Biseda | Transparencë

Mexhide Demolli-Nimani: Institucionet duhet të dënohen për mosrespektim të ligjit

Nga - 23.12.2018

Drejtorja e organizatës joqeveritare Lëvizja FOL flet për mungesën e transparencës së institucioneve dhe betejën e qytetarëve për qasje në informacion të garantuar me ligj.

Në 10 vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një numër investimesh kapitale infrastrukturore. Fatkeqësisht, ajo cfarë shumica e këtyre projekteve kanë të përbashkët është mungesa e transparencës institucionale.

Në mesin e tyre, është kontrata e të ashtuqujturës Rruga e Kombit “Ibrahim Rugova”, që lidh Kosovën me Shqipërinë, e ndërtuar nga konsorciumi amerikano-turk, Bechtel-Enka. Kontrata mbetet e mbyllur nga qeveria e Kosovës, dhe çmimi total i projektit asnjëherë nuk është bërë publik.

Që nga fillimi i ndërtimit më 2010, organizata jo-qeveritare Lëvizja FOL, si shumë OJQ të tjera, kishin këmbëngulur në të drejtën e publikut për të parë kontratën që paguhet nga paratë e taksapaguesve. Por, FOL-i e çoi edhe disa hapa më tej.

Fillimisht ata kërkuan qasje në kontratën dhe dosjen e tenderit për këtë autostradë duke u thirrë në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Pasi Ministria i rezistoi kërkesës, FOL ushtroi padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, instancë e cila konfirmoi shkeljen e ligjit dhe urdhëroi ministrinë që të bënte publike dokumentet. Por, ministria shfrytëzoi të drejtën për të apeluar vendimin në mars 2018 dhe që atëherë, vendimi ka mbetë për t’u marrë në Gjykatën e Apelit.

E ndërkohë, janë bërë tetë vite që kur FOL-i filloi gjithë këtë proces, e ende është në pritje të përgjigjes.

Në përgjithësi, institucionet e Kosovës, duke përfshirë ato të nivelit më të lartë qeveritar, nuk ngurrojnë të shkelin Ligjin për Qasje në Dokumente Publike duke refuzuar të ofrojnë dokumente të kërkuara, apo duke lejuar vetëm qasje të pjesshme në to.

Ligji i ri për qasje në dokumente publike është përpiluar më 2017 me idenë e përmirësimit dhe adresimit të zbrazëtirava ligjore. Përderisa ligji pritet të kalojë në Kuvend vitin e ardhshëm, OJQ-të sikurse FOL-i tërheqin vëmendjen tek të metat që përmban edhe verzioni i ri.

Si OJQ që vepron nga viti 2008, FOL-i është e angazhuar në përmirësimin e situatës rreth qasjes në informacion, përkatësisht në dokumente të hartuara nga zyrtarët e administratës publike. Drejtorja e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, thotë që fshehja e informatave jo vetëm që përbën shkelje të ligjit, por bart në vete pasoja të vazhdueshme pasi që shpesh projektet e institucioneve përmbajnë parregullsi që mund të parandalohen me hapjen e dokumenteve.

Në këtë intervistë rreth barrierave për qasje në të dhëna publike, K2.0 ka biseduar me Mexhide Demolli-Nimanin për funksionimin e mekanizmave mbikëqyrës, mendimet esaj rreth ligjit të ri që mund të miratohet në Kuvendin e Kosovës së shpejti, për mungesën e transparencës institucionale në përgjithësi, si dhe për atë se çfarë do të thotë të ndërmarrësh betejë ligjore me qeverinë.

Mexhide Demolli-Nimani është drejtore e Lëvizjes FOL, një organizatë joqeveritare me bazë në Prishtinë që fokusohet në luftën ndaj korrupsionit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Foto: Besarta Bresnica / K2.0.

K2.0: Shoqëria civile, mediat dhe individët janë në betejë të vazhdueshme me institucionet në luftën për qasje në informacion. Cila është sfida më e re me të cilën po përballet Lëvizja FOL në këtë aspekt?

Mexhide Demolli-Nimani: Lëvizja FOL ka filluar monitorimin e procesit të tenderimit dhe të zhvillimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë prej muajit gusht të këtij viti. Pavarësisht që kontratat me kompanitë na janë dhënë, ne kemi dashur të kemi qasje në dosjen komplete, kërkesë e cila na ishte refuzuar më 2017 me arsyetimin që lënda është në Organin Shqyrtues të Prokurimit [OSHP]. Pas rikthimit në rivlerësim prej OSHP-së ka filluar sërish procesi dhe sërish ka pasur palë të pakënaqura.

E rëndësishme është që të gjitha kontratat janë nënshkruar me tetë kompani të ndryshme për ndërtimin e autostradës që është ndarë në tetë llote dhe ne e kemi përsëritur kërkesën në Ministrinë e Infrastrukturës për të pasur qasje në tërë dosjen e tenderit. Në kërkesën e përsëritur nuk janë përgjigjur në asnjë email dhe pas kalimit të afatit ligjor kemi bërë ankesë të Avokati i Popullit [më 13 gusht 2018], i cili e ka dërguar një shkresë në Ministrinë e Infrastrukturës, por as ata deri më tash nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkohë, përmes një debati në televizion [në emisionin Betimi për Drejtësi të datës 22 shtator 2018], mua më sheh zyrtari i prokurorimit tek i cili kemi dërguar kërkesën, derisa unë e shpjegoj edhe një herë që na është refuzu kërkesa pasi që ligji e specifikon që nëse institucioni nuk përgjigjet kërkesa llogaritet të jetë refuzuar. Ai më fton të nesërmen në takim edhe më thotë që do t’i marrim të gjitha dokumentet e kërkuara, gjë që nuk ka ndodhur pasi që nuk na është dhënë plani i menaxhimit të kontratës përmes të cilit ne mund ta monitorojmë mbarëvajtjen e punimeve në autostradë siç është paraparë në tenderë.

Keni bërë edhe një kërkesë tjetër që lidhet me projektin për të njëjtën autostradë?

Po, kemi kërkuar ta shohim planin e prokurorimit publik që e bën secila ministri çdo vit, përkatësisht kemi kërkuar [më 1 tetor 2018] planin e prokurimit të ministrisë së Infrastrukturës. Përmes këtij plani do të mund të shihnim se kur është paraparë ndërtimi i autostradës, domethënë mund ta dimë nëse ministria e ka pasur në plan më herët apo projekti thjesht ka ardhur si rezultat i fushatave zgjedhore. Fakti që nuk na është lejuar qasje në dokumente na lë të kuptojmë që projekti i autostradës ka qenë ad-hoc si rezultat i fushatës elektorale, më shumë se sa që ishte menduar e ideuar me kohë.

Shpronësimi është parë gjithnjë si çështje problematike për shkak të mundësisë për keqpërdorime nga njerëz të lidhur me politikën, të cilët tentojnë t’i blejnë parcelat përgjatë traseve të autostradave me çmim të ulët, në mënyrë që pastaj të përfitojnë më shumë nga shteti përmes shpronësimit. Dyshimet të ngjashme e kanë përcjellë gati secilin projekt të madh infrastrukturor. Si qëndron ky aspekt në autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë?

Fatkeqësisht ministria nuk na ka dhënë dokumentet se ku do të kalojë traseja e autostradës. Kjo na bën të dyshojmë që politika mund ta devijojë apo ta ndryshojë trasenë e autostradës varësisht prej interesave, madje kemi vërejtur që ka ndryshim të pronarëve të parcelave nëpër fshatra përgjatë rrugës ku parashihet të kalojë autostrada. Kjo nuk duket e rastësishme, duket që dikush i ka nuhatë këto gjëra më herët, kanë shkuar dhe kanë blerë parcela të tokës prej banorëve me një vlerë shumë më të vogël se që pritet të marrin nga shteti përmes shpronësimit.

Për këtë arsye ne kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave dhe kemi kërkuar t’i shohim kodet e parcelave dhe çmimin e vlerësimit për secilën parcelë. Zyrtarët e ministrisë së Financave hezituan të plotësojnë kërkesën duke thënë që në listën e parcelave gjenden edhe emrat e pronarëve të tyre. Megjithëse neve nuk na interesonin emrat e pronarëve, përgjigja negative erdhi pas dy ditësh me arsyetimin banal kinse rrezikohet siguria publike dhe cenohet e drejta private e subjekteve të përfshira.

Ne këtë arsyetim e kemi vlerësuar të pamjaftueshëm dhe dje [22 nëntor] kemi dërguar ankesë te Avokati i Popullit.

Keni dyshime që mund të ketë keqpërdorime në procesin e shpronësimit të pronave përgjatë trasesë së autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë?

Përmes kërkesave për qasje në dokumente kemi dashur të dimë se me çfarë kriteri dhe çmimi janë vlerësuar parcelat e tokës përgjatë trasesë së autostradës. Nga ana e rrugës në Lipjan në përgjithësi ka toka bujqësore, kurse ana e autostradës që shtrihet përgjatë Gjilanit është më shumë terren kodrinor, pra terren më pak i banuar krahasuar me Lipjanin ku shtrihen disa fshatra.

Ne i kemi vizituar vendpunishtet në terren dhe kemi kontaktuar banorët, të cilët kanë treguar që ka pasur raste kur parcelat e tokës në ato zona janë shitur para se të fillojë procesi i shpronësimit. Ka dyshime të forta që vlerësimet në procesin e shpronësimit të tokave nuk janë reale. Dyshimet janë shtuar kur kemi kuptuar që shpronësimi ka filluar pasi kanë filluar ndërtimi i rrugës në fakt do të duhej të ndodhte e kundërta.

"Ne kemi besuar dhe ende besojmë që do ta fitojmë rastin [për autostradën Ibrahim Rugova] dhe do t'i marrim dokumentet, përkundër vonesave".

Si pasojë e vonesës në procesin e shpronësimit kompanitë kanë ngecë në punime dhe kjo mund të çojë në penallti, ashtu siç kishte ndodhur me Bechtel-Enkën në rastin e autostradës “Arbën Xhaferi” [Qeveria e Kosovës ishte detyruar të paguante një dënim në vlerë prej 53.4 milionë eurosh për shkak të zgjatjes së afatit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit]. Banorët e zonave ku do të kalojë traseja e autostradës Prishtinë-Dheu i Bardhë nuk kanë qenë mjaftueshëm të informuar për procedurën dhe çmimin e shpronësimit dhe ka pasur raste kur ata vet kanë intervenuar për t’i ndalur kompanitë gjatë punimeve në rrugë.

Një ditë gjatë një vizite në një nga këto komuna, një zyrtar shprehu hapur dyshimet e tij se blerja sporadike dhe pa qëllim investimi nga qytetarët në zonat ku gjenden fshatra apo në periferi të qyteteve ngreh dyshime për keqpërdorime.

Është e qartë që kërkuesit e informatave kanë nevojë për mbështetje përballë institucioneve. Sa janë funksionalë mekanizmat që duhet t’u bëjnë presion institucioneve që refuzojnë të lejojnë qasje në dokumente publike?

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka më shumë fuqi se sa të japë një rekomandim përmes të cilit udhëzon institucionin të plotësojë kërkesën për qasje në dokumente. Institucionet do të duhej të ishin më të ndërgjegjshme dhe të përparonin në këtë drejtim, pasi që vonesat apo përgjigjet negative neve na shkaktojnë shumë telashe, pasi që hulumtimet dhe puna jonë bazohet në informatat që ne i marrim në dokumente publike.

Ne në proces e kemi edhe rastin me autostradën Ibrahim Rugova ku procedura ligjore tashmë ka zgjatur tetë vite, pavarësisht vendimit në favorin tonë nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Lënda tashmë gjendet që gjashtë muaj në Gjykatën e Apelit, pasi ministria e kishte shfrytëzuar të drejtën për të apeluar vendimin e Themelores brenda 15 ditësh [Lëvizja FOL kishte kërkuar qasje në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare, që ishte emëruar “Ibrahim Rugova”. Pas refuzimit të Ministrisë së Infrastrukturës, FOL kishte dërguar rastin në Gjykatën Themelore, e cila kishte vendosur që Ministria ka shkelur Ligjin dhe kishte urdhëruar dhënien e dokumenteve. Rasti është ende në procedurë në Gjykatën e Apelit, ku Ministria ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore].

Ne kemi besuar dhe ende besojmë që do ta fitojmë rastin [e autostradës “Ibrahim Rugova”] dhe do t’i shohim dokumentet, pavarësisht tejzgjatjes kohore. Edhe po të kalojnë më shumë se 10 vite, parregullsitë në secilin projekt duhet të dalin në shesh dhe ne mendojmë që vendimi i Gjykatës në favorin tonë mund të bëjë që institucionet të vetëdijësohen dhe të mendojmë më mirë para se të refuzojnë kërkesa të tjera për dokumente.

Kemi frikë që zgjatja përtej çdo kriteri kohor të kërkesës sonë për qasje në kontratën për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova” në Gjykatën Themelore dhe tash në Gjykatën e Apelit do të ndikojë që organizatat tjera të ngurrojnë të bëjnë kërkesa të ngjashme për qasje në dokumente dhe në përgjithësi në informata.

Organizatat, mediat dhe individët në përgjithësi mund të dekurajohen nga fakti që një kërkesë e thjeshtë për qasje në dokumente ka zgjatur proceduralisht më shumë se tetë vite.

A i bie kjo që organizatat si ju dhe të tjerët që kërkojnë qasje në dokumente në shumicën e rasteve janë në mëshirën e institucioneve, të cilat vendosin pa frikë të mos hapin dokumentet për qytetarët?

Përgjatë punës tonë kemi pasur rastin të bëjmë shumë fushata vetëdijësuese për qasjen në informata, prandaj kemi parë nga afër problemet. Kam pasur rast me një projekt kur kemi formuluar kërkesa për qasje në dokumente për qytetarët, pra kemi qenë lidhja mes qytetarëve dhe institucioneve.

Në një rast në Gjakovë [më 14 shtator 2012], pasi patëm mbledhur 15 kërkesa për informata të shkruara nga qytetarët, kemi shkuar për t’i deponuar kërkesat në Komunë, mirëpo zyrtari i caktuar nuk guxonte apo nuk donte t’i pranonte kërkesat, me arsyetimin se këtë nuk mund ta bëjë pa lejen e nënkryetarit të Komunës. Kjo ka ndodhur kur kryetar i Komunës ishte Pal Lekaj.

Më pas, nënkryetari më fton në zyrë dhe ne ia japim kërkesat të cilat ishin shkruar nga qytetarët në një formular që ne e patëm dizajnuar.

Ai i shikonte kërkesat, i lexonte emrat e qytetarëve që kishin plotësuar kërkesat dhe i përqeshte, për shembull e shihte emrin e një personi që e njihte dhe e përqeshte kërkesën dhe faktin që qytetari donte informata nga komuna. Zyrtari nuk ka asnjë të drejtë të veprojë ashtu dhe ishte e dhimbshme të shihet në çfarë niveli janë disa zyrtarë dhe sidomos që në këtë rast bëhej fjalë për nënkryetarin e Komunës.

"Ekziston një tendencë e institucioneve që të lejojnë qasje në dokumente të rëndësisë së ulët apo të japin përgjigje të pjesshme në kërkesat tona".

Institucionet kanë edhe mangësi të natyrës teknike, ta zëmë shumë institucione nuk sigurohen të mbikëqyrin funksionimin e email adresave apo të formave të tjera të komunikimit apo dështime të tjera me sistemin elektronik.

Është e rëndësishme që punëtorët e administratës të jenë të aftë profesionalisht – të njohin në imtësi ligjet, rregulloret dhe praktikat e institucionit, në mënyrë që të trajtohen si duhet kërkesat për informacione? Si qëndron administrata në këtë drejtim?

Zyra e Kryeministrit e përpilon një dokument që quhet Raporti Gjithëpërfshirës, ku regjistrohen të gjitha kërkesat për qasje në dokumente të pranuara brenda një viti. Rrjedhimisht, aty listohen edhe zyrtarët e komunave dhe institucioneve të ndryshme që janë përgjegjës për të trajtuar kërkesat për qasje në dokumente.

Duke qenë që shpesh kemi telashe të vendosim kontakt me zyrtarët apo të identifikojmë se kush janë ata, ne shpesh përdorim Raportin Gjithëpërfshirës për të gjetur se cili zyrtar është përgjegjës në një institucion, pra një mënyrë e pazakonshme për të gjetur zyrtarët adekuatë me të cilët duhet të punojmë. Por, qytetarët e zakonshëm nuk e dinë që ekziston një raport i tillë dhe ata e kanë më të vështirë të kontaktojnë zyrtarët përgjegjës.

Sipas jush, sa po ndikon puna juaj, e organizatave të tjera dhe individëve që institucionet të evoluojnë dhe të përmirësohen në aspektin e qasjes në të dhëna publike?

Sërish po flas për tenderë për shkak të aktivitetit tonë dhe të rëndësisë që kanë. Ekziston tendenca që institucionet të lejojnë qasje në dokumente të rëndësisë së ulët apo të japin përgjigje të pjesshme ndaj kërkesës. Ta zëmë për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, neve na është lejuar qasje në kontrata që proceduralisht kanë qenë në rregull, por nuk na është dhënë, siç e përmenda më parë, qasje në planin për menaxhimin e kontratës.

Në një kontratë që e kemi parë, njëra nga kompanitë e angazhuara ka paraparë që punimet të përfundojnë në një periudhë prej 30 muajsh të ditëve të punës, ndërsa në kohëzgjatjen e punimeve të autostradës thuhet që autostrada do të përfundojë brenda 30 muajsh. Diferenca mes 30 muajsh dhe vetëm ditëve të punës brenda atyre 30 muajve është e madhe dhe kjo mund të çojë në zgjatjen e kohës së punimeve. Për ta monitoruar nëse një gjë e tillë do të ndodhte, neve na duhet plani i menaxhimit të kontratës, dokument që nuk na është dhënë.

Lëvizja FOL ka luftuar në tetë vitet e fundit për qasje në dokumente  që tregojnë detajet për ndërtimin e autostradës Ibrahim Rugova. Përkundër vonesave, Demolli-Nimani thotë që ata planifikojnë të vazhdojnë të kërkojnë këtë të drejtë. Foto: Besarta Bresnica / K2.0.

Si e vlerësoni Projektligjin për Qasje në Dokumente që është në procedurë? Si do t’i përmirësojë ky ligj mekanizmat që mbikëqyrin zbatimin e ligjit, kur e dimë që në draft parashihet formimi i një komisioneri që do të merrej me kërkesat për qasje, paralelisht me Avokatin e Popullit?

Të ligji kemi dilema pasi që parashihet krijimi i Komisionerit në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi [Formimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, të cilën e udhëheqë Komisioneri, parashihet me projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që është miratuar në shqyrtim të parë nga Kuvendi në shtator]. Komisioneri parashihet që të përkujdeset për mbrojtjen e të dhënave personale dhe në të njëjtën kohë do të vendosë se cilat dokumente mund të bëhen publike e cilat jo. Do të duhej të ketë ndonjë mekanizëm tjetër, por assesi nuk duhet të ndodhë që i njëjti person apo institucion të sigurojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe t’u përgjigjet kërkesave për qasje në dokumente, në të njëjtën kohë.

Formimi i Komisionerit është marrë shembull nga vendet e rajonit dhe është e vërtetë që një mekanizëm i tillë ekziston në vendet fqinje. Por vija mes të drejtës për t’u informuar dhe mbrojtjes së privatësisë është shumë e hollë.

Pra, ju keni frikë që Komisioneri do ta shfrytëzojë arsyetimin e mbrojtjes së privatësisë për të refuzuar kërkesat për qasje në dokumente?

Duke parë se si shkojnë gjërat në Kosovë kemi frikë që Komisioneri nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë dallim si duhet. Do të duhej të vendoset dikush me integritet dhe profesionalizëm të lartë në krye të atij institucioni që do të duhej të dinte ta bënte dallimin në mes të privatësisë së subjekteve dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Këtu pastaj vjen në shprehje edhe deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve publikë.

Edhe refuzimi që kemi marrë ne nga ministria e Infrastrukturës për kontratën e autostradës Ibrahim Rugova është bërë në bazë të arsyetimit se publikimi rrezikon konfidencialitetin e subjektit biznesor. Mirëpo ne nuk duam të shohim sa para ka në xhirollogari kompania Bechtel-Enka, por duam të shohim se sa është paguar për projektin rrugor nga paratë e popullit të Kosovës.

Kështu ndodhi edhe me penalltinë prej 53 milionë eurosh që Qeveria ia pagoi Bechtel-Enkës, askush ende nuk është informuar se si erdhi dënimi [“Bechtel-Enka” në nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri duke kërkuar 63 milionë euro shtesë nga pagesa bazë për shkak që sipas tyre afati i kryerjes së punimeve ishte zgjatur nga qeveria për rreth një vit. Për shpenzimet për mbajtjen e personelit menaxhues të nevojshëm për administrimin e projektit, “Bechtel” kërkoi 16.6 milionë euro, për pajisjet të cilat do të duhej të përdoreshin gjatë kësaj periudhe kërkoi 30.8 milionë euro, ndërsa 10 milionë euro tjera për ndërprerjet e shkaktuara gjatë periudhës 2014-2017. Pas negociimit, palët u dakorduan për shumën 53.4 milionë euro]. Thënë në përgjithësi, kemi frikë se Komisioneri do ta vështirësojë qasjen në informacion.

Projektligji parasheh edhe shqiptimin e gjobave për shkelësit e ligjit. A pajtoheni me këtë?

Pajtohemi që institucionet duhet të dënohen për mosrespektim të ligjit, pavarësisht se ato para edhe ashtu janë tonat, janë para publike. Mirëpo shpresojmë që dënimet mund të sjellin vetëdijësim meqenëse mekanizmat tjerë nuk po funksionojnë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është kryer në gjuhën shqipe

Foto kryesore: Foto: Besarta Breznica / K2.0.