Biseda | DokuFest 2017

Mohamedsalem Werad: Sahara Përendimore i ka dy luftëra pasive, çlirimin dhe ndërtimin e vendit

Nga - 08.08.2017

Aktivisti saharan flet me K2.0 për rezistencën në “koloninë e fundit të Afrikës”.

Të dielën (6 gusht) në DokuFest kolektivi suedez i filmbëries, RaFILM, mbajtën një master klasë për filmbërësit amator dhe aktivistët që po punojnë me dokumentimin e jetës në Saharën Përendimore bashkëkohore. Kjo ngjarje u titullua ‘Kolonia e fundit e Afrikës’, meqë Sahara Përendimore ka qenë pikë e konfliktit territorial në mes të Marokut dhe popullit saharan, që përfaqësohet prej ballit Polisario, prej kohës kur Spanja u tërhoq nga ky vend, në vitin 1975.

Për pesëmbëdhjetë vite dy anët bënë një luftë guerile. Balli Polisario deklaroi formimin e Republikës Demokratike Saharo-Arabe (SADR) në 1976. Edhe sot Sahara Përendimore mbetet e ndarë prej fortifikimeve dhe minave tokësore që shtrihen përgjatë tërë vijes ndarëse – është fusha e minuar më e madhe në botë – që i cakton pjesët përkatëse të kontrolluara prej marokenëve dhe SADR. Edhe pse shpallën armëpushim në 1991, kampet e refugjatëve të mbushura me saharan përgjatë kufirit në Tindouf në Algjeri ende operojnë, dhe shumë njerëz kanë jetuar gjatë gjithë jetës së tyre në këto kampe.

Në Prizren u shfaqën pamje të protestave në zonat e kontrolluara prej Marokut, xhirime këto që u kontrabanduan jashtë vendit nga një organizatë. Tri gazetarë të kësaj organizate janë arrestuar dhe tri kamera janë vjedhur prej autoriteteve marokene. Krimi i tyre si duket ishte thjeshtë dokumentimi i ngjarjeve – si rrahjet e protestuesve dhe fëmijët e plagosur prej kokës deri te këmbët.

Në këtë ambient po punojnë ata që po bëjnë përpjekje që t’u dëgjohet zëri në Saharën Përendimore. Një i ftuar tjetër në këtë master klasë ishte 32 vjeçari Mohamedsalem Werad nga blogu Saharawi Voice, manifesti i së cilit e tregon misionin e tyre, që është “t’i tregojmë botës për mundimet e tyre, dhe t’i zbulojmë shkeljet e të drejtave të njeriut në territoret e okupuara”. Fatkeqësisht, lidhja e dobët në Skype bëri që Werad shpeshherë të merr pjesë në këtë master klasë si një mozaik i thjeshtë i heshtur, e prandaj K2.0 të nesërmën komunikoi me ta për ta diskutuar situatën aktuale të popullit saharan në rajonet e ndara.

Fotografia nga Saharawi Voice.

K2.0: Si u përfshitë në Saharawi Voice?

Werad: Unë u linda në një kamp refugjatës dhe gjithmonë kam pasë dëshirë që të bëjë diçka për kampin dhe okupimin. Nuk i kam parë mediat ndërkombëtare duke bërë diçka për këtë. Pak njerëz e njohin Saharën. Tash e katërdhjetë vjet është duke ndodhur, por pak njerëz kanë dëgjuar për të ose për faktin që është kolonia e fundit. Thuaja se nuk ka mundësi që të gjindet zgjidhje pa mbështetjen e shoqërisë civile dhe grupeve të të drejtave të njeriut. Prandaj e bëjë këtë që e bëjë.

Në një prej videove tuaja, që u shfaqën në master klasën e DokuFest, një djalë i ri adoleshent i quajtur Hamdi, i cili u lind në një kamp refugjatësh, thotë se “në një shkretirë në të cilën askush nuk do të guxonte që të ndërtonte një shtet, ne e kemi ndërtuar një shtet funksional në ekzil me të gjitha institucionet”. Si është formuar ky shtet paralel në kampe?

Ne besojmë që aktualisht jemi duke i zhvilluar dy luftëra pasive: çlirimi i vendit dhe ndërtimi i vendit njëkohësisht. Prej fillimit kemi besuar që kjo nuk është diçka që do të zgjatë përgjithmonë.

Prandaj sarahasit kanë qenë të përgatitur, edhe në ambientet më të vështira, për t’i ndërtuar institucionet e tyre dhe për të qenë të përshtatshëm, në mënyrë që kur të kthehen përsëri në Saharën Përendimore të jenë si shtet funksional që mund ta zëvendësojë okupimin. Kemi ministri. Më të rëndësishmet janë ato të arsimit, mbrojtjes, rinisë, sporteve, grave dhe studentëve.

Gjatë luftës, gratë janë ato që ndërtuan gjithçka sepse pjesa më e madhe e burrave ishin duke luftuar. Ata mbështeteshin në ato sa i përket ndërtimit të shkollave, spitaleve. Kontributi i tyre është shumë i madh, e prandaj roli i organizatës është që të luftojë për të drejtat e tyre në shoqëri dhe qeveri. Për shembull, aftësimi dhe mundësimi i punësimit të grave në pozita të larta qeveritare; që të jenë deputete, ambasadore, e përfaqësuese saharane.

Të dielën dëgjuam shumë për frustrimin në lidhje me mosveprimin e komunitetit ndërkombëtar.

Prej fillimit ka pasë njerëz që e kanë mbështetur Marokun dhe e kanë mbështetur pa kushte okupimin, që prej ditës së parë. E kam fjalën për Francën, Shtetet e Bashkuara, e të tjera.

Nëse flasim për Arabinë Saudite, nuk është edhe aq e befasishme për shumë njerëz. Por këto shtete, shtete perendimore që e përcaktojnë vetën me zakone të lirisë, pavarësisë dhe paanësisë, nëse mundohesh t’i mësosh saharanët për këto ata vetëm qeshin, sepse ne nuk e shohim kështu. Shohim shtete që me dijeni të plotë po zgjedhin që ta mbështesin Marokun. Është aleat i cili është i gatshëm që të bëjë shumë punë të ndyra për këto shtete.

Organizata e Kombeve të Bashkuar (OKB) është entitet shumë i madh dhe ka potencial shumë të mirë, por është vetëm fasadë që ua mundëson këto veprime këtyre shteteve.

Kanada e shtetet tjera, kompanitë e tyre i plaçkisin pasuritë natyrore të Saharës Përendimore. E qartë është sipas ligjit ndërkombëtar që këto veprime janë të paligjshme, meqë Sahara duhet të përfitojë prej këtyre pasurive. Këto kompani e bëjnë prap se prap. Nuk ua ndinë.

[Në maj, autoritetet e Panamasë lejuan që një dërgesë e fosfatit të Saharës Perendimore – e blerë nga një firmë kanadeze – të vazhdojë deri në destinacion, pavarësisht paralajmërimeve që ishte minuar në mënyrë të paligjshme nga një kompani shtetërore marokene. Në 2016, Suedia i tërhoqi planet që i kishte për ta njohur pavarësinë e këtij vendi kur Maroku i bllokoi planet për hapjen e dyqanit të parë të Ikea në Marok.]

Organizata e Kombeve të Bashkuar (OKB) është entitet shumë i madh dhe ka potencial shumë të mirë, por është vetëm fasadë që ua mundëson këto veprime këtyre shteteve. Është thjeshtë pasqyrim i dëshirave të tyre, pra nëse duan diçka, ata mund ta përdorin OKB për ta kanalizuar dhe legalizuar atë vendim.

Ishte planifikuar që të mbajmë referendum në Saharën Përendimore, por nuk ka ndodhur ende. MINURSO [Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Referendum në Saharën Perendimore] është i vetmi mision i OKB që nuk përfshinë monitorim për të drejta të njeriut.

[Human Rights Watch i kanë dokumentuar vazhdimisht brutalitetin policor, torturat dhe shtypjet që kanë ndodhur gjatë protestave publike]

Çfarë ndikimi kanë këto ndarje në jetët e familjeve saharane sot?

Ata janë detyruar që të zgjedhin në mes të një guri dhe një vendi të vështirë. Për ta parë një familjar apo mik, ata duhet të pranojnë jetën nën okupim, e shumë njerëz nuk e pranojnë këtë. Është çmim të cilin e paguajnë, pra ndarja nga familja e tyre. Shumë njerëz janë të gatshëm që ta bëjnë këtë, sepse mendojnë që ja vlenë të kenë mundësi të vendosin për të ardhmën e tyre. Sigurisht nuk është diçka e lehtë, dhe nuk është diçka me të cilën njerëzit përshtaten lehtë, por tregon sa është me rëndësi vendosja për të ardhmën e shtetit të tyre.

Vështirë është me gjetë dikënd që nuk ka vëllezër, motra, prindër apo kushërirë të cilët nuk jetojnë në anën tjetër të murit. Në 2005 mos gabofsha, OKB e kishte një program të quajtur CBM (Confidence-Building Measures | Masa për Ndërtim të Mirëbesimit) si pjesë e së cilit shkëmbenin vizita nëpërmjet kampeve dhe territoreve të okupuara, por zgjati vetëm pesë ditë. Përfytyroni se si është që ta japin mundësinë të jesh me vëllaun tënd vetëm pesë ditë. Nëse don me jetu gjithë jetën me të, ose duhet të jetosh nën okupim, ose vëllau apo motra duhet me ardhë me jetu si refugjat/e.

Kurrë nuk e kam parë gjyshën time. Ajo ndërroi jetë para katër viteve por kurrë nuk pata mundësi që ta shoh. I kam dy vëllezër prej babës dhe axhë e dajë që nuk i kam parë kurrë, e 32 vjet i kam.

Keni shkruar shumë për ‘nërvozën e heshtur’ dhe rezistencën ndaj ekspozimit të dhimbjes e vuajtjes në botën e jashtme, kur asgjë e mirë nuk vjen prej saj. Si ndihen saharanët e rinj sot për të ardhmën?

Pjesa më e madhe kanë shpresa për të ardhmë, por është gjithashtu një grup që ndihen të pafuqishëm. Ndihen sikur nuk mund të bëjnë shumë përderisa është duke vazhduar lufta, sa i përket luftës së armatosur. Mendojnë që negociatat paqësore janë vetëm humbje kohe, dhe si të rinj, ata nuk mund të kontribuojnë në këtë situatë.

Njerëzit argumentojnë që bisedat dhe ndarja e historisë sonë nuk ndryshon asgjë. Prindërit tanë folën me gazetarë dhe asgjë nuk ndodhi, pra pse at bëjmë edhe ne të njejtën gjë?

Nuk e shohin në atë aspektin që po i afrohemi synimit tonë, i cili është mundësia për t’i mbrojtur të drejtat tona, të drejtën për vetëvendosje. Ka shumë arsye për të qenë të dëshpëruar. Njerëzit frustrohen sepse nuk shohin se çfarë të mira kemi. Njerëzit argumentojnë që bisedat dhe ndarja e historisë sonë nuk ndryshon asgjë. Prindërit tanë folën me gazetarë dhe asgjë nuk ndodhi, pra pse at bëjmë edhe ne të njejtën gjë? Ndryshimet vijnë vetëm kur merremi vet me problemin, sa i përket luftës së armatosur.

A ka aktivistë maroken që po luftojnë për njohjen e Saharës Përendimore, dhe si e shohin populli matanë kufirit?

Personalisht i njoh vetëm disa aktivistë që e kanë ngritur zërin për ta mbështetur [të drejtën tonë për vetëvendosje]. I kam takuar tre prej tyre kur erdhën për të kaluar kohë me saharanët, dhe e vlerësoj qëndrimin e tyre.

Nuk justifikohet domosdoshmërisht, por e kuptoj për shkak të propagandës shtetërore. Atyre u janë imponuar këto pikëpamje prej shkollave, mediave, e gjithçka tjetër; që Sahara Perendimore u përket atyre dhe që saharanët po e dëmtojnë sovranitetin maroken.

Nuk kam statistika për të treguar se sa marokenë i mbështesin saharanët por prej aq sa kam parë, janë shumë pak. E di që nuk është lehtë, sepse konsiderohet si një prej temave të shenjta: monarkia, religjioni dhe Sahara Perendimore. Këto janë vijat e kuqe në Marok.

Çfarë mendimi ke për të ardhmën e Saharës Perendimore? A ke shpresa që gjërat do të shkojnë në drejtim pozitiv?

Mendoj që e ardhmja do të vendosët prej punës së saharanëve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Shtetet që janë të interesuara po lëvizin. Siç thotë fjala e urtë ‘nuk ka miq të përhershëm, e armiq të përhershëm’. Kjo pikëpamje më jep shpresë.

Ndoshta është e ngadalshme, por besoj që pas gjithë atyre që i dhanë e i sakrifikuan, nuk ka mundësi që të mos ndodh. Saharanët do ta ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje, e do ta kenë shtetin që e dëshirojnë. Dhe nuk është vetëm dëshirë, por mendoj që është fakt, në bazë të punës dhe përkushtimit të popullit. Për këtë kanë punuar.

Foto kryesore nga SaharawiVoice.com

KOMENTO