Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

Merkel, Kodi Civil dhe martesat e çifteve gej e lezbike në Kosovë

Nga - 26.10.2020

Shpjegim për shtrembërimet e deklaratave të Merkelit nga deputeti Lushtaku dhe rëndësia e mbrojtjes ligjore pa dallim.

Javën e kaluar, në Kuvendin e Kosovës u shqyrtua Projekt-Kodi Civil i Kosovës por, në mungesë të kuorumit nuk u votua.

Gjatë seancës, deputeti nga radhët e PDK-së, Mergim Lushtaku, tha se do të votojë kundër Projekt-Kodit Civil. Mes tjerash deklaroi se është “pro familjes dhe ruajtjes së saj”, se Kodi Civil i jep “hapësirë ligjore martesave në mes të gjinisë së njejtë”, dhe se sipas tij “shumica e studiuesve bien dakord që fëmijët e rritur nga dy prindërit biologjik të një martese të qëndrueshme, janë më të mirë se fëmijët në forma të tjera familjare”.

Këto deklarime përveç që janë të pabazuara, janë diskriminuese e përjashtuese jo vetëm ndaj komunitetit LGBTIQ+, por edhe ndaj të gjithë prindërve vetushqyes, prindërve adoptues, çifteve pa fëmijë dhe të gjitha formave tjera të familjes që nuk përbëhen nga një çift heteroseksual me fëmijë biologjikë. 

Deputeti nuk u kursye dhe i përmendi edhe të rinjët e UÇK-së si “produkt i famlijes së shëndoshë shqiptare të cilët u rritën në vlera të larta morale, atdhetare dhe patriotike”. Megjithatë, nëse nisemi nga kategorizimi i “fëmijëve të mirë” nga deputeti, a s’i bie kjo se fëmijët të cilëve i kanë vdekur njëri ose të dy prindërit (duke përfshirë fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së) nuk mund të jenë “fëmijë të mirë”?

Fjalimi i deputetit është problematik në shumë nivele e për shumë arsye, disa prej të cilave mund t’i lexoni edhe në këtë shkrim

Por, le të ndalemi në tri çështje lidhur me deklaratën e tij duke u përqëndruar në faktin se: ky deputet s’e ka të qartë që Projekt-Kodi Civil vazhdon t’i diskriminojë çiftet gej dhe lezbike në përkufizimin e martesës; e përdor deklaratën e Kancelares gjermane Angela Merkel se martesa është në mes të burrit dhe gruas por, s’e ka të qartë kontekstin në të cilin ka folur ajo; dhe sidomos nuk i ka të qarta obligimet që shteti i Kosovës i ka dhe do të duhej t’i përmbushte për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të çifteve gej dhe lezbike. 

Kodi Civil nuk e legalizon (ende) as martesën, as bashkësinë civile në mes të çifteve të seksit të njëjtë.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.” Ky është përkufizimi që ia bën martesës Projekt-Kodi Civil, dhe nuk ndryshon në përmbajtje nga përkufizimi i martesës sipas Ligjit për Familjen që është tani-për-tani në fuqi. 

Projekt-Kodi Civil vazhdon t’i përjashtojë nga martesa çiftet gej dhe lezbike.

Rreth 50 organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë reaguar publikisht duke e quajtur Kodin Civil diskriminues në bazë të orientimit seksual. Në reagim theksohet se Projekt-Kodi Civil nuk siguron njohje ligjore të partneritetit të çifteve të seksit të njëjtë, qoftë në formën e bashkësisë civile apo të martesës. Në kod përcaktohet se format tjera të bashkësive civile do të rregullohen me ligj të veçantë.  

Sidoqoftë, edhe nëse kalon Projekt-Kodi Civil në Kuvend, çiftet e seksit të njëjtë nuk do të kenë mundësi ta regjistrojnë partneritetin e tyre para autoriteteve publike as përmes martesës, as përmes bashkësisë civile. Prandaj, deklarata e deputetit se “Projekt-Kodi Civil i jep hapësirë ligjore martesave në mes të gjinisë së njejtë” është e pasaktë sepse Projekt-Kodi Civil vazhdon t’i përjashtojë nga martesa çiftet gej dhe lezbike.

Çiftet gej dhe lezbike kanë qenë të mbrojtura, kur Merkel ka votuar kundër martesës në mes tyre.

Që nga viti 2001, çiftet e seksit të njëjtë në Gjermani kanë pasur mundësi ta zyrtarizojnë lidhjen e tyre përmes lidhjes së partneritet civil. Kjo formë e bashkësisë civile, ngjashëm me martesën, ka krijuar të drejta dhe detyrime për çiftet. Kështu, çiftet gej dhe lezbike kanë pasur detyrim për kujdes dhe mbështetje të ndërsjelltë, kanë pasur të drejtë të zgjedhin mbiemrin e përbashkët, të krijojnë pasuri të përbashkët, të trashëgojnë, t’i kenë disa të drejta prindërore dhe ta kenë të drejtën në zgjidhjen e partneritetit civil (barasvlershëm me shkurorëzimin). Megjithatë, partneriteti civil nuk ua ka dhënë atyre mundësinë ligjore që si çift të adoptojnë fëmijë. Personat LGBTIQ+ kanë mundur edhe atëherë ligjërisht të adoptojnë fëmijë si prindër të vetëm adoptues, por jo edhe si çift.

Më 26 qershor 2017, Kancelarja Merkel kishte marrë pjesë në një ngjarje të Revistës Brigitte ku një burrë gej nga publiku e kishte pyetur se kur do të mund ta thërrasë partnerin e tij bashkëshort? Kancelarja kishte dhënë një përgjigje të gjatë duke thënë “(…) Unë mendoj se çiftet e martuara dhe çiftet e seksit të njëjtë i jetojnë vlerat e njëjta të përkushtimit, siç i shoh te martesa në mes të burrit dhe gruas (…)” dhe kishte vazhduar duke thënë se shpreson se vendimi i deputetëve për martesën në mes të çifteve të seksit të njëjtë të shkojë “në drejtim të një vendimi në bazë të ndërgjegjjes”. 

Pra, vet Merkel i hapi udhë votës për martesën në mes të çifteve gej dhe lezbike.

Kjo deklaratë i dha liri deputetëve, duke përfshirë edhe ata të partisë së Kancelares CDU, që të votojnë ashtu si ua merr mendja, pa u ndier të obliguar të votojnë në vijë me partinë e tyre. Meqë për vite me radhë partia CDU e Kancelares Merkel e kishte bllokuar votën për martesën në mes të çifteve gej dhe lezbike, kjo deklaratë e saj shkaktoi një reagim zinxhiror dhe brenda katër ditësh, partitë tjera në Bundestag (Kuvendi i Gjermanisë) u mobilizuan dhe e vendosën në rend të ditës votimin e ligjit. Pra, vet Merkel i hapi udhë votës për martesën në mes të çifteve gej dhe lezbike.

Më 30 qershor 2017, Bundestagu miratoi ligjin e ri, duke ia lejuar kështu martesën çifteve të seksit të njëjtë. Kancelarja Merkel votoi kundër këtij ligji dhe në një prononcim për mediat shpjegoi se pavarësisht votës kundër martesës së çifteve të seksit të njëjtë, ajo ka ndërruar qëndrimin e saj të mëparshëm sa i përket adoptimit të fëmijëve nga këto çifte. Ajo tha se konsideron se do të duhej t’u lejohej edhe çifteve të seksit të njëjtë të adoptojnë fëmijë. Ndërsa kuptimi i martesës në bazë të Ligjit Themelor të Gjermanisë, sipas saj, është martesa në mes të burrit dhe gruas.

Pra, Merkel nuk ka votuar kundër lejimit të martesës për çiftet gej dhe lezbike për shkak se ka menduar se fëmijët që rriten nga prindër gej ose lezbike nuk mund të jenë “fëmijë të mirë” dhe nuk ka votuar kundër për të mbrojtur “familjen e shëndoshë” gjermane. Për Kancelaren Merkel, çiftet gej dhe lezbike do të duhej t’i kishin të drejtat e barabarta me çiftet e martuara heteroseksuale por, ajo s’u pajtua që kësaj t’i thuhet martesë. 

Përdorimi i figurës së Merkel nga deputeti Lushtaku, duke i nxjerrë qëndrimet e saj jashtë kontekstit, për të shpërndarë ide të mos-tolerancës, të mos-pranimit dhe të diskriminimit të çifteve gej dhe lezbike jo vetëm që është i gabuar, por është edhe tentim për mashtrimin e publikut kosovar.

Kosova duhet t’i mbrojë çiftet e seksit të njëjtë, përndryshe ia shkelë të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Marrëdhëniet familjare mbrohen brenda të drejtës në jetë private dhe familjare. Të dy këto të drejta gëzojnë mbrojtje në Kosovë në bazë të neneve 36 dhe 37 të Kushtetutës, si dhe në bazë të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbatohet drejtëpërdrejtë në legjislacionin tonë vendor dhe në rast të mospërputhjes, ka epërsi ndaj ligjeve të brendshme. Krahas kësaj, edhe interpretimi i Konventës nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) zbatohet dhe mbizotëron në Kosovë ndaj të drejtës vendore.

Para 10 vitesh, GjEDNj ka vendosur se lidhjet në mes të çifteve të seksit të njëjtë që jetojnë në parneritet stabil gëzojnë mbrojtje brenda nocionit të “jetës familjare” të mbrojtur me Konventë, njësoj si çiftet e sekseve të ndryshme. Në rastin Oliari dhe të tjerët kundër Italisë, tri çifte gej e sfiduan shtetin e Italisë për shkelje të të drejtave të njeriut para GjEDNj-së meqë Italia nuk ofronte asnjë formë për njohjen ligjore të lidhjeve të tyre: as martesë, as bashkësi civile. Sipas Gjykatës, Italia kishte dështuar në përmbushjen e detyrimit pozitiv që rrjedh nga Konventa për ofrimin e një kornizë ligjore që rregullon njohjen dhe mbrojtjen ligjore të çifteve të seksit të njëjtë. 

Prandaj në vitin 2015, Gjykata i dha të drejtë tri çifteve gej dhe ra në përfundim se atyre iu kishte shkelur e drejta në jetë private dhe familjare nga Italia. Kuvendi italian, disa muaj pas këtij vendimi, e miratoi me shumicë votash ligjin për njohjen e çifteve të seksit të njëjtë.

Njësoj si në Italinë e vitin 2015, Ligji i tanishëm i Kosovës për Familjen dhe Projekt-Kodi Civil që do ta zëvendësojë atë, nuk e parashohin asnjë formë për njohjen dhe mbrojtjen e çifteve të seksit të njëjtë. Megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe sipas Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, orientimi seksual parashihet si bazë e diskriminimit në raste kur organet publike nuk veprojnë (lexo: nuk nxjerrin kornizë ligjore) dhe me ketë mosveprim i dallojnë, përjashtojnë, ose kufizojnë të drejtat e personave në bazë të orientimit seksual. Përjashtim i tillë është edhe mos-ofrimi i mbrojtjes dhe njohjes ligjore të çifteve gej dhe lezbike. 

Për këto arsye, shteti i Kosovës duhet ta miratojë kornizën ligjore që i mbron dhe i njeh ligjerisht çiftet gej dhe lezbike në mënyrë që të mos dështojë në përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Projekt-Kodi Civil vetëm parasheh se format tjera të bashkësive civile do të rregullohen me ligj të veçantë. Por, Kuvendi ende ka mundësi ta ndryshojë Projekt-Kodin Civil dhe ta parashohë si formë të mbrojtur brenda Kodit Civil martesën ose bashkësinë civile në mes të çifteve gej ose lezbike. 

Përndryshe, nëse Kodi Civil hyn në fuqi me përmbajtjen e tanishme atëherë, pyetja që deputetët e Kuvendit duhet ta shtrojnë është: sa shpejtë mund ta hartojë Qeveria Projektligjin për Format tjera të Bashkësive Civile? E të tjerëve, na mbetet përgjegjësi t’i përcjellim këto procese e të reagojmë kur deputetët nga foltorja e Kuvendit promovojnë mos-tolerancë, mos-pranim dhe diskriminim. 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.