Nëna ime është shqiptare nga Shqipëria. Atje e kam një gjysmë të familjes — gjyshërit, dajët, kushërinjtë. Babai im është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ku jam lindur edhe unë e ku e kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Teksa rritesha, shpesh dëgjoja fëmijë të tjerë të më thërrisnin “o maqedons”. Kështu më thërrisnin fëmijë shqiptarë në Shqipëri, ku unë shkoja shpesh për vizita familjare dhe ku provoja të shoqërohesha ndonjëherë me fëmijët e lagjes që luanin jashtë në parkun e bllokut të pallateve.
Njëkohësisht, unë jam rritur në një qytet me prezencë të lartë maqedonasish, por edhe tash jetoj në një qytet ku shumica e njerëzve janë maqedonas, e ata sigurisht nuk më kanë quajtur “maqedons,” e kuptueshme pasi për ta nuk jam pjesë e kombit të tyre. Shpesh ama, ata, maqedonasit, më kanë quajtur “shiptar” – fjalë që përdoret për t’i nënçmuar e diskriminuar shqiptarët.
Unë, mbase si shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, jam gjendur shumë herë mes “dy zjarreve” – një mospranim aktiv në Maqedoni të Veriut në njërën anë dhe, nga ana tjetër, një injorim dhe përjashtim nga shqiptarët e shteteve tjera.
“Shiptari” në Maqedoni të Veriut
Para disa viteve isha vonuar për në ligjëratat që i ndiqja në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup. Hipa shpejt e shpejt në taksi dhe filluam të bisedonim (në maqedonisht) me taksistin për motin e mandej për politikën (rrjedha normale e një bisede të thjeshtë). Duke folur për vështirësitë e të jetuarit në vendin tonë, taksisti më tha: “Ah бре дечко, ни ја земаа државата шиптарите!” [Ah more djalë, na e morën shtetin shiptar-ët!].
U ndieva i poshtëruar. “Imagjino,” thashë me vete, “mendojnë se po u vjedhim shtetin thjesht se jetojmë aty dhe kërkojmë të drejta që na takojnë”.
Por kjo s’ka qenë as hera e parë dhe me siguri as e fundit që do të më ndodhin situata të tilla. U kanë ndodhur edhe shumë shokëve të mi, si një herë kur, duke dalë nga një librari, një shok imi i kishte dëgjuar dy djem duke komentuar diçka me termin “шиптари, шиптари” (shiptari, shiptari). Kur ai i përballi me domethënien e kësaj shprehjeje, ata iu kthyen duke i thënë që “jo, ti je “албанец” [allbanec] — mënyra e saktë për t’i emëruar shqiptarët në maqedonisht.
Njëlloj, kam dëgjuar maqedonas që i përdorin këta dy terma, “allbanec” dhe “shiptar”, për t’i dalluar, me të parën, shqiptarët e Shqipërisë e me të dytën ata të Kosovës e posaçërisht të Maqedonisë së Veriut. Thënë ndryshe, e përdorin për t’i veçuar shqiptarët e “qytetëruar” nga “ata të paqytetëruar.”
Çdokush me dy fije mend do ta kuptojë që kjo ndarje është krejtësisht jonormale në botën bashkëkohore, por ja që ekziston. Madje, mendoj se ekziston fuqishëm edhe ndër rininë maqedonase që shpesh gjejnë një fajtor të jashtëm te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për problemet e shtetit, si ato ekonomike e politike — prej të cilave, preken edhe shqiptarët, natyrisht.
Diçka e ngjashme ndodhi në vitin 2022 kur grupe kryesisht të djathta, por jo vetëm, protestuan kundër propozimit francez për zgjidhjen e kontestit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, i cili ndër tjera, parashihte përfshirjen e pakicave, përfshirë atë bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Midis thirrjeve tjera, në protesta u dëgjuan edhe thirrje si “смрт за шиптари” [vdekje shiptar-ëve] ose “добар шиптар, мртов шиптар” [shiptar-i i mirë është shiptar-i i vdekur].
E di, sjellje e çuditshme, por hajde merre vesh. Sigurisht që jo për të gjithë, por për shumë në shoqërinë maqedonase, shqiptarët në Maqedoni të Veriut janë qytetarë të dorës së dytë, njëfarë “problemi” që kërkon zgjidhje e jo një popullsi e shtetit, të cilët kanë të drejtë të njihen, të respektohen për atë që janë e të kenë qasje të barabartë në të drejtat e tyre.
Nga pasojat e këtyre ideologjive të nxitura edhe nga politikat nacionaliste të partive të mëdha maqedonase vuajmë ne, njerëzit e thjeshtë, të cilët dëshirojnë dhe kërkojnë barazi e jetë të dinjitetshme, pa u bërë pre e rrymave përjashtuese. Vuajmë sepse nuk konsiderohesh njeri, por shiptar – një person që mund të respektohesh sa për sy e faqe, por që kurrë nuk mund të pranohesh në mesin e tyre. Këtu është çasti i mirë për të shtuar që kjo ndjenjë nuk ekziston te çdo maqedonas, por po flas për një rrymë të fuqishme ideologjike, që vërehet në shumë aspekte — e kam vënë re nëpër shoqëri maqedonasish, nëpër taksistë e në profesorë universitarë.
Ndihesh i huaj në vendin tënd. Ndoshta kjo e shpjegon faktin se përse shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut që i kam pyetur, nuk ndiejnë dashuri për këtë shtet – e shohim më shumë si një përbindësh frankenshtajni sesa si vendin tonë. Kjo e bën shtetin ku jemi rritur të duket si një vend i përkohshëm deri sa të gjendet zgjidhje më e mirë; krijon përshtypjen se është njëfarë bashkimi i rëndomtë kombesh, kulturash e traditash, të cilat sikur s’mund të jetojnë bashkë.
“Maqedons” në Shqipëri
Sa herë futem në këto mendime mbi ardhmërinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e madje edhe kur më kap njëfarë nostalgjie romantike për kujtimet në Shqipëri, sikur më kumbon nëpër mend fjala “maqedons,” që e dëgjoja si fëmijë kur shkoja atje e që e dëgjova edhe së fundmi në Tiranë. Më pyetën “qenke maqedons?” e më thanë “ju maqedonsit andej jeni si më ndryshe.” Po, nënshtetësia ime është maqedonase dhe jam rritur në Maqedoni të Veriut, mirëpo për mua si për shumë shqiptarë si unë, është ofenduese kur termi “maqedonas” pëdoret për të na dalluar neve nga shqiptarët e tjerë, si “më pak të civilizuar e të prapambetur”.
Si fëmijë e kisha të vështirë ta kuptoja këtë jashtim, fundja çdo pushim veror e dimëror e kaloja në Shqipëri, e disi e ndieja si pjesë të pandashme timen: isha një shqiptar në mesin e shqiptarëve, por tash kuptoj që për shumë nga ata shqiptarë të Shqipërisë nuk isha “fiks shqiptar”.
Në një anë s’jemi mjaftueshëm shqiptarë, në tjetrën anë, nuk pranohemi si bashkëqytetarë. Më kujtohet se si, kur isha fëmijë e po tentoja të luaja me fëmijët në lagje, njëri më thirri me nënqeshje “maqedons, ik se s’luajmë me ty” ose një herë tjetër kur një mik i një kushëriri më tha “sa ekstremistë jeni ju maqedonsit” ose kur prapë një tjetër shok i një kushëriri më tha “çfarë janë këto tradita të frikshme dasmash te ju?”
Kështu, në “botën shqiptare” ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, gjendemi mes dy zjarreve. Vazhdojmë të mbetemi nën hije, vazhdojmë të jemi “të panjohur,” me “dialekte që s’janë cool si ato të Kosovës” e me tradita “primitive” a “shumë tradicionale”, siç më tha një herë një kushërirë nga Shqipëria.
Çfarë jam unë?
Gjithë këto përvoja më bëjnë të pyes veten: “Çfarë jemi ne atëherë? Çfarë jam unë?” Siç duket jo bash qytetar në Maqedoni të Veriut e jo mjaftueshëm shqiptar në mes të shqiptarëve tjerë.
Pastaj themi mes vete se “jemi shumë lokalista” — mbase jemi bërë kështu sepse qëndrimi i përgjithshëm ndaj nesh është i një popullsie dytësore, jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga vetë shqiptarët.
Ky përjashtim është bërë kaq i pranishëm sa rrezikon të përbrendësohet edhe nga vetë ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut apo të na e vë në pikëpyetje mënyrën se si e shohim veten. Besoj fort se kjo është arsyeja kryesore përse nganjëherë kur flasim mes vete për shqiptarët e vendeve të ndryshme ose për maqedonasit, e shohim veten si më inferiorë: besojmë se jemi më të pakulturuar, besojmë se jemi më pak intelektualë, besojmë se gjithçka që vjen nga Shqipëria ose nga maqedonasit është më e mirë se ajo që kemi ne. Besojmë se ne s’mund të bëjmë çfarë bëjnë ata; se ne s’mund të kemi dot çfarë kanë ata.
Por sigurisht që nuk është ashtu. Ne kemi nuanca e ngjyra të ndryshme si çdo komb i botës e kjo nuk është arsye për të na parë si më pak, përkundrazi, është arsye për t’u mahnitur me larminë e bukur e të madhe që kemi. Njëlloj, dallimet tona s’mund të shndërrohen në arsye për të na trajtuar si më pak se qytetarë në shtetin ku jemi rritur.
Është koha që, së pari të mos trajtohemi si popullsi dytësore e si “më pak shqiptarë” e së dyti, të refuzojmë këtë trajtim vazhdimisht, sepse përndryshe rrezikojmë të ngelemi produkt i rrymave e ndikimeve të gjithçkaje që na vjen përreth.
Duhet të mësojmë të jemi më pranues, më mendjegjerë, më të hapur. Duhet ta njohim më mirë njëri-tjetrin e veten, duhet t’i njohim më mirë ato që na bashkojnë dhe jo çfarë na ndan.
Unë jam shtetas i Maqedonisë së Veriut, qytetar i plotë i atij shteti, andaj m’u drejto si i tillë; jam shqiptar i Maqedonisë së Veriut, shqiptar siç janë shqiptarët tjerë, andaj m’u drejto si i tillë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla via MidJourney