Ndryshe nga zgjedhjet, referendumet në Serbi nuk janë ndodhi e zakonshme. Procesi i votimit që u zhvillua më 16 janar të këtij viti është referendumi i dytë prej kur Serbia u bë përsëri një vend plotësisht i pavarur në vitin 2006.
Referendumi i parë ishte i pashmangshëm pasiqë pas shpërbërjes së bashkimit shtetëror me Malin e Zi, pritej të miratohej kushtetuta e re. Kjo mundësi u shfrytëzua për ta futur një preambulë në Kushtetutë, e cila e përcaktoi pozicionin juridik të Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë se “krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë” dhe se “institucionet shtetërore janë të obliguara me Kushtetutë që t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë e Metohi”.
Këtë herë referendumi kishte të bënte me ndryshimet në Kushtetutë, që lidhen konkretisht me sistemin e drejtësisë.
Qëllimi thuhej se ishte harmonizimi i legjislacionit të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian dhe kësisoj zvogëlimi i ndikimit të politikave partiake në gjyqësor, e gjitha për ta lehtësuar tutje anëtarësimin e Serbisë në BE.
Ndryshimet kryesore ndikojnë në mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në të ardhmen, ata nuk do të zgjidhen nga Parlamenti i Serbisë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (VSS) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorëve (VST). Këto janë organe që, në letër, e sigurojnë dhe e garantojnë pavarësinë e gjyqësorit. Anëtarët aktualë të VSS dhe VST do të zgjidhen përsëri në përputhje me një procedurë të re.
Edhe pse ndryshime të tilla mund të duken pozitive, pjesëmarrja e qytetarëve ishte e ulët — vetëm 30.1% e votuesve të regjistruar votuan. Opsioni fitues, “pro”, mbizotëroi me 60% të votave. Vetëm duke e shtruar pyetjen se pse një numër kaq i vogël njerëzish vendosën të votojnë për një çështje kaq të rëndësishme — bëhet fjalë për një aspekt thelbësor të gjyqësorit të vendit — mund ta kuptojmë kompleksitetin e problemeve që lidhen me referendumin e janarit.
Pyetje e paqartë e referendumit
Arsyeja e parë për daljen e ulët në referendum ishte mungesa e informacionit. Pyetja që bëhet në referendum duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme, të formulohet asisoji që qytetari i zakonshëm ta kuptojë dhe të deklarojë nëse është pro apo kundër. Megjithatë, pyetja këtë herë ishte si vijon: “A jeni pro konfirmimit të aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?” Me fjalë tjera, i referohej një pakete amendamentesh që do t’i ndryshojë një sërë dispozitash të Kushtetutës që lidhen me gjyqësorin.
Për të pasur një qëndrim për këtë temë, njerëzve do t’u duhej të zhyten në 29 faqe të shtypura të terminologjisë ligjore dhe të kenë njohuri për çështjet e specializuara që do të prekeshin nga propozimet. Për shembull, a do të ishte gjë e mirë apo e keqe që ligjërisht të parandalohej që i njëjti person të zgjidhet dy herë për kryetar të Gjykatës së Lartë? Shumica dërrmuese e qytetarëve nuk kanë informacion përkatës sepse nuk janë ekspertë ligjorë dhe debati publik për referendumin ishte praktikisht joekzistues.
Arsyeja e dytë për pjesëmarrje të ulët ishte mungesa e një fushate.
Ky është rezultat i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila, kësaj radhe, nuk e ndau buxhetin e shtetit për t’i vërshuar tabelat e reklamave me thirrje për votim.
Madje nuk i mobilizoi as “votuesit e saj të sigurt” duke i joshur me rrugë të sapoasfaltuara apo gjëra ushqimore falas. Mediat, të cilat favorizojnë SNS-në, iu shmangën temës. Presidenti Vučić dhe kryeministrja Brnabić as nuk u lodhën për t’i ftuar qytetarët që të votojnë, ndonëse deklaruan se i mbështesin ndryshimet. Disa nga anëtarët më të shquar të SNS-së, si bashkëpunëtori i ngushtë i Vučić-it dhe anëtari i vjetër i parlamentit Vladimir Đukanović, i kundërshtuan ndryshimet haptazi.
Siç edhe pritej, opozita nuk i mbështeti ndryshimet dhe theksoi se referendumi u shpall nga një parlament jolegjitim dhe de fakto njëpartiak, pa debat publik. E vetmja gjë për të cilën partitë opozitare nuk u pajtuan ishte nëse duhej që qytetarët të dilnin dhe të votoninin kundër në referendum apo ta bojkotonin referendumin në tërësi.
Por edhe nëse i lëmë anash këto argumente, akti i propozuar ka një mori çështjesh që e bëjnë miratimin e tij të pakuptimtë.
Nën presionin e BE-së
Duket e dyshimtë ideja se kjo qeveri do ta shqyrtojë forcimin e gjyqësorit kur e njëjta, sipas raporteve të organizatave si Freedom House, po e degradon nivelin e demokracisë në vendin e saj.
Nëse e shohim nga afër propozimin, do ta vërejmë se ndikimi i politikës do të mbetet, vetëm se në një formë tjetër. Për shembull, në vend që parlamenti t’i zgjedhë gjyqtarët, ata do të zgjidhen nga VSS-ja. Rrengu këtu qëndron te fakti që shumica e anëtarëve të VSS, gjashtë nga 11, zgjidhen nga Parlamenti.
Mos ta përmendim pastaj që gjyqësori është vetëm një pjesë e problemit të korrupsionit sistemik në Serbi — prokuroria dhe policia do të vazhdojnë të mbesin fuqishëm në duart e klikës në pushtet. Rezultati i kësaj shihet tek një sërë skandalesh të rënda për të cilat ndaj asnjë ministri të qeverisë apo zyrtari të lartë të SNS nuk është ngritur aktakuzë për korrupsion. Raporti i Komisionit Evropian i vitit të kaluar përsëriti një numër mangësish të pazgjidhura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
As gjykatat krejtësisht të pavarura nuk do t’i përmbushnin plotësisht kërkesat e BE-së, gjyqësori vazhdon të ketë probleme më themelore dhe më të dëmshme.
Duke e ditur se hapja e kapitujve të para-anëtarësimit është e domosdoshme për qasje në fondet e BE-së, është e qartë pse qeveria serbe ishte e gatshme ta organizonte procesin e votimit. Megjithatë, lind pyetja pse vendos qeveria ta marrë një qasje kaq pasive. A nuk do të ishte më logjike që ta mbështesnin përzemërsisht një fushatë për adoptimin e ndryshimeve kushtetuese?
Ka mundësi që Vučić as që donte që këto ndryshime të adoptoheshin dhe që referendumi thjesht u organizua për shkak të presionit të BE-së.
Një teori e dytë më e besueshme vjen kur merret parasysh momenti i tanishëm politik në Serbi. Pak para shpalljes së referendumit, Parlamenti i Serbisë adoptoi ndryshimet në Ligjin për Referendume dhe Ligjin për Shpronësimin, të cilat shkaktuan një valë protestash në mbarë vendin. Protestat ishin përgjigje ndaj mënyrës sesi Ligji për Shpronësimin krijoi hapësirë për shpronësimin e pronës në dobi të interesave të huaja, siç është kompania kontroverse Rio Tinto, e cila synoi të minonte litium në Jadar, në periferi të qytetit të Loznica, me efekte potencialisht shkatërruese mjedisore.
Protestat e fundit të aktivistëve mjedisorë, të përcjellura me bllokime rrugësh, rezultuan më sfiduese se protestat e mëparshme. Qeveria nuk arriti t’i shtypte protestat as me forcën e përbashkuar të banditëve partiakë, policisë, denoncimeve për kundërvajtje dhe mbrojtjeve të pashmangshme të kryetitujve. Kjo qe hera e parë që Vučić-it iu desh të tërhiqej. Ai e tërhoqi Ligjin për Shpronësimin, ndonëse ndryshimet në Ligjin për Referendumet u përshtatën duke hequr disa nga pikat e diskutueshme, siç ishte kërkesa që do ta bënte shumë të shtrenjtë paraqitjen e peticioneve në qeveri për iniciativat qytetare.
Ndryshimi i njëmendtë
Megjithatë, një pjesë e ndryshimeve që mbetën janë më të rëndësishme se vetë referendumi i radhës, sepse do të kenë pasoja për çdo referendum që do të mbahet në Serbi.
Pra, është shfuqizuar një dispozitë, sipas së cilës referendumi është i vlefshëm vetëm nëse në tëvotojnë më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të regjistruar si votues. Pse është e rëndësishme kjo?
Duke qenë të pakënaqur si me qeverinë ashtu edhe me opozitën, një pjesë e madhe e votuesve të Serbisë janë bërë krejtësisht apatikë. Kur ekzistonte ende pragu elektoral, pjesa më e madhe e barrës që një referendum të ishte i suksesshëm binte tek ata që e mbronin atë: kundërshtarët thjesht mund ta bojkotonin atë dhe ta “rrëzonin” nëpërmjet pjesëmarrjes së ulët.
Shfuqizimi i pragut zgjedhor do të thotë që bojkotet nuk luajnë më rol, përveç që mund ta privojnë procesin nga legjitimiteti. Megjithatë, për të miratuar ndryshime të gjera, të tilla si ndryshimet kushtetuese, tani mjafton të marrësh mbështetje nga shumica e atyre që votojnë, edhe nëse bëhet fjalë për vetëm një person.
Kështu Vučić i jep vetes më shumë pushtet lidhur me Kushtetutën, e cila është një nga kufizimet e pakta të mbetura për qeverinë. Për shembull, një grup i ngjashëm ndryshimesh kushtetuese, të mbushura me zhargon ligjor dhe të ngecura mes amendamenteve që ia vlen të votohen, mund të përdoret si mjet për t’i kontrabanduar ndryshimet që i zgjerojnë kompetencat presidenciale dhe kryeministrore.
Nga ana tjetër, nëse i mbushet mendja se kjo mund ta ndihmojë për ta zgjatur sundimin e tij, mund t’i përdorë një sërë ndryshimesh të tilla për ta modifikuar preambulën e famshme të Kushtetutës, e cila gjoja se e detyron atë që të mos e njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
A do të jetë edhe kjo pjesë e ndonjë kumari të ardhshëm? Sot mund të jetë e vështirë të imagjinohet një gjë e tillë, por nuk është që më herët ndokush e priste që ai do të luante me drejtësinë.
Imazhi i ballinës: Zyra për media e Presidentit të Serbisë.