Në fillim të shtatorit 2023, platforma “Kallxo.com” publikoi hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave”, ku u trajtua mbarëvajtja e rekrutimit për konkurset e transmetuesit publik Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për pozitat e zëvendës-drejtorit/es të RTK, drejtor/e i/e radios dhe udhëheqës/e i/e Shërbimeve të Përbashkëta — të trija, pozita të larta menaxheriale përbrenda RTK.
Sipas artikullit, Ilire Zajmi, gazetare dhe udhëheqëse e Qendrës për Aftësim Profesional në kuadër të RTK, Flora Durmishi, redaktore për kulturë në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për çështjet ligjore, janë ballafaquar me diskriminim në shtëpinë e tyre mediale, ku punojnë prej më shumë se dy dekadash.
Anipse të gjitha morën më së shumti pikë në konkurs, asnjëra nuk u zgjodhën kur votimi arriti te Bordi i RTK, i cili në fund të vitit 2021 u votua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me premtimin për reformim të transmetuesit. Madje, përbërja e vetë bordit prej katër grash dhe katër burrash, u pa si nismë e mirë drejt barazisë gjinore në RTK.
Përkundër përbërjes 50/50, bordi nuk i zgjodhi tri gratë në pozita udhëheqëse. Në vend të tyre, funksionet për të cilat dolën të parat me pikë, i kanë zënë kolegët e tyre, të gjithë burra, anipse nga komisioni vlerësues kishin marrë më pak pikë.
Gati një vit më vonë Zajmi, Durmishi e Beiqi vendosën që përvojën e tyre të hidhur ta shpalosnin publikisht për “Kallxo.com”, medie që nga afër e ka monitoruar procesin e konkurrimit, punën e Komisionit për vlerësim, bordin dhe menaxhmentin e televizionit publik RTK.
Hulumtimi, që vë në qendër rrëfimet e këtyre tri grave, sado që prezanton një situatë të vështirë e shkurajuese, do të mund të kishte shërbyer si mundësi për reflektim e shtim të kritikës ndaj diskriminimit të bazuar në gjini në vendin e punës në përgjithësi dhe në medie në veçanti.
Mirëpo, mediet nuk e kapën si duhet këtë moment.
Reagim i varfër medial
Si edhe në raste tjera të diskrimimit gjinor, shoqëria civile reagoi brenda pak orëve. Rrjeti i Grave të Kosovës, në reagimin e tyre, pos që treguan mbështetje ndaj Zajmit, Durmishit e Beiqit, thanë se RTK, si mediumi i vetëm publik “ka edhe përgjegjësi emancipuese dhe duhet të jetë shembull i respektimit të ligjit dhe promovimit të vlerave të barazisë gjinore në shoqërinë kosovare”.
Ndërkohë, në përgjigje për Kallxo.com, reagoi edhe Edi Gusia, kryesuese e Agjencisë për Barazi Gjinore – agjenci ekzekutive në kuadër të Zyrës së Kryeminstrit. Ndër tjera, Gusia tha: “Me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi të tri kandidatet kanë të drejtë të ngrisin padi për diskriminim deri në 5 vite pasi ka ndodh diskriminimi dhe në momentin kur e kanë kuptuar që ka ndodhë diskriminimi”. Kanë reaguar edhe grupet e deputetëve të partive politike kryesore në Kosovë.
Ndërkohë, tetë ditë pas publikimit të artikullit të Kallxo.com, reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). “AGK-ja konsideron se ky është një shans i humbur për të promovuar barazinë gjinore në RTK nga ana e Bordit të këtij institucioni, që në përbërje reflekton barazi gjinore”, shkruhet midis tjerash në komunikatë.
RTK, medie që financohet nga buxheti i Kosovës, respektivisht nga taksat e qytetarëve, bartë rolin që të promovojë barazinë gjinore, të drejtat e njeriut dhe gjithçka tjetër që i kontribuon demokratizimit të shoqërisë. Për fat të keq, transmetuesi publik ka rënë në provimin e barazisë kur është fjala për këto vlera përbrenda vetë shtëpisë së tyre mediale.
Në provim kanë rënë edhe mediet tjera. Ato kryesisht kanë publikuar reagimet e shoqërisë civile, politikanëve, AGK-së, si dhe të disa individëve të përfshirë në fushën e medies. Por, për të arritur qëllimin e llogaridhënes e transparencës, duhet më shumë.
Mediet nuk e shfrytëzuan këtë moment, që me përmbajtjet e veta të tërheqin vëmendjen edhe një herë kah problematika e (mos)punësimit të grave.
Kanë pasur mundësi, për shembull, si fillim t’u japin më shumë hapësirë rrëfimeve që kandidatet e dëmtuara kanë ndarë. Së dyti, me gjithë debatet televizive, kanë mundur që disa prej tyre t’ua kushtojnë çështjes së punësimit të grave dhe sfidave me të cilat ato përballen përditë në treg të punës. Të ftojnë ekspertë/e, juristë/e, aktivistë/e që ta shtjellojnë se përse statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës vazhdimisht tregojnë për numra të ulët të grave të punësuara.
Mbi të gjitha, ta pyesin qeverinë se ku qëndrojnë kur është fjala për drejtësi gjinore. Jo për të zbuluar diçka të re, por që edhe një herë t’ua kujtojnë institucioneve të Kosovës, publikut dhe posaçërisht drejtorëve të ndërmarrjeve të ndryshme publike dhe private se janë të obliguar që ta respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin e Punës, si dhe Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Nuk ka një përgjigje të duhur për ç’arsye mediet kanë reaguar “butë” ndaj kësaj situate. Një nga arsyet mund të jetë që ndoshta kjo çështje nuk u është dukur aq e rëndësishme në krahasim me ngjarjet politike. Një arsye tjetër ndoshta ka të bëjë me vendimin e punëtorëve medialë që kësaj “storjeje” nuk duhet t’i bëhet publicitet. Çfarë nëse një situatë e ngjashme është edhe në shtëpitë e tyre mediale?
Ndoshta diskutimi duhet të nisë këtu dhe nga premisa se diskriminimi gjinor është, në thelb, çështje politike dhe atë, shumë lart në hierarkinë e rëndësisë.
Cilado qoftë arsyeja e këtij (mos) reagimi, ai veç sa i kontribuon një ambienti mosftues, në mos përjashtues ndaj grave. Po ashtu, veç vazhdon t’i shërbejë patriarkisë, edhe ashtu të rrënjosur në shumë industri e sektorë tjerë. Në një koment në një postim lidhur me këtë artikull dikush kishte shkruar “në RTK punojnë kurvat”, si dëshmi e një ambienti seksist dhe mbase, rezultat i dështimit të medieve që ta problematizojnë seksizmin e diskriminim ndaj grave.
Ndoshta disa presin që gratë ta “ndryshojnë gjininë…” për t’u trajtuar barabartë, siç shkruante një përdorues i rrjeteve sociale në seksionin e komenteve të një prej të paktave medie që përmendi rastin e RTK.
Derisa ndaj grave mund të ketë gjithfarë pritshmërish, ka ardhur koha që barazia gjinore të bëhet pritshmëri e shoqërisë. Rastet si ky mund të na shërbejnë si momente për t’i vënë në pikëpyetje praktikat përjashtuese dhe për të kërkuar me ngulm që mediet të jenë shtyllë e rëndësishme e përpekjes për barazi. Këtë duhet ta bëjnë, duke nisur nga shtëpitë e tyre mediale.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0
Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave, të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.