S`fundmi | Kulturë

Marina Abramović e shënon kthimin në shtëpi me retrospektivën e Beogradit

Nga - 27.09.2019

‘The Cleaner’ do të jetë i hapur për ekspozitë deri në janar 2020.

Më 21 shtator, në Ditën Botërore të Pastrimit, Muzeu i Artit Bashkëkohor në Beograd hapi “The Cleaner”, një ekspozitë të madhe restrospektive të veprave të Marina Abramović-it.

“Nuk e kisha planifikuar këtë,” me një buzëqeshje që shprehte habi u tha artistja gazetarëve pasi lexoi një fragment nga gazeta vendore.

Kanë kaluar mbi katër dekada që kur Abramović i paketoi valixhet dhe fluturoi për në Amsterdam. Në atë kohë, në vitin 1976, ishte vetëm një artiste nga Jugosllavia ende e panjohur për botën, ishte pjesë e një skene të vogël alternative të artit në Qendrën Kulturore Studentore në Beograd.

Para kësaj, ajo u arsimua në Beograd e në Zagreb (ku kishte studiuar për t’u bërë piktore), dhe më pas e shënoi debutimin ndërkombëtar me ekspozitën “Contemporara” të mbajtur në Romë; këtu, performoi një shfaqje të rrezikshme me thika, të titulluar “Rhythm 10.” Një vit më vonë, gjatë një performance të hershme në kryeqytetin e Jugosllavisë, pothuajse e mbyti veten.

“Për ne, një rreth i ngushtë që e kemi parë, veprat e hershme të Marinës premtonin se diçka e madhe do të vinte në katër dekadat e ardhshme”

Jerko Denegri, historian i artit

“Ndoshta do të duket e çuditshme, por për ne, një rreth i ngushtë që kemi qenë dëshmitarë, veprat e hershme të Marinës premtonin se diçka e madhe do të ndodhte në katër dekadat e ardhshme,” thotë Jerko Denegri, autor i artikullit të parë të publikuar për Marina Abramović-in, si dhe historian arti e shok i saj.

Denegri beson se gjithçka ishte e qartë menjëherë pas performancës “Rhythm 10” në Romë në vitin 1973:  artistja e modifikoi një lojë ruse me 20 thika, përmes të cilës ajo do të merrte njërën prej tyre dhe do ta fuste me shpejtësi në hapësirat mes gishtave, duke e inçizuar zërin gjatë tërë kohës. Sa herë që e priste veten, e nxirrte një thikë të re. Kur s’kishte më thika, ia  niste nga fillimi, duke e sinkronizuar veten me inçizimin, në mënyrë që të tregonte se si e kaluara dhe e tashmja takohen.

Megjithatë, ky nuk ishte episodi më radikal në karrierën e saj të hershme.

Te “The Cleaner,” vizitorët do të kenë mundësinë t’i shohin fotografitë e papublikuara prej “Rhythm 5,” një performancë e vitit 1974 në të cilën Abramović derdhi 100 litra benzinë mbi një yll me pesë cepa të bërë nga tallat dhe i vuri flakën në oborrin e Qendrës Kulturore Studentore.

“Ishte një performancë shumë emocionuese,” thotë Denegri, i cili ishte i pranishëm në atë mbrëmje.

“I preu flokët dhe thonjtë, dhe i hodhi në zjarr; ky ishte një veprim që ne nuk mund ta kuptonim plotësisht, pasi nuk kishim asnjë instrument për ta bërë këtë, nuk i kishim instrumentet e leximit që i kemi sot,” rikujton ai.

“Disa thonë se kur një grua i heq flokët dhe thonjtë, në mënyrë simbolike heq dorë nga amësia. Nuk jam i sigurt nëse ajo ka menduar për këtë atëherë, por si historian i artit, nuk kam dyshime se ç’mund të ketë nënkuptuar ai akt,” shpjegon Denegri.

“The Cleaner” do të jetë i hapur në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Beograd deri më 20 janar 2020. Foto e Gilad Sade.

Në vitin 2016, artistja u ballafaqua me reagime të ashpra pasi dha një intervistë për revistën gjermane Spiegel, ku tregoi se kishte pasur tri aborte dhe se nuk pendohej për asnjërin prej tyre.

Duke i prerë flokët dhe thonjtë, Abramović u shtri brenda yllit që po digjej.

“Në atë moment, nuk më shkoi në mendje se atje poshtë nuk do të kishte oksigjen, ndërsa më vonë e kuptova se e kisha humbur vetëdijen sapo më kishte marrë këmba flakë,” shpjegoi më vonë ajo.

Sot e kësaj dite nuk është e qartë se kush u fut në zjarr për ta shpëtuar.

Pastrimi i buxhetit të kulturës

Sapo u mbyll Muzeu i Artit Bashkëkohor në gjysmën e korrikut, për shkak të përgatitjeve për “The Cleaner,” posterët dhe billbordet filluan të shfaqeshin nëpër gjithë qytetin. Janë aktualisht kaq shumë, sa kopja e famshme e vështrimit të Marina Abramović-it mund të shihet pothuajse në secilin stacion të autobusëve në Beograd.

Njëkohësisht me diskutimin për procesin e marketingut, filloi debati nëse Marina Abramović i shërbente regjimit të Presidentit serb Aleksandar Vučić.

Qeveria serbe e ka mbështetur ekspozitën me gati gjysmë milioni euro, që është afërsisht baras me buxhetin vjetor të muzeut. Për më tej, Marina Abramović u ftua në Serbi personalisht nga Kryeministrja Ana Brnabić.

“U takuam në një ngjarje [vitin e kaluar] dhe Ana Brnabić më pyeti si është e mundshme që nuk kisha ardhur më në Beograd që kur isha larguar”, tha Abramović në një konferencë për media para hapjes.

Pasi i tregoi Brnabić-it se nuk e kishin ftuar asnjëherë, kryeministrja e Serbisë premtoi se ajo do t’ia dërgonte ftesën. “Kështu bëri, dhe i jam shumë mirënjohëse për atë që ka bërë,” tha artistja.

Premiera e “The Artist is Present” u dha në Muzeun e Artit Modern, New York, në vitin 2010. Foto: Jovana Georgievski / K2.0.

Muzeu Bashkëkohor i Artit në Beograd tregon se gjëja më e rëndësishme sa i përket kësaj ekspozite është fakti se në Beograd ka mbërritur “një artiste ndërkombëtare, por prapë e jona”.

“Nuk e kuptoj se si Marina Abramović po përdoret nga dikush për ta shtyrë propagandën e vet politike”, shprehet për K2.0 në hapjen e ngjarjes Dejan Sretenović, kurator i muzeut dhe njëri nga bashkëkuratorët e ekspozitës.

Sipas Dejan Sretenović-it, Beogradi nuk do të kishte mundësi të mbante një ngjarje të tillë nëse vetë qeveria nuk do t’i garantonte Abramović-it se ngjarja do të organizohej.

Muzeu i Artit Bashkëkohor shpreson se në katër muajt e ardhshëm – sa zgjat ekspozita – do të mund të tërheqë rreth 150.000 vizitorë.

“Nëse shteti është sponsori kryesor i muzeut dhe nëse e financon në çdo mënyrë të mundshme, nuk më duket aspak e gabuar që të ketë ofruar mbështetje për një ekspozitë që i tejkalon buxhetet e zakonshme,” tha Sretenović, për të shtuar: “Mendoj se kjo duhet të kthehet në praktikë, e cila do ta mundësonte ngritjen e standardeve të prodhimit”.

Muzeu i Artit Bashkëkohor shpreson se në katër muajt e ardhshëm – sa zgjat ekspozita – do të mund të tërheqë rreth 150,000 vizitorë. Prandaj pritet të vijnë më shumë njerëz sesa në krejt periudhën e vitit të kaluar, kur muzeu i hapi dyert pas një pauze 10-vjeçare.

Mjerimi prapa skenave

Duket se edhe buxheti prej gjysmë milioni eurosh nuk ishte i mjaftueshëm që kjo eskpozitë t’i përmbushte disa standarde minimale, kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të punëtorëve, pavarësisht prej pretendimeve të organizatorëve se ekspozita do të prezentohet siç është bërë çdokund tjetër në botë.

Në mesin e njerëzve që po marrin pjesë në ekspozitë janë të ashtuquajturit riinterpretues, të cilët përditë i japin disa nga performancat më të mirënjohura të artistëve.

Që kur ekspozita ishte shfaqur në Stokholm, Humlebaek, Oslo, Bon, Firencë dhe Toronto para se të mbërrinte në Beograd, Instituti i Marina Abramović-it punësoi një grup të artistëve të rinj dhe i trajnoi ata për këto performanca.

Por, njëri nga personat që morën pjesë në këtë ekspozitë ndërkombëtarisht, shpjegon se kushtet e punës në Beograd ishin shumë më të këqija se kudo tjetër.

“Sot më thanë se do të bëja vetëm 25 euro në hapje, që është absurde,” thotë njëra nga të intervistuarat, a cila deshi të mbetej anonime.

Ajo shton se Muzeu i Artit Bashkëkohor në Beograd ka vendosur rregulla të tilla që riinterpretuesit paguhen vetëm për kohën që e kalojnë duke performuar.

“Kurrë nuk jemi gjetur në një situatë të këtillë,” thotë e intervistuara. “Ne performojmë për dy orë me një orë pushim në mes, dhe na kërkohet të vijmë një orë më herët për t’u përgatitur. Njerëzit në muze na thanë se s’ka gjasë të na paguajnë për këto pushime dhe përgatitje, prandaj tani po provojmë të negociojmë me ta”.

“Muzeu na ka gjetur një vend ku nuk ka krevate të mjaftueshme për të gjithë ne, prandaj unë po e ndaj shtratin”

Njëra nga performueset e ‘The Cleaner’

Ajo pohon se më shumë se gjysma e interpretuesve të tanishëm vijnë nga larg. Për shkak të ekspozitës, të gjithë janë zhvendosur në Beograd, ku do të qëndrojnë tre muaj. Aktualisht, thonë ata, kushtet e jetesës janë të papërshtatshme.

“Muzeu e ka marrë me qira një vend ku nuk ka krevate të mjaftueshme për të gjithë, dhe prandaj unë po e ndaj shtratin,” shpjegon performuesja. “Dorezat e derës vazhdojnë të bien, bojleri në dhomën time është i prishur, dhe kush e di pse, nuk kemi pasur internet për disa ditë, prandaj nuk mund ta lexoj orarin tim për ditën e ardhshme, të cilin zakonisht e marr në mbrëmje me email”.

Ajo thekson se të gjithë riinterpretuesit e duan punën e tyre dhe kolektivin.

“Të punosh për Marina Abramović-in është një gurthemel i shkëlqyeshëm në karrierën tonë dhe angazhimi në kolektivin e udhëhequr nga asistenti i saj është i mirorganizuar,” thotë ajo, por shton se kur vjen puna te financat, Instituti i Marina Abramović – nën ombrellën e të cilit punojnë këta artistë – duket se nuk ka qenë plotësisht gati për t’i mbështetur riinterpretuesit e vet.

“Kur ankohemi te Instituti, na thonë se ne e kemi nënshkruar kontratën me muzeun,” thotë ajo. “Megjithatë, nuk jemi ne që kemi folur për kushtet me muzeun, janë ata, prandaj ne jemi pak të dëshpëruar në këtë drejtim.”

Ajo shton se disa nga riinterpretuesit po mendojnë të largohen.

“Jemi të gjithë në borxhe dhe paratë që i fitojmë nuk na mjaftojnë për shujta të hajrit,” thotë ajo. “Duke marrë parasysh se puna jonë është fizike, nuk duhet të jetojmë me ushqime të shpejta, që është edhe opsioni më i lirë, por pikërisht kështu e kemi tani”.

Shpalosja e madhe

Pavarësisht prej kësaj situate, gjithçka është madhështore në skenën kryesore: Konferenca e shtypit e parapremierës u thirr në orën 6:23 të mëngjesit (siç shpjegoi Abramović, qëllimi ishte t’i “nervozonin gazetarët dhe t’i fusnin në gjendjen e performancës”). Rreth 6,500 njerëz morën bileta për një ligjëratë në ambient të hapur që Abramović do ta mbajë më 28 shtator (“Askush nuk ka mbajtur ligjëratë për kaq shumë njerëz!” u tha ajo gazetarëve.)

Biletat për ekspozitën janë ende në dispozicion, por duhet të blihen disa ditë përpara dhe të rezervohen për kohën e caktuar. Muzeu i Artit Bashkëkohor i hap dyert çdo orë.

Përveçse mund t’i shohin disa prej pikturave të saj të hershme, vizitorët e retrospektivës më të madhe evropiane të veprave të hershme të Abramović-it ftohen ta zënë momentin kur ajo hoqi dorë nga piktura dhe kaloi te arti konceptual; ndryshimi ndodhi me ekspozitën “Drangularium” të vitit 1971 të mbajtur në Qendrën Kulturore të Studentëve në Beograd, kur Abramović-i e shfaqi një gëzhojë të kikirikut dhe hijen e saj, duke e quajtur veprën “Reja dhe hija e saj”.

Të ftuarit mund ta shohin Marinën tek qante duke ngrënë qepë në vitin 1995, ndërsa mund të dëgjohet inçizimi në vazhdim: “Jam lodhur duke i ndërruar aeroplanët kaq shpesh, duke pritur në dhomat e pritjes, në stacionet e autobusëve…”; ta shohin një video të saj duke pikturuar me gjakun e vet një pentagram në bark (“Lips of Thomas”); ta dëgjojnë himnin kombëtar të Jugosllavisë dhe t’i shikojnë artefaktet shoqëruese që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore (“Hero,” vepra e inspiruar nga tregimi i babait të saj duke ia shpëtuar nënën e plagosur dhe duke e larguar mbi një kalë të bardhë në një kohë kur të dy luftonin në radhët partizane).

Biletat për ekspozitën janë ende në dispozicion, por duhet të blihen disa ditë përpara dhe të rezervohen për kohën e caktuar.

Gjithashtu, vizitorët mund të përjetojnë ndjenjën se si është të ulesh në karrige përballë artistit, siç ishte rasti me performancën e saj ndoshta më të shquar, “The Artist is Present.” Në vitin 2010, në Muzeun e Artit Modern në New York, Abramović kaloi 512 orë e ulur në njërën anë të tavolinës, me njërëz që vinin dhe shkonin në anën tjetër.

Është gjithashtu “Ballkan Baroque” – një grumbull prej saktësisht 1,000 eshtrave të lopës, në të cilat Abramović kaloi orë të tëra duke i pastruar copëzat e fundit të mishit dhe gjakut në Bienalen e Venedikut 1997. Eshtrat mbajnë erë supe të eshtrave edhe sot e kësaj dite, dhe vizitorët tallen se ajo nuk kishte arritur t’i pastronte si duhet.

Jergo Denegri konsideron se qenësore për këtë pjesë ishte momenti – momenti kur Ballkani e humbi Marina Abramović-in në një mënyrë, derisa u kthye sivjet.

“Balkan Baroque” u prezentua në Bienalen e Venedikut 1997. Foto: Gilad Sade.

Në këtë pikë, ajo u zgjodh për ta përfaqësuar Serbinë dhe Malin e Zi, por mjedisi i caktuar e largoi nga rruga prapëseprapë”, thotë Denegri. “Kuratori i Bienales, Germano Celant, e ftoi atë të performonte në pavijonin ndërkombëtar. Mendoj se me anë të kësaj vepre ajo deshi të bënte një deklaratë shtesë se ç’mund të kishte shteti pasi ajo qe shpërfillur. Ndoshta vepra do të kishte qenë krejt ndryshe sikur ajo të mos ishte në atë humor, sikur të mos e kishte ndjerë të nevojshme ta shprehte krenarinë”.

Në konferencën për media, Abramović rikujtoi se si suksesi i kishte ardhur vonë, si e kishte filluar pak a shumë gjithçka vetë, dhe si nuk kishte qenë aspak e lehtë.

Anëtarët joprofesionistë të publikit përsërisin zëshëm se çka bën ajo nuk është art.

"Po t’i kisha lexuar gjithë ato që shkruheshin për mua, nuk do të dilja fare nga shtëpia"

Marina Abramović

“Po t’i kisha lexuar gjithë ato që shkruheshin për mua, nuk do të dilja fare nga shtëpia,” tha ajo. “Sot përballë asaj kohe – kam shfletuar nëpër shkrime rishtazi – nuk ka ndryshuar aq shumë.”

Në anën tjetër, është fakt se ambicia e fëmijërisë e një vajze të Jugosllavisë është realizuar dhe ky fakt nuk mund të injorohet sot, sidomos në Beogradin e mbushur me bilborde.

Kjo nuk ishte befasi për Denegrin:

“Ja një anektodë për ju. Kur Marina ishte ende në moshën e rinisë, e pyeti një kritik nga Beogradi nëse ishte mjaft e bukur sa për t’u bërë artiste botërore. Ai i tha kështu: ‘Marina, ti je e bukur dhe e re, dhe tashmë je artiste e klasit botëror, prandaj në 40 vjetët e ardhshëm, thjesht duhet ta dëshmosh këtë’. Ky është rezultati përfundimtar i kësaj ekspozite”.K

“The Cleaner” do të mbetet e hapur në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Beograd deri më 20 janar, 2020.

Foto kryesore: Foto e Gilad Sade.