Në shkurt të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) fitoi zgjedhjet parlamentare me një rezultat historik prej 50.2% të votave, një rezultat i pa arritur më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë prej pas shpalljes së pavarësisë. Platforma e tyre zgjedhore, që u fokusua fuqishëm në drejtësi dhe punësim, premtoi reforma të thella, përfshirë vettingun në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë, krijimin e vendeve të punës dhe luftën e pakompromis kundër korrupsionit.
Kjo mbështetje e madhe për LVV ishte kryesisht reagim ndaj dy dekadave të mëparshme të keqqeverisjes nga partitë tjera, dhe një vlerësim qytetar për premtimin e kësaj partie për një model tjetër qeverisjeje. Mirëpo, katër vjet pas këtij mandati, rezultatet konkrete nuk kanë përmbushur plotësisht premtimet dhe pritshmëritë fillestare për ndryshim substancial.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së një përmirësimi substancial në jetën e përditshme, mbështetja për LVV dhe udhëheqësin e saj, kryeministrin në dorëheqje, Albin Kurti, ka mbetur e qëndrueshme. Në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, LVV mori sërish shumicën e votave, prej 42%, që ndonëse shënon një rënie prej tetë pikë përqindjeje, sërish paraqet një rezultat jo të zakonshëm për partitë në vend.
Ky stabilitet mbështetjeje lidhet ngushtë me perceptimin qytetar se LVV-ja vazhdon të jetë një nga partitë më pak të korruptuara në vend. Përveç kësaj, një rol të rëndësishëm luan diaspora, e cila vazhdon ta shohë LVV-në si alternativën e vetme për ndryshim real në Kosovë. Gjithashtu, masa të caktuara sociale të qeverisë, si pagesat e disahershme prej 100 eurosh për familjet në nevojë, pensionistët/et, studentët/et, si dhe qasja që qeveria e ka pasur karshi veriut, janë parë pozitivisht nga një pjesë e qytetarëve/eve.
Kështu, performanca e qeverisë Kurti 2 (mars 2021–mars 2025) matet jo vetëm me numra dhe statistika, por edhe me perceptimin qytetar, i cili i jep asaj mbështetje të konsiderueshme, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së progresit domethënës në disa fusha kyçe. Megjithatë, pyetja thelbësore mbetet: a jeton më mirë qytetari/ja e Kosovës pas këtyre katër vitesh? Përgjigjja kërkon të dhëna konkrete që pasqyrojnë përvojën e përditshme ekonomike të qytetarit/es.
Përtej perceptimeve në të dhëna
A është gjendja ekonomike e qytetarëve/eve më e mirë sot? Qeveria Kurti 2 mori drejtimin e vendit në një situatë të brishtë, menjëherë pas pandemisë Covid-19, por përfitoi edhe nga një klimë e favorshme globale për rimëkëmbje ekonomike në periudhën pas vitit 2021. Kjo u reflektua me një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike prej 10.75%, më shumë si rezultat i hapjes post-pandemike, sesa falë ndonjë modeli të qëndrueshëm zhvillimor. Në vitet në vazhdim, rritja ekonomike u stabilizua në nivele më të zakonshme, me një mesatare rreth 4.2% gjatë periudhës 2022-2024.

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës
Por përtej këtyre numrave makroekonomikë, treguesit konkretë të mirëqenies, si paga mesatare, inflacioni dhe shpenzimet për ushqim, tregojnë një histori më komplekse për qytetarin.
Edhe pse paga mesatare neto u rrit në mënyrë të vazhdueshme nga 416 euro në vitin 2020 në 506 euro në vitin 2023, kjo rritje nominale nuk është përkthyer në një përmirësim real të standardit të jetesës, pasi qytetarët u përballën me një inflacion të lartë, që arriti kulmin në vitin 2022 me rritje dyshifrore, duke prekur rëndë fuqinë blerëse, sidomos për produktet bazike.
Në shkurt 2024, UNDP doli me të dhëna shqetësuese për ndikimin që inflacioni pati në ekonomitë familjare. Në vitin 2021, rreth 48% e familjeve shpenzonin 200 euro ose më shumë për ushqime, ndërsa në vitin 2023 kjo përqindje u rrit në 59.5%.

Burimi: UNDP, Shqyrtimi i dinamikës së varfërive përballë inflacionit: Dëshmi nga një anketë.
Rritja dramatike e pjesës së të ardhurave që shpenzohen për ushqim dhe pije jooalkoolike, nga 40% në 2018 në 55% në 2022, ilustron qartë se qytetarët nuk janë domosdoshmërisht më mirë, edhe pse marrin paga nominalisht më të larta. Rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore iu shtua edhe kostoja shtesë si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike për tri vite me radhë, së fundmi në prill të këtij viti me rritje prej 16.1%.
Për shumë familje, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta, barra ekonomike është shtuar, duke treguar se politikave të qeverisë për rritje pagash u ka munguar një mbështetje reale për mbrojtjen e fuqisë blerëse, siç mund të ishin indeksimi i përfitimeve sociale apo heqja e TVSH mbi produktet esenciale.
A janë ndërmarrë hapa konkretë për të nxitur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm? Mungesa e ndërhyrjeve strukturore në ekonomi mund të lexohet në rritjen e bilancit tregtar, i cili vazhdon të jetë thellësisht negativ, duke reflektuar varësinë e madhe të ekonomisë nga importet. Deficiti tregtar është rritur nga -3.1 miliardë euro në vitin 2019 në -5.39 miliardë në vitin 2024.
Investimet e huaja direkte (IHD) kanë qenë një prej treguesve më pozitivë gjatë këtij mandati, duke u rritur ndjeshëm nga 345.7 milionë euro në 2020 në mbi 856 milionë euro në vitin 2024. Ky dyfishim i IHD mund të lexohet si një shenjë e stabilitetit politik dhe përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, megjithatë pjesa më e madhe e këtyre investimeve mbetet e përqendruar në pasuri të paluajtshme, jo në sektorë që krijojnë vende pune dhe stimulojnë ekonominë në terma afatgjatë.
Përkundër rritjes së numrit të ndërmarrjeve aktive, nga 37,000 në 2019 në mbi 52,000 në 2024, ekonomia informale vazhdon të mbetet shqetësuese, me një përqindje të lartë prej 28.5% në vitin 2023, nga 31.7% sa ishte me 2015. Kjo tregon se një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik ndodh jashtë sistemit fiskal dhe ligjor, duke ndikuar negativisht në të ardhurat publike dhe konkurrencën e drejtë.
Struktura e ekonomisë kosovare mbetet e brishtë dhe me varësi të larta nga importet, remitancat, dhe investimet të huaja në sektorë që nuk nxisin aktivitet ekonomik Megjithëse qeveria Kurti 2 ka arritur të stabilizojë disa tregues ekonomikë, pa ndërhyrje më të thella strukturore, këto arritje mund të jenë të përkohshme.
Një ndër treguesit më të rëndësishëm për qytetarët është papunësia, aty ku Qeveria Kurti 2 ka pretenduar për arritje të mëdha. Të dhënat zyrtare në fakt tregojnë për një rënie të konsiderueshme të papunësisë, nga 25.9% në vitin 2020 në 10.9% në vitin 2023. Kjo paraqet një sukses të dukshëm dhe është ndër fushat e pakta ku një përmirësim numerik është evident.
Por, a jemi më të përgatitur për tregun e punës? Përtej shifrave të përgjithshme, një segment kritik është ai i të rinjve e të rejave, që nuk janë as në arsim, as në punësim e as në trajnim (NEET). Kjo kategori, indikator i pasivitetit social dhe ekonomik të të rinjve, ka mbetur në nivele alarmante dhe thuajse të pandryshuara, rreth 33% nga viti 2020 me një rënie të vogël në 30.3% në tremujorin e dytë të vitit 2024. Kjo tregon se një pjesë e madhe e të rinjve e të rejave vazhdojnë të mbeten jashtë cikleve të aktivitetit ekonomik dhe formimit profesional.
Ndërkohë, numri i studentëve/eve në arsimin e lartë publik dhe privat ka pësuar një rënie drastike, nga 104,000 në vitin 2019 në rreth 71,000 në vitin 2024. Kjo rënie, veçanërisht në universitetet publike, mund të interpretohet si pasojë e shkurajimit të të rinjve me programe që nuk përputhen me kërkesat e tregut të punës. Përkundër se qeveria Kurti 2 liroi nga pagesa studentët e universiteteve publike, kjo masë duket se nuk ka bindur shumë për të vazhduar studimet.
Financimi publik për arsimin ka rënë si përqindje e BPV-së: nga 4.6% në vitin 2020 dhe 4.1% vitin 2021, në vetëm 3.2% në 2023, kurse me parashikimet per rritjen e BPV për 2025 dhe me ndarjen e buxhetit per arsim, shpenzimet në këtë fushë nuk pritet të kalojnë 3.98%. Kjo tregon se arsimi nuk është shoqëruar me një trajtim buxhetor që reflekton nevojën për cilësi apo transformim.
Një nga të vetmit tregues pozitivë është një rritje modeste e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe arsim parashkollor, nga 32,000 në 2019 në afro 33,000 në vitin 2024. Progresi mbetet minimal marrë për bazë përfshirjen e ulët ekzistuese të fëmijëve në edukim të hershëm. Qeveria Kurti 2 kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, gjë që do ta rriste shtrirjen e shkollimit të hershëm nga 7% në 24% për fëmijët deri në pesë vjeç. Por deri në vitin e fundit qeverisës, u ndërtuan vetëm katër çerdhe dhe vetëm 8.9% e fëmijëve nën pesë vjeç ishin të pjesë e shkollimit të hershëm.
Ndërkohë, rezultatet e nxënësve kosovarë në testin PISA për vitin 2022 kanë shënuar regres në krahasim me vitin 2018, sidomos në lexim, matematikë dhe shkencë.

Burimi: OECD
A kemi infrastrukturë më të mirë? Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për katër vjet mandat është shtuar vetëm 1.6 kilometër rrugë. Qeveria Kurti 2 e ka marrë menaxhimin e shtetit territori i së cilës kishte 2,432,40 kilometra rruge në vitin 2021 dhe e ka çuar në 2,434 në vitin 2024. Funksionalizimi i rrugëve të reja ka stagnuar.
Në korrik të vitit 2023, kryeministri Kurti shkroi në llogarinë e tij sociale në Facebook se autostrada Prishtinë—Gjilan do të hapet brenda vitit. Por gati dy vite më vonë as nuk përmendet një datë se kur mund të lëshohet kjo autostradë për qarkullim. Në një rast tjetër, ura 38-metërshe që kalon mbi një skaj me ujë të liqenit të Badovcit u mbyll për qarkullim më 19 janar 2022, por u përfundua vetëm në ditën e fundit të dhjetorit 2024, pas gati dy vitesh.
Me marrjen e mandatit, qeveria Kurti 2 ndaloi punimet në autostradën Prishtinë—Pejë, për t’i rifilluar ato krejt në fund të mandatit pa ofruar një datë të saktë se kur mund të përfundohen. Rruga që lidh Klinën me Gjakovën ka mbetur ende në gjendje të njëjtë, ashtu siç vazhdojnë tash e shumë vjet punimet në autostradat për Mitrovicë dhe Podujevë.
A marrim frymë më lehtë? Në fillim të mandatit të qeverisë Kurti 2 në vitin 2021, Kosova trashëgoi një situatë sfiduese mjedisore, por deri në vitin 2024, pak përparim real është bërë përtej hartimit të dokumenteve strategjike. Shumë nga treguesit kryesorë kanë mbetur në vendnumëro ose janë përkeqësuar.
Në vitin 2024, 80.3% e veturave në qarkullim në Kosovë janë mbi 10 vjet të vjetra. Krahas faktit që mbi 92% e tyre përdorin naftë apo benzinë, komunikacioni mbetet një prej kontribuuesve kryesorë të ndotjes së ajrit. Kjo reflektohet edhe në emetimet e metanit në zonat urbane, ku Kosova ka mbajtur, për vite rresht, vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nivelin më të lartë për banor, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore.
Pasojat e ndotjes janë të prekshme. Rastet e infeksioneve të traktit të poshtëm respirator janë rritur nga 8,900 në vitin 2021 në 17,650 në vitin 2024, duke u dyfishuar brenda tre vjetëve. UNICEF paralajmëron se rritja e ndotjes me grimca të imëta ndotëse rrit vdekshmërinë e fëmijëve nën moshën pesë vjeç me 10%, duke e bërë deri në 300% më të lartë në krahasim me zonat me ajër të pastër.
Edhe pse shteti grumbullon çdo vit qindra milionë euro përmes taksave mjedisore, përkushtimi financiar për mbrojtjen e mjedisit është minimal. Në vitin 2021, janë mbledhur mbi 330 milionë euro nga taksat mjedisore, ndërsa, për mbrojtjen e mjedisit janë shpenzuar vetëm 9.5 milionë euro. Në vitin 2024, të hyrat arritën në 340 milionë euro, por shpenzimet mbetën të pandryshuara, vetëm 7.9 milionë euro. Pra, për çdo 100 euro të mbledhura, vetëm 2 euro shkojnë për mjedisin.
Në menaxhimin e mbeturinave, Kosova vazhdon të qëndrojë në fund të listës evropiane, duke ricikluar vetëm 2.5% të mbetjeve të riciklueshme. Ndërsa numri i deponive ilegale ka rënë nga 763 në vitin 2021 në 746 në vitin 2023, progresi mbetet simbolik dhe i ngadalshëm, me shumë komuna që ende nuk kanë sisteme efikase të menaxhimit të mbeturinave.
Përkundër premtimeve për tranzicion të gjelbër dhe përfshirjes së objektivave klimatikë në dokumente politike, nuk ka pasur përmirësim të dukshëm në cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave apo mbrojtjen e pyjeve. Mjedisi vazhdon të mbetet një nga sektorët, ku është investuar më së paku, pavarësisht ndikimit të tij të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Çfarë do të thotë sukses në qeverisje?
Të dhënat e paraqitura më lartë ofrojnë një pasqyrë të qartë të mungesës së progresit në terren. Ato tregojnë mungesën e përmirësimeve strukturore në strukturën ekonomike, arsim, mjedis dhe infrastrukturë, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të inflacionit në jetën e përditshme të qytetarëve. Të dhënat janë qenësore për të matur përparimin real e jo vetëm për të ndërtuar narrativa politike. Në këtë shkrim janë përmendur vetëm të dhënat që lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve/eve, por pasqyrë më të mirë nuk paraqesin as të dhënat sa i përket njohjeve të siguruara të shtetësisë së Kosovës, reformat në shëndetësi apo digjitalizimin e shërbimeve.
Megjithatë, duket se edhe statistikat më të sakta nuk mjaftojnë për të ndryshuar vlerësimin e përgjithshëm publik. Për votuesit, më shumë çon peshë perceptimi i tyre sesa indekset makroekonomike. Kjo ndodh sepse statistikat, përkundër rëndësisë së tyre, nuk prekin menjëherë emocionin, përditshmërinë apo aspiratat individuale.
Kjo mund të dëshmohet edhe me çështjet që ndikuan në votën e qytetarëve më 9 shkurt. Pasi u mbyllën kutitë e votimit, më 9 shkurt, në TV Dukagjini, u publikua Exit Poll-i i realizuar nga UBO Consulting. Kur kjo kompani kishte pyetur respodentët/et se çka kishte ndikuar në votën e tyre, tri arsyet më të rëndësishme dolën ekonomia/punësimi (25.3%), lufta kundër korrupsionit (20.3%) dhe siguria (11.9%). Shëndetësia, arsimi dhe inflacioni — si çështje që ndikojnë më së shumti në përditshmërinë e qytetarëve, pos ekonomisë — ishin pothuajse në fund të listës së çështjeve që përcaktuan votën e tyre, respektivisht 6,3%, 5.6% dhe 3.8%.
Andaj, matja e suksesit të një qeverie mbetet një proces kompleks, mes statistikave të ftohta dhe përjetimeve të ngrohta, mes të të dhënave të matshme dhe besimit të pakushtëzuar. Dhe midis këtyre dy botëve duhet të zhvillohet edhe debati publik.
Shënim i redaksisë 2 maj 2025:
Në versionin origjinal të artikullit shkruhej gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti 2 nuk është shtuar asnjë metër rrugë lokale, regjionale apo ndërkombëtare, duke thënë se rrjeti rrugor i Kosovës ka mbetur në 2,385 kilometra nga viti 2021 deri në prill 2025. Megjithatë, të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë një rritje të vogël prej 1.6 kilometrash mes vitit 2021 dhe 2024, ndërsa nuk ka të dhëna për vitin 2025. Versioni aktual reflekton të dhënat e sakta.
Imazhi i ballinës: Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.