Ora po biente diku 10 në mëngjes kur Jehonë Ferati, apo DJ Jehonë siç është e njohur për fansat e saj, e përfundoi setin që e kishte nisur rreth orës 1 në mesnatë. Sivjet ajo nuk është paraqitur aq shpesh në skenë, meqë ka vendosur të bëjë një pushim nga jeta e natës, andaj seti në klubin Bahnhof në Prishtinë kësaj radhe zgjati më shumë dhe i vinte nga “zemra”. Publiku i Jehonës ishin duke u kënaqur mjaft, saqë vazhduan të qëndrojnë edhe një orë para se të mbyllej Bahnhof për atë natë.
Në këtë klub të vogël ka vend për jo më shumë se 100 persona, nëse i palon si sardina. E ka edhe një oborr të qetë për ata që duan të freskohen, të bisedojnë e të pijnë. Shumë shpesh ke mundësi të takosh edhe të huaj që bredhin, përfshirë njerëz nga Berlini.Por siç ka shkruar J.R.R Tolkien “jo të gjithë ata që bredhin, janë të humbur”, e këta të rinjë kanë ardhur pikërisht për ta përjetuar “clubbingun” në Prishtinë, skena e së cilës është zhvilluar dukshëm 17 viteve të fundit.
Kjo skenë e pati një periudhe veçanërisht të bujshme në një kohë për të cilën shpesh flitet si për një mit – atë të fundit të viteve ‘99 dhe fillimit të 2000-ve. Në mënyrë që ta kuptojmë më mirë këtë epokë të rëndësishme të zhvillimit të “clubbing” skenës në Prishtinë, K2.0 u takua me disa nga figurat kyçe të ndejave të pasluftës: me DJ, pronarë të klubeve dhe kllaberë, ata nga të parët.
Driton Pllana, i njohur më si Toton, ishte dashamirës i muzikës metal në fund të viteve të 90-ta, por ngadalë u kthye kah muzika elektronike dhe si DJ ndihmoi që t’i jep formë jetës së natës në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla / Kosovo 2.0.
Ditët e para
Të gjithë e njohin Driton Pllanën si Toton, tekno DJ-i me flokë të gjata që e mbanë shikimin posht e kokën anash për t’i mbajtur në vend kufjet kur lëshon muzikë. Por pak njerëz e dinë që dashuria e parë e tij në muzikë ishte metali. “Unë dhe shokët e mi ishim të interesuar në muzikë elektronike dhe në bende që miksonin rock& roll me muzikë elektronike”, kujton Totoni në studion e tij të vogël e të errët, nga ku drita përvidhet vetëm nga një dritare e vogël e hapur dhe dy llaptopëve të tij. “Egoja e “metallcit” nuk më lejoi që të futem krejtësisht në të”.
Totoni shkonte në ndeja ku kishte muzikë tekno, dhe ndonëse i i pëlqenin, nuk mund ta bënte mëkatin e tradhëtisë ndaj metalit. Mirëpo në atë kohë doli “The Prodigy”, dhe ata ia dhanë fuqinë e lejen për një konvertim të tillë. “Kur dolën The Prodigy…natën e mirë! Gjithçka ndryshoi”, tregon Totoni, duke e demonstruar këtë metamorfozë me lëvizje të prera duarsh.
Duke i kujtuar tekno ndejat në Prishtinë, Totoni e përshkruan skenën në fillet e saja, si të re e të papërcaktuar. “Njerëzit nuk ishin të lazdruar. Donin që të dëgjonin diçka të re e të kënaqeshin”, shpjegon plot ngazëllim. “Të gjithë po e eksploronin teknon”, vazhdon Totoni, duke u mbështetur në karrige: “Në fund të fundit, tekno bazohet në eksplorim”.
Në ditët e para, Totoni dhe DJ të tjerë po i eksploronin shijet e tyre dhe të audiencës së tyre. “Mendoj se ajo gjeneratë e DJ-ve, si Dardani, Naka, Goja, Uki, unë, Vegimi, Legoffi…ne po kënaqeshim në moment, aty për aty”, tregon ai. “Në fillim skena ishte e tillë. Njerëzit nuk e dinin se çfarë donin, por kjo e bënte më interesant”.
Totoni e pranon se ekzistonte një amaterizëm në mesin e DJ-ve, dhe se askush nuk e dinte saktësisht se çfarë po bënte. Porse nuk kishin kohë t’ia vinin veshin kësaj ane shumë, sepse sipas tij, një atmosferë shoqërore po mbretëronte. Një skenë e re ishte duke lindur, dhe jeta pas mesnatës veç se kishte nisur në Prishtinë.
Një botë e re, klube e kafene të reja që hapeshin si këpurdha pas shiut, përfshirë ‘Underclub’, që njihej edhe si “The Three Monkeys”, të cilin Totoni e identifikon si klubi që e lindi skenën e teknos në Prishtinë. Klientela e këtij klubi Totoni e përshkroi si “njerëz që jetonin prej të premtes deri në të premten tjetër”.
Por ndejat nuk ishin të kufizuara vetëm në klube të Prishtinës. Totoni e kujton një nga ndejat që u mbajt në mes të dimrit në Mitrovicë. “U mbajt në një sallë me xhama të thyer. Shumë njerëz të Prishtinës shkuan atje’, kujton ai. Pavarësisht të ftohtit, ndeja vazhdoi gjatë, e si pasojë e kësaj shumë pjesëmarrës të asaj ndeje përfunduan të sëmurë javën e ardhshme. “Por njerëzit ishin shumë të vendosur”, thotë Totoni.
Dardan Ramabaja debutoi si DJ përkrah Totonit pasi të dy thonë se ishin të irrituar prej një nate me muzikë elektronike komerciale që e kujtojnë të jetë mbajtur në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla / Kosovo 2.0.
Një tjetër “luftëtar” që morri pjesë në betejën kundër zhurmës shurdhuese të gjeneratorëve dhe tmerrit të muzikës komerciale është Dardam Ramabaja, kitarist dhe anëtar i bendit “KEK”. Sikurse Totoni edhe Dardani më shumë e pëlqente muzikën punk dhe metal në fund të viteve të 90-a, por edhe ai u hipnotizua nga “The Prodigy”. “Ishin disi si urë lidhëse e zhanreve”, tregon ai për K2.0. “Edhe tekstet i kishin “punk”.
Këta dy DJ ishin partnerë të afërt, dhe karrierat e të dyve u nisën në të njejtën natë. “Kurrë nuk e harroj pas luftës një ndejë me DJ që e organizoi dikush në Sallën e kuqe”, kujton Dardani. “Muzika ishte shumë komerciale dhe e varfër. Një grup prej nesh vendosëm që të shkonim diku tjetër. Shkuam te një klub që njihej si me emrin ‘Te Majmuni’”. Dardani dhe Totoni arritën që t’i marrin disa CD players. E kontaktuan pronarin, i cili i hapi dyert e klubit, dhe këta dy DJ lëshuan muzikë për herë të parë.
Por gjetja e pajisjeve për DJ shpeshherë u bë punë dashurie. Dardani e tregon një histori që pasqyron se sa larg ishin të gatshëm të shkonin për të gjetur pajisje. “Dikush më kishte thënë që Beka (reperi) kishte gramafonë, e kështu shkuam te banesa e tij në ora 11 të natës”, thotë ai për K2.0. “Shkuam deri në katin e 13-të në këmbë sepse nuk punonte lifti, por në fund e morrëm”.
Fëmijët e vallëzimit
Kur u hap klubi “Megaherc”, në vitin 2000, u bë lokacioni i parë që ekzistonte ekskluzivisht për muzikën House dhe Techno. Bashkëpronar i klubit ishte një person tjetër me ndikim në jetën e natës në Prishtinë, Bersant Rizaj, i cili zhvilloi pasion për muzikën elektronike si adoleshent dhe ka mijëra CD-ja e pllaka të inçizuara. “Nga pasioni u shndërrua në biznes, e pastaj u bë industri në vete”, shpjegon Rizaj.
Megaherci nisi që të sjellë DJ nga Kroacia e Maqedonia në Prishtinë, e pastaj kaluan në një lokacion të ri, në Radio. Sipas Rizajt, në Radio erdhi për herë të parë një DJ i njohur ndërkombëtarisht – Nicky Holloway.
Ndikimi i jashtëm veç se kishte filluar të ushtrohej mbi skenën e re të teknos në Prishtinë. Njerëz që udhëtonin jashtë vendit ktheheshin me pllaka të reja në Kosovë. Dardani gjithashtu i identifikoi dy legjenda britaneze të muzikës House, Eddie Richards dhe Dave Mothersole, si vizitorë të rregullt në Kosovë, e të cilët kishin ndikim shumë të madh në skenën e Prishtinës.
Pas shumë ndejave me mysafirë ndërkombëtar në Radio, Rizaj e hapi një klub të ri të cilin Totoni e përshkruan si legjendar, dhe Jehona e ‘fajëson’ për takimin e saj të parë me teknon “ Spray Club”. Aty shpërtheu numri i DJ-ve ndërkombëtar. “I sollëm diku 210 DJ brenda 10 viteve”, kujton Rizaj plot krenari.
Spray kishte politika strikte te dera, për të garantuar që dancefloor-i ishte i mbushur me njerëz të duhur, edhe pse në të vërtetë kjo ishte më shumë një aspiratë se sa realitet. “Të gjitha vendet e mira janë të profilizuara”, thotë Rizaj. “Une e ti nuk mund të shkojmë në barin Hell’s Angels, ku të gjithë janë të mbuluar me tatu e vozisin motorra Harley. Nuk do të dinim se si të sillemi, sepse nuk përkasim aty”.
Klubi gjithashtu refuzoi që të zhytej në materializëm dhe ekstravagancë. Nuk kishte fishekzjarre kur dikush porosiste shampanjë në Spray. “Në ditët e sotme”, thotë Rizaj i dëshpëruar, “nëse ke boll pare mundesh edhe te skena e DJ-it me hyp”.
Spray ishte për vallëzim, për House e Techno. Ishte frymëzuar prej një nënkulture që po përhapej gjithandej nëpër botë. “Muzika, mënyra se si ajo të bënë të ndjehesh mirë, dashamirësia brenda grupit, këto na dhanë diçka të re” , thotë Rizaj për K2.0, duke justifikuar dashurinë e tij për teknonë dhe këtë sub-kulturë. “Të qenit në një grup ku qindra njerëz të tjerë ndjejnë të njejtën gjë sikurse ti, është e papërshkrueshme”.
Spray gjendej në pjesën e pasme të një ndërtese dy katëshe, ku vetëm kati i dytë përdorej dhe që kishte një hapësirë ku veçoheshin katër zona nëpërmjet arkitekturës. Skena e DJ-it ishte e vendosur prapa një gjysëm-harku, e para saj ishin kllaberët besnik, të të gjitha moshave.
DJ Jehonë u dashurua me muzikën elektronike në Spray, para se të niste karrierën e saj si DJ. Tash është bërë rezidente në njërin prej klubeve më të mira underground në Europë. Foto :Majlinda Hoxha / Kosovo 2.0.
Një prej kllaberëve të ri në Spray ishte edhe DJ Jehonë, e cila u frymëzua nga DJ-të lokal dhe ndërkombëtar. “Unë u rrita kur skena e muzikës elektronike në Prishtinë ishte shumë e mirë”, thotë ajo për K2.0. “Naka, Totoni, Lika, Genti, Goja, Uki, gjithë ajo gjeneratë e vjetër [e DJ-ve] ishin frymëzimi im, ata më bënë që unë të filloj të dëgjoj këtë muzikë fillimisht”, thotë ajo duke pauzuar duke u kujtuar, dhe vazhdon sikur papritmas ti ketë rënë në fije. “Spray i ka fajet”, thotë ajo duke qeshur e aluduar në karrierën e saj sot.
Megjithëse kishte një karrierë të mirë të cilën e kishte zhvilluar në televizion si prezantuese dhe gazetare, ajo arriti në një pikë të jetës së saj ku i duhej më shumë pavarësi, andaj la televizionin, dhe filloi si DJ. Një vit pas fillimit të karrierës, Jehona u paraqit në disa klube përgjatë Europës, madje edhe u ftua që të bëhej rezidente në klubin Nordstern në Basel, ku është paraqitur përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës House dhe Techno, përfshirë Solomun.
Gjatë viteve ajo është pjekur shumë si DJ. Në fillim të karierës së saj i pëlqente kur publiku brohoriste sa herë që një trek (këngë e zhanrit të muzikës elektronike) arrinte dropin, por tani i ka ndryshuar pikëpamja. “Tash më shumë kënaqem kur e shoh që njerëzit i kanë sytë e mbyllur dhe as që janë duke menduar se kush është duke lëshuar muzikë; kur je duke i udhëhequr, e ata të ndjekin tërë natën”.
Një zhvillim të cilin ajo beson se e arriti ngaqë i ka rënë që të bënte shpesh muzikë jashtë vendit. “Në Prishtinë publiku kryesisht e pret dropin”, thotë Jehona. Ajo shpreson që të arrijë t’i shpërndajë në Kosovë idealet e saja për thurjen e një tregimi nëpërmjet setit. “Kam dëshirë të besoj që si unë kur isha e re që u frymëzova nga Totoni, Goja, Naka dhe DJ të tjerë, edhe unë po e frymëzoj gjeneratën e ardhshme”.
Zhvillim apo mutacion?
Jeta e natës në Prishtinë ka përjetuar ngritje e rënie gjatë viteve, dhe ndonëse aktualisht ka më shumë DJ që lëshojnë House dhe Techno se kurrë më parë, kllaberët origjinal dhe themeluesit e kësaj skene mendojnë që diçka ka humbur në vitet e fundit.
Jehona beson se kualiteti i jetës së natës në Kosovë ka rënë prej ditëve idilike të Spray. “Ndonjëherë më duket se ne marrim më shumë drogë se të gjitha shtetet tjera në Europë, e megjithatë nuk kënaqemi”, thotë ajo për K2.0, duke shtuar me paksa me mundim fjalinë e radhës “90 përqind e njerëzve nuk dalin për të dëgjuar muzikë. Dalin për ta liruar frustrimin që e kanë brenda. Dalin me energji negative, ose thjeshtë për t’i marrë drogat që i kanë, e të nesërmën bijnë përsëri në depresion”.
Jehona edhe Bersanti besojnë se politikat e përzgjedhjes së DJ-ve nga klubet kanë ndryshuar. Mysafirët prestigjioz ndërkombëtar shpeshherë janë më shumë irritim se frymëzim. Jehona tregon për raste kur ajo dhe kolegët e saj DJ ishin fyer prej klubeve të natës sepse, siç thotë ajo, “ne të gjithë lëshuam muzikë më të mirë se ai tipi që erdhi me llaptop dhe i morri 10 apo 20 mijë euro”. Edhe Rizaj ka mendim të ngjashëm. Ai tha për K2.0 se në Spray “bënim shumë hulumtime për ta gjetur dikënd që është i përshtatshëm sa i përket çmimit dhe muzikës”. Por ai mendon se sot promoterët janë të fiksuar pas emrave të mëdhenj.
Ai shton se klubet tani detyrohen që të organizojnë më shumë netë me muzikë komerciale për të mbijetuar financiarisht. E jep shembullin e “Zone”, që ofron një spektër të gjërë të muzikës. “Dikush që është kënaqur me [këngëtarin e muzikës tallava] Ermal Fejzullahun një natë vjen përsëri kur është duke lëshuar muzikë Ricardo Villallobos sepse nuk din [se kush është duke performuar atë natë]”, thotë Rizaj. “Thjeshtë don me shku në atë klubin ku është kënaq atë natë”, thotë ai. Rizaj e shpreh keqardhjen e tij për gjeneratën që po rritet në këto rrethana, për të cilët thotë se “çdo ditë kanë më pak e më pak dituri për atë se çfarë është tekno dhe “clubbingu” me të vërtetë”.
Edhe në tekno klube më të përkushtuara, Rizaj e ka vështirë që t’i kuptojë reagimet e publikut në ditët e sotit, duke e shpjeguar me pasion habinë që e ndjenë kur i vështron ata. “Është si në pikë të ditës! Janë në biseda të thella në tre të natës! Nuk shoh më njerëz duke vallëzuar, buzëqeshur e duke u kënaqur”.
Totoni beson se qëndrimet më serioze vijnë prej shtimit të madh të numrit të DJ-ve në skenën e Prishtinës. “Sot, prej 200 njerëzve, 100 janë DJ”, thotë me një dozë të lartë të sarkazmës. “Tepër shumë analistë ka. Ndërsa dikur njerëzit ishin më të pafajshëm, e shkonin në klube për të vallëzuar. Sot kanë harruar se çfarë është kënaqësia”.
Sidoqoftë, Totoni ende ka shpresa për këtë valë të re të njerëzve që janë të përfshirë në skenën tekno, duke folur plot ngazëllim për numrin e blogjeve të reja dhe seteve që e mbushin SoundCloud dhe Facebook. Ai beson se ka shumë talent, por mungojnë uniteti dhe vlerat. “Nuk kam hyrë në këtë biznes për t’u bërë i famshëm, por se ishte kënaqësi, dhe ende është”, thotë ai për K2.0. “Mendoj se gjenerata e re e DJ-ve kanë ego të mëdha, dhe mendojnë që dinë gjithçka. Por as unë nuk di gjithçka, e as profesori im që ishte producent për Bjork nuk di gjithçka”.
Totoni rrallëherë i kap kufjet tash, sepse siç thotë edhe vet, “Jam 40 vjeçar, kam një studio të produksionit, një familje, dhe dy maca”, ani pse tapat për vesh që janë gjithandej studios së tij, tregojnë diçka tjetër. Ai ende e do me zemër “clubbing” skenën e Prishtinës: “Na duhet më pak ego, më pak urrejtje, e më shumë respekt e unitet”, deklaron ai.
Jehona ndërkohë mendon se kllaberëve të Prishtinës do t’u bënte mirë largimi nga vendlindja herë pas herë. “Kur je në Prishtinë gjatë gjithë kohës, bëhet e vështirë që të reflektosh mbi skenën e teknos këtu”, thotë ajo për K2.0. “Por kur fillon të dalësh jashtë, e ndjenë një simpati për ata që i ke lënë prapa, dhe ke dëshirë që të ndash diçka me ta”.
Ndonëse udhëtimet kanë qenë kyçe për zhvillimin e Jehonës, ajo beson se vala e re e DJ-ve në Kosovë nuk duhet të mundohen që t’i imitojnë stilet e huaja. “Nuk duhet të jemi amerikan, gjerman e asgjë tjetër. Duhet të jemi origjinal e autokton në këtë lëmi”, argumenton ajo. “Nuk duhet të mundohemi vetëm për të arritur sukses. Duhet ta bëjmë prej zemrës, pastaj suksesi është i garantuar”.K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.