Pikëpamje | Drejtësi

Mbikëqyrje ‘speciale’ për Gjykatën Speciale

Nga - 03.12.2020

Çfarë filloi në Këshillin e Evropës duhet të ketë mundësi të përfundojë në Këshillin e Evropës.

Në vitin 2011, asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës (KE) miratoi raportin e Dick Marty-t i cili pretendonte se një pjesë e udhëheqësve kosovarë kanë kryer krime gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Në bazë të këtij raporti, në vitin 2015 Kosova krijoi Dhomat e Specializuara, ose Gjykatën Speciale, e cila po shqyrton aktualisht aktakuzat e para. Kjo është historia e thjeshtëzuar e Gjykatës Speciale.

Duke qenë se gjeneza e këtyre akuzave është tek organi “ligjvënës” i Këshillit të Evropës, a nuk do të ishte e natyrshme kërkesa e të akuzuarve — dhe e gjithë kosovarëve —  për të pasur qasje tek organi gjyqësor i Këshillit të Evropës, Gjykata e Strasburgut? Edhe nëse e lëmë anash zanafillën e akuzave, a nuk do duhej mbrojtur edhe kosovarët, ashtu si 800 milionë banorët e tjerë të këtij kontinenti, nga njëra prej gjykatave më të përsosura të historisë?

Nga këndvështrimi ynë si kosovarë, përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është padyshim pohuese. Arsyet përse kërkesa për një mbikëqyrje “speciale” të Gjykatës Speciale është krejtësisht legjitime lidhen me atë se çfarë përfaqëson Gjykata e Strasburgut dhe me efektet afatshkurtëra e afatgjata të mbikëqyrjes së saj mbi gjykatat kosovare. 

Epërsia e Gjykatës së Strasburgut

Shumë afër ndërtesës së asamblesë parlamentare të KE-së ku u votua raporti i Dick Marty-t ndodhet Pallati i të Drejtave të Njeriut, i cili shërben si seli për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (e njohur gjerësisht si Gjykata e Strasburgut ose shkurt GjEDNj). Katërdhjetë e shtatë gjyqtarët e kësaj gjykate janë ndër juristët më të spikatur të vendeve të tyre dhe pas përzgjedhjes kombëtare ata janë miratuar edhe nga vetë asambleja parlamentare e KE-së. 

70 vitet e fundit, Gjykata e Strasburgut ka shqyrtuar dhe dhënë vendime mbi çështjet më të nxehta të kontinentit evropian në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Grusht shteti i gjeneralëve në Greqi në vitet 1960 dhe ai në Turqi më 2016, konfliktet ndërshtetërore si ky i fundit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë apo ato mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Ukrainës dhe Rusisë, Qipros dhe Turqisë, apo raste të individëve të dënuar për krime lufte si Nikola Jorgić apo Maktouf dhe Damjanović —  janë vetëm disa prej rasteve që dëshmojnë përvojën e Gjykatës së Strasburgut me çështje të krimeve të luftës. 

Me pak fjalë, konfliktet ndërshtetërore dhe çështjet penale më të mprehta të historisë moderne evropiane kanë kaluar në një moment ose një tjetër në atë gjykatë, e cila ka rrënjë të thella në sistemet gjyqësore të secilit shtet evropian.

Natyra sui generis e kësaj gjykate tejet specifike kosovare kërkon patjetër të vihet nën llupën e Strasburgut.

Bagazhi i dijes dhe traditës juridike që çdo gjyqtar kombëtar sjell në Gjykatën e Strasburgut dhe gërshetimi i këtyre me llojllojshmërinë e problematikave që janë parashtruar para saj, ka bërë që aktgjykimet e Strasburgut të konsiderohen gjerësisht si tekstet më cilësore të jurisprudencës moderne për të drejtat dhe liritë e njeriut. Aktgjykimet e kësaj Gjykate studiohen gjithandej në universitete, citohen rregullisht nga gjykatat vendëse, dhe janë burim frymëzimi për shkrimin e librave dhe botimeve të shumta akademike.

Ndonëse kritikat dhe hapësirat për përmirësim të GjEDNj-së nuk mungojnë, cilësia dhe epërsia e dijes juridike që shërben si lëndë e parë për dhënien e drejtësisë në atë institucion është e pakundërshtueshme.

Efekti i menjëhershëm

Për sa kohë Gjykata e Strasburgut nuk ka juridiksion mbi Kosovën dhe rrjedhimisht mbi Dhomat e Specializuara, gjyqtarët “tanë” të Hagës duhet të “brengosen” vetëm për mbikëqyrjen e njëri-tjetrit. Pra, gjykatësit e shkallës së parë përpara se të bëjnë çdo veprim pyesin veten nëse kolegët e tyre të apelit do t’i vërtetojnë apo anulojnë vendimet e tyre. Ata të apelit brengosen për gjyqtarët e panelit të Gjykatës Supreme e kështu me radhë deri te paneli i Gjykatës Kushtetuese. 

Të gjithë këta gjyqtarë, pavarësisht panelit ku janë caktuar, janë pjesë të së njëjtës gjykatë, ndërveprojnë brenda të njëjtit kulm dhe janë përzgjedhur e paguhen nga i njëjti burim. Asnjë nga këto fakte nuk nënkupton automatikisht që ata nuk janë të pavarur apo nuk mund të kontrollojnë njëri-tjetrin në mënyrë efektive. Megjithatë, natyra sui generis e kësaj gjykate tejet specifike kosovare kërkon patjetër të vihet nën llupën e Strasburgut. 

Le të imagjinojmë për një moment që Kosova anëtarësohet në KE për ditëlindjen e saj të katërmbëdhjetë, pra më 17 shkurt 2022. Në këtë datë, juridiksioni i Gjykatës së Strasburgut do të shtrihet mbi të gjitha vendimet e gjykatave kosovare, përfshirë këtu edhe Dhomat e Specializuara që veprojnë në Hagë. 

Më 18 shkurt 2022, një ditë pas anëtarësimit të Kosovës në KE, është lehtë të imagjinohet se atmosfera në Gjykatën Speciale do të ketë ndryshuar. Të gjithë gjyqtarët, prokurorët, ndihmësit ligjorë dhe zyrtarët e tjerë të asaj gjykate, përpara se të caktojnë një seancë, marrin një vendim, refuzojnë një ankesë apo pranojnë një kërkesë të prokurorit, do t’ia shtrojnë vetes pyetjen: A do t’i rezistojë vendimi im shqyrtimit nga gjyqtarët e spikatur të Gjykatës së Strasburgut? 

Pra, vetëm ekzistenca e këtij “meraku”, akoma pa u parashtruar asnjë ankesë konkrete nga kosovarët pranë Gjykatës së Strasburgut, do të sjellë një shtim të kujdesit dhe rritje të cilësisë së drejtësisë që do të shqiptojë Gjykata Speciale në Hagë. 

Efektet afatmesme dhe afatgjata

Efekti kryesor i anëtarësimit të Kosovës në KE do të jetë mundësia që palët e pakënaqura me një vendim përfundimtar të Dhomave të Specializuara të dorëzojnë ankesë pranë Gjykatës së Strasburgut. 

Nga kjo mundësi do të përfitonin të gjithë. Aktgjykimet dënuese (nëse do të ketë të tilla) të Dhomave të Specializuara do të fitonin një legjitimitet shtesë nëse konfirmohen edhe nga Gjykata e Strasburgut. Nga ana tjetër, në rast se Gjykata e Strasburgut gjen shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me dënimet, pranueshmërinë e provave, prangosjen ose mbajtjen e padrejtë në arrest, atëherë pala e dëmtuar do të kishte mundësinë e riparimit të shkeljes së pësuar. 

Asnjëra nga palët që ka besim në versionin e saj të fakteve dhe interpretimit të provave nuk do të duhej t’i druhej një perspektive të tillë. 

Është padrejtësi goditëse që Këshilli i Evropës nga njëra anë të “akuzojë” përmes asamblesë parlamentare kosovarët se kanë shkelur rregullat më bazike njerëzore dhe nga ana tjetër t’ua mohojë atyre të drejtën e qasjes në organin gjyqësor që vetë Këshilli i Evropës e ka krijuar për të mbrojtur këto të drejta themelore të njeriut. 

Padrejtësia thellohet edhe më shumë kur mendon që të akuzuarit për krime lufte përballë gjykatave vendase që veprojnë në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi e gëzojnë plotësisht të drejtën t’i drejtohen GjEDNj-së. Madje disa prej tyre, pasi janë dënuar në vendet e tyre e kanë shfrytëzuar me sukses këtë të drejtë dhe kanë fituar rastin pranë GjEDNj-së (shih Aktgjykimin në çështjen Maktouf dhe Damjanović k. Bosnjës dhe Hercegovinës).

Shtetet mund të jenë gjykatës të vetvetes deri në një pikë të caktuar, por asgjë nuk e zëvendëson kontrollin rigoroz të Gjykatës së Strasburgut.

Disa mund të tentojnë të argumentojnë se pavarësisht faktit që Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, autoritetet kosovare e kanë marrë për obligim ta zbatojnë Konventën. Problemi me këtë argument është që të gjitha shtetet anëtare të KE-së janë të obliguara ta zbatojnë Konventën në procedurat e brendshme, e megjithatë Gjykata e Strasburgut gjen vazhdimisht shkelje serioze të Konventës. 

Konkretisht, edhe gjykata për krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë në rastin e cekur më lart ishte e detyruar ta zbatojë Konventën, por megjithatë shqyrtimi në Strasburg tregoi se Konventa ishte shkelur. Në atë rast, Dhoma e Madhe e GjEDNj-së e përbërë nga 17 gjyqtarë njëzëri gjeti shkelje të nenit 7 të Konventës. Përfundimi i pashmangshëm është që shtetet mund të jenë gjykatës të vetvetes deri në një pikë të caktuar, por asgjë nuk e zëvendëson kontrollin rigoroz të Gjykatës së Strasburgut.

Përtej kësaj, në rast të anëtarësimit të Kosovës në KE, të gjitha efektet e përshkruara më lart do të shtriheshin edhe ndaj qytetarëve, bizneseve e organizatave të tjera kosovare, të cilët më në fund do të mund t’i drejtoheshin Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar riparimin e shkeljeve të të drejtave të tyre të pronës, gjykimit të drejtë, mosdiskriminimit, lirisë së shprehjes, e kështu me radhë. 

Nevoja e ngutshme për anëtarësim

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës duhet të jetë me prioritet të lartë për Kosovën. Kjo ngutje diktohet nga juridiksioni kohor (ratione temporis) i Gjykatës së Strasburgut. 

Sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, traktatet nuk kanë fuqi prapavepruese (shih Šilih k. Sllovenisë). Kjo nënkupton që Konventa nuk mund të jetë detyruese për një palë kontraktuese në lidhje me një akt ose një fakt që ka ndodhur para datës së hyrjes në fuqi të Konventës në lidhje me atë palë kontraktuese, e as për një situatë që ka pushuar së ekzistuari para datës së hyrjes në fuqi. Doktrina e shkeljes së vazhdueshme paraqet përjashtim të rëndësishëm për juridiksionin kohor por që nuk është relevant për fokusin e këtij shkrimi sepse dënimi penal cilësohet si një ngjarje e momentit e jo ngjarje e vazhdueshme.

Kështu, nëse anëtarësimi i Kosovës ndodh më 17 shkurt 2022 siç imagjinuam më lart, për Gjykatën e Strasburgut kjo nënkupton që çdo aktgjykim dënues i formës së prerë i dhënë para datës 17 shkurt 2022 është jashtë juridiksionit të saj kohor (shih Blečić k. Kroacisë). Pra, hipotetikisht, nëse shkalla e parë e Dhomave të Specializuara jep një aktgjykim dënues dhe ai vërtetohet nga apeli përpara datës 17 shkurt 2022, i dënuari nuk mund të ankohet në Strasburg, pavarësisht se procedurat mund të jenë ende në zhvillim e sipër pranë paneleve të shkallës së tretë e katërt të Gjykatës Speciale. 

Kjo dërgon në përfundimin që anëtarësimi duhet të ndodhë sa më shpejt në mënyrë që hapësira jashtë juridiksionit të Strasburgut të jetë sa më e vogël.

Nëse Kosova e merr seriozisht këtë projekt dhe beson në të, procesi i anëtarësimit nuk do të duhej të ndeshte në ndonjë pengesë të pakapërcyeshme.

Që nga pavarësia, çdo 2-3 vjet ka pasur deklarata publike sipas të cilave Kosova po bën parapërgatitje për të kërkuar anëtarësimin në Këshill të Evropës, mirëpo asnjëherë asgjë konkrete nuk ka dalë në pah. Më e pakta që mund të thuhet është se janë bërë përpjekje të zbehta drejt një synimi jetik.

Për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, sipas Statutit të KE-së, Kosovës i nevojiten votat e të paktën 32 prej 47 anëtarëve të Komitetit të Ministrave. Aktualisht Kosovën e kanë njohur 34 nga 47 vende të Këshillit të Evropës kështu që nëse Kosova e merr seriozisht këtë projekt dhe beson në të, procesi i anëtarësimit nuk do të duhej të ndeshte në ndonjë pengesë të pakapërcyeshme. 

Kjo nuk do të thotë që anëtarësimi është thjesht kalkulim matematikor e që rrjedhimisht do të jetë një procedurë e lehtë. Asnjëra nga arritjet ndërkombëtare të Kosovës nuk ka qenë e tillë. Kundërshtarët e shtetit të Kosovës do ta kundërshtojnë fuqishëm anëtarësimin, ndërsa palët e treta që janë indiferente, përfshirë këtu vetë Këshillin e Evropës, mund të mos dëshirojnë një turbullim të status quo-së. Prandaj, është Kosova ajo që duhet ta ngrejë këtë çështje me energji të theksuar sepse të presësh që kundërshtarët të lëshojnë pe ose që indiferentët të aktivizohen, krejt vetvetiu, është thjesht humbje kohe.

Bjellorusia dhe Kosova janë vendet e vetme të kontinentit evropian që nuk janë anëtare të Këshillit të Evropës. E para, pavarësisht zhvillimeve të fundit, vazhdon të njihet si një shtet diktatorial që nuk e kërkon anëtarësimin në KE; ndërsa e dyta është një shtet i ri me demokraci në zhvillim që synon të bëhet anëtari i 48-të i organizatës. Konteksti i krijuar me funksionalizimin e Gjykatës Speciale përbën një arsye të fortë shtesë që Kosova përfundimisht ta mposhtë ndrojtjen dhe të kërkojë me vendosmëri e ngulm vendin e saj në një nga organizatat më të rëndësishme të kontinentit të vjetër.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.