Gazmen Salijeviq e mban mend veten si fëmijë të pazakontë. Ai kalonte një pjesë të madhe të kohës së lirë duke lexuar libra të historisë. Përvojat e komunitetit rom gjatë periudhave të ndryshme historike, dhe veçanërisht holokausti i romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin në krye të listës së tij të leximit.
Ndonëse babai i tij kishte punuar si minator në minierën e Trepçës në Mitrovicë gjatë viteve të ‘80-a, nëna e tij e edukoi Gazmenin dhe motrat e vëllezërit e tij. Ai mësonte shumë si student, e prandaj habitej kur vazhdimisht merrte nota më të ulëta se miqtë e klasës.
Në shkollë fillore në Graçanicë, në mesin e popullsisë shumicë serbe, ai vërejti se po trajtohej ndryshe, pavarësisht njohurive dhe përgatitjes së tij. Duke e kuptuar se lëkura dhe përkatësia e tij etnike ishin arsye për këtë, ai vendosi ta ngrisë zërin dhe të angazhohej më shumë me aktivizëm për të drejtat e njeriut.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
“Po zbuloja sende, po shtroja pyetje. Kjo nuk ishte tipike për fëmijët e romëve”, thotë ai. “Unë isha luftëtar dhe kjo tendencë për të shtruar pyetje, për të pyetur për çështje të ndryshme, më ndihmoi të kuptoj. Shumë e rëndësishme në jetë është të shtrosh pyetje dhe të kërkosh arsye”.
Ai thotë se njerëzit tepër shpesh ngurrojnë të pyesin dhe t’i kundërshtojnë pozitat që u përcaktojnë të tjerët.
“Zakonisht në ditë të sotit njerëzit nuk shtrojnë pyetje kur diskriminohen, kur torturohen dhe kur shtypen prej të tjerëve”, thotë ai. “Kjo është psikologjike. Nëse e rrahë apo e shtyp dikë, ai apo ajo nuk do të ketë fuqi të brendshme për të luftuar”.
Salijeviq studioi marrëdhënie me publikun në Universitetin e Nishit në Serbi. Pas studimeve, në fillim të mijëvjeçarit të ri, ai u përfshi në aktivitete humanitare, duke u ndihmuar romëve në pozita të cënueshme.
"Në Ballkan komunitetet kanë mendësi të luftës. Njerëzit luftojnë për tokë, për qytete, për krahina. Por romët kurrë”.
Romët u sulmuan nga të dy palët gjatë luftës në Kosovë, por përndjekja vazhdoi edhe pas vitit 1999, meqë ata u panë nga shqiptarët e Kosovës si mbështetës të regjimit të Millosheviqit.
Para luftës së vitit 1999, 150,000 persona të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian jetuan në Kosovë. Sot, rreth 34,000 romë besohet se kanë mbetur në Kosovë. Shumë romë u larguan nga Kosova në Europën Perendimore gjatë viteve të ‘80-a dhe të ‘90-a për arsye ekonomike, ndërsa një numër i madh u largua pas konfliktit të vitit 1999.
Salijeviq mendon se persekutimi i romëve pas luftës ende është tabu për shoqërinë kosovare. Por ai konsideron se njerëzit e tjerë duhet të mundohen t’i kuptojnë romët duke e kuptuar kulturën e tyre.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
“Një gjë duhet ta kuptoni për komunitetin rom – romët nuk luftuan asnjëherë. Ne nuk jemi luftëtarë”, thotë ai. “Ne nuk deshëm ta kundërshtonim sistemin, dhe duhet ta kuptoni që romët asnjëherë nuk janë ngritur kundër shtetit. Shqiptarët duhet t’i kuptojnë romët, ta kuptojnë që u bë pjesë e jona kjo mungesë e kryengritjes kundër brutalitetit shtetëror, kundër diskriminimit. Në Ballkan komunitetet kanë mendësi të luftës. Njerëzit luftojnë për tokë, për qytete, për krahina. Por romët kurrë”.
Ajo që njihet si epoka e Titos në shtetet e ish-Jugosllavisë shënoi ringjalljen e romëve të Jugosllavisë në fillim të viteve të ‘70-a, meqë ideologjia “vëllazërim dhe bashkim” e Titos u dha atyre njohje zyrtare. Kultura dhe folklori rom dolën në pah dhe kjo pati efekt të rëndësishëm në Ballkan, veçanërisht në muzikë dhe kinematografi.
“Pra duhet të njoftohesh me komunitetin para se të gjykosh, para se të fajësosh”.
Romet në ish-Jugosllavi kishin një lloj pozite për shkak se administrata e Titos në Jugosllavinë komuniste deshi t’i mbronte pakicat deri në një pikë, dhe kishte romë të përfshirë në institucione publike”, thotë Salijeviq. “Pastaj gjatë viteve të ‘90-a, kur nisën luftërat, romët asnjëherë nuk e kundërshtuan sistemin e vendit”.
Salijeviq thotë se aktori i ndjerë Bekim Fehmiu është shembull i mirëkuptimit ndaj romëve.
“Komuniteti rom i është shumë mirënjohës Bekim Fehmiut dhe mënyrës si i portretizoi ai romët në filma. Mendoj se filmat po e tregonin jetën e romëve dhe shumëkush thotë se Bekimi po aktronte si rom i vërtetë. Kam lexuar se ai ka jetuar me romë për ta kuptuar mendësinë e tyre”, thotë ai.
“Pra, duhet të njoftohesh me komunitetin para se të gjykosh, para se të fajësosh”.
Por ai thotë se në vitet e fundit romët dhe komunitetet e tjera i kanë ndryshuar qëndrimet dhe po e ngrisin zërin për të drejtat e tyre. Sipas tij, stabiliteti ekonomik në Jugosllavi para shpërbërjes së saj bëri që të shpërfillen nismat për kundërshtim të sistemit.
“Pra, kur ke ushqim në shtëpi, ke vend pune, nuk u kushton shumë rëndësi të drejtave civile, apo të drejtave të lirisë, lirisë për të folur dhe për t’u shprehur, sepse ke vend pune, dhe mund të shkosh në deti, dhe mund të blesh gjëra për familjarët e tu. Ne nuk kishim të drejta të njeriut, por kishim të drejta ekonomike”, thotë ai. “Sot shoh shumë romë dhe shqiptarë të rinj të cilët thonë se nuk ishte kështu gjatë viteve të ‘80-a”.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Salijeviq u përfshi vet në aktivizëm para një dekade. Në vitin 2008, ai nisi të punonte për Qendrën Evropiane për Çështje të Minoriteteve (ECMI). Kur në vitin 2016 kjo organizatë dhe gjashtë të tjera themeluan Koalicionin të Drejta të Barabarta për të Gjithë (Equal Rights for All Coalition – ERAC), që avokon për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve të margjinalizuara, Salijeviq iu bashkua 17 juristëve të cilët punojnë në 14 komuna dhe zona rurale.
Si jurist, Salijeviq punon në nivelin bazë duke identifikuar raste të ndryshme të diskriminimit brenda komunitetit të tij në Graçanicë.
Zakonisht pas identifikimit të shkeljeve Salijeviq ofron ndihmë dhe këshilla për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Për shembull, pas dokumentimit të rasteve të diskriminimit në shkolla apo në sistemin e shëndetësisë, ai i informon viktimat për të drejtat e tyre dhe i drejton te autoritetet që duhet të merren me rastin e tyre. Ai mund t’i drejtojë edhe njerëzit të cilët përballen me vështirësi gjatë regjistrimit të dokumenteve te partnerët ligjorë të juristëve. Deri më sot ai i ka identifikuar dhe mbikëqyrur rreth 10 raste në Graçanicë.
“Nëse diskriminohesh një herë, vështirë është ta përshkruash atë ndjenjë. Ndihesh pa fuqi, si i gjymtuar. Kjo më shtyu ta ngrisja zërin për të drejtat e tyre dhe të flisja për të drejtat e tyre sepse njerëzit kanë frikë ta kundërshtojnë shtetin. Por duhet ta kuptojnë se shteti nuk është për të dhënë të drejta, por për t’i mbrojtur ato”, thotë ai. “Unë nëpërmjet këtyre aktiviteteve po mundohem ta ndryshoj konceptin që e kanë pjesëtarët e këtij komuniteti për të mos luftuar për të drejtat e tyre, sepse duhet ta kuptojmë se nëse nuk luftojmë, nëse nuk shtrojmë pyetje, këto çështje do të mbesin në të njejtën situatë”.
"Mund ta keni ndonjë Majlinda Kelmendi në komunitetin rom”.
Pavarësisht numrit të shtuar të aktivistëve të cilët bëjnë thirrje për përmirësim të situatës, Salijeviq thotë se diskriminimi kundër romëve ende është shumë i përhapur. Ai beson se përpjekjet institucionale për t’i integruar komunitetet pakicë janë të kufizuara brenda zonave të ndara në të cilat jetojnë komunitetet pakicë, dhe se kjo ka kontribuuar në paragjykimet që ekzistojnë ndërmjet komuniteteve pakicë dhe komunitetit shumicë në Kosovë.
“Unë nuk e kam ditur asnjë fjalë në gjuhën shqipe para luftës, e edhe unë kisha paragjykime, por sot, falë punës sime në Prishtinë, unë udhëtoj çdo ditë dhe kam shumë miq”, thotë ai. “E vetmja mënyrë për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë situatë është duke i dhënë popullit të drejtat që janë në Kushtetutën e Kosovës. Nëse ligji thotë se 10 për qind e shërbyesve civilë duhet të jenë të komuniteteve pakicë, atëherë duhet ta bëjmë këtë”.
Sipas Salijeviqit, komunitetit rom duhet t’i jepet më shumë hapësirë për t’i ndryshuar zakonet e braktisjes së shkollës dhe progresit të ngadalshëm në shkolla, dhe për të pasur perspektiva më të mira në përgjithësi. Salijeviq thotë se fitorja e tij në një garë mbarëkombëtare jugosllave të historisë gjatë kohës kur ishte në shkollë erdhi si pasojë e përpjekjeve që ai ndërmori për hapësirë, diçka që do të ishte shumë e vështirë për romët të cilët nuk janë të aftë të luftojnë për vete.
“Zakonisht, në atë kohë, të thonin ‘ju romët nuk doni të arsimoheni’. Kjo nuk është e vërtetë”, thotë ai.
“Kur them se nuk është e vërtetë, e kam fjalën se kishim nevojë për më shumë hapësirë. Nuk dua ta vjedh hapësirën tënde, apo t’ia marr hapësirën dikujt tjetër. Thjesht, dua trajtim të barabartë. Duhet t’i largoni njerëzit nga mahallat, nga getot, t’i çoni në botën e jashtme, që ata t’i tregojnë talentet e tyre. Mund ta keni ndonjë Majlinda Kelmendi në komunitetin rom”.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.