Në shtator 2014, Kosovo 2.0 lansoi një kampanjë ndërkombëtare për mbledhje të fondeve nga publiku, nën slloganin “Kosova don me lujtë”. Njëjtë si sportistët kosovarë që mbështeten në investime individuale dhe publike, të kohës si dhe të parasë, ashtu edhe ne u mbështetëm në përkushtimin e publikut dhe vullnetin e tyre për ta mbështetur jo vetëm revistën tonë, por edhe kauzën e sportistëve kosovarë.
Ishim të bindur që kjo temë do të mbledhë mbështetje të madhe dhe do të gjenerojë debat. Kjo sepse shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sporti kishte qenë përkujtues i vazhdueshëm për pozitën e margjinalizuar të vendit në forume ndërkombëtare. Pamundësia për të marrë pjesë në forume, tregonte që disa të drejta bazike dhe fundamentale po sfidoheshin. Në arenën sportive, kjo gjë ishte e dukshme në dy fusha kryesore.
Në njërën anë, deklarata e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk u përkthye në atë që më herët besohej, se me shtetësi do të fitohej edhe pjesëmarrja e vendit në struktura e organizata ndërkombëtare. Pjesës më të madhe të federatave sportive të Kosovës, vazhdimisht po i mohohet anëtarësia tek simotrat e tyre ndërkombëtare, duke i lënë kështu sportistët kosovarë me pak ëndrra e aspirata të realizuara. Shanset për kampionate botërore dhe lojëra Olimpike dukeshin larg cakut.
Duke e parë frustrimin në rritje të sportistëve dhe trajnerëve, ekipeve dhe federatave, të cilët e shihnin përjashtimin e tyre si mohim të së drejtës së tyre, ne e lansuam kampanjën “Kosova don me lujtë”, me qëllim që ta rrisim vetëdijen ndërkombëtare për kërkesën e tyre.
Në anën tjetër, ishim të bindur që përgjegjësia si revistë na ngarkon me obligimin që t’i theksonim në mënyrë të barabartë mangësitë e sportit në Kosovë, të shkaktuara nga politikat neglizhuese shtetërore. Barrierat politike ndaj së drejtës për përfaqësim në gara ndërkombëtare nuk u pritën me mbështetje përmbajtësore shtetërore. Përkundrazi, sportet kurrë nuk kanë qenë temë e rëndësishme në agjendën qeveritare, dhe shumë pak është bërë gjatë viteve për të ofruar ndihmë financiare apo infrastrukturore për sportet në Kosovë, në mënyrë që ato të zhvillohen.
E filluam këtë numër me vendosmërinë që t’i vëmë në pah këto bariera dhe luftëra me të cilat sportet në Kosovë karakterizohen, dhe me bindjen e bazuar në besimin që sportet janë të rëndësishme për të shërbyer si agjent për njohje ndërkombëtare, dhe veçanërisht si një forcë e brendshme ekonomike dhe sociale.
Në gjysmë të rrugës gjatë përgatitjes së këtij numri, në dhjetor 2014, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ia dha Kosovës anëtarësinë e plotë, duke e shtruar kështu rrugën për përfaqësimin e parë të vendit në lojëra Olimpike. Ky lajm u prit me zell e emocione të mëdha, ngaqë një anëtarësim i tillë çoi drejt njohjeve nga federatat individuale poashtu. Shumë sy filluan të fokusohen në Rio 2016. Në ndërkohë, 15 sportistë kosovarë u caktuan të marrin mbështetje modeste në formë burse nga institucionet lokale dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, si ndihmë për stërvitjet e tyre (shih “Kush do ta përfaqësojë Kosovën në Rio 2016”, faqe 51).
Megjithatë, ky zhvillim poashtu vjen në një kohë kur debati publik është lëkundur dhe konsumuar nga imazhe dhe raportime të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës që po kërkojnë të ikin nga vendi; të ikin nga varfëria, mungesa e perspektivës ekonomike, mundësitë e pakta për punë dhe mobilitetii i njollosur social. Një artikull i botuar së voni në portalin francez Footballski.fr, e tregon rrëfimin e dy sportistëve kosovarë që e kanë zgjedhur rrugën e njëjtë; atë të kalimit ilegal të kufirit Serbi-Hungari, në rrugë për shtete të tjera të Bashkimit Evropian. Artikulli tregon se si Shemsi Osmani, një futbollist 26 vjeçar i Llamkos Kosovës, dhe Afrim Ademi, anëtar i ekipit futbollistik Trepça, nuk shohin më të ardhme në Kosovë, as profesionalisht e as personalisht. Një optimizëm kolektiv i mëhershëm është thyer nga mungesa e zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit, si dhe përjashtimit të vazhdueshëm të Kosovës nga Evropa.
Prandaj në këtë numër ne flasim për sportin si pjesë integrale të qenies tonë ekonomike dhe politike, sepse ai shkon përtej diskutimeve të lojërave, rezultateve dhe ekipeve të preferuara. Ky numër e lidh atë me diskutimin mbi të drejtat e pjesëmarrjes, përfaqësimit si të drejta fundamentale; të sportit si katalizator të mobilitetit social; dhe si politika dhe identiteti performojnë në fushë. Ky numër hedh vështrim në atë se si sportet bëhen ndarëse kur retorikat nacionale marrin hov, por edhe si mund të jenë fuqi pozitive dhe transformuese kur arena globale lokalizohet. Gjatë vitit të kaluar, kemi qenë dëshmitarë të shembujve nga të dyja rastet.
Rasti i parë ishte me të famëshmin “sulm të dronit” në ndeshjen kualifikuese evropiane të Serbisë me Shqipërinë. Ky rast tërhoqi vëmendje ndërkombëtare që në mënyrë të thjeshtësuar e shpjegoi atë si një rast të radhës, apo si një sindrom, të sjelljes së dhunshme “ballkanike”. Se si kjo formë e fanatizmit nuk është ekskluzive vetëm për Ballkanin, është temë që diskutohet gjerësisht nga Loic Tregoures, në artikullin e këtij numri, “Huliganizmi dhe Loja e Fajësimit,” faqe 14.
Por sporti mund të jetë edhe fuqi bashkuese, siç u tregua në mars 2014, kur Kosova e luajti ndeshjen e parë miqësore, të sanksionuar nga FIFA, kundër Haitit në Mitrovicë. E konsiderur si një hap i madh përpara për njohjen e futbollit Kosovar, asnjë ngjarje tjetër sportive më herët nuk kishte bërë bashkë aq shumë kosovarë nën flamurin dhe simbolet shtetërore të vendit, që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Reagime të ngjashme të publikut pat edhe pasi kampionja e dyfishtë botërore, xhudoka Majlinda Kelmendi, solli në shtëpi trofe.
Në ndërkohë, pa dyshim që derisa lojërat Olimpike më 2016 të përfundojnë, Rio do të mbetet në qendër të vëmendjes. Pavarësisht rezultateve të arritura, ky do të jetë “përfaqësimi historik” i Kosovës në lojëra Olimpike. Por pavarësisht këtij entuziazmi, ne duhet poashtu ta pranojmë që shanset ndërkombëtare për sportistët kosovarë do të varen përfundimisht nga kushtet konkrete të krijuara brenda vendit të tyre. Dhe koha ka ardhur që të përqëndrojmë vëmendjen poashtu edhe në shtëpi.