Si të artikulohet etja e papritur për jetë, frika nga vdekja, çmenduria e pritjes për lajmet e së nesërmes kur e nesërmja është e paqartë? Si të artikulohen veprat e përditshme që na ngushëllojnë mes jetës dhe vdekjes?
Kur nuk arrinim t’i artikulonim këto gjëra, iu drejtoheshim atyre që mundnin dhe përpiqeshin: artistëve. Muzikës, shkrimeve, pikturave, poezive, zërave të tyre. Puna e tyre ka qenë dhe vazhdon të jetë shërim, qetësim, katarsis dhe ndonjëherë aq e dhimbshme sa vetë realiteti ku jetojmë. Por, a s’është kjo çfarë kërkojmë nga arti? Përgjigje. Pyetje. Një shprehje që na duket vështirë ta gjejmë brenda vetvetes.
Që nga ardhja e pandemisë COVID-19 në Kosovë, edhe artistët janë rropatur për mbijetesë. Me mbylljen e galerive dhe anulimin e ekspozitave dhe ngjarjeve kulturore në Kosovë e jashtë saj, ekspozitat ndërkombëtare dhe programet artistike ose nuk kanë ardhur në shprehje, ose janë shtyrë, janë anuluar, janë ritrajtësuar brenda sferës virtuale dhe thjesht s’është e njëjta gjë.
Ndonëse disa projekte kulturore kanë vazhduar përkundër të gjitha pengesave, përshtatja me rrethanat pandemike ka bërë që shumë artistë të mbesin pa të ardhura, pa kontakt me të dashurit e tyre dhe pa shkëmbimin e nevojshëm me të tjerët që ushqen punën. Që ushqen artin.
Në mesin e këtij skenari midis jetës dhe vdekjes që varet mbi kokat tona, i cili tashmë është ngërthyer me jetët tona të përditshme si aspekt i natyrshëm i së zakonshmes, disa artistë i janë drejtuar artit për t’i rënë në fije realitetit — ose deluzionit — në të cilin janë gjetur. Ringjallja e traumave të vjetra, përballja me mundësinë e vdekjes, mbijetesa në të përditshmen, qëmtimi i jetës në hollësitë e imta, ballafaqimi me vetminë e monotonisë së ngujimit dhe zgjedhja e jetesës para mbijetesës janë disa nga temat që artistët kanë derdhur në artin e tyre gjatë vitit të kaluar.
K2.0 ka folur me pesë artistë — muzikantin Liburn Jupolli, poeten Nora Prekazi, piktorin Rron Qena dhe artistët bashkëkohorë Driton Selmani dhe Doruntina Kastrati — për atë se si e kanë kaluar vitin e fundit. Po ashtu kemi parë nga afër disa nga veprat e prodhuara nga marsi 2020 e këtej që artikulojnë krizën dhe gjurmët e jetës brenda pandemisë.
Mbi mallin me Liburn Jupollin
Karantina e COVID-19 kishte zënë Liburn Jupollin, një ndër muzikantët më progresivë të Kosovës, në Francë, ku punonte për muzikën e një shfaqjeje të bazuar në tregimin “Ëndrra e një burri qesharak” të Fyodor Dostoyevsky-t, me aktorët Arben Bajraktari dhe Dennis Lavant dhe me regji të Simon Pitaqajt.
Në dramën e shkruar në vitin 1877, i nominuari për Çmimin César Lavant thotë një fjali për murtajat në historinë e njeriut, së cilës ia kishte shtuar koronavirusin në premierën e shfaqur në Paris vitin e kaluar; kjo nxiti publikun të qeshte, atëherë kur akoma kishte publik. “Ishte përdorim tepër katartik i situatës”, thotë Liburn Jupolli ndërsa pimë kafe në Prishtinë një vit më vonë, “askush s’e dinte se ç’ndodhte”.
Ngujimi u shpall në Francë më 16 mars dhe fillimisht u mbyllën shkollat e universitetet. Ishte fillimi i dy muajve të gjatë kur Jupolli u mbyll në Paris në banesën e një miku, ndërsa qeni dhe e dashura e tij ishin mijëra kilometra larg në Prishtinë. “Jetova gati tre muaj vetëm me laptop”, thotë Jupolli teksa rikujton jetën virtuale 24/7.
Karantinat dhe kufizimet e rrepta të udhëtimit në kontinentin evropian befasuan shumë njerëz, paçka se tanimë kishte paralajmërime nga Lindja. Çiftet dhe familjet papritmas u ndanë si pasojë e fikjes së motorëve të avionave dhe mbylles së kufijve. Jupolli kaloi dy muaj në Francë dhe një izolim tjetër të shkurtër në Zvicër para se të kthehej më në fund në Kosovë.
Ndryshe nga drama e Dostojevskit që shoqërohet nga muzika e tij, e cila tregon historinë e një burri që humb besimin në vlerën e botës dhe planifikon të vetëvritet, ngujimi larg nga shtëpia në Kosovë i ndolli Jupollit një ndjenjë të rëndë malli, një malli të pjellë nga dashuria.
“Kurrë nuk kam pasur më shumë mall për Kosovën sesa gjatë atyre tre muajve”, thotë ai tash.
Jupolli përjetoi një ngujim tejet të rreptë në Francë ku dilte vetëm për të blerë gjësende ushqimore, ndërsa në Zvicër ishte më i çlirët nën çatinë e një shoku familjar shqiptar në fshat.
“Për mua ka qenë kohë e zhvillimit, pranimit, riorganizimit dhe reflektimit, jo vetëm për mbijetesë por për vënien e gjërave në perspektivë për të ardhmen”.
I hutuar nga numri i vdekjeve dhe përkufizimi i pandemisë brenda shifrave në muajt e parë të vitit 2020, Jupolli flet për një pikëllim të rëndë që është vështirë të vihet përballë përmes një copëze muzikore që ende nuk ka marrë guximin ta shkruajë. Por ai thekson nevojën e dhënies së një përgjigjeje njerëzore në rrafshin artistik për atë që ka shkaktuar kjo ngjarje historike.
Jupolli, i cili njihet për dashurinë e tij ndaj eksperimentimit dhe novacionit, sheh këtë kohë si mundësi për të kontribuar në atë që e quan “shans për ta testuar të ardhmen”. Në art, pra, sipas tij kjo është, “mundësi për të kontribuar në këtë ndryshim që po e pëson industria kreative duke e mbajtur gjithashtu gjallë njerëzinë tonë brenda këtij sistemi”.
Ky ka qenë vit shumë i tendosur për Jupollin, me shumë punë për libra dhe bashkëpunime me artistë të tjerë. Por ndonëse ishte larg nga më të dashurit e tij gjatë një periudhe kur askush nuk e dinte sa do të zgjasë karantina; i bllokuar në Paris dhe Zvicër dhe i armatosur vetëm me një laptop për ta kanalizuar kreativitetin, krijimet më personale të Jupollit gjatë kësaj kohe si refugjat Kovidi dolën si këngë dashurie për të dashurën e tij. Është gjë njerëzore, në mos gjëja më njerëzore. “Për mua, e gjithë kjo ka buruar nga dashuria për njerëzit e mi, nga dashuria për jetën”.