Pikëpamje

Kultura politike e Maqedonisë çoi te dështimi i referendumit

Nga - 01.10.2018

Pjesëmarrja e ulët zbulon pengesat për reformat dhe qytetarinë demokratike.

Më shumë se gjysmë milionë njerëz votuan në mbështetje të ndryshimit të emrit, por referendumi prapëseprapë nuk kaloi.

Nga fillimi ishin të vogla gjasat për ta arritur 50 përqind + 1, që kërkohet për t’i dhënë vlerë ligjore referendumit konsultativ. I gjithë referendumi ishte i ndërtuar në premisa që në shumë mënyra e garantuan dështimin e tij. Por, si ushtrim i pjesëmarrjes demokratike të popullit, na ka mësuar për vështirësitë me të cilat do të ballafaqohet Maqedonia në rrugën që e pret.

Prapëseprapë numrat janë tregues dhe japin shkak për optimizëm, prandaj nuk isha duke qarë sot në mëngjes. Nga 666,743 qytetarëve që votuan (apo 36.91 përqind të atyre që ishin në listën e votuesve), 609,813 (91.46 përqind) votuan pro, dhe 37,700 (5.65 përqind) votuan kundër premisës së shtruar nga referendumi. Pyetja ishte: “A jeni pro anëtarësimit në BE dhe NATO duke pranuar Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”?

Në bazë të të dhënave të Komisionit Zgjedhor Shtetëror, asnjëra komunë nuk ishte më pak se 80 përqind në mbështetje të marrëveshjes. Sa i përket përfaqësimit të komuniteteve, është cekur se kanë votuar mbi 260,000 shqiptarë etnikë, duke i diskredituar kështu pretendimet e shumta për pjesëmarrje të ulët të shqiptarëve.

Komunat me komunitete të përziera etnike shfaqën nivelin me të lartë të pjesëmarrjes, ose të paktën të krahasueshëm me komunat lindore dhe qendrore të vendit. Analistët dhe partitë politike e cekën menjëherë se sa i përket numrave real, asnjë parti apo koalicion fitues nuk ka mbledhur më shumë vota se numri i mbështetësve që ishin në favor të marrëveshjes. Megjithatë, kjo nuk i jep vlerë ligjore apo teknike referendumit.

Reagimet e partive politike

Për shkak të problemit me numra, partitë politike kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj rezultateve. Kryeministri Zoran Zaev i dha dy fjalime dje (30 shtator), njërin menjëherë pas mbylljes së votimit, kur ishte bërë e ditur se numri i votuesve nuk ishte i mjaftueshëm, dhe një fjalim më koherent pasi ishin numëruar 80 përqind të votave. Ai ceku se topi tani është në fushën e deputetëve të parlamentit: kjo ndeshje në fund do të vendoset në Kuvend.

Ashtu do të kishte qenë sidoqoftë, duke marrë parasysh se referendumi ishte vetëm konsultativ dhe jo obligues (por thuaja këtë atyre që votuan kundër Brexit, poashtu në një referendum konsultativ). Megjithatë, puna e deputetëve sa i përket miratimit të Marrëveshjes së Prespës do të jetë më e vështirë duke marrë parasysh mungesën e vlefshmërisë ligjore të referendumit.

Qeveria dhe partitë e tjera politike që e mbështesin marrëveshjen, përfshirë këtu disa ministra kyç, janë munduar ta formësojnë rrëfenjën në bazë të numrave, duke theksuar se numri i madh i votuesve në favor të marrëveshjes u jep qartë mandat për të vazhduar me këtë strategji.

KM, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministrja e Punëve të Brendshme veç se kanë bërë thirrje të hapura për të vepruar përtej linjave partiake dhe për të votuar për interesin e vendit. I ngjashëm ishte toni i komenteve të dhëna nga partia më e madhe e koalicionit të shqiptarëve etnikë.

Me këto dy rrëfenja të kundërta, javët në vijim me siguri do të jenë plot gjallëri në seancat parlamentare, por aktualisht e ardhmja është shumë e paqartë.

Partia kryesore maqedone në opozitë, VMRO-DPMNE, vendosi ta ndjekë një rrugë tjetër. Strategjia obstrukcioniste e tyre përgjatë fushatës së referendumit nuk mundësoi zhvillimin e një debati pa polarizim, dhe fjalimi që e dha mbrëmë lideri i partisë, Hristijan Mickovski, ishte plot negativitet – i mbushur me retorikë të inatit e zemërimit – dhe bëri thirrje për dorëheqjen e KM.

Rrëfenja e Mickovskit mbështetej në interpretimin se dështimi për ta arritur 50 përqind të pjesëmarrjes ishte dështim i KM dhe qeverisë së tij. Kjo retorikë kishte qenë rrëfenjë e dëmshme gjatë gjithë fushatës, sepse e shndrroi çështjen e votimit për emrin e shtetit në një votim për besimin në qeverinë, e kjo mund t’i ketë shtyer plot qytetarë për të votuar apo mos votuar, apo për të votuar kundër marrëveshjes.

Me këto dy rrëfenja të kundërta, javët në vijim me siguri do të jenë plot gjallëri në seancat parlamentare, por aktualisht e ardhmja është shumë e paqartë. Nëse marrëveshja nuk mbështetet nga një mazhorancë 2/3 në Kuvend, KM ceku se do të bëhej thirrje për zgjedhje të parakohshme para nëntorit, duke lejuar kështu kohë të mjaftueshme që homologët grekë të votojnë për marrëveshjen para afatit të fundit, që është caktuar të jetë në muajin dhjetor.

Javët në vijim do të jenë jetike sa i përket orientimit të vendit në të ardhmen, dhe qytetarët mund të kenë mundësi për t’i zgjedhur përsëri përfaqësuesit e tyre, më herët se që është pritur.

A jemi zgjuar në një shtet të ri?

Sot në mëngjes, përqindja e ulët u la një shije të hidhët mbështetësve të marrëveshjes. Ndonëse u ngushëlluan nga numri i madh i votave në favor të marrëveshjes, dështimi i qytetarëve për ta dhënë një mandat të qartë nuk është çështje e thjeshtë. Them se është dështim i qytetarëve, sepse në plot mënyra kemi dështuar.

Në klimën aktuale politike në Maqedoni, referendumi ishte hap i besimit sa i përket standardeve politike apo shoqërore. Sa i përket numrave real, pragu ishte shumë i lartë. Në një shtet me 2,022,547 banorë (në bazë të Regjistrimit të Përgjithshëm 2002), numri i votuesve është rreth 1.8 milionë, dhe pragu mbetet 903,169 – numër shumë i lartë, për të cilin shumë kanë thënë se është i paarritshëm.

Vendimi i qeverisë për ta nisur votimin pa e ‘pastruar’ fillimisht listën e votuesve përfaqëson një lëvizje të rrezikshme, dhe përfundimisht fatale për referendumin.

Megjithatë, problemi me listën e votuesve nuk është vetëm me të vdekurit dhe fantazmat e tyre votuese. Në rrjete sociale plot njerëz cekën se shumëkush po largohet nga Maqedonia duke kërkuar të ardhme më të mirë. Në një meme shkroi: “Nuk mund të presësh të dalin njerëzit e të votojnë për referendumin nëse nuk ka njerëz në vend”.

Pjesa më e keqe e gjithë kësaj është se nuk e dimë sa njerëz i kemi në vend, për shkak se Maqedonia nuk ka mbajtur regjistrim të përgjithshëm prej vitit 2002, duke i bërë kështu të gjitha kalkulimet numerike të pasakta.

Mbase referendumi dhe vendosja e rrugës së përbashkët drejt BE-së u pa si një qasje ‘ndreçi krejtë me një lëvizje’, por nuk doli të jetë e tillë.

Një aspekt tjetër që është cekur pas publikimit të rezultateve është niveli i polarizimit në shoqërinë e Maqedonisë. Megjithatë, ky polarizim nuk është asgjë e re. Ka qenë pjesë e sferës publike në vend prej fillimit të krizës politike që e kemi përjetuar në kohët bashkëkohore.

Polarizimi u dallua në dy kampet e protestimit në verën e vitit 2015, njëra për të demonstruar kundër qeverisë që në atë kohë drejtohej nga VMRO, që u mbajt para ndërtesës së qeverisë, dhe njëra në mbështetje të kësaj qeverie, para Kuvendit Maqedon.

Polarizimi u dallua më 27 prill, 2017, kur protestuesit e sulmuan parlamentin gjatë ceremonisë së dhënies së betimit të qeverisë së re. Polarizimi u dallua në ndërprerjet e obstruksionit të miratimit të Ligjit për Gjuhë nga Presidenti.

Polarizimi dallohet edhe tani, dhe nuk e befason askënd. Duhet shumë kohë për t’u shëruar ky polarizim, dhe deri më tani, reformat e qeverisë nuk kanë bërë përpjekje për ta zbutur atë. Mbase referendumi dhe vendosja e rrugës së përbashkët drejt BE-së u pa si një qasje ‘ndreçi krejtë me një lëvizje’, por nuk doli të jetë e tillë (ende).

Në anën tjetër, çorientues është edhe argumenti se këto gjëra duhet të presin deri sa të kryhen reformat e vendosura nga Komisioni Priebe. Asnjë qeveri nuk mund dhe nuk duhet të jetë qeveri që merret vetëm me një çështje në një kohë.

Pse dështuan qytetarët?

Nuk mund ta lokalizojmë një fenomen që e bëri të dështojë referendumin. Bojkotuesit bërtasin zëshëm se dështoi për shkak se njerëzit e bojkotuan, megjithatë nuk mund të bëjmë pretendime të tilla.

Arsyet për mosvotim janë të ndryshme. Bojkotuesit kishin ndikim, siç kishte edhe apatia e votuesve, fushata e mangët, mungesa e informatave, frika, shtypja e votuesve (shumë votues në diasporë dhe në disa komuna të caktuara thanë se votuesit u fotografuan nga bojkotuesit në vendvotime). Tjerët vendosën të mos votojnë për ta “dënuar” qeverinë.

Të gjitha këto arsye, dhe jo vetëm, i informuan plot qytetarë.

Megjithatë, një arsye jetike pse unë besoj se ky referendum nuk nxiti një pjesëmarrje më të madhe është kultura demokratike e vendit. Si rrjedhojë e mungesës së vizionit dhe mundësive të ofruara nga partitë politike, shpeshherë jemi detyruar të zgjedhim dhe votojmë në bazë të pritjeve të menjëhershme: ‘Unë votoj për ty, ti ma jep X’. Me referendumin, një logjikë e tillë nuk ekzistonte.

Kur hyra në vendvotim, ishte vetëm një mbikëqyrës, diçka e padëgjuar më parë në votime tjera në Maqedoni. Nuk kishte mbikëqyrës partiak për ta gjykuar ‘besnikërinë’ time dhe për ta mbështetur ‘shpërblimin’ tim. Në fund dështuam të votojmë për një çështje që prodhon pak rezultate të menjëhershme por ka ndikim të madh në të ardhmen tonë. Diçka që nuk është menjëherë e prekshme, por ka rëndësinë më të madhe për jetët tona.

Dështuam ta kuptojmë se sa i rëndësishëm është ky vendim dhe shpresoj se nuk do të vuajmë për shkak të mungesës së gjykimit të mirë.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.