Pikëpamje | Protesta

Le ta bëjmë 2017-shin vit të rezistencës

Nga - 30.12.2016

Pas këtij viti, ndër më të vështirët politikë, ka ardhur koha për angazhim dhe veprim.

Në vitin 2016 tashmë, rrëfimi “zyrtar” i një Kosove bashkëkohore ka zënë vend mirë në diskursin e rëndomtë: Kosova është shtet i kapur, me korrupsion të hatashëm, me mungesë të sundimit të ligjit, me gjyqësor të politizuar (sikurse edhe shumica e institucioneve të tjera), me papunësi të lartë, me varfëri të madhe, me arsim të dobët, me shpërfillje të të drejtave të njeriut, dhe lista nuk mbaron këtu.

Këto përshkrime janë bërë pjesë e asaj se si definohet Kosova –  qoftë nga përfaqësuesit e partive opozitare, nga shoqëria civile apo nga ndërveprimet e shumta ditore të qytetarëve nëpër media sociale.

Megjithëse një listë e tillë simptomash shtetërore mbase do të krijonte bazë të mjaftueshme për shprehje të përhapur të pakënaqësisë publike, disa prej protestave më të mëdha sivjet megjithatë u përqendruan në qorrsokakun e pambarimtë në lidhje me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Duke shërbyer si bazë për tubimin e njerëzve në rrugë, porositë në lidhje me këtë u përqëndruan në “thirrje për një shtet sovran”, apo “kërkesë për t’i dhënë fund korrupsionit të shumëpërhapur”. Megjithatë, protestat e tilla në masë të madhe nuk ia dolën t’i materializonin kërkesat specifike të cilat prekin telashet e jetës së përditshme të qytetarëve.

Në anën tjetër, protestat për marrëveshjen e demarkacionit mblodhën numrin më të madh të njerëzve.  Dhe, në shumë aspekte, kjo marrëveshje u bë pikë kyçe e jetës politike të këtij viti, duke shkaktuar mosfunksionim të Kuvendit, protesta të mëdha, dhe madje u fut si kusht i Komisionit Europian për procesin e liberalizimit të vizave. Dështimi për të miratuar marrëveshjen e demarkacionit në Kuvend si dhe mospërmbushja e kushteve të tjera bënë që edhe liberalizimi i vizave të mos ndodhte. Kjo nënkuptonte që Kosova, me 1,8 milionë qytetarë, do të vazhdonte të ishte getoja e izoluar e Europës edhe gjatë vitit që vjen.

Në anën tjetër, ky vit mund të kujtohet edhe si diçka tjetër, nëse zgjedhim mënyrë tjetër për t’iu qasur.  Derisa viti 2016 mund të jetë viti kur nuk është ndier kurrfarë progresi në pothuajse asnjë sferë të jetës, gjatë këtij viti po merrte formë një realitet tjetër — ai i aktivizmit dhe i nismave të shumta qytetare, duke u organizuar apo duke protestuar për çështje të të drejtave të barabarta dhe të mirëqenies socio-ekonomike.  

Vit i protestës

Në të vërtetë, viti 2016 ishte gjithashtu njëri prej viteve me numrin më të madh nismash të llojllojshme, ndërsa qytetarët tuboheshin, protestonin dhe e artikulonin pakënaqësinë e tyre në mënyra të ndryshme.  Atëherë, le t’i hedhim një vështrim dhe t’i nxjerrim në pah disa prej tyre. Nga mesi i janarit, ish-minatorët e Trepçës protestuan përpara Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për shkak se nuk i kishin marrë pensionet e tyre shtetërore për dy muaj radhazi. Ngjashëm, një muaj më pas, punëtorët e shërbimeve të pastrimit të Komunës së Pejës protestuan kur nuk iu paguan rrogat për dy muaj.

Përgjatë pjesës së mirë të vitit, Federata e Sindikatave të Pavarura ‘ElektroKosova’ protestoi përpara ndërtesës së Qeverisë.  Sindikatat kërkonin të zbatohet Kontrata Kolektive e Kosovës, si dhe t’u mundësohet atyre monitorimi i vazhdueshëm i vlerësimit të kontratës së privatizimit të KEDS-it, për t’u siguruar që do të ruhen të gjitha vendet e punës.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, më 1 maj, rreth 50 qytetarë të cilët ishin pjesë e grupit “Ngrite Zërin” marshuan në sheshin Zahir Pajaziti nga qendra e Prishtinës deri te ndërtesa e Qeverisë me slloganin: “Të harruar nga shteti, të shtypur nga shefi” për të protestuar për shkelje të vazhdueshme të të drejtave të tyre në vendin e punës. Në po këtë ditë, zjarrfikësit u hodhën në grevë urie në komunën e Drenasit, duke kërkuar përsëri kushte më të mira të punës.

Për këtë arsye lëvizjet "e vogla" janë të rëndësishme dhe çojnë peshë. Këto çështje shpesh trajtohen si periferike, dhe sot shumë shpesh shpërfillet përgjegjësia dhe aftësia e individëve apo të grupeve të vogla për t'i tejkaluar pabarazitë strukturore.

anën tjetër, edhe pse 26 shkurti i këtij viti do të mbahet mend më shumë si dita kur Hashim Thaçi u bë president i Kosovës pas raundit të tretë të votimeve në Kuvend, kjo datë ishte edhe dita e 695-të e protestës dhe grevës së urisë së ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave nga Ferizaji.  Atë ditë, këta grevistë u larguan nga sheshi përpara ndërtesës së Qeverisë, si pjesë e aksionit policor për t’i larguar tendat e qindra protestuesve të opozitës të cilët kërkonin dorëheqjen e Qeverisë për katër ditë me radhë.

Këtë protestë fillimisht e organizuan tri partitë e bashkuara të opozitës, por ajo gjithashtu tërhoqi numër të madh qytetarësh pa ndonjë lidhje të fortë me ndonjë parti politike, të cilëve u bëri përshtypje mënyra e re e organizimit të protestës, por të cilët ishin po aq të vendosur ta shfrytëzonin platformën përmes së cilës donin që zëri i tyre të dëgjohej.

Ky vit gjithashtu pati një numër marshesh e protestash kundër dhunës gjinore, homofobisë, dhunës kundër gazetarëve, dhe kundër shkeljes së lirisë së shprehjes. Dhe kur vera e arriti kulmin, ndodhën disa mobilizime qytetarësh pas publikimit të disa përgjimeve të tashmë ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, të cilat konfirmuan nivelin e nepotizmit, keqpërdorimit të pushtetit dhe shpërfillje të hatashme të përgjegjësive të zyrtarëve politikë që janë në krye të partisë më të madhe politike të Kosovës.

Gjithsej u organizuan 14 protesta. Edhe pse zakonisht mblidheshin prej 100 deri në 500 protestues, veçantia dhe rëndësia e këtyre protestave është se ato buruan nga nismat e të rinjve, qytetarëve të bazuara në vlera dhe parime të përgjegjësisë, dhe nxorën në pah faktin se një aktivizim qytetar më ndryshe është i mundshëm.

Në disa raste gjatë protestave ‘të përmasave të mëdha’ për marrëveshjen e demarkacionit, apo gjatë marsheve të cilat kërkonin dorëheqjen e Qeverisë, dëgjoja shumë deklarata të cënimit të të drejtave. Ndjenjat e tilla nuk kishin të bënin vetëm me zhvillimet brenda vendit, por edhe me çështjet të cilat zakonisht mbizotërojnë në debatin në nivel vendi — çështjet që kanë të bëjnë me korrupsion, ekonomi e nacionalizëm, kundrejt atyre që prekin jetën e përditshme.

Për këtë arsye lëvizjet “e vogla” janë të rëndësishme dhe çojnë peshë. Këto çështje shpesh trajtohen si periferike, dhe sot shumë shpesh shpërfillet përgjegjësia dhe aftësia e individëve apo të grupeve të vogla për t’i tejkaluar pabarazitë strukturore.

Por në shumë aspekte, janë pikërisht çështjet të cilat këto “nisma të vogla” i ngrisin ato që e mbërthejnë boshtin e pakënaqësisë i cili bazohet pikërisht në tema më madhore të cilat i kemi mëvetësuar në diskursin tonë të përditshëm. Për këtë arsye fuqia të cilët individët apo grupet mund të kenë nuk duhet shpërfillur apo matur me numra; fokusi duhet të jetë në shkakun thelbësor të protestës, dhe në arsyen pse një çështje kërkon vëmendje dhe aktivizëm.

Duke pasur parasysh këtë, edhe ky vit po mbaron me më shumë ankth, ndërsa protestat e nisura nga qytetarët që kërkonin drejtësi për vdekjen e aktivistit 26-vjeçar Astrit Dehari, i cili vdiq në rrethana të dyshimta derisa ishte në paraburgim, nuk arritën t’i përmbushin të gjitha kërkesat e tyre. Është e vërtetë se Kuvendi mbajti seancë të veçantë pas sigurimit të 24,000 nënshkrimeve (14,000 më shumë sesa që kërkohen). Por rezultatet e diskutimit të tyre nuk arritën të kërkonin hetim të pavarur, që ishte edhe thelbi i protestave për shkak të deklaratave kundërthënëse në lidhje me vdekjen e Deharit, si dhe në dritë të raporteve të fundit kundërthënëse të autopsisë.

Të gjitha ngjarjet në lidhje me këtë rast bënë që shumë qytetarë të besojnë se vlera e jetës së njeriut në këtë vend nuk është më e rëndësishme se një një manovër politike e elitave. Kjo ndjenjë padyshim do të vazhdojë të na përcjellë edhe gjatë vitit që vjen — pavarësisht se a bëhet fjalë për të drejtat e liritë politike, ekonomike e sociale, teksa ato bëhen pjesë e vlerave apo e peshës së jetës së njeriut.

Kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, por është diçka që i lidh qytetarët përgjatë sistemeve politike.  Me rritjen e vazhdueshme të retorikës dhe ndjenjave populiste, dhe me fuqizimin e partive europiane të ekstremit të djathtë të udhëhequra nga politika e proteksionizmit dhe ndarjes; apo me presidencën e ardhshme amerikane me një njeri i cili garoi me platformë të mizogjinisë, frikës, nativizmit e racizmit, shumë njerëz druajnë se mos po rrezikohen liritë e tyre individuale.

Pasojat e mbizotërimit dhe të suksesit të kësaj retorike politike tashmë janë materializuar në një ndjenjë pasigurie me të cilën shumë qytetarë ballafaqohen; numri i krimeve të bazuara në urrejtje në Britani pas Brexit-it dhe në Amerikë pas zgjedhjes së Trump-it janë rritur, sipas raporteve. Në anën tjetër, kriza e vazhdueshme humanitare në Siri dhe përgjigjia joefikase dhe joadekuate e fuqive botërore përgjithmonë do të mbetet njollë në ndërgjegjen e njerëzimit dhe ka krijuar përshtypjen e pafuqisë tek qytetarët në mbarë botën.

Pafuqia, ndërhyrjet, dhe shkeljet e hatashme të lirive individuale janë gjithashtu pjesë e realitetit politik i cili na rrethon. Shoqëritë tona në rajon kanë sharruar në masë të madhe drejt regjimeve demokratiko-autoritare (siç janë përshkruar shpeshherë), dhe udhëheqësve oligarkë.   Ky vit vetëm se e ka konfirmuar sundimin e tyre — qoftë përmes zgjedhjeve apo me ardhjen në pushtet përmes arimqësimit, ndërsa nuk i lëshojnë nga dora frenat e jetës institucionale dhe ekonomike.  

Shpresë në aktivizmin qytetar

Derisa i shtjelloj këto trende shqetësuese si në kontekstin lokal ashtu edhe në atë global, më kujtohet një përvojë personale të cilën dëshiroj ta ndaj.

Sivjet pata mundësinë të merrja pjesë në disa festivale të filmit me dokumentarin tim në lidhje me sistemin arsimor paralel të viteve të ’90-a në Kosovë.  Si një person i cili u rrit gjatë këtyre viteve, për një kohë të gjatë e vrisja mendjen se çka i shtynte njerëzit në nivel individual ditë për ditë, vit pas viti, të siguronin njëfarë normaliteti.  Derisa gjatë këtyre viteve arsimi sigurisht ka pësuar, për mua kjo ishte një formë e organizimit individual e qytetar, të formësuar brenda vlerave të solidaritetit dhe vetëdijes se arsimi është themeli i shoqërisë.

Nëse liritë tona i shohim si të vetëkuptueshme, nëse nuk luftojmë për to, apo nuk i nxjerrim në pah keqpërdorimet e lirive të të tjerëve, po rrezikojmë të bëhemi vetëm spektatorë të demokracisë.

Pas shfaqjes së filmit në Sarajevë, një turke e re m’u afrua krejt e përlotur. Ishte fillimi i gushtit, një muaj pas grushtshtetit të dështuar në Turqi, pas të cilit qeveria kishte vendosur ndalesa udhëtimi për profesorë universitetesh në gjithë vendin. Shumë njerëz kërkuan mënyra të largoheshin nga frika se mos akuzoheshin pa të drejtë. Një prej tyre ishte edhe kjo grua të cilën e takova.

Teksa po bisedonim, ajo më shpjegonte se si rrëfimi për segregacionin në Kosovë gjatë viteve të ’90-a asaj ia kujtonte betejat për të drejtat e njeriut të cilat i zhvillonin qytetarët e vendit të saj.  Si turke, ajo ishte e përfshirë në programe arsimore me rininë kurde në vendin e saj, që ishte gjithashtu një prej arsyeve që e shtynë të largohej, meqë brengosej për mirëqenien e saj fizike.

Në atë kohë, pa kurrfarë sigurie se do të ishte në gjendje të kthehej në vendin e vet, rrëfimet për segregacionin, e veçanaraisht për rezistencën civile, dukej se disi e ngushëllonin dhe ia ripërtërinin besimin në fuqinë e aktivizmit individual dhe kolektiv.

Brenda një përvoje aq të vogël, personale e të izoluar, mua emocionalisht m’u kujtua fuqia që rrëfimet mund të kenë në përçimin e realitetit që nganjëherë mund të jetë rraskapitës. Dhe se sot shumë shpesh shpërfillet përgjegjësia dhe aftësia e grupeve të vogla apo individuale për t’i tejkaluar pabarazitë strukturore.

Ndërsa po e përmbyllim muajin e fundit të vitit, shumë njerëz kanë dëshiruar që vitit 2016 të mbaronte më shpejt — vit i cili ishte sinonim i tragjedisë, vuajtjeve, pakënaqësisë, cëniimit të lirisë, frustrimit e zemërimit. Dëshira për t’i dhënë fund 2016-ës është një mënyrë e përpjekjes sarkastike për ta shkundur tronditjen që shkaktuan ngjarjet e këtij viti.

Ndjenjat e pasigurisë sa i përket situatës së lirive politike, civile dhe individuale, ose sa i përket mirëqenies socio-ekonomike, për të cilëm brengosen qytetarët e të gjitha sistemëve politike, nuk janë veç mikrokozmos i mospajtimeve politike.  Ato burojnë nga përsiatjet dhe përvojat e zhvillimeve politike të cilat në një anë duken se po shkojnë drejt politikave përjashtuese, nativiste e populiste në Europën Perëndimore dhe SHBA, dhe në anën tjetër drejt forcimit dhe promovimit të sistemeve oligarkike të qeverive në Ballkan.

Po shkojmë drejt një 2017-e me gjasa të tilla — vit në të cilin hamendjet e vitit 2016 do të vazhdojnë të marrin formë brenda projekteve politike. Derisa thirrjet për “sovranitetin e vendit” në Kosovë do të vazhdojnë edhe më tej, të mos harrojmë se demokracia është sovranitet i njerëzve dhe që buron nga njerëzit.

Pavarësisht se ku do të shpërfaqet demokracia e radhës — në rrugë apo në kutia votimi, apo në të dyjat — rezistenca do të varet nga angazhimi individual dhe ai kolektiv, nga përcjellja dhe vendosmëria e vazhdueshme për të kërkuar përgjegjësi nga autoritetet. Forca jonë buron nga fuqia e aktivizmit individual e kolektiv i qytetarëve. Nëse liritë tona i shohim si të vetëkuptueshme, nëse nuk luftojmë për to, apo nuk i nxjerrim në pah keqpërdorimet e lirive të të tjerëve, po rrezikojmë të bëhemi vetëm spektatorë të demokracisë, e jo pjesë aktive e saj, që në fund do ta dëmtojë çdo kauzë në të cilën thirremi. Le të sigurohemi që 2017-shi të jetë vit i rezistencës dhe i angazhimit të pandalshëm.