Biseda | Arsimi

Mirjana Najčevska: Arsimi kurrë s’ka qenë dhe ende nuk është prioritet i shtetit të Maqedonisë së Veriut

Nga - 22.10.2019

Rivlerësimi i Akademisë (Pjesa 4) – profesoresha nga Shkupi flet për arsyet mbi rënien në cilësinë e arsimit në Maqedoninë Veriore.

Në një intervistë së fundmi, e pyetur rreth gjendjes së demokracisë në atdheun e saj, Turqinë, shkrimtarja Elif Shafak paralajmëroi se si mungesa e akademisë së pavarur, ndër të tjera, është ndër komponentët e një demokracie “të dëmtuar dhe të shkatërruar”.  

Nëse e shikojmë pjesën tjetër të Ballkanit dhe gjendjen e demokracisë dhe të akademisë, e vërejmë se situatat ngjasojnë shumë. Nëpër rajon, universitetet ballafaqohen me të njëjtat ankesa dhe sfida: keqpërdorimi i universiteteve nga elitat politike, cilësia e diskutueshme e arsimit, oportunizmi mes stafit akademik, rënia e etikës dhe e ashtuquajtura “zbrazje e trurit.”

Për ta eksploruar këtë çështje edhe më tej, K2.0 ka folur me disa prej intelektualëve më të mirënjohur të rajonit. Në këtë seri të veçantë të intervistave me akademikë prej shtatë shteteve të Ballkanit, të gjithë profesorët u pajtuan se akademia në Ballkan nuk është e pavarur.

Në pjesën e katërt të serisë sonë “Rivlerësimi i Akademisë”, K2.0 bisedoi me Mirjana Najčevska-n, profesoreshë në universitet dhe drejtoreshë në detyrë e Institutit për Hulumtime Sociologjike, Politike, dhe Hulumtime Ligjore në Universitetin Shën Cirili dhe Metodie të Shkupit.

Fokus i interesimit të saj për vite kanë qenë diskriminimi, marrëdhëniet ndëretnike, mbrojtja e të drejtave të grupeve të margjinalizuara dhe roli i shtetit në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në zyrën e saj në universitet, biseduam sa po harxhon Maqedonia e Veriut në shkencë, folëm për presionin e përjetuar nga punonjësit në akademi dhe rreth cilësisë së arsimit të lartë.

Foto: Viktor Popovski / K2.0.

K2.0: Të dhënat e Bankës Botërore sugjerojnë se Maqedonia e Veriut ka shpenzuar rreth 0,35% të GDP-së në vitin 2017 për hulumtim dhe zhvillim. Dy herë më pak se Bullgaria, dhe gati 10 herë më pak se Suedia dhe Zvicra. Pse nuk po gjen vendi fonde të mjaftueshme për projekte të hulumtimit dhe për zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë?

Mirjana Najčevska: Kjo është një pyetje interesante, të cilës mendoj se askush prej këtu, në Maqedoninë e Veriut, nuk mund t’i përgjigjet. Ne sapo po lansojmë një projekt të madh me Unionin e Pavarur të Punonjësve Akademikë lidhur me sa shumë po ndahet për arsim, sidomos për degët e tij të larta, si dhe për shkencë dhe hulumtim shkencor.

Në shikim të parë ta jep përshtypjen se po ndahen shumë para, por kur e vendosim në kontekst të GDP-së dhe ndarjeve të tjera, nuk e shohim veç një mungesë të trendeve pozitive, një ngecje ekonomike, por edhe një regres. Janë disa mënyra për ta shpjeguar këtë.

Së pari, sepse arsimi, në kuptimin e krijimit të potencialit njerëzor që duhet ta mundësojë zhvillimin e shtetit, nuk ishte kurrë në listën e prioritetit. Kjo është shumë e çuditshme nëse e marrin parasysh cilët janë ministrat që kanë udhëhequr me ministrinë e arsimit. Në mesin e tyre kemi profesorë dhe njerëz me përvojë në këtë fushë, si dhe ata nga të cilët kishim pritshmëri të mëdha se do të jenë pjesë e një reforme që do të mundësonte rezultate krejt ndryshe.

E thënë thjeshtë, është sikur askush në shtet nuk e ka kuptuar rëndësinë e arsimit e as e njeh arsimin si faktor të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë i ka të regjistruara 19 universitete private, fakultete, dhe institute me programet e tyre të studimit. Përveç këtyre, kemi universitete publike në Shkup, Shtip, Tetovë dhe Manastir. A janë shumë këto për një shtet me dy milionë banorë?

Kjo tregon vetëm se shteti nuk e ka një qasje sistematike ndaj arsimit të lartë. Njëkohësisht, që nga deklarimi i pavarësisë e deri në sot, mendoj se kemi pasur shtatë ose tetë – ndoshta edhe më shumë – strategji për zhvillimin e arsimit. Por kur e shikojmë se çka është arritur dhe zbatuar në praktikë nga gjërat në këto dokumente strategjike, mund të shohim se gjithçka përfundon me miratimin e rregullave, kurse në praktikë asnjë rezultat nuk është i dukshëm.

Besoj se është bërë zakon të themelohen universitete të reja dhe fakultete, diçka që duket të jetë një lloj simboli i rezultateve në kokat e politikanëve.

Pasi nuk mundën të zbatonin çdo gjë që ishte në dokumentet strategjike, vendosën se rezultatet mund të shihen në ndërtimin e disa ndërtesave ose në themelimin zyrtar të universiteteve a fakulteteve të reja. Kjo është ajo që e thonë: “Shiko, kemi hapur kaq shumë fakultete. Ky është rezultat.”

Nuk mund ta shohësh cilësinë e një arsimi të tillë, sa profesorë i kemi dhe si janë këta profesorë, në cilat fakultete apo në cilat fusha është zhvilluar arsimi, dhe nëse kjo është e nevojshme për ekonominë. Kjo nuk matet fare – por ajo që numërohet është numri i fakulteteve të sapohapura.

Besoj se kjo pafuqi për të zbatuar vërtet atë që duket në dokumentet strategjike, në njëfarë mënyre manifestohet përmes hapjes së fakulteteve të reja me një cilësi të dobët, krejtësisht të panevojshme.

Pas së gjithash, Shanghai List po e mat cilësinë e universiteteve maqedonase, dhe fatkeqësisht po e tregon cilësinë e tyre shumë të dobët.

Absolutisht, por parametrat e vlerave të përdorura nga Shanghai List nuk përshtaten me këto që i bëjnë masat e cilësisë këtu, në Maqedoninë e Veriut. Në disa mënyra, privatizimi, i cili ka hyrë në fushën e arsimit, ka ndikuar negativisht çdo gjë që ka të bëjë me cilësinë.

Foto: Viktor Popovski / K2.0.

Privatizimi nuk shihet si një përmirësim i cilësisë, por nëse paguan për studimet e tua, atëherë mundesh edhe t’i përfundosh. Prandaj, nëse paguan para, pritet që brenda kohës së dhënë do ta marrësh diplomën.

Nëse një fakultet nuk ta jep diplomën atëherë e ndërron, shkon tek tjetri, dhe e merr diplomën. Një sistem i prishur i vlerave.

Shumë media po raportojnë për skandale që kanë të bëjnë me diploma falso që po blihen në fakultete, me një theks të veçantë në atë që po ndodh në universitetet private. Për çfarë lloji të intelektualëve të ardhshëm mund të shpresojmë kur kjo gjeneratë të arrijë në tregun e punës?

Së pari dhe më e rëndësishmja, më duhet të them se këto nuk janë diploma falso. Kur i referohemi “diplomës falso,” nënkuptojmë një diplomë të falsifikuar. Kjo nuk është një diplomë e falsifikuar, por origjinale.

Megjithatë, mbrapa kësaj diplome s’ka aspak njohuri. Është një diplomë plotësisht legjitime dhe e ligjshme, me vulë dhe nënshkrim. Kjo nënkupton se nuk është diplomë falso, por që personi në fjalë as nuk është regjistruar në procesin e arsimit.

Siç e thashë edhe më parë, shumë fakultete janë vendosur në një situatë të palakmueshme. Për shkak të të gjitha këtyre fakulteteve private, të cilat shumë lehtë lëshojnë diploma dhe nuk janë nën kontrollin e askujt. Në kuptimin që nuk ka një vlerësim të bazuar në fakte apo të mirëfilltë të punës së tyre, dhe studentët i ndërrojnë fakultetet shumë lehtë.

Dhe pastaj njerëzit në fakultet diskutojnë si t’i qasen kësaj çështjeje. A duhet ta ngremë cilësinë dhe të humbin studentë, apo thjesht t’i ulim nivelet e cilësisë dhe të tërheqim sa më shumë studentë duke bërë kështu?

Pozita fillestare e shtetit tonë nuk ishte aspak e keqe kur e braktisëm Jugosllavinë.

Njerëzit vendosin për të dytën, sepse përndryshe e rrezikojnë mbylljen e universitetit. Është një rreth i mbyllur. Gjithmonë është dikush që do ta lëshojë diplomën, pavarësisht mungesës së njohurisë dhe pjesëmarrjes në punën e kaluar të nevojshme që dikush të marrë një diplomë.

Me të vërtetë nuk e di çka të pres në të ardhmen e afërt, e sidomos në të ardhmen e largët. Kemi mungesë jo vetëm të shkathtësive dhe të njohurisë por edhe të përvojës, sepse avancimi i karrierës në disa universitete po e ndjek këtë trend të diplomave falso.

Po duket sikur vetë politika e shtetit është disi duke e stimuluar përkeqësimin e cilësisë së përgjithshme të arsimit të lartë?

Pa dyshim. Nuk mendoj se ka një ndërgjegjësim themelor rreth këtij problemi. Në një mënyrë, po e presim degën në të cilëm jemi ulur.

Pozita fillestare e shtetit tonë, kur e braktisëm Jugosllavinë, nuk ishte aspak e keqe. Kishim një cilësi të mirë të shkollimit fillor dhe të mesëm, si dhe një cilësi relativisht të mirë të arsimit të lartë. Ajo çka është dashur të bëhej është një adaptim i sistemit të standardeve evropiane dhe botërore. Mendoj se krejt çka nevojitej ishte ndërmarrja e disa hapave për ta arritur këtë.

Megjithatë, i gjithë zhvillimi ekonomik i 27-28 viteve të fundit na ka treguar se politikanët thjesht nuk kishin ide çka do të thotë arsimi për shtetin dhe ekonominë, si dhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të krejt strukturës sonë shtetërore. I gjithë ky sistem është produkt i arsimimit të keq.

Shpesh e përdor frazën, “institucionet vlejnë aq sa njerëzit që punojnë aty.” Kur flasim për çështje institucionale, nuk mendoj se duhet të mendoj shumë për strukturën e tyre, por për njerëzit që janë brenda. Mendoj se arsyeja për të cilën po fillojmë të falimentojmë lidhet me atë se sa vlen përvoja arsimore e njerëzve që punojnë aty.

Njëkohësisht, kur universitetet private u shfaqën para pak vitesh, shteti maqedonas hapi edhe universitete të reja publike. Rezultat i kësaj ishte një numër i madh i fakulteteve juridike, por asnjë fakultet i transportit. Çfarë lloji i politikës në arsimin e lartë është ky?

Nuk mendoj se kjo politikë ekziston. Me kolegët e mi, po flisnim rreth faktit se askush nuk i është qasur kësaj prej perspektivës se cila është nevoja subjektive e vetë vendit, pra Maqedonisë Veriore. Për çka kemi nevojë ne si shtet?

Për shembull, fakulteti i bujqësisë po shkatërrohet, si dhe Instituti i Blegtorisë, ndërsa institucionet duhet të ishin ato në të cilat duhej investuar, pasi e përfaqësojnë bazën për zhvillim për shkak të specifikës së asaj që e kemi këtu. Nëpër botë, njerëzit tani po mendojnë për nevojën e ushqimit, ujit dhe ajrit të pastër. Ne nuk kemi asnjë gjë të këtij lloji.

Ky është një vend me potencial për ta ushqyer gjysmën e Ballkanit. Por, arsimi nuk e ndjek këtë potencial. Për shembull, nëse i shikon universitetet shtetërore në Tetovë apo në St Klement në Universitetin e Ohrit në Manastir, nuk ka asnjë fakultet që fokusohet në bujqësi, blegtori, ose mjedis. Fakultetet joproduktive që prodhojnë një fuqi të punës plotësisht të panevojshme janë të vetmet që po themelohen.

Foto: Viktor Popovski / K2.0.

Në një vend ku pak para investohen në hulumtimin shkencor, është krejtësisht normale të kesh plagjiaturë dhe forma joetike në shkencë. Si mund të luftojë vendi kundër këtij abnormaliteti në arsimin e lartë?

Kemi vendosur që ky ka qenë problem për shtatë apo tetë vjet më parë. Janë lansuar disa inciativa, së paku në Universitetin Shën Ciril dhe Metodie dhe në disa universitete më të mëdha kanë instaluar programe që duhet të sigurojnë një njohuri minimale për ta shuar plagjiaturën.

Herë pas here, kur dikush vjen ta mbrojë temën e masterit ose tezën e doktoraturës, shohim tituj që përsëriten, si dhe ide që përsëriten, ndërsa  punime pothuajse të ngjashme në fusha të caktuara publikohen vazhdimisht. Kjo nuk ka të bëjë me plagjiaturën vetëm në kuptimin klasik por edhe me plagjiaturën e ideve dhe mungesën e shpikjes.

Le të themi se ke miliona punime të nivelit master që kanë të bëjnë me lidhjet organizative ose menaxheriale, çka mund të shpjegohej vetëm në një punim. S’ka asgjë të re aty. Gjithashtu, po i ndajnë temat e caktuara, duke e kufizuar sferën e tezës së masterit, ku flasin për lidhjet bashkëpunuese në disa pompa të benzinës. E sheh, kjo nuk është plagjiaturë në kuptimin klasik por thjesht mungesë e ideve dhe e origjinalitetit, për diçka që do të duhej të ishte e re si bazë për shkencë dhe hulumtim.

Por idetë burojnë nga leximi i literaturës që është e popullarizuar në botë dhe ne nuk e kemi këtë.

Hulumtimin gjithashtu. Risia arrihet përmes aktiviteteve të hulumtimit. Në këtë pikë, thjesht nuk ka hulumtim që bëhet në fakultete dhe institucione, sidomos në institucione të hulumtimit, si ai në të cilin punoj.

Duket sikur shteti nuk ka nevojë për hulumtim. Kur hyra në punë në këtë institut më 1980-81, më janë prezantuar tri fusha të hulumtimit të mëdha që financoheshin nga shteti. Një program ishte “SKOPLAN” – hulumtim sociologjik, politik, ekonomik dhe urbanistik në zhvillimin e qytetit të Shkupit, që do të na ofronte elemente në bazë të të cilave politikanët do ta zhvillonin një strategji për zhvillimin e qytetit.

Fusha e dytë merrej me grevat dhe çka ndodhi në lëvizjet e punëtorëve në vitet 1980: pse po hynin njerëzit në greva, cilat ishin problemet e tyre, si mund të zhvillonte shteti politika dhe t’i përgjigjej asaj që përbënte problem të dukshëm?

Kishte hulumtim edhe në sistemin e delegatëve dhe hulumtim në pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Pastaj shteti stimuloi mundësi për hulumtim në mënyrë që t’i shfrytëzojë rezultatet e tij për t’i zhvilluar politikat e veta.

Tani, nuk e di në çka bazohen politikanët në krijimin e strategjive dhe planeve të veprimit, sepse nuk po na kërkojnë të bëjmë asnjë hulumtim. Pa e përmendur çka paraqesin shkencat natyrore dhe hulumtimet e ngjashme, në të cilat do të prisje nga politikanët që të investojnë vetë, sepse ata i zbatojnë rekomandimet e veta dhe i bëjnë vendimet me të dhëna të qarta.

A ka statistika sa kushton regjistrimi për një student në një institucion të arsimit të lartë në Maqedoninë Veriore? Nëse po, a mund të flasim çka po humb Maqedonia Veriore përmes zbrasjes së trurit?

Kam provuar t’i përdor statistikat. Jemi duke punuar në të. Pa e pëmendur sa pak po ndan shteti për hulumtim dhe arsim krahasuar me GDP-në, me të vërtetë investohet shumë në zhvillimin e arsimit elementar, të mesëm dhe të lartë, kur e shikojmë totalin e përvitshëm.

E thënë thjesht, askush në këtë vend nuk e ka ndjerë të nevojshme të bëjë një vlerësim të shpenzimit të tanishëm në edukimin e njerëzve, sa persona shumë të arsimuar po e braktisin vendin, dhe cila është lidhja me paratë e ndara, e të humbura, duke marrë parasysh se po i humbin të gjithë këta njerëz.

Foto: Viktor Popovski / K2.0.

S’ka asnjë sistem që do të sigurojë punësimin automatik të personave që i kanë përfunduar studimet me nota të larta ose të cilët kanë treguar arritje të veçanta gjatë kohës së studimeve.

Për shembull, në kohën e administrimit të fundit të universitetit tim, s’ka qenë asnjë fakultet që s’ka përmendur mungesën e stafit të ri si çështje djegëse. Institucionet tona nuk kanë asistentë, profesorë të asocuar dhe persona të tjerë që do të vazhdojnë punën e bërë deri më tani. Institucionet që dikur kanë pasur 45-50 profesorë dhe asistentë tani i kanë 18 persona që punojnë aty.

Prandaj, e kemi një numër të madh të fakulteteve, por një numër të vogël të të punësuarve, dhe po kemi mungesë të gjeneratës së re që duhet t’i zëvendësojë profesorët më të vjetër në të ardhmen. Në institutin tim, për herë të parë në 10 apo 15 vjet, kemi marrë një mundësi për të punësuar pesë persona të rinj. Por brenda këtij viti, instituti ka humbur mbi 20 persona për shkak të punëve të tjera ose pensionimit. E kemi arritur këtë minimum që mezi na mundëson ta mbajmë institucionin të funksionojë siç duhet.

Lejomëni ta përfundoj. Nuk është thjesht çështje sa kushtojnë studentët; problem më i madh është se pasi të investojmë në këta studentë, s’po bëjmë asgjë për t’i afruar më pranë shkencës dhe institucioneve të arsimit të lartë.

Duke pasur në mendje të gjitha pikat e dobëta që i biseduam, cili është përfundimi juaj lidhur me arsimin e lartë të Maqedonisë Veriore?

Kjo është ajo që e thashë në fillim. Arsimi s’ka qenë kurrë e s’është as tani prioritet i shtetit. Mendoj se politikanët nuk e kuptojnë që asnjë reformë nuk mund të shpëtojë, se aty nuk mund të ketë ndryshime në ekonomi dhe zhvillim, nëse diçka s’është bërë në fushën e arsimit së pari.

Në njëfarë mënyre njerëzit kanë filluar të mendojnë rreth arsimit fillor dhe të mesëm, por arsimi i lartë është ende i margjinalizuar, sidomos kur flasim për hulumtim.

Madje e kemi një ligj të veçantë për shkencë dhe hulumtimin shkencor, megjithatë, asgjë s’po zbatohet në praktikë. Ndoshta shteti po investon edhe më pak në hulumtim brenda arsimit të lartë tani. Personalisht besoj se kjo është vdekje për çdo vend.

Çfarë masash duhet të prezantohen për ta përmirësuar arsimin e lartë në Maqedoninë Veriore?

Shumë vende kanë vendosur ta përmirësojnë statusin e profesorëve si mjet për ta ndihmuar përmirësimin e cilësisë së arsimit. Në këtë pikë, paga mesatare e një profesori është 500 euro. Kjo është së paku tri herë më e vogël sesa në çdonjërin prej shteteve përreth.

Besoj se në vitet e kaluara kemi parë një zgjim të komunitetit akademik, por edhe një zgjim të studentëve.

Nëse shteti e përmirëson statusin dhe e bën një hap përpara njohjes së vlerës së vërtetë të këtij profesioni, besoj se qëndrimi i personave ndaj arsimit të lartë do të fillojë të ndryshojë, por gjithashtu lidhja e personave që janë pjesë e sistemit të arsimit të lartë. Duhet ta kuptojmë se arsimi nuk përbëhet vetëm nga puna, por është formë e profesionit me nivel të lartë të përgjegjësisë ndaj të mirës së përbashkët dhe zhvillimit të të gjithë komunitetit.

Kjo fillon me ngritjen e arsimit në një nivel me prioritet, duke e kuptuar se gjithçka që është bërë brenda shtetit disi lidhet me arsimin, dhe është e pamundshme që ta arrijmë një depërtim në zhvillimin e ekonomisë pa investuar në arsim. Gjithashtu, është e pamundshme që ta reformojmë administratën apo gjyqësorin pa e reformuar fushën e arsimit. Po besoj se ky do të jetë momenti kur shteti e kupton këtë. Vetëm atëherë mund të ndodhin ndryshimet.

Për një kohë të gjatë, komuniteti akademik ka qenë i fjetur, duke u bërë shumë apatik. Çdo gjë që e kanë bërë doli të ishte formë e mbijetesës. Besoj se në pak vitet e kaluara kemi parë një zgjim të komunitetit akademik, por edhe një zgjim të studentëve, dhe të atyre që nuk janë të kënaqur me diplomat e veta. Studentët kërkojnë njohuri, shkathtësi dhe cilësi që do t’ua sigurojë aftësitë konkurruese jo vetëm në vend, por edhe në tregun ndërkombëtar.

Mendoj se gjërat kanë filluar të ndryshojnë, por ende s’mund ta them në cilin drejtim. K

Foto kryesore : Viktor Popovski / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.