Më 4 gusht 2018, Lum Gjika me bashkëshorten, pasi hëngrën mish pule për drekë në një nga restorantet e Prishtinës, patën nevojë për ndihmë mjekësore.
Bashkëshortja e Lumit filloi të ketë marramendje, të vjella e barkqitje disa orë pasi përfunduan drekën dhe arritën në shtëpi. Pa kaluar dy ditë, të njëjtat simptoma iu paraqitën edhe atij.
“Ka qenë verë dhe jashtë ka qenë shumë nxehtë ndërsa unë dridhesha komplet prej etheve të tmerrshme që kom pasë”, thotë Lumi, ekonomisti 30 vjeçar, i cili thotë se për shkak të helmimit ishte dashur të pushonte pesë ditë nga puna.
Lum Gjika dhe gruaja e tij u diagnostikuan me helmim nga bakteri Salmonelë pasi hëngrën mish pule në një nga restorantet e Prishtinës në gusht të vitit 2018. Foto: Arbëri Krasniqi.
Pasi vizituan mjekun në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të dy u diagnostikuan me helmim nga bakteri Salmonelë që merret përmes ushqimit, zakonisht vezëve dhe mishit të pulës. Salmonela është ndër patogjenët më të shpeshtë në ushqim dhe prek miliona njerëz brenda një viti në botë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
Përveç dhimbjes së kokës e barkut, etheve, të vjellave dhe diarresë, pasojat e helmimit me këtë bakter, veçanërisht te fëmijët dhe pacientët e moshuar, ndonjëherë mund të jenë edhe fatale për shkak të dehidrimit të rëndë.
Helmimi me ushqim është sëmundje e shkaktuar nga konsumimi i ushqimit apo ujit të kontaminuar me baktere, parazite, viruse, toksina apo kemikalie të ndryshme. Ushqimi bëhet i pasigurt për shkak të kontaminimit që ndodhë në zinxhirin e prodhimit, përfshirë shëndetin e kafshëve apo bimëve, përpunimin e produkteve të tyre, si dhe kushtet e ruajtjes.
Sipas të dhënave që Kosovo 2.0 ka marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), Salmonela është ndër bakteret më të shpeshta në Kosovë që merren me anë të ushqimit e që shkaktojnë helmim, pasuar nga Escheria coli (E.coli), ndërsa virusët më të shpeshtë që shkaktojnë helmim me ushqim janë Rotavirusi dhe Hepatiti A.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në QKUK, thotë se simptomat e helmimit nga ky bakter zakonisht paraqiten gjashtë orë deri në katër ditë pas konsumimit të ushqimit. “Krahas dhembjeve të lukthit, pacienti mund të ketë barkqitje dhe të vjella në të njëjtën kohë”, thotë ai.
Lumi ishte viktimë e helmimit nga ushqimi përsëri këtë vit. Kësaj radhe hëngri ve të fërguara në restorant, në mëngjesin e 11 gushtit, para se të shkonte për lutje në meshë.
“Pak para se me hy në meshë filloi të më turbullohet krejt pamja”, tregon ai. “Kom dalë prej meshës para kohës dhe kom shku në ambulancë. Aty më thanë që jam helmu”.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kosovarët shpenzojnë më shumë se gjysmën e buxhetit familjar në ushqim. Brenda një dekade, që nga viti 2007 deri në vitin 2017, me gati se dyfishimin e të ardhurave mesatare të familjeve, edhe shpenzimet e familjeve kosovare në restorante dhe hotele janë shtuar për 100%, mesatarisht nga 100 në 200 euro në vit.
Infektologu Valbon Krasniqi thotë se simptomat e helmimit nga bakteri Salmonelë paraqiten gjashtë orë deri në katër ditë pas konsumimit të ushqimit. Foto: Arbëri Krasniqi.
Rritja e konsumit të ushqimit jashtë shtëpisë, sidomos në restorantet ku gatuhen ushqime të shpejta, po rrit rrezikun e helmimit nga ushqimi. “Duke ditur edhe trendet në shtetet e tjera dhe duke pasur parasysh rritjen e përdorimit gjithnjë e me të madh të ushqimit të shpejtë, numri i helmimeve është gjithsesi më i madh”, thotë Krasniqi.
Lumi, për shembull, thotë se që nga dy helmimet që ka përjetuar, kujdeset më shumë për origjinën e produkteve ushqimore dhe për të ngrënë në shtëpi.
Në një rast tjetër, gazetari Visar Duriqi, në mesin e muajit qershor të vitit 2018, kishte vendosur të ndalet për të ngrënë në restorantin “Garden” në Gjilan gjersa udhëtonte atypari. Kishte porositur rizoto me mish pule dhe sos të bardhë me kërpudha dhe nuk kishte vërejtur ndonjë gjë të çuditshme me ushqimin. Rreth gjashtë orë më vonë, Visarit i ishin shfaqur shenjat e para të helmimit. “Fillimisht kanë qenë vjellje të rënda deri në dehidrim gati total”, thotë ai. “Pastaj edhe jashtëqitje deri në 12 apo 13 herë brenda 24 orëve”.
Atë ditë, në restorantin e njëjtë qenë helmuar edhe shumë qytetarë tjerë të cilët e kishin ngrënë iftarin aty. Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), gjithsej 130 veta që kishin ngrënë në restorant kishin kërkuar ndihmë mjekësore.
Lamir Thaçi, zëdhënësi i AUV-së, thotë se ky institucion kishte filluar të merrej me rastin me kërkesë nga Prokuroria e Kosovës. Rezultatet e Agjencisë tregonin se ushqimet përmbanin, përveç bakterit Salmonela, edhe Stafilokokus dhe E.Coli.
Visar Duriqi ishte një nga 130 njerëzit e helmuar me ushqim pas ngrënies në restorantin “Garden” në Gjilan në qershor 2018. Foto: Arbëri Krasniqi.
Stafilokokus është bakter që gjendet shpesh në lëkurën e njerëzve dhe në rrugët e frymëmarrjes, dhe mund të bartet edhe nga ushqimi i kontaminuar. Bakteri liron një toksinë në ushqim që, nëse konsumohet, shkakton të përziera, të vjella të rënda dhe temperaturë të lartë. Ushqimet që infektohen më së lehti nga ky bakter janë vezët, mishi, sallatat, dhe produktet e qumështit.
Ndërkaq E. Coli është lloj i zakonshëm i bakterit që njihet për shkaktimin e irritimit në stomak dhe helmimin nga ushqimi. Gjendet në ushqime si produktet e qumështit dhe ato të mishit të kuq. Shpesh fitohet edhe nga mungesa e pastërtisë së duarve gjatë gatimit ose ngrënies.
Këto baktere, sipas AUV-së, në restorant ishin marrë nga sallata e përzier dhe sosi i kërpudhave.
Në kontrollin mjekësor që Duriqi kishte bërë në Klinikën Infektive në QKUK, i kishin sugjeruar që të hospitalizohej, por ai kishte nënshkruar dokumentin që me vullnet po refuzonte trajtimin. Kjo gjendje i kishte vazhduar për rreth një javë.
“Çdo ushqim ose ujë që e kam futur në sistemin e tretjes është refuzuar dhe është nxjerrë jashtë nga trupi ose me vjellje, ose barkqitje. I vetmi ushqim me të cilin kam mbijetuar kanë qenë infuzionet”, thotë Duriqi, i cili për shkak të vazhdimit të kësaj gjendjeje, ishte kontrolluar edhe në një spital privat dhe kishte marrë diagnozën e njëjtë.
Një tjetër ngjarje e helmimit kolektiv nga shërbimet e ushqimit jashtë shtëpisë ka ndodhur rishtazi në Drenas, më 16 maj të këtij viti. Pasi kishin ngrënë në një nga qebaptoret e këtij qyteti, u helmuan rreth 100 qytetarë. Shumica nga ta në këtë rast kishin shkuar në qebaptore për të ngrënë iftarin. Sipas rezultateve të analizës së kryer nga IKShPK, pothuajse në të gjitha ushqimet e ofruara nga qebaptorja kishte baktere helmuese.
Bazuar në të dhënat që IKShPK ka lëshuar për K2.0, gjatë viteve 2017 dhe 2018 janë raportuar gjithsej 4,174 raste të helmimit.
Infektologu Krasniqi thotë se në Kosovë numri i helmimeve gjithmonë është më i madh sesa ato që raportohen. Qytetarët të cilëve u paraqiten simptoma më të lehta nuk kërkojnë fare ndihmë mjekësore, e disa prej tyre vizitojnë institucionet private për mjekim. “Si rrjedhojë [këto raste] nuk regjistrohen si shifra të helmimeve duke pasur parasysh mungesën e një sistemi të mirëfilltë të raportimit të rasteve brenda institucioneve mjekësore” thotë ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një raport të vitit 2015 mbi barrën globale të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi, tregon se në botë brenda vitit rreth 600 milionë njerëz sëmuren pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe rreth 420 mijë vdesin. Sëmundjet me origjinë ushqimore, sipas OBSh-së, prekin në veçanti fëmijët nën pesë vjeç si dhe personat që jetojnë në rajonet e varfëra të botës.
Siguria ushqimore është pjesë e së drejtës për “standard adekuat” të jetesës që rregullohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike.
Ndërkaq Zyra e Komisionerit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut e përdorë shprehjen “e drejta në ushqim” dhe thotë se kjo përfshin të drejtën për të pasur ushqim, që ushqimi të jetë i qasshëm dhe adekuat. Zyra e Komisionerit e përshkruan sigurinë në ushqim si një ndër elementet brenda të drejtës për ushqim adekuat. “Ushqimi duhet të jetë i sigurtë për konsumim nga njerëzit dhe pa substanca të rrezikshme si kontaminuesit nga proceset industriale dhe bujqësore, përfshirë mbetjet nga pesticidet, hormonet ose barërat veterinare”, interpreton ajo.
Rishtazi, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e deklaroi 7 qershorin si Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit të Sigurt dhe shënimi i parë i kësaj dite u bë nën parullën “siguria në ushqim, detyrë e të gjithëve”.
Në Kosovë, Ligji për Ushqimin e definon ushqimin e sigurt si “ushqim i cili nuk mund të ketë ndikim të dëmshëm në shëndetin e njerëzve, nëse është prodhuar dhe konsumuar në pajtim me destinimin e tij”.
Por helmimet e shumta, skandalet me mish të prishur dhe produkte me afat të skaduar, shitja e produkteve të qumështit në tregje publike pa asnjë kontroll, therjet e kafshëve në mënyrë jo të rregullt dhe parregullsi të ngjashme sinjalizojnë probleme me garantimin e sigurisë në ushqim.
Sistemi i pakonsoliduar i kontrollit dhe raportimit
Sipas Ligjit për Ushqimin, i cili ka hyrë në fuqi më 2009, përgjegjësia kryesore për garantimin e sigurisë ushqimore në Kosovë i takon Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nëpërmjet inspektorëve veterinarë (nëse produkti është me origjinë shtazore), sanitarë (kontroll të higjienës) dhe fitosanitarë (nëse produkti është me origjinë bimore).
Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, thotë se kontrolli i ushqimit në Kosovë “është i njëjtë me të vendeve të BE-së”.
“Me plot përgjegjësi mund të them se produktet ushqimore të plasuara në tregun kosovar nuk mund të kategorizohen si të dyshimta”, thotë ai, dhe shton se “qytetarët kanë besim” në këtë institucion.
Lamir Thaçi, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, thotë se kontrolli i ushqimit në Kosovë është i njëjtë me vendet e BE-së dhe qytetarët duhet të kenë besim në ushqimin që e blejnë. Foto: Arbëri Krasniqi.
Por Kosovës i mungon koordinimi ndërinstitucional në inspektim.
AUV-ja pohon se një ndër sfidat kryesore në punën e saj është numri i vogël i inspektorëve. AUV ka gjithsej 71 inspektorë kufitarë dhe të brendshëm. Kur Ligji për Ushqimin qe miratuar, ishte paraparë (neni 39) që edhe inspektorët komunalë të integroheshin në kuadër të Agjencisë në mënyrë që të ndihmonin në kontrollin ushqimor. Ky legjislacion u pa si përparim edhe nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, por integrimi i inspektorëve nuk ka ndodhur në praktikë që atëherë.
Inspektorët komunalë vazhojnë të kryejnë inspektime, por rrallë i raportojnë ato në Agjenci.
Për shembull, sipas të dhënave që ka siguruar Kosovo 2.0 nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Inspeksionit ka realizuar 199 inspektime gjatë viteve 2018-19 për mbikëqyrje higjeno-sanitare nëpër markete, furra, çerdhe dhe restorante të ndryshme të kryeqytetit me qëllim konstatimin e kushteve në të cilat mbahen produktet ushqimore, përfshirë afatin e përdorimit të tyre.
“Ne gjatë gjithë kohës kryejmë inspektime të cilat janë të përfshira në plane të punës apo inspektime rutinore […] në lidhje me kushtet higjeno-sanitare të produkteve të ndryshme ushqimore”, është përgjigjur me email kjo drejtori. Sipas saj, në inspektimet që bëhen, rastet me të shpeshta në të cilët hasin inspektorët janë afatet e skaduara të përdorimit të mallrave si dhe ekspozimi i tyre në kushte të dobëta higjeno-sanitare.
Pasi të gjeturat komunale nuk raportohen në AUV, në Kosovë nuk ka një institucion i cili i mbledhë dhe analizon të gjitha informatat për sigurinë ushqimore në nivel kombëtar.
Thaçi thotë se kjo nuk ka të bëjë me mosdëshirën e AUV-së. “Ne jemi duke bërë përpjekje, i kemi plotësuar të gjitha kërkesat që na janë paraqitë, kemi nënshkruar edhe memorandume të bashkëpunimit me 99% të komunave për transferim të inspektorëve, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të disa problemeve që janë sa i përket kalimit të financave nga komunat tek ne”, thotë ai.
Sipas nenit 27 të Ligjit për Ushqimin, për inspektimet e bëra duhet të hartohen raportet periodike dhe vjetore nga Agjencia, të cilat duhet të përmbajnë detaje si: numri dhe lloji i mbikëqyrjeve inspektuese, numri dhe lloji i mostrave të marra për inspektim, numri dhe lloji i objekteve në të cilat janë zbatuar mbikëqyrjet inspektuese, shënimet për masat e ndërmarra në rastet e mos përmbushjes së kërkesave të përcaktuara me këtë ligj, etj.
Agjencia nuk ka publikuar asnjë raport vjetor mbi punën e saj dhe nuk i ka dërguar K2.0 ndonjë raport vjetor të papublikuar online, përkundër kërkesës për qasje në dokumente publike. Faqja online e AUV-së ka vetëm disa informata të përgjithshme në lidhje me punën e saj dhe bazën ligjore. Ajo gjithashtu përmban disa raporte të paplota të kontrollave zyrtare pa gjetje konkrete.
Të dhënat e lëshuara nga AUV për vitin 2018 tregojnë se janë kryer 47 mijë kontrolle zyrtare në pikat kufitare ndërsa 7,200 inspektime tjera brenda vendit. Në po të njëjtin dokument thuhet se janë realizuar 4,650 mostra për analiza laboratorike dhe 987 strisho.
AUV kryen mijëra inspektime çdo vit, por informatat publike për punën e saj janë të kufizuara dhe të dhënat nuk janë të plota. Foto: Arbëri Krasniqi.
Agjencia thotë se ka asgjësuar mbi 775,000 kg/litra produkte, 197 kafshë, 135 koshere me bletë dhe 23,540 fidanë të llojeve të ndryshme gjatë vitit 2018. Por të dhënat nuk tregojnë as për llojin e mostrave, as për objektet e inspektuara, e as për ndonjë gjetje konkrete nga inspektimet. Agjencia nuk ka dhënë asnjë shifër lidhur me kërkesën e K2.0 për të pasur qasje në këto të dhëna.
Sipas profesorit të Higjienës Ushqimore në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hamidi, duhet të ketë në vazhdimësi raporte të punës së institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore për shkak se “siguria e ushqimit dëshmohet vetëm atëherë kur ne dijmë që ai i nënshtrohet kontrollave rutinore”.
“Përveç raportit vjetor duhet edhe një raport së paku në gjashtë muaj, në mënyrë që konsumatori me qenë i familjarizuar me trendet e sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës”, thotë ai.
IKShPK është institucioni tjetër që ka për qëllim përcjelljen dhe hulumtimin e sëmundjeve që përhapen me anë të ushqimit si dhe të përgatisë dhe të zbatojë strategjinë e shëndetit publik në Kosovë. Drita Zogaj, specialiste e ekologjisë humane në këtë institut, thotë se plani për siguri të ushqimit dhe përcaktimi i llojit të mostrave për analiza laboratorike në Institut bëhet nga AUV-ja.
Drita Zogaj është specialiste e ekologjisë humane në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, i cili ndihmon me bërjen e testeve të sigurisë së ushqimit dhe me analiza laboratorike. Foto: Arbëri Krasniqi.
Zogaj thotë së në IKShPK zakonisht shkojnë mostra nga pikat doganore, por jo mostra të brendshme që merren në qebaptore, gjelltore, mishtore etj. “Ne bashkëpunojmë me AUV brenda konditave ligjore, kapacitete kemi, se a jemi të shfrytëzuar sa duhet le të tregon Agjencia”.
Ajo që e bën edhe më të padepërtueshme gjendjen e sigurisë ushqimore në Kosovë është mungesa e informacionit cilësor mbi shkaktarët e saktë të komplikimeve shëndetësore që kryesisht kanë për origjinë ushqimin e pasigurt.
Të dhënat e lëshuara nga QKUK për Kosovo 2.0 tregojnë se në vitin 2018 dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 ka pasur 1,165 raste të hospitalizimeve të diagnostikuara me simptoma të ndërlidhura me traktin e zorrëve dhe tretjes (rastet e Gastroenterokolitit akut dhe Enterokolitit akut në tabelën më poshtë) si dhe raste të përgjithshme të helmimit me ushqim. Këto sëmundje shkaktohen kryesisht nga ushqimi i pasigurtë, por QKUK thotë se jo gjithmonë ka arritur të izolojë bakteret ose virusët që i kanë shkaktuar sëmundjet.
Në fakt, të dhënat e lëshuara tregojnë se në shumicën e rasteve janë regjistruar vetëm simptomat. Vetëm në 51 raste është identifikuar shkaktari i infeksionit — rastet (në tabelë) me sëmundjet Salmoneloza, Sindromi dizenterik (Shigella), Gjiardiaza (Lamblia / Intestinalis), dhe Amebiaza.
Zakonisht simptomat nga helmimet që shkaktohen nga bakteret dhe virusët janë afërsisht të njëjta dhe shoqërohen me të vjella, diarre, dhimbje barku e koke, dhe marramendje. Ato kalojnë brenda disa orëve ose ditëve. Por infektologu Valbon Krasniqi thotë se ka raste kur “bakteret apo virusët duke kaluar në gjak kalojnë në organe tjera si mëlqi, mushkëri dhe shkaktojnë sëmundje apo pasoja më vonë”.
Raste të këtilla për shembull paraqiten kur E. Coli kalon në traktin urinar dhe shkakton infeksione kronike apo kur kalon në mushkëri dhe shkakton probleme në rrugët e frymëmarrjes e në raste të rralla edhe pneumoni. Sikurse edhe me bakteret e ngjajshme, rreziku është që ato të bëhen rezistente ndaj antibiotikëve dhe të shkaktojnë infeksione kronike.
Kombet e Bashkuara këtë vit paralajmëruan se nëse nuk ndërmerren masa, sëmundjet nga rezistenca antimikrobike mund të shkaktojnë 10 milionë vdekje deri në vitin 2050. Sipas Planit të Veprimit nga BE për Rezistencën Antimikrobike, në Bashkimin Evropian ndodhin 33 mijë vdekje në vit si pasojë e rezistencës antimikrobike.
Antibiotikët janë gjerësisht në dispozicion pa recetë në Kosovë, ndërsa mikroorganizmat tregues të rezistencës në Kosovë janë dy deri në pesë herë më të lartë se mesatarja evropiane për pothuajse të gjithë antibiotikët e krahasueshëm. Foto: Arbëri Krasniqi.
Qytetarët kosovarë mund të jenë të mbi ekspozuar ndaj antibiotikëve, pasi me lehtësi mund të blejnë antibiotikë pa përshkrimin e mjekut dhe konsumojnë produkte të pakontrolluara mbi praninë e antibiotikëve. Sipas të dhënave në Planin Strategjik për Rezistencën Antimikrobike, mikroorganizmat tregues të rezistencës janë dy deri pesë herë më të lartë në Kosovë se mesatarja evropiane për pothuajse të gjithë antibiotikët e krahasueshëm, si dhe vendi ynë radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të përdorimit të antibiotikëve në Evropë.
Mungesa e inspektimeve për siguri ushqimore, përveç niveleve të antibiotikëve, ngrit rrezikun edhe nga kontaminuesit e tjerë si metalet e rënda, pesticidet, toksinat, etj. Prania e këtyre kontaminuesve në ushqim mbi vlerat e lejuara, krijon rrezikshmëri të lartë për shkak të dëmeve që shkaktojnë në organe të ndryshme si dhe për shkak të efektit kancerogjen të tyre.
Në Kosovë rrallë flitet në publik për këto rreziqe që vijnë nga ushqimi i pasigurt.
“Kur skandalet e helmimeve dalin në opinion, sigurisht që ato janë shenja treguese të mungesës të kontrollit ushqimor”, thotë Agim Rysha, profesor në Departamentin e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Pejës. “Mirëpo brenga ime kryesore janë problemet me kontaminantët kimikë që fare nuk diskutohen”.
Sipas Ryshës, këta ndotës kimikë që mund të gjenden në ushqim të kontaminuar, targetojnë organe të caktuara në organizëm dhe mund të rrijnë në gjendje pasive për shumë vite duke mos u vërejtur me ndonjë simptomë. “Nëse ne nuk kemi kontrollë rutinore […], ne asnjëherë nuk jemi të sigurtë se sa është niveli i antibiotikëve apo pesticideve në produktet që ne i konsumojmë”, thotë ai.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë asnjëherë nuk ka paraqitur të dhëna ose ndonjë studim në lidhje me praninë e ndotësve kimikë në produktet ushqimore në tregun e Kosovës.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thonë se në laboratorin e tyre nuk janë bërë analiza për praninë e këtyre përbërësve.
“Hulumtime të tilla nuk janë realizuar sepse kjo nuk është në dorën e Institutit”, thotë specialistja Drita Zogaj. “Agjencioni [i Ushqimit dhe Veterinarisë] e bën planin monitorues dhe planin e aktiviteteve, ndërsa ne jemi në funksion të tyre dhe te mostrave që i bijnë ata”.
Afrim Hamidi, profesori i Higjienës Ushqimore në Universitetin e Prishtinës, thotë se gjendja e përgjithshme e sigurisë së ushqimit “është shumë e dhimbshme”. “Konsumatori paguan për atë ushqim, e lëre më që nuk i merr vlerat ushqyese, por edhe helmohet”.
Ndërsa profesori Rysha thotë se mungesa e koordinimit në mes të institucioneve përgjegjëse tregon që Kosova nuk ka ndërtuar sistem unik të kontrollit ushqimor. Funksionimi inadekuat i tyre, sipas tij, “cenon automatikisht shëndetin publik”.
Shumë pak raste përfundojnë në gjykata; askush nuk shkon në burg
Më 21 gusht të këtij viti, pak pas festës së Kurban Bajramit, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë zbuluan se 21 tonë mish që po mbahej i deponuar në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe i destinuar për bamirësi për skamnorët me rastin e festës, ishte i prishur.
“Nga kontrolli […] është konstatuar se mishi ka filluar të ndërrojë ngjyrë, disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gjaku”, u kishte thënë mediave zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi. “Kjo dëshmon se mishi është shkrirë e ringrirë, dhe [mishi] ka filluar të kundërmojë erë”.
Përmes një komunikate për media, BIK-u kishte thënë se pjesa e prishur e mishit përbënte vetëm një pjesë nga sasia e përgjithshme që kishte blerë brenda Kosovës dhe zotohej se do të angazhohej për të kuptuar rrethanat e prishjes dhë për të evituar problemin. Sipas AUV-së, depoja ku qëndronte mishi nuk ishte e licencuar nga ky institucion.
Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte nisur hetimet, mirëpo ende nuk ka dhënë konkluzione dhe kështu nuk dihen detajet e mëtejme, përfshirë nëse mishi ka rezultuar me ndonjë pasojë për konsumatorët te të cilët destinohej — skamnorët.
Njësoj, ka pak informata në lidhje me rastet tjera ku ishin regjistruar helmime masive me ushqim, sikurse rastet e Gjilanit dhe Drenasit, për shkak se në përgjithësi mungojnë informacionet relevante nga sistemi i drejtësisë.
Në verën e 2019-ës, rreth një vit pas helmimit kolektiv në restorantin ‘Garden’ në Gjilan, Prokuroria Themelore e Gjilanit ngriti aktakuzë kundër të pandehurit Fatmir Korçaj (kuzhinierit të restorantit) dhe personit juridik “Enesi Group’’ SH.P.K, me drejtoreshë Ganimete Behlulin, që ka në pronësi restorantin. Por ende nuk është konfirmuar nëse ka filluar procesi gjyqësor dhe prokuroria nuk është përgjigjur për të dhënë detaje tjera.
Për helmimin në Drenas në qebaptoren “Toni”, Prokuroria Themelore e Prishtinës, e kontaktuar nga Kosovo 2.0, nuk ka dhënë asnjë detaj se si ka proceduar rasti më tutje dhe në cilën fazë të hetimit është ai.
Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se në përgjithësi, ndërmjet statistikave të helmimeve të lëshuara nga institucionet shëndetësore dhe atyre të dënimeve nga institucionet e drejtësisë ka shpërputhje shumë të mëdha. “Normalisht që është vështirë të dëshmohet se është kryer vepra penale me qëllim, por edhe pakujdesia duhet të ndëshkohet”, thotë ai.
Sipas të dhënave të lëshuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për Kosovo 2.0, gjykatat kanë pasur më pak se 30 lëndë në punë brenda një viti lidhur me prodhimin dhe qarkullimin e produkteve të dëmshme ushqimore gjatë periudhës 2016-2018, dhe në përgjithësi kanë arritur t’i zgjidhin më pak se një të tretën e lëndëve në punë në vit.
Visar Duriqi, i helmuari në rastin e Gjilanit, thotë se ndihet i dëshpëruar që asnjë nga institucionet përgjegjëse për hetimin e këtij rasti madje as nuk e ka ftuar për të dëshmuar për helmimin.
As skandalet e shumta me mungesën e sigurisë ushqimore e as shifrat e larta të helmimeve te qytetarëve nga produktet ushqimore nuk i kanë shtyrë institucionet e drejtësisë që të pozicionohen me më shumë vendosmëri ndaj përgjegjësve për dëmtimin e shëndetit të njerëzve.
Në Kodin Penal të Kosovës, specifikisht në nenin 261, prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë konsiderohet vepër penale. Paragrafi i parë i këtij neni thotë se “kushdo që prodhon me qëllim të shitjes, shet, ofron për shitje apo në ndonjë mënyrë tjetër vë në qarkullim artikuj ushqimorë, pije apo produkte të tjera për të cilat kryesi e di se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në katër (4) vjet”.
Në rastet kur një shkelje e tillë shkakton dëme serioze në shëndetin e një personi parashihet dënimi me burg deri në tetë vite.
Nga të dhënat që Kosovo 2.0 ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në tri vitet e fundit, asnjë rast nuk është zgjidhur me dënimin më të lartë — burgimin.
Nga këto të dhëna vërehet se nga 18 lëndë të zgjidhura, në tre raste përgjegjësit janë dënuar me gjobë, katër me kusht, një rast është zgjidhur me aktgjykim refuzues, dy me dënime të tjera, shtatë me ndërmjetësim ose me ndonjë metodë të ngjashme, dhe një është parashkruar.
Disa raste tregojnë se masat me gjoba të vogla të ndërmarra nga gjykatat nuk e ndalin sjelljen e dëmshme.
Për shembull, kasapi Sali Shkuliqi ishte dënuar më 2017 me tre muaj burgim — të cilin nuk obligohej ta vuante nëse në kohëzgjatje prej një viti nuk do të kryente vepër penale tjetër — dhe me dënim me gjobë në shumën e 150 eurove me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë. Sipas aktakuzës që ka siguruar Kosovo 2.0, atë vit Shkuliqi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës përderisa po barte me veturë një lopë të sëmurë që e kishte blerë me dijeni dhe me qëllim për ta prerë.
Në janar të këtij viti, Shkuliqit sërish iu konfiskuan 1,089 kilogramë mish të prishur që ishte i destinuar për konsumim publik. Me këtë rast u arrestuan ai dhe tre persona tjerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të siguruar nga Kosovo 2.0, thuhet se “me datën 16 janar të 2019 të akuzuarit Sali Shkuliqi, Rexhë Shala, Muhamet Berisha, Jeton Berisha duke vepruar në bashkëveprim, kanë vënë në qarkullim artikuj të dëmshëm ushqimorë për shëndetin e njerëzve, për çka të pandehurit ishin në dijeni”.
Lokalet ku ndodhë therja e kafshëve duhet të licencohen për të ndihmuar në sigurimin e standardeve të duhura të higjienës. Foto: Arbëri Krasniqi.
Mishi konsiderohej artikull i dëmshëm — gjë që sanksionohet me kodin penal — ngase, sipas dokumentacionit të rastit, ishte përpunuar pasi të akuzuarit kishin prerë një lopë të sëmurë, dhe për shkak se punëtoria e Shkuliqit ishte e palicencuar dhe me kushte të dobëta higjenike.
Muhamet Berisha, pasi nuk kishte pasur sukses në shërimin e lopës së sëmurë, me ndihmën e Jeton Berishës, kishte telefonuar Sali Shkuliqin për t’ia shitur lopën, sipas dokumentacionit të prokurorisë. Shkuliqi, së bashku me Rexhë Shalën, kishin shkuar te shtalla e Muhametit dhe kishin blerë lopën në vlerë prej 400 eurosh. Kafshën e sëmurë e kishin prerë, e kishin ngarkuar në një veturë dhe e kishin dërguar në punëtorinë e Shkuliqit.
“Gjersa isha në çajtore rastësisht kam takuar dy kasapë të cilëve iu thashë se e kam një lopë për ta shitur. Ata erdhën dhe e blenë lopën […]”, kishte deklaruar Berisha, sipas dokumentacionit të prokurorisë. “Në stallën time e kanë pre lopën, e kanë rrjepë dhe e kanë copëtuar, e me pas e kanë marrë mishin dhe kanë shkuar. Lopa ka qenë e sëmurë, dy herë e ka mjekuar me injeksione veterinari, ku i njëjti më ka thënë se lopa është e sëmurë nga lukthi, e pasi e kemi pre e kemi vërejtur se mushkëritë i kishte pasur të bardha — të prishura”.
Shkuliqi, në mbrojtjen e tij, në Prokurori ka thënë se punën e kasapit e kryen që nga paslufta, dhe merret me blerjen, përpunimin dhe shitjen e mishit. “Nuk jam i licencuar dhe nuk kam biznes të regjistruar tek organet kompetente për ketë veprimtari e as nuk kam leje për të pasur lokal për ushtrimin e kësaj veprimtarie”, kishte deklaruar ai. “E di se duhet të zhvillohet procedurë për të prerë një kafshë […] por meqenëse kjo procedurë kushton, me qëllim që fitimi të më mbetet më i madh unë ndonjëherë nuk i respektoj këto procedura”.
Për lloje të ndryshme të veprimtarive që kanë të bëjnë me prerjen, qarkullimin dhe mirëmbajtjen e ushqimit, ekzistojnë rregullime të veçanta. Për shembull, udhëzimi administrativ për certifikimin e thertoreve, fabrikave për përpunimin e mishit dhe inspektimin e tyre (neni 23), rregullon se subjektet afariste që merren me këto veprimtari duhet të licencohen në AUV e kjo e fundit duhet të inspektojë objektet për prodhimin dhe përpunimin e mishit.
Pasi kishte marrë informata lidhur rastin e Shkuliqit, Policia e Kosovës kishte lajmëruar inspektorët komunalë dhe ata të AUV-së dhe së bashku kishin inspektuar punëtorinë ku përveç që kishin konstatuar mishin e lopës së sëmurë, kishin gjetur edhe sasi tjetër të mishit të prishur.
Në procesverbalin e inspektimit të AUV-së, që citohet edhe në aktakuzë, thuhet se në dy objekte dhe friza të vjetëruar është gjetur mish dhe produkte të mishit. “Mishi kundërmonte erë të keqe dhe ishte i nxirë”, thuhet aty. “Po ashtu vendi ku mbahej mishi ishte në gjendje jashtëzakonisht të keqe, pa pastërti dhe pajisjet ishin me korrozion, baltë, pleh”.
Shkuliqi i ka mohuar këto pohime para Gjykatës duke thënë se nuk e kishte mishin për konsum publik. “Pasha Zotën nuk e kam qit në shitje atë mish; mishin kam pas me ja qitë qenit”, ka thënë ai.
Sipas dyshimeve të raportuara në Kallxo.com, personat e dyshuar merreshin me furnizimin e disa byrektoreve me mish, prodhimin e suxhukut dhe proshutës. Sipas Gjykatës së Pejës lënda është në procedurë e sipër dhe nuk ka ndonjë vendim përfundimtar.