Natyrisht, viti 2020 do të mbahet mend për pandeminë — për frikat dhe paqartësinë, ngujimet dhe masat shtrënguese, si dhe konfliktet e vështirësitë personale që kemi tejkaluar ndërsa jemi përpjekur të pajtohemi me mungesën e imponuar të lirive.
Megjithatë, as në kohë të këtilla, rebelët e rajonit nuk janë strukur në heshtje.
Ata kanë refuzuar të heqin dorë nga protesta ose ngritja e zërit në publik, nga luftërat ligjore ose mënyrat e ndryshme të ushtrimit të demokracisë në praktikë — nga beteja për të drejtat dhe liritë e të gjithëve. Të patrembur, ata kanë vazhduar t’i sfidojnë njerëzit në pushtet duke kërkuar llogari dhe mbi të gjitha ndryshim.
Për të ditur më shumë se çfarë motivon qytetarët e rajonit të dalin në ballë të luftës kundër padrejtësive të ndryshme, K2.0 ka identifikuar gjashtë rebelë që jetojnë rreth nesh në rajon. Ata janë njerëzit që janë të vendosur kundër absurditeteve të jetës në Ballkan dhe vazhdojnë të luftojnë, edhe pse shpesherë duket se shanset nuk janë në favorin e tyre dhe ballafaqohen me kërcënime e sulme.
Natyrisht, ka shumë rebelë të tjerë meqë arsyet për mospajtim janë të pafundme. Por ata që kemi zgjedhur për këtë varg shkrimesh përbëjnë një grup të larmishëm individësh dhe çështjesh; njerëz që kanë bërë një hap përtej, kanë mobilizuar të tjerët dhe kanë gjetur një mënyrë për të arritur ndryshim në fushat e tyre përkatëse.
Rebeli i K2.0 nga Serbia Miran Pogačar është aktivist që punon me grupin “Združena akcija Krov nad glavom” (Veprimi i Përbashkët: Një kulm mbi kokë) që u bën ballë dëbimeve dhe bën thirrje për solidaritet me familjet që janë në rrezik të nxirren nga banesat ose shtëpitë e tyre. Ai po ashtu është i angazhuar aktivisht në një shumësi nismash qytetare të tjera në Serbi.
I gjithë rajoni dëgjoi emrin e tij më herët gjatë këtij viti kur — menjëherë pas një deklarate të dhënë për mediat — u arrestua gjatë protestave katërditore kundërqeveritare në Novi-Sad.
Milan Pogačar sheh mundësi për ndryshim në çdo krizë. Photo: Dejan Kožul.
K2.0: Sigurisht që ky vit ka qenë një ndër më të trazuarit në “historinë e vonë të Serbisë”. Cilat ngjarje do t’i veçonit?
Miran Pogačar: I këtillë ka qenë jo vetëm për Serbinë, por për tërë botën. COVID-19, kriza e vrullshme e pandemisë, Black Lives Matter, Bjellorusia dhe protestat e korrikut në Serbi, ndër të tjera, janë disa nga ngjarjet përcaktuese të këtij viti. Asnjë vend nuk mbeti i paprekur nga ndonjë lloj trazire, ose për shkak të pandemisë a rënies ekonomike, ose për shkak të protestave masive.
Përse mendoni se është kolaps?
Secila krizë — tash për tash është krizë e kombinuar ekonomike dhe shëndetësore — shpërfaq cenet e sistemit që janë të pranishme tash e një kohë të gjatë, por thjesht janë bërë më të dukshme. Kriza është mundësi për të kuptuar se ndryshimi është i nevojshëm; mundësi për ta sjellë atë sa më shpejt.
Ashtu siç mund të të ngritet grada me shpejtësi gjatë luftës, edhe disfata mund të vijë akoma më shpejt, andaj na mbetet neve ta kapim mundësinë dhe ta ndërrojmë qeverinë tonë ndërsa është në gjunjë — ose të zihemi gafil dhe të papërgatitur.
Ju jeni arrestuar në demonstratat e mbajtura gjatë verës. Atëherë kemi parë edhe dhunë policore, edhe mungesë të llogaridhënies. A ju ka befasuar kjo dhe çfarë porosie ka dhënë?
Nuk jam befasuar që njerëzit kanë dalë në rrugë dhe janë rebeluar kundër mënyrës se si qeveria po i vendoste masat emergjente. Maskarada skizofrenike e shpalljes së masave dhe heqjes së tyre ndërsa manipuloheshin shifrat e rasteve dhe vdekjeve ishte qesharake dhe tragjike në të njëjtën kohë.
Deri në një pikë, jam befasuar nga përgjigjja brutale e policisë sepse ata zakonisht kanë qëndruar mënjanë kur ka pasur përplasje ose grindje të herahershme politike, por kësaj here iu vërsulën njerëzve pa konsideratë dhe kontroll. Fakti se askush nuk është përgjigjur për dhunën i shkon për shtati modelit veprues të qeverisë së tanishme, si dhe është tregues i arrogancës.
Secilën herë habitem kur shoh njerëz që ende kanë besim te gjyqësori, te ligji, te institucionet dhe te shteti. Aleksandar Vučić dëshmon se ai dhe “soji i tij” janë mbi ligjin, i cili zbatohet vetëm për kundërshtarët.
Për të gjithë ne që kemi ndier shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës, dhe që kemi parë zhvillimin e dhunës dhe brutalitetit, porosia është e qartë: është arritur një nivel i ri i shtypjes, e tëra me qëllimin e zmbrapjes së njerëzve nga rebelimi dhe shprehja e pakënaqësisë në rrugë.
Është përpjekje e policisë dhe e autoriteteve për ta konfirmuar pasivitetin e vazhdueshëm dhe ngathtësinë e përgjithshme; për të konfirmuar që protestat dhe rebelimi nuk funksionojnë meqë çdokush që guxon të merret me to do të rrahet, do të gjobitet ose do të burgoset. Përdorimi i dhunës shpërfaq pamundësinë e qeverisë për të zgjidhur probleme. Pavarësisht nga shtypja e tillë, ka ende sfida në të ardhmen dhe më shumë njerëz do të dalin në rrugë sepse është thuajse e pamundshme të presësh që gjërat këtu do të ndryshojnë pa ballafaqim të hapur.
A mendoni se viti që po shkon ka qenë një lloj kthese kur njerëzit më në fund kanë shprehur pakënaqësinë e tyre? A e shihni mundësinë e artikulimit të kësaj pakënaqësie?
Ne dalim në rrugë që nga viti 2017. Kjo tregon qartas se nuk kemi asnjë mënyrë tjetër për ta shprehur zemërimin dhe pakënaqësinë.
Gjatë ngujimit, aktivistët e “Krov nad glavom” kanë formuar një rrjet solidariteti për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. Foto nga “Za Krov nad glavom”.
Thuhet shpesh se vendit i duhen njerëz të rinj që nuk kanë pasur pushtet ose që s’kanë qenë pjesë e partive politike. Kjo është vërtet e nevojshme, po jo edhe e mjaftueshme. Përveç ardhjeve të reja, neve na duhen politika të reja që janë të formuluara dhe të artikuluara qartë; diçka që njerëzit mund t’i besojnë dhe që sjell shpresë.
Një politikë e tillë do të ishte e vrullshme dhe do të përmbante ide të drejtësisë, solidaritetit dhe barazisë. Ajo do të duhej të garantonte qasje në shkollim dhe shëndetësi cilësore për të gjithë; liri të informacionit dhe të drejtën që të gjithëve t’u dëgjohet zëri; mbrojtjen e mjedisit si parim qendror i të gjitha agjendave moderne politike; shtëpi për secilin individ dhe familje, si dhe të mos mbetet askush i uritur.
Pa themel të përbashkët, pa antikapitalizmin, të gjitha këto ide bien poshtë dhe mbetemi me zgjidhjet politike që kemi parë në të kaluarën. Andaj është tejet e rëndësishme të kemi një alternativë të qartë për kapitalizmin të bazuar në idetë dhe principet e sapopërmendura.
Si e shihni potencialin e mundësive të dhëna?
Protestat që organizohen tash e disa vjet janë pasqyrim i mungesës së alternativës dhe zgjedhjes. Nëse një parti ose lëvizje politike do të merrte mbështetje popullore, situata në vendin tonë do të ishte tjetërfare dhe do të mund të organizoheshim për t’i bërë ballë Vučić-it dhe regjimit të tij.
Viti tjetër mbase do të jetë vendimtar meqë koronavirusi ende do të jetë i pranishëm. Ndërkohë, numri i njerëzve të pushuar nga puna do të rritet së tepërmi. Në përputhje me këtë, qeveria e tanishme do të përballet me trysni vazhdimisht më të madhe.
Kriza do të zgjasë me vite — për këtë nuk ka dyshim — pra e kemi marrë përsipër të ndërtojmë opsione politike (parti, lëvizje) dhe të hapim fronte të ndryshme për ta hequr këtë qeveri, e cila është përgjegjëse për thellimin e pabarazisë ekonomike në vendin tonë. Ku ka gjithnjë e më shumë pabarazi, ndërsa pak njerëz janë të kënaqur.
Protestat në rrugë janë vetëm një nga mënyrat e rebelimit të Pogačar-it. Foto nga “Za Krov nad glavom.”
Sipas mendimit tuaj, sa i madh është rreziku i forcimit të krahut të djathtë, si dhe i organizatave profashiste? Edhe pse janë relativisht të dobëta tani për tani, e dimë që krizat mund t’u japin krahë.
Rritja e krahut të djathtë dhe i organizatave të hapura profashiste nuk është ndonjë risi. Kjo ndodh tash e më shumë se dy dekada në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës. Është një rregull, thuajse një aksiomë: kur pabarazia ekonomike është në rritje, kur e ardhmja bëhet e paqartë, ksenofobia dhe nevoja për t’i mbyllur kufijtë — për t’i fajësuar të tjerët për çdo gjë të keqe që na ndodh — po ashtu do të jetë në rritje.
Kështu është edhe në vendin tonë, megjithëse veçantia këtu është “suksesi” i qeverisë së tanishme në futjen e ngatërresave në krahun e djathtë — një pjesë e tij kontrollohet nga Srpska Napredna Stranka [Partia Përparimtare e Serbisë, e cila është në pushtet], ndërsa tjetra po e kërkon një vojvodë (udhëheqës) të ri.
Çdokush që aspiron ta kundërshtojë ngritjen e krahut të djathtë dhe ksenofobinë e saj të shfrenuar në çfarëdo mënyre duhet të punojë për organizimin e forcave politike që janë të gatshme për ballafaqim fizik. Nëse ndërtohet një front popullor, qeveria do të ketë vështirësi të mëdha për të dalë kundër kërkesave dhe politikave të përqafuara nga një forcë e tillë politike e organizuar.
Paralelisht me këto zhvillime “të mëdha”, njerëzit ende po dëbohen nga shtëpitë dhe banesat e tyre për shkak të borxheve të prentenduara dhe mashtrimeve të shitjes gjatë pandemisë. Duket se [përmbaruesit që dëbojnë njerëzit] janë bërë të paskrupullt sa kurrë më parë. Përse? Sa reale është mundësia e egërsimit të mëtejmë të përmbaruesve me përkeqësimin e krizës?
Ajo është një ndër punët më fitimprurëse në vend, por është njëkohësisht ndër më të pistat dhe jomoralet. Përmbaruesit mendojnë vetëm për një gjë — përfitimin personal. Posa të rrezikohen të ardhurat e tyre, posa t’u zvogëlohet pazari, është thuajse e sigurt që mbledhja e parave dhe metodat e trysnisë do të bëhen akoma më të vrazhda.
Kjo tashmë po shfaqet gjatë pandemisë sepse ata nuk çajnë kokën për përhapjen e mundshme të virusit nëse një numër i madh i njerëzve janë të pranishëm gjatë dëbimit. Ata bëjnë prioritet interesin personal mbi interesin e njerëzve të rëndomtë, të cilët nuk kanë nga t’ia mbajnë në këto kohë veçanërisht sfiduese. Të cilët mbesin pa kulm mbi kohë në mes të dimrit.
Përveç krejt kësaj, lëvizjet mjedisore po bëhen më të fuqishme, por në çastin e fundit, si duket — kur nuk mund të marrim më frymë, kur po i humbasim lumenjtë për shkak të hidrocentraleve të vogla. Sidoqoftë, ato prapë se prapë po punojnë. Sa i madh është potenciali për ndryshim në këtë aspekt?
Përpos fushatës kundër hidrecontraleve të vogla — që ka fituar disa beteja — ka po ashtu çështje të tjera mjedisore që përqendrohen në mbrojtjen e parkut kombëtar Frushka Gora, [parkun pyllor të] Koshtunjakut, luftës kundër ndotjes së ajrit në Smederevë dhe shumë nisma të tjera.
Ekologjia është një ndër çështjet më të rëndësishme në shekullin e 21-të. Sepse, nëse mbesim pa ajër dhe pa ujë, si do të mbijetojmë? Këto lëvizje bazohen në shqetësime të dukshme dhe konkrekte dhe në shumicën e rasteve bashkojnë komunitetin për ta mbrojtur një të mirë publike nga investitorët dhe nga vetë shteti.
Një nga shqetësimet më të mëdha është se këto lëvizje ose grupe i shmangen përcaktimit të drejtë të këtyre gjërave, pranimit se përpjekjet e tyre janë politike në kuptimin më të gjerë dhe më të drejtë si dhe faktit se vendimi që lidhet me çështjen e tyre është tërësisht politik në thelbin e tij. Është plotësisht e kuptueshme se askush — as [vetë pjesëtarët e nismave mjedisore] — nuk do që të përdoret nga figurat dhe partitë e shpenzuara politike, gjë që është arsyeja kryesore përse njerëzit distancohen nga politika.
Por, në mënyrë që të mbijetojnë dhe të zhvillohen, nismat mjedisore duhet të shkojnë përtej kornizës së ngushtë lokale dhe ta zgjerojnë kontekstin e angazhimit të tyre, gjë që automatikisht çon te politika; është vendi i vetëm ku problemet mund të zgjidhen. Çështja e mjedisit është gjithmonë politike, pavarësisht se a pajtohen të gjithë.
Sa reale është mundësia që të gjitha këto lëvizje të bëhen bashkë për ta formuar një grup të vetëm që nuk është vetëm kundër qeverisë së tanishme, por edhe kundër shfrytëzimit të njerëzve dhe burimeve natyrore?
Besoj që është reale dhe e domosdoshme. Të gjithë duhet ta gjejmë një rrëfim, pikturë ose narrativë të përbashkët të një shoqërie ku duam të jetojmë.
Duke pasur parasysh dallimet e mëdha që janë të pranishme në secilën shoqëri, veprimet tona — edhe në qofshin të përbashkëta — do të jenë të pafrytshme nëse nuk pajtohemi për një vizion themelor. Nuk mjafton të jesh kundër Vučić-it, siç thonë shumë njerëz. Duhet të dimë se çfarë do të mbetet pasi ta lëshojë detyrën qeveria e tanishme, sepse ajo duhet të garantojë një jetë të jetueshme në vendin tonë.
A është e mundshme t’i kushtosh vëmendje Serbisë dhe gjithë këtyre nismave të rebelimit pa kthyer kokën nga fqinjët ose pa u bashkuar për arsye të ndryshme, sidomos për mbrojtjen e jetëve dhe kushteve themelore të jetesës?
Çdo herë që shikon në anën tjetër të gardhit ka rrethana që nuk dallojnë shumë nga ato tonat. Lideri suprem, sherifi, krimineli dhe politikani lokal… gjithmonë është një person, kudo — qoftë në Serbi, në Bosnjë, në Malin e Zi, në Kroaci, në Maqedoninë e Veriut ose në cilindo vend fqinj.
Ata që kanë pushtet dhe kriminelët e të gjitha vendeve të përmendura janë si vëllezër dhe bashkëveprojnë shumë mirë. Ata kanë “sindikatat” e tyre, kanë interesa të përbashkët dhe e dinë saktësisht se ç’bëjnë. Për ta, kjo është situatë ku ose humb, ose fiton, sikur për të gjithë ne. Është çështje mbijetese.
Në fund të fundit, çfarë na mbetet është ta kuptojmë këtë si luftë të njëmendtë. Jo të frikësohemi nga ajo, por të pranojmë që kjo është mënyra e vetme si mund t’u bëjmë ballë dhe të fitojmë.
Imazhi i ballinës: Dejan Kožul.