Në thelb | Të Drejtat e Njeriut | Barazia gjinore

Legjislacioni i njëanshëm mbështet rolet tradicionale gjinore

Nga - 10.12.2018

Vështrim i politikave të lehonisë, atësisë dhe pushimi prindor

Lindja e Teos ishte pa dyshim njëri nga bekimet më të mëdha që ka përjetuar familja Smolica. Më i bekuari dhe më i lumturi ishte babai, Pajtim Smolica, i cili po e përjetonte ndjenjën e të qenit baba për herë të parë. Mori pushim njëjavor nga puna që të qëndronte gjithë kohës pranë të birit.  

Teo lindi vjet më 22 mars. Asokohe Nora, e ëma e Teos dhe e shoqja e Pajtimit, kishte marrë pushimin që ia mundëson ligji për pushimin e lehonisë. Ndërsa Pajtimi, edhe pse kishte marrë vetëm një javë pushim të plotë, kishte rënë dakord me drejtorin që t’ia reduktonte përkohësisht numrin e takimeve të klubeve të rregullta, në GEM-K, organizatën humanitare ku punonte me të shoqen, që merret me aktivitete edukative për fëmijë.

“Ne zakonisht gjatë sezonit të verës organizojmë kampe, por vjet, duke pasë parasysh lindjen e Teos, nuk organizuam kampe verore por vetëm dimërore, çka më dha edhe më shumë kohë të lirë me qëndru pranë familjes”, thotë Pajtimi. Ai gjatë asaj kohe, por edhe tash, ia ndërron pelenat Teos, përgatit formulëne qumështit, e ushqen dhe e pastron sa herë që është pranë tij. Dhe për këtë ndihet shumë i lumtur.

Pajtimi dhe Nora morën përgjegjësitë që u takojnë për ta rritur fëmijën.

“Rutinën e mëngjesit e kemi bërë me radhë, një mëngjes unë, një mëngjes Pajtimi, në mënyrë që të paktën njëri të jetë më i pushueshëm gjatë ditës, sepse Teo muajt e parë zgjohej herët në mëngjes, hiç më pak se në orën 5:30”, tregon Nora.

Pajtimi beson se çdo babë duhet të jetë afër fëmijës që nga momenti i parë i lindjes, e sidomos ai që bëhet prind për herë të parë. Ai e mbështet këtë duke cituar studimet e lexuara që thonë se baballarët luajnë rol shumë të rëndësishëm në shëndetin mendor të fëmijëve më vonë në jetë.  

“Baballarët kanë një stil unik të bashkëveprimit me fëmijët dhe personat që raportojnë se kanë pasur marrëdhënie të mirë me babain gjatë fëmijërisë, qëndrojnë më mirë me trajtimin e stresit”, thotë ai.

Rolet tradicionale, i përforcon edhe Ligji aktual i Punës.

 

Roli i rëndësishëm që kanë baballarët në rritjen e fëmijëve mbështetet nga shumë burime, por rolet tradicionale gjinore shpesh i privojnë burrat nga mundësia për të marrë pjesë aktive në ofrimin e kujdesit ndaj foshnjës dhe fëmijës. Në kuadër të këtyre roleve, punët e shtëpisë dhe përkujdesja për fëmijët shpesh shihen si detyra që u takojnë grave.

Këto role tradicionale i përforcon edhe Ligji aktual i Punës. Neni 50 i tij, i cili flet për “Të drejtat e të atit të fëmijës” u jep baballarëve të drejta të kufizuara. Sipas këtij neni, babai i fëmijës ka të drejtën vetëm për dy ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes ose adoptimit të fëmijës dhe dy javë pushim të papaguar pas lindjes ose adoptimit të fëmijës, në periudhën para se fëmija të jetë tre vjeç.

Ndërsa, pushimi i lehonisë ua mundëson grave të punësuara të drejtën për 12 muaj pushim: punëdhënesi paguan për gjashtë muajt e parë me kompensim 70 përqind të pagës bazë, ndërsa Qeveria e Kosovës paguan tre muajt në vijim me kompensim 50 përqind të pagës mesatare në Kosovë. Gratë kanë të drejtë që ta zgjasin pushimin e lehonisë për tre muaj të tjerë pa pagesë. Babai i fëmijës mund të marrë të drejtat e nënës vetëm nëse nëna vdes ose e braktis fëmijën para se të përfundojë pushimi i lehonisë.

Pajtim Smolica mundi të bënte marrëveshje për pushim nga puna, në mënyrë që të kujdesej për fëmijën e porsalindur, por jo çdo baba e ka këtë mundësi. Foto: Dardan Hoti

Ligjet, kështu siç qëndrojnë, nuk u mundësojnë baballarëve të përfshihen më shumë në përkujdesjen e fëmijëve.

“Privilegjin” që kishte Smolica për të marrë kohë të nevojshme larg zyrës nuk e kanë të gjithë baballarët e punësuar në Kosovë. Ai thotë se shteti dhe ligjvënësit duhet ta shohin rëndësinë e një ligji që u mundëson baballarëve të drejtën për të qenë pranë fëmijës pas lindjes dhe mbështet të drejtën e pushimit prindor më të gjatë edhe për burrat, si dhe shfrytëzimin e atij pushimi nga baballarët.

Përveçse ligji aktual i përjashton baballarët nga të gëzuarit e të drejtave të tyre për kujdesin ndaj fëmijës, dëshmitë tregojnë se dispozitat e tanishme të pushimit të lehonisë thellojnë hendekun e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Në Kosovë, pjesëmarrja e përgjithshme e fuqisë punëtore vlerësohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në 40.4 përqind, një nivel që është më i ulët se në shumicën e vendeve në rajon. Pjesëmarrja e burrave në fuqinë punëtore në Kosovë është mbi 63 përqind, ndërsa ajo e grave është 17.4 përqind, që do thotë se mbi 80 përqind e grave nuk janë të punësuara e as duke kërkuar punë. Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është më e ulëta në rajon.

Një analizë që ka bërë Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGK) sugjeron ndryshim të dispozitave të tanishme ligjore për pushimin e lehonisë, meqë ato krijojnë bazë për trajtim të pabarabartë të grave dhe të burrave në punësim. Sipas raportit, punëdhënësit konsiderojnë një kosto më të lartë të punësimit të grave, veçanërisht të atyre në moshë të lindjes. Prej 937 grave të anketuara, që kishin aplikuar për punë në pesë vitet e fundit, 62.7 përqind kanë thënë se punëdhënësit i kanë pyetur për statusin martesor dhe planet për të pasur fëmijë.

Modeli për mundësi të barabarta

Më 2013, Ministria e Punëve dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), nisi plotësim-ndryshimin e Ligjit e Punës, duke përfshirë dispozitat për pushim të lehonisë, me synimin e shprehur për ta rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. MPMS-ja ishte e ndikuar pjesërisht nga një raport i vitit 2012 nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, që konkludoi se neni për pushim të lehonisë është barrë për bizneset e Kosovës dhe shkakton diskriminim drejt grave kur aplikojnë në vende të reja pune.

Gjatë diskutimeve mbi draftin e ri, Insituti Demokracia për Zhvillim (D4D), bashkë me organizata të tjera që merren me çështje të të drejtave të grave dhe politika ekonomike, po avokojnë te qeveria që ta shtyjë përpara një model të pëfshirjes së lejes prindore në dispozitat për pushimin pas lindjes. Ky model do t’u jepte mundësi të barabarta baballarëve dhe nënave që të angazhohen së bashku në kujdesin ndaj fëmijëve.

D4D është shtyrë edhe nga hulumtimi i vet i vitit  2017, i cili sugjeronte gatishmëri të madhe nga burrat dhe gratë kosovare për të aplikuar për lejen prindore. Në një anketë me 1070 të intervistuar, 41.8 përqind e burrave dhe 45.8 përqind e grave do ta konsideronin ndarjen e lejes me partnerët; mbështetja ishte më e madhja te moshat 18-44 vjeçare.

Ajete Kërqeli, menaxhere e projekteve në D4D, thotë se propozimet e tyre bazohen në standardet minimale sipas Direktivës të BE-së mbi lejen prindore.

“Ky model është një skemë e lejes për familjen, ku nënës i takojnë tetë muaj leje (si leje e lindjes dhe leje prindore) dhe bbait pesë muaj (si leje e atësisë dhe leje prindore)”, shpjegon Kërqeli.

Shtetet në Bashkimin Evropian, kanë marrë masa të ndryshme për t’i inkurajuar baballarët që të shfrytëzojnë lejen prindërore. Një ndër qasjet që ofrohet është ajo në formë shpërblimi.

Brenda skemës së propozuar, nënave u takojnë katër muaj pushim lehonie, ndërsa baballarëve një muaj pushim atësie menjëherë pas lindjes së fëmijës dhe këta muaj paguhen me 70 përqind të pagës nga punëdhënësi.

Katër muaj të tjerë të pushimit prindor janë në dispozicion si për nënat, si për baballarët, derisa fëmija të mbushë tre vjet. Dy muaj të kësaj lejeje parashihet të paguhen nga qeveria me 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa dy muajt e tjerë do të jenë pa pagesë.

“Prindërit mund të vendosin për kohën kur mund të marrin në shfrytëzim lejen e tyre, varësisht prej rrethanave jetësore dhe me njoftim paraprak të punëdhënësit”, shpjegon Kërqeli.

Direktiva e BE-së bashkërendon punën dhe jetën familjare dhe promovon mundësi të barabarta për burrat dhe gratë në tregun e punës. Ajo përcakton kushtet minimale për lejen prindore për punonjësit burra dhe gra, si dhe mbrojtjen që lidhet me punësimin.

Ndërkohë, shtetet e Bashkimit Evropian kanë marrë masa të ndryshme për t’i nxitur baballarët që ta shfrytëzojnë lejen prindore. Njëra ndër qasjet e ofruara është ajo në formë shpërblimi. Ndër shumë vende që ofrojnë një shpërblim të tillë është Gjermania, e cila e zgjat pushimin me pagesë për dy muaj nëse baballarët marrin të paktën dy muaj leje prindore, ndërsa në Suedi të dy prindërve u jepen 480 ditë pushim për fëmijën, dhe nga 420 prej këtyre ditëve paguhen me një normë prej 80 për qind të pagës së tyre.

Hulumtimi i vitit 2017 “State of the World’s Fathers – Time for Action”, thekson rëndësinë  ndarjes së punëve të shtëpisë dhe të kujdesit për fëmijë, çka kontribuon që burrat të pranojnë konceptin e barazisë gjinore, ndërsa gratë, ndjenjën e autonomisë dhe të fuqizimit, duke krijuar një cikël pozitiv të kujdesit dhe të barazisë.

Profesori i psikologjisë, Fitim Uka, beson se ngrohtësia emocionale dhe mbështetja që jep babai  bëjnë që leja e atësisë dhe ajo prindore për burrat duhet të konsiderohen. Foto: Fitim Uka

Psikologu Fitim Uka, profesor në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe vetë baba i një djali dyvjeçar, thotë se baballarët luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin mendor të fëmijëve.

“Shoh se disa gjykojnë ashpër duke thënë se fëmija ka nevojë më shumë për figurën primare nënë dhe pushimi për babain nuk është i justifikueshëm”, thotë ai. “Babai, sikurse edhe nëna, mund të kujdesen për foshnjen e porsalindur dhe ngrohtësia emocionale që falin, dashuria dhe përkujdesja ndaj foshnjes e bëjnë deri diku të domosdoshëm dhe plotësisht të arsyeshëm edhe pushimin e babait”.

Ai shton se babai, i pranishëm në shtëpi pas lindjes, e mbështet emocionalisht edhe nënën dhe se dispozitat aktuale ligjore për lejen e atësisë dhe atë prindore janë të papërshtatshme.

Qeveria shpërfillëse ndaj rekomandimeve

Qeveria e Kosovës miratoi sivjet në qershor Koncept Dokumentin për Rregullimin e Fushës nga Marrëdhënia e Punës, i cili i paraprin Ligjit të ri të Punës. Pritet që shumë shpejt ai të dërgohet në Qeveri dhe pastaj edhe në Kuvend për miratim. Dispozitat e reja për pushimin e prindërve pas lindjes kanë qenë në diskutim publik gjatë tetorit sivjet.

Koncept Dokumenti thotë se modeli i ri i pushimit të lehonisë, atij të atësisë dhe prindor është bërë sipas Direktivës 2010/18/EC të Këshillit. Megjithatë, projektligji i ri nuk ka shumë dallim nga ligji aktual.

Sa i përket pushimit të lehonisë, dallimet kryesore janë në formën e pagesës. Pagesa e gjashtë muajve të parë nga punëdhënësi është reduktuar në tre muaj me kompensimin e njëjtë prej 70 për qind të rrogës bazë. Sipas draftit të ri të ligjit, qeveria merr barrën për t’i paguar gjashtë muajt e tjerë të pushimit të lehonisë me kompensim prej 50 për qind të rrogës mesatare dhe sikurse në ligjin aktual, gruaja e punësuar ka të drejtë ta zgjasë pushimin e lehonisë edhe për tre muaj të tjerë pa pagesë.

Sa i përket pushimit të atësisë, qeveria ka paraparë dhjetë ditë pushim të paguar – duke e shtuar numrin vetëm me tetë ditë – pas lindjes ose pas birësimit të fëmijës. Njëjtë si me ligjin aktual, babai ka të drejtë të marrë edhe dy javë shtesë pa pagesë derisa fëmija ta ketë arritur moshën trivjeçare.

Ndryshimi kryesor në draftin e ri është përfshirja e pushimit prindor, për të cilin qeveria parasheh kohëzgjatje prej të paktën katër muajsh pa pagesë, që mund të merren në të njëjtën kohë nga të dy prindërit derisa fëmija t’i mbushë dy vjet.

Ministri aktual i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, thotë se të gjitha propozimet janë bërë pas analizave të nevojshme para se të hartohej Koncept Dokumenti, qoftë sa i përket Ligjit të Ri të Punës, por edhe atij për Lehonat dhe Pushimin Prindor.

Reçica, në një përgjigje dhënë për K2.0 nëpërmjet postës elektronike, thotë se ndryshimet e bëra kanë për qëllim ndërrimin e mendësisë te burrat.

“Pushimi prindor nuk është i obligueshëm”, tha Reçica. “Por ky pushim ka për qëllim ngritjen e vetëdijes se edhe burrat kanë përgjegjësi të barabartë ndaj fëmijëve, dhe të gjithë atyre që ndjejnë se duhet të kujdesen për fëmijët e tyre, u mundësohet pushimi prindor prej katër muajsh, derisa fëmija të mbushë moshën dyvjeçare”.

Menaxherja e projekteve nga Instituti për Demokraci, Ajete Kërqeli, beson se propozimet e reja të qeverisë ende e vënë mbi nënat barrën për kujdes ndaj fëmijëve. Foto nga Insitituti për Demokraci

Për Kërqelin, kjo i bie që sërish barra për kujdes ndaj fëmijës t’i mbetet nënës.

“Formati se si është propozuar modeli prej qeverisë nuk ndihmon në ndryshimin e roleve gjinore brenda familjes, sepse vazhdon me u mirëmbajtë ideja që vetëm nënës i takon me u kujdesë për fëmijën, duke i dhënë hapësirë nënës të ketë 12 muaj pushim të lehonisë dhe mandej nga katër muaj pushim prindor”, tha ajo.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha për K2.0 se do të reagojë nëse në ligjin e ri gjenden elemente diskriminuese. Institucioni i Avokatit të Popullit sipas Kushtetutës së Kosovës ka autorizimin që ta bëjë vlerësimin e pajtueshmërisë së Ligjit me Kushtetutën, por vetëm pasi që Ligji të kalojë në Komisionin Parlamentar dhe të aprovohet në Kuvendin e Kosovës.

Jashari shpërfaq pakënaqësitë edhe me një defekt tjetër që ka sistemi ligjor dhe që po u ndihmon këtyre situatave. Sponsorimi i ligjeve, sipas Jasharit, po bëhet kryesisht prej aktorëve qeveritarë dhe ministrive të caktuara, pa ndonjë ekspertizë të mirëfilltë në hartimin e legjislacionit.

“Dhe kjo po paraqet pengesë, sepse zakonisht në hartimin e legjislacionit duhet të ketë ekspertë që e kanë në proporcion hartimin e legjislacionit”, shpjegon Jashari. “Ne kemi bërë një analizë të miratimit të ligjeve dhe kemi vërejtur dy defekte të mëdha në sistem”.

“65 përqind e gjithë legjislacionit është miratuar në vitin 2015”, thotë ai. “Ka ndodhur që në rastet më esktreme që kemi mujtë me pa, kur brenda një jave ligji është miratuar në Kuvend dhe i njëjti pas një jave ka shkuar në plotësim-ndryshim. Kjo e kërcënon shumë rëndë parimin e sigurisë juridike të vendit”, ka thënë më tej Jashari.

Diskriminimi i lehonave nuk ndryshon me ligjin e ri

Të drejtën e pushimit të lehonisë e kishte shfrytëzuar dhe zyrtarja për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu. Antigona 38-vjeçare është nënë e dy vajzave, Lurës pesë vjeçe dhe Leas dy vjeçe.

Vështirësitë kryesore për t’i rritur dy fëmijë, ishin ato financiare, pasi shteti ynë, siç thotë ajo, “nuk ka krijuar asnjë benificion për nënat e reja”.

Në pamundësi financiare për t’i shfrytëzuar tre muajt e fundit pa pagesë të pushimit të lehonisë, bashkëshorti i Antigonës, Ekremi, zëdhënës në Këshillin Prokurorial të Kosovës, kishte marrë një muaj pushim vjetor për t’u kujdesur për vajzën e dytë, atëherë nëntë muajshe. Kur vajza i mbushi 10 muaj, u detyruan ta dërgonin në çerdhe.

“Nëse tre muajt e fundit të këtij pushimi do t’i takonin babait me një përqindje të pagës, do të ishte përparësi për familjen dhe sidomos për nënën që kthehet në punë”, thotë Uka-Lutfiu. “Por, në Kosovë edhe me propozim-ndryshimet aktuale, duket se ka një tendencë që ligjet t’u përshtaten të fortëve, bizneseve, dhe jo prindërve e fëmijëve të tyre”.

Antigona Uka-Lutfiu thotë se reduktimi nga qeveria për pagesën e pushimit të lehonisë nga gjashtë në tre muaj është i papranueshëm. Foto: Antigona Uka-Lutfiu

Për të është e papranueshme që pushimi i lehonisë, aktualisht me 70 përqind të pagës në gjashtë muajt e parë, të shkurtohet në tre muaj me po këtë përqindje, në emër të mbrojtjes së vendit të punës dhe të lehtësimit të barrës për bizneset.

Akvistët për të drejtat e grave vazhdimishit kanë potencuar se ligji në fuqi i ka shkurajuar bizneset që të angazhojnë gra në tregun e punës. Kështu pritet të ndodhë edhe me ndryshimet që propozon Qeveria, të cilat sipas Dita Dobranjës, hulumtuese në Kolegjin Riinvest dhe pjesëmarrëse në diskutimet për këtë ligj, janë vetëm kozmetike.

Sipas saj, Qeveria madje nuk i ka përafruar propozimet as me direktivat e BE-së dhe nuk e ka parasysh se cili është qëllimi i këtyre ndryshimeve për pushimin e lehonisë dhe ofrimit të pushimit prindor.

Dobranja thotë se Riinvest bashkë me organizata të tjera janë munduar të ofrojnë fakte se sa  diskriminues është pushimi i lehonisë për nënat, por edhe për baballarët.

“Ne si Riinvest kemi bërë hulumtime edhe në sektorin privat dhe e dimë se ata mundohen me i minimizu kostot e tyre. Kur e kemi realizu një pyetësor vitin e kaluar me gratë e punësuara dhe i kemi pyetë për pushimin e lehonisë si dhe a e marrin punonjësit pushimin, shumë prej tyre kanë thënë ‘jo’, sepse nuk ua ofron punëdhënësi”, tha Dobranja. “Sepse nuk është kosto vetëm rroga; pa saj vijnë trajnimet, zëvendësimet që duhet me iu pagu. E këto pra, qeveria s’i ka marrë parasysh që me ba një balans”.

Edhe Iliriana Banjska nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), thotë se këto ndryshime ka gjasa që ta forcojnë edhe më shumë diskriminimin gjinor.

“Faktikisht me propozimet e reja për dispozitat që ndërlidhen me pushimin e lehonisë, atësisë dhe atë prindor, gratë do të kenë mundësinë me marrë më shumë pushim në rast të lindjes së fëmijës, një gjë që ka gjasa me e përforcu diskriminimin gjinor në punësim dhe punë dhe me i mbajtë gratë më gjatë jashtë tregut të punës”, tha ajo.

"Në shërbimin civil, nuk të rrezikohet vendi i punës, por mund të humbësh rastet për avancim, gjë që është çmim që secila nënë nuk heziton ta paguajë në emër të rritjes së fëmijëve”.

Zyrtare për informim në Gjykatën Supreme

Një ankesë të tillë e ka edhe Uka-Lutfiu. Edhe pse duke qenë punonjëse civile, nuk i rrezikohet vendi i punës, ajo thotë se mund t’i humbë rastet për avancim.

“Pauza 12-muajshe nuk është e obligueshme; secila nënë zgjedh sa të qëndrojë në pushim, por pa dyshim, nëse ky pushim do të mund të kombinohej me prindin tjetër, babanë, do të ishte avantazh i madh për nënën dhe vazhdimin e karrierës së saj”, thotë ajo. “Në shërbimin civil nuk të rrezikohet vendi i punës, por mund të humbësh rastet për avancim, gjë që është çmim që secila nënë nuk heziton ta paguajë në emër të rritjes së fëmijëve”.

Megjithatë ministri Reçica këmbëngul në idenë se ndryshimet e propozuara kanë për qëllim fuqizimin e gruas së punësuar në tregun e punës dhe nuk konsideron se pushimi i lehonisë do të ketë ndikim në mosaktivitetin e grave në tregun e punës.

“Politikat e reja janë hartuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe rrethanave socio-ekonomike të vendit”, thotë ai. “Përveç tjerash, në Ligjin për Lehonat ne planifikojmë edhe trajtimin e lehonave të papuna, duke i kompensuar me një shumë të caktuar të pagës minimale, që përbën një risi sa i përket trajtimit të lehonave”.

Si parakusht për të përfituar këtë ndihmë në para nga shteti, Reçica thotë se është propozuar që gratë e papuna të regjistrohen 6 muaj paraprakisht në Zyrat e Punësimit si punëkërkuese.

Ndërsa Dobranja thotë se kompensimi i grave të papunësuara gjatë kohës së lehonisë nuk duhet të parashihet me legjislacionin për gratë e punësuara, sepse pastaj vështirë bëhen dallime se cila skemë çfarë ndikimi buxhetor ka. Sipas saj, nëse qeveria parasheh kompensim të tillë, atëherë është jashtëzakonisht e rëndësishme të sigurohemi që ky kompensim të mos shërbejë si arsye që gratë të mbeten jashtë tregut të punës. “Pa analizë të mirëfilltë, të propozohen politika të tilla është problematike”, thotë ajo.

Barra e kostos

Qeveria, në anën tjetër, madje as nuk ka dhënë ndonjë propozim, as nuk e ka bërë publike se sa do t’i kushtonin propozimet buxhetit të shtetit.

Megjithatë, disa organizata të shoqërisë civile kanë bërë llogaritjet se sa i kushton shtetit dhe bizneseve modeli i tyre, por edhe ai i propozuar nga Qeveria. Kërqeli thotë se me modelin e tyre, numri i familjeve përfituese është dukshëm më i madh sesa nga skema buxhetore e shtetit.

Sipas propozimit të shoqërisë civile, pushimi i lehonisë, ai i atësisë dhe ai prindor do të rregulloheshin me Udhëzim Administrativ, i cili fillimisht do të aprovohej si dispozitë kalimtare deri në funksionalizmin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.

Kur ky fond do të fillonte të implementohej, punëdhënësit do të liroheshin nga mbulimi i pushimeve të lindjes, si për nënat, ashtu edhe për baballarët.

Kërqeli shpjegon se si shteti do ta merrte barrën për pagesën e tetë muajve të pushimit prindor, të ndarë në mënyrë të barabartë mes prindërve, me 50 përqind të pagës mesatare në Kosovë; kjo do të shpërndante barrën financiare mes punëdhënësve individualë privatë dhe shtetit, si dhe do të dëshmonte gatishmërinë për të kontribuar në barazi gjinore.

Duke qenë se një politikë e tillë synon ta adresojë diskriminimin ndaj grave në punësim, është me rëndësi që të dizajnohet ashtu që të jetë e pranueshme për të gjithë aktorët e prekur nga ky ndryshim. Po ashtu, shoqëria civile thekson se është me rëndësi që shteti të dëshmojë përkushtimin në luftimin e diskriminimit gjinor në tregun e punës dhe mënyra më e mirë është miratimi dhe zbatimi i politikave që e synojnë këtë.K

Redaktuar nga Leurina Mehmeti
Redaktim shtesë: Dafina Halili, Jack Robinson
Redaktimi i gjuhës: Gazmend Bërlajolli

Foto kryesore: Dardan Hoti

Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në Gazetari për të Drejtat e Njeriut, 2018.

Kthehu prapa tek Monografia

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.