSKM (boshnjake, serbe, kroate dhe malazeze).

“Ky projekt u nis nga profesorët e Departamentit të Gjuhës Shqipe, dhe gjenerata e parë e studentëve u regjistrua në këtë program”, thotë Rugova. “Kur aplikuam për riakreditim, ekspertët e jashtëm të akreditimit dhanë vlerësim pozitiv për ta përsëritur kursin më 2016”.

Por pavarësisht raportit pozitiv, programi ende nuk është riakredituar për shkak të mungesës së stafit, kursee mungesa e akreditimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim – organ i pavarur përgjegjës për të garantuar kualitet në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë – çoi deri të ndërprerja e programit në vitin akademik 2016-17.

“Programi i Studimeve Ballkanike ka mbetur në një cikël vicioz”.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës

Rugova thotë se në vitin 2018 u bë një përpjekje tjetër për të inkuadruar kurse të gjuhës serbe në Universitetin e Prishtinës, kur Fakulteti kërkoi staf shtesë për të ndihmuar me ringjalljen e programit dhe rifunksionalizimin e tij. Por, për shkak se programi ende nuk ishte riakredituar, ishte ligjërisht e pamundur të lajmëroheshin thirrjet për punë.

“Programi i Studimeve Ballkanike ka mbetur në një rreth vicioz sepse pa bartës të programit [staf akademik të posaçëm për këtë program] nuk mund të riakreditohet dhe, në anën tjetër, pa u akredituar, nuk mund të publikohen thirrjet për punëtorë të ri të stafit akademik”, thotë Rugova.

Sipas Rugovës nuk janë bërë përpjekje tjera për t’i mundësuar kurset e gjuhës serbe, përfshirë këtu bashkëpunimin e mundshëm me Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit, por ajo thotë se nuk morrën përgjigje zyrtare kur bënë kërkesë zyrtare që universiteti i Serbisë t’i dërgojë profesorët e tij.

Pavarësisht përpjekjeve dhe pengesave të vazhdueshme, Fakulteti në Universitetin e Prishtinës nuk ka qëndruar pasiv dhe Rugova thotë se ajo shpreson se do të ofrohen kurse në të ardhmen.

“Duke parë interesimin e studentëve për gjuhët rajonale sllave, Fakulteti i Filologjisë e nisi një kërkesë për bashkëpunim ndëruniversitar me Zagrebin dhe u morrëm vesh të kemi lektorat të ndërsjellë – të mësohet gjuha shqipe në Zagreb dhe gjuha kroate në Prishtinë”, thotë dekanja, duke shtuar se në javën e parë kur u ofrua kjo klasë gjatë vitit më shumë se 50 studentë shprehën interesim për pjesëmarrje.

Pa dyshim numri i të rinjve që po mundohen ta mësojnë gjuhën e fqinjve është ende i vogël në këtë pjesë të Ballkanit. Por meqë kemi jetuar përkrah njëri-tjetrit me shekuj, duke shkëmbyer këngë dhe kulturë të gatimit, tregime dhe legjenda, disa serbë dhe shqiptarë po fillojnë ta ringjallin interesimin për të mësuar më shumë për kulturën dhe gjuhën e njëri-tjetrit.K

Redaktuar nga Lauren Peace dhe Jack Butcher.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0