Biseda | Fëmijët

Murat Sahin: Si mund t’i dëgjojmë zërat e të rinjve, ashtu që të përfshihen në formësimin e përvojave të tyre?

Nga - 20.11.2019

Kreu i zyrës së UNICEF në Kosovë flet për tri prioritetet e zhvillimit të fëmijëve në Kosovë.

Më 1954, Organizata e Kombeve të Bashkuara e nxori Deklaratën për të Drejtat e Fëmijës, që u bënte thirrje shteteve t’i mbrojnë fëmijët dhe mirëqenien e tyre. Më 1989, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Më 20 nëntor shënohet Dita Universale e Fëmijëve. Në tërë historinë e Kombeve të Bashkuara, kjo është konventa që është ratifikuar nga më së shumti shtete.

Konventa bën thirrje që fëmijët ta gëzojnë të drejtën për jetë, për shëndet, për arsim, si dhe mundësinë për të luajtur. Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe diskriminimi është një nga parimet mbi të cilat  është ndërtuar konventa. Pavarësisht se shumë shtete janë zotuar t’i respektojnë parimet e konventës, miliona fëmijëve nëpër botë u mohohen vazhdimisht të drejtat.

Në Kosovë shumë fëmijë ballafaqohen me këto probleme, si mungesa e arsimit dhe qasjes në shëndetësi, si dhe varfëria dhe puna e fëmijëve. 

Varfëria mbetet një nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen fëmijët. 

Ndonëse kemi parë përmirësime në vitet e fundit, ende ka probleme me braktisjen e studimeve, si dhe mundësitë e barabarta dhe qasjen e fëmijëve në arsim. Probleme të mëdha ka posaçërisht me qasjen në arsim parashkollor.

Komunitetet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve ndikohen posaçërisht nga mungesa e mundësive dhe qasjes. Vetëm 20 përqind e fëmijëve nga këto komunitete arrijnë ta kryejnë shkollën e mesme.

Për më tepër, edhe fëmijët me aftësi të kufizuara ballafaqohen me probleme në arsim. Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe personelit adekuat, mes problemeve tjera, ua reduktojnë fëmijëve me aftësi të kufizuara mundësitë në sektorin e arsimit. 

Edhe diskriminimi, shfrytëzimi dhe dhuna prekin fëmijët në Kosovë.

K2.0 bisedoi me Murat Sahin, Kreun e zyrës në Kosovë të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF). Në Ditën Universale të Fëmijëve, UNICEF e publikoi një raport me gjetje lidhur me gjendjen e fëmijëve në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohen ata.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Për mendimin tuaj, si është situata me fëmijët në Kosovë?

Ndoshta mund ta lidhi me fëmijërinë time. Unë vij nga Turqia dhe jam 45 vjeç. Nëse i analizojmë prindërit e mi, e shohim se vij nga një familje normale. Babai ishte zyrtar i qeverisë dhe nëna e kishte kryer vetëm shkollën fillore. Pra në familjen time, ëndrra e vetme ishte ta kishin një fëmijë që do të bëhej inxhinier ose mjek. Prindërit e kishin një vizion për mua që nga fëmijëria ime.

Ëndrra e prindërve të mi u kthye në vizion kështu që ata bënë gjithçka për t’u siguruar që unë do të arsimohesha në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë e studiova inxhinierinë, e përfundova magjistraturën dhe kam punuar 20 vjet në UNICEF. Tani jam kreu i zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Një në pesë fëmijë duke jetuar në varfëri do të thotë se familjet nuk i kanë mjetet ta japin më të mirën për fëmijët e tyre.

Nëse i analizon familjet këtu, është e ngjashme për fëmijët e tyre. Të gjithë e duan më të mirën për fëmijët e vet. Shëndetin më të mirë, arsimin më të mirë. Prindërit kosovarë mesatarë duan t’i shohin fëmijët e tyre të martuar, me fëmijë, duan të bëhen gjyshër. 

Kështu që kur i analizoj të drejtat në Kosovë, nuk është si në Jemen apo Siri. E dimë që fëmijët po linden në ambiente të favorshme familjare. Sfida më të mëdha janë institucionet e Kosovës. 10 apo 20 vjet është kohë tepër e shkurtër për të ndërtuar institucione.

E dimë se institucionet nuk janë të cilësisë më të mirë, sistemi i shëndetësisë nuk është ende aty ku duhet. Kur e hap një kompani, duhen disa vjet për ta fituar besimin e klientëve, për t’i bindur klientët të kthehen dhe për të garantuar cilësi. Për të garantuar cilësi, duhet të mësosh vazhdimisht, për të kuptuar çfarë dëshiron klienti, çfarë dëshiron shoqëria.

Edhe kompanive të sektorit privat u duhen disa vite siç thonë në botën e biznesit për t’i kthyer investimet. E hap një bankë apo dyqan apo restoran, bën shumë investime kapitale dhe të duhen ndoshta pesë vjet për të dalë zero-zero. Madje edhe pas pesë vjetësh është pikëpyetje se a do të fillosh të përfitosh. 

Pra në Kosovë janë duke u përforcuar institucionet e shëndetësisë, arsimit dhe mirëqenies sociale. Kur je në zhvillim e sipër, mundohesh të mësosh prej shteteve të suksesshme. Këtu UNICEF e ka rolin jetik, sepse i sjell ato ide që funksionojnë në pjesë të ndryshme të botës dhe i përshtat me kontekstin e Kosovës.

Siç isha duke thënë, pesë apo dhjetë vjet është kohë tepër e shkurtër për ta zhvilluar një institucion të shkëlqyeshëm që i plotëson 100% nevojat e përdoruesve. Fëmijët duan arsim cilësor, shëndetësi cilësore dhe pjesëmarrje cilësore. Këto janë ëndrrat e fëmijëve, jo vetëm në Kosovë por edhe në Amerikë, dhe në 140 shtetet ku operon UNICEF.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kemi mjaft shumë varfëri në Kosovë. Raporti juaj thekson se nivelet e varfërisë janë kyçe për zhvillimin e fëmijëve. 

Një në pesë fëmijë jeton në varfëri. U organizua një anketë me të rinjtë e Kosovës, të cilët u pyetën se çfarë rroge do të kishte qenë e mjaftueshme për t’i mbajtur ata në Kosovë. Të rinjtë u përgjigjën se 600 euro në muaj do të ishin të mjaftueshme për të qëndruar këtu.

Por në rastin e familjeve me dy fëmijë, ku të dy prindërit punojnë, sa u duhen realisht për t’i çuar fëmijët në çerdhe? Për t’ua mundësuar të punojnë dhe të blejnë libra për t’u dhënë mundësi zhvillimi fëmijëve të tyre? Një në pesë fëmijë duke jetuar në varfëri do të thotë se familjet nuk i kanë mjetet ta japin më të mirën për fëmijët e tyre.Këtu luajnë rol institucionet shtetërore apo sociale.

Sipas jush, çfarë po bëjnë institucionet për ta rregulluar këtë? A kemi plan për ta luftuar varfërinë?

Institucionet janë duke punuar. Po, mendoj që agjenda e madhe mbulohet nga Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm (QZhQ) dhe Struktura e OKB-së për Zhvillim, që synojnë ta eliminojnë varfërinë nëpër botë. Nuk është aq e thjeshtë sa të thuash se nëse e merr një vendim social për A, gjithçka do të funksionojë dhe fëmijët do të jenë mirë, sigurimet shëndetësore do të jenë të garantuara, të gjithë do ta kenë arsimimin më të mirë dhe ata që e kryejnë universitetin do t’i gjejnë punët më të mira. Kështu nuk ndodh në asnjë vend. 

Por nëse i shohim shifrat, 23% e njerëzve jetojnë në varfëri, përfshirë shtatë përqind të fëmijëve që jetojnë në varfëri ekstreme, sipas raportit tuaj. 

Ajo që po mundohemi ta bëjmë tani në Kosovë bashkë me institucionet është kjo: i kam tri prioritete për UNICEF-in për pesë vitet e ardhshme. Së pari, zhvillimi i hershëm i fëmijës nënkupton zhvillimin nga shtatzënia e deri në dy vitet e para të jetës. Kjo mundëson fillimin më të mirë të jetës.

Pra infermierët dhe zyrtarët e shëndetësisë shkojnë në secilën shtëpi është si udhëzuesi për kujdesin ndaj fëmijës dhe punojnë me prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe motrat e tyre. Shpejtësia e zhvillimit të trurit të fëmijës në 1,000 ditët e para është jetike. Duhet ta stimulosh fëmijën në 1,000 ditët e para. 

Nga mosha 3 deri në 5 vjeç, fokusohemi në çerdhe dhe kopshte fëmijësh. Është e dëshmuar se për çdo dollar që shpenzohen në çerdhe dhe kopsht, kthehen 17 dollarë. Ka 20% rritje në rezultate të testeve nëse fëmija shkon në çerdhe dhe duke ndërvepruar me moshatarët mëson stimulimin social. Kjo e përgatit fëmijën për shkollë.

Unë u bëj thirrje koalicioneve dhe partive politike ta gjejnë një mënyrë sepse i kemi dëshmitë dhe duhet të adresohen në nivel shumë më të lartë.

Por, a është shumë keq që vetëm 19% të fëmijëve në Kosovë janë të regjistruar në çerdhe dhe kopshte?

Vetëm pesë përqind të çerdheve dhe kopshteve janë të licensuara. Jemi duke punuar që të inkurajojmë qasjen universale në çerdhe dhe kopshte fëmijësh, pa marrë parasysh a vjen nga një familje rome apo ashkali, nga ndonjë komunitet tjetër, apo nga një familje e varfër dhe dëshiron që fëmijët e tu të ndërveprojnë me të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të shkojnë në kopsht.

E kam vizituar çerdhen dhe kopshtin e Komunës së Prishtinës dhe kam parë se ofrojnë një lloj mbështetjeje të shkallëzuar. Nëse të hyrat e familjes janë nën 500 euro, nuk paguajnë; nëse janë nga 500 deri në 1,000 euro, e paguajnë 50% të tarifës; nëse janë mbi 1,000 euro, familja e paguan tarifën e plotë për çerdhe.

A është Prishtina shembulli se si duhet të jetë?

Është shembull i mirë. Shembull tjetër i mirë janë qendrat e bazuara në komunitet, të cilat janë klasa të lidhura me shkolla ku familjet i sjellin fëmijët e tyre për t’u socializuar dhe për të mësuar së bashku; ose mund të jetë ndonjë model i sektorit privat që funksionon në Amerikë dhe plot shtete tjera. Pra është një qasje e përzier: me bazë në komunitet, e udhëhequr nga komuna, dhe e udhëhequr nga sektori privat.

Sipas përvojës tuaj, çfarë po ndodh në qytetet e tjera?

Mendoj se norma sociale është që kur gjyshja rrin në shtëpi, të gjithë mendojnë se kështu është më së miri. Kur nëna nuk punon, perceptimi është që nëna rrin në shtëpi dhe kujdeset për fëmijët. Ky perceptim është i përhapur anembanë Kosovës.

Një, nuk ka ofertë të mjaftueshme sa u përket kopshteve për fëmijë; nuk ka disponueshmëri të shërbimeve. Dy, nuk ka kërkesë për shërbime. Mungesa e kërkesës për këto shërbime tregon se prindërit nuk e dinë që çerdhja dhe kopshti luajnë rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e fëmijëve për shkollë.

Këto njohuri po mundohemi t’i promovojmë në të dy anët. Së pari, oferta me tri alternativa: e bazuar në komunitet, e drejtuar nga komuna, e drejtuar nga sektori privat; ndërsa sa i përket kërkesës, duhet të përhapen informatat dhe njohuritë që është në interesin më të mirë të fëmijës të jetë në një mjedis të përkujdesjes ndaj fëmijëve dhe të jetë me moshatarët në mënyrë që të mësojë socializimin e hershëm.

Prishtina është paraqitja e Kosovës, ndërsa në Dragash nuk ka kopsht. Kjo shkon përtej ministrisë së arsimit. Duhet të trajtohet në nivel të kryeministrit. Unë u bëj thirrje koalicioneve dhe partive politike ta gjejnë një mënyrë sepse i kemi dëshmitë dhe duhet të adresohen në nivel shumë më të lartë.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Nuk është përgjegjësi e një ministrie. Ka nevojë për ministrin/en e arsimit, ministrin/en e shëndetësisë dhe ministrin/en e mirëqenies sociale. Kjo çështje lidhet tërthorazi me gjithçka. Kur fëmijët janë në çerdhe, nëna ka mundësi të punësohet.

Vetëm 20% e grave në moshë të punës në Kosovë janë të punësuara. Jo për shkak se nuk ka punë, por për shkak se është krijuar norma sociale ku gruaja rrin në shtëpi me fëmijët. Pra përfitimi është i dyfishtë, sepse fëmijët përgatiten për shkollë dhe kanë ndërveprime sociale më të mira, e nënat mund të hyjnë në kurse të punësimit, t’i praktikojnë ato që i kanë mësuar në universitet apo në shkollimin parauniversitar, dhe të jenë pjesë e jetës aktive sociale në Kosovë.

Prioriteti i dytë është agjenda e përfshirjes së njerëzve me aftësi të kufizuara. Identifikimi i hershëm i i fëmijëve me aftësi të kufizuara, marrja e tyre në shkollë dhe mbajtja aty, që pastaj të bëhen qytetarë që kontribojnë në zhvillimin e Kosovës.

Në tre muajt e fundit e kemi ndjekur tregimin e Janis McDavid, një burrë pa këmbë dhe duar. Kur e dëgjon atë, nuk ia sheh aftësitë e kufizuara.  Ai u arsimua, e pati një ambient familjar, një shoqëri, dhe jo vetëm që kontriboi në Gjermani, por anembanë botës.

Pastaj javën e kaluar e kishim Lucy Mayer, një notare që e ka fituar Paraolimpiadën pesë herë. Familjes së saj i thanë ta tërhiqnin prizën kur ajo ishte në njësinë e kujdesit intensiv por sot Lucy udhëton nëpër gjithë botën.

Edhe në Kosovë kemi shembuj, si Riadi, një djalë 14 vjeçar me paralizë cerebrale që përdor karrocë. Ai është nxënës i klasës së tetë dhe është djalë i shkëlqyeshëm. Riadi nuk mund të ecë dhe flet me mua në gjuhën turke. Kur e pyeta se si e di gjuhën turke, më tha se e ka mësuar duke shikuar seriale turke në TV.

Si u bë Riadi kampion i tillë? Sepse ka familje të mirë, sepse komuna ia ka organizuar transportin për shkollë dhe ka shokë të cilët i ndihmojnë në shkollë. Vitin e kaluar ishte në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe pyeti: “Hej, pse nuk i bëni objektet të qasshme për neve?”

Vitin e kaluar, më 20 nëntor [Përvjetori i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve], Riadi ishte në parlamentin e Kosovës me Kadri Veselin dhe ministrat e kabinetit. Ai pyeti, “Ministër i shëndetësisë, çfarë po bëni ju për t’i bërë spitalet më të qasshme? Çfarë po bëni për t’i bërë shkollat më të qasshme?”, dhe kjo ishte hera e parë që kam parë përfaqësues të partive të ndryshme politike duke iu përgjigjur një fëmije.

E posaçërisht për infrastrukturë.

Jo vetëm infrastruktura, por nevojitet edhe rregullimi i transportit nga shtëpia në shkollë. Kemi nevojë që shkollat të jenë më të qasshme, na duhen asistentë personalë. Po, Riadi ka nevojë për teknologji ndihmëse sepse nuk mund t’i përdorë duart dhe nuk mund të shkruajë. I duhet të inçizojë dhe të lexojë.

Pastaj ka nevojë për ndonjë sport, për argëtim. Nuk bën që dikush të shkojë [në shkollë] me karrocë dhe të qëndrojë brenda deri sa fëmijët e tjerë argëtohen, ushtrojnë fizkulturë, etj. Sa fëmijë në Kosovë kanë aftësi të kufizuara? Askush nuk e di.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pse nuk e dimë sa fëmijë në Kosovë janë me aftësi të kufizuara?

Është duke u zhvilluar një studim i ri me Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Deri në mars 2020 do ta dimë sa fëmijë në Kosovë janë me aftësi të kufizuara. Quhet studim me disa tregues, pra është studim që mund të krahasohet në nivel ndërkombëtar; 70 mbledhës të të dhënave aktualisht janë duke marrë pjesë në një trajnim 30 ditësh në Prishtinë. Ata do të shkojnë te 8,500 familje në Kosovë për të grumbulluar të dhëna.

Nuk e dimë numrin, por në shtete që janë në zhvillim e sipër, më duket se 15% e njerëzve kanë ndonjë aftësi të kufizuar. E kur them aftësi të kufizuara e kam fjalën edhe për ata që janë hiperaktivë. Mësuesi mund ta shikojë dikë dhe të thotë “ky është i çmendur, nuk po dëgjon në klasë”. Por duhet të kemi plan të mësimnxënies për zhvillim të veçantë, pra nevojitet një lloj tjetër i vëmendjes. Aftësitë e kufizuara kanë forma të ndryshme.

Tjetra është që fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të përfshihen në shkolla të rrjedhës së përgjithshme. Nuk duhet të shkojnë në shkolla apo klasa tjera. Nuk mund t’i kritikoj institucionet e Kosovës aq shumë sepse globalisht, qasshmëria është problem i madh. 

Pas katër vitesh, më në fund e kemi bërë zyrën tonë këtu të qasshme. Po mendoj, hej, ne jemi UNICEF ne duhet të jemi të qasshëm. Po pyesja “Ku takoheni me Riadin?” dhe më thanë se takimet me të mbahen në byfe, apo në ndonjë hotel. Jo, zyra jonë duhet të jetë ndërtesë e qasshme. Pra qasshmëria nuk është lluks. Është prioritet shumë i rëndësishëm për neve.

Prioriteti i tretë është fuqizimi i rinisë, popullsisë më të re në Evropë. Kur i pyes njerëzit “Cila është ëndrra jote?” nuk dëgjoj ëndrra. Ata duan të bëhen shkencëtarë të të dhënave, apo zhvillues të aplikacioneve, apo të punojnë në bankë. Në plot zona rurale “ëndrra” është “të shkoj në Gjermani apo Zvicër dhe ta gjej një mënyrë për të jetuar atje”. Nuk kanë fare shpresa. Ose shpresojnë të shkojnë në universitet për t’u arsimuar për një punë që nuk do ta praktikojnë.

Kur të themelohet koalicioni i ri, të bëhemi bashkë, të mbyllemi diku për tri ditë dhe të themi: ky është viti 2025 për Kosovën.

Çfarë duhet të bëjë qeveria e re? Dy apo tri gjëra.

Gjëja e parë është t’i mbledhë të gjitha palët e interesit që e prioritizojnë agjendën e rinisë. UNICEF është një prej tyre, por ka plot donatorë dhe OJQ tjera që e prioritizojnë këtë agjendë. Pastaj kemi nevojë të udhëtojmë pak në kohë. Paramendoni që jemi në vitin 2025 si do të dukej popullsia e Kosovës? Ku do të jenë pas pesë vitesh ata që po e nisin shkollën fillore apo të mesme?

Si do të jetë disponueshmëria e internetit dhe telefonave mobilë, apo niveli i përdorimit të kompjuterëve? Çfarë aftësish do të na duhen? Çdo vit linden 26,000 fëmijë në Kosovë  a duhet të synojmë që ndoshta 15,000 prej tyre ta studiojnë një temë të caktuar? 10,000 tjerë ta mësojnë një aftësi të caktuar, dhe 5,000 tjerë një aftësi tjetër. Gjërat e rëndësishme janë mendimi kritik, ndërveprimet dhe dizajnet e përqendruara te njeriu. Do të rekomandoja që kur të themelohet koalicioni i ri, të bëhemi bashkë, të mbyllemi diku për tri ditë dhe të themi: ky është viti 2025 për Kosovën.

Kemi plot strategji. A na duhet diçka e re?

Nuk është strategjia [problemi], mendoj se është përcaktimi i vizionit. Unë besoj se të gjitha palët e interesit duhet të bëhen bashkë dhe të thonë “Si do të duket ekonomia e Kosovës pas pesë vitesh?” Sepse kur i pyesim njerëzit, të rinjtë, 60% duan të punojnë në qeveri, dhe kjo nuk ndodhë në plot shtete të zhvilluara dhe evropiane. Atje nuk gjen njerëz që thjesht mundohen të kenë jetë të sigurtë. Këtu është e kundërta.

Kur shkoj në shkolla këtu, është sikur të udhëtoj në kohë. Them me vete “kjo është mësimnxënia më e mërzitshme”.

Në arsim i kemi disa strategji. Numri i fëmijëve, për shembull — qeveria mendon se numri i fëmijëve të regjistruar në parashkollor duhet të rritet për më shumë se 90% deri në 2021. A është diçka që mund të realizohet?

Po, nëse qeveria e prioritizon.

Pra për dy a tri vjet mund të bëhet?

Për tri vjet mund të bëhet. E kemi një studim që thotë se për pesë vjet, duhet investim prej 500 milion eurosh për ta çuar çdo fëmijë në çerdhe apo kopsht, dhe për t’u siguruar që të gjithë kanë arsimim cilësor. A mund të bëhet? Nëse fëmijët janë prioritet, po. Nëse e shohim thellësinë e përpjesëtimit të PBB-së [fondet që po alokohen për fëmijë] në Kosovë është 18%, ndërsa në Turqi është më shumë se 30%.

Për mendimin tim, duhet të prioritizohen investimet për kapital njerëzor. Nëse e analizojmë arsimin këtu, e shohim që është didaktik, i mërzitshëm, i stilit të vjetër. Kur shkoj në shkolla këtu, është sikur të udhëtoj në kohë. Them me vete “kjo është mësimnxënia më e mërzitshme”. 

Tani fëmijët po mësojnë dhe po kanë qasje në informata përmes telefonave mobilë, përmes internetit. 

E kam një kolege, bija e së cilës filloi klasën e parë sivjet. Ajo e flet anglishten në mënyrë të përkryer, dhe çdo ditë ikë nga ora e anglishtes. Nëna e saj i thotë “duhet të qëndrosh në klasë”, dhe ajo ia kthen “unë e di gjuhën më mirë se mësuesja e anglishtes”. Si të merremi me një situatë ku fëmijët u ekspozohen informatave përmes internetit, ndërsa mësimdhënësit janë arsimuar e librat shkollorë janë dizajnuar para gati 20 vitesh?

Sistemi shkollor u shpik në fillim të revolucionit industrial. Fëmijët rrijnë ulur në klasë, ndërsa nëna dhe babai punojnë në fabrikë. Tani teknologjia e internetit i ka ndryshuar gjërat. Kjo ka bërë që mësuesit të jetë ndihmues, jo më qendra të njohurive.

Në të kaluarën, kur isha fëmijë, duhej ta gjeje ndonjë fqinj që kishte enciklopedi dhe të lexoje diçka që ishte shkruar para 10 vitesh. Kur i bënim detyrat e shtëpisë, merrnim informata prej para 20 vitesh. Ndërsa fëmijët e sotëm përmes internetit kanë qasje në informatat e fundit pothuajse pa pagesë.

Pra sistemi i arsimit duhet të reformohet, reforma duhet ta vendosë mësuesin në qendër si ndihmues, por jo si qendër të njohurive. Ky lehtësim kërkon aftësi tjera për mësuesit dhe është prioritet të cilin UNICEF do të vazhdojë ta mbështesë në Ministrinë e Arsimit.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

A mund të themi se OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare kanë dështuar së bashku?

Nuk mendoj se kemi dështuar. Sot sapo u ktheva nga qendra korrektuese në Lipjan, ku po qëndrojnë 40 fëmijë të cilët disi e kanë pasur fillimin e gabuar në jetë. Disa kanë qenë të përfshirë në krim, disa në vjedhje, të tjerë me droga.

Pa ndonjë OJQ partnere, ne jemi duke e drejtuar një program edukativ të bazuar në aftësi në qendrën korrektuese në Lipjan falë ministrit të drejtësisë, falë autoriteteve të Lipjanit, falë ministrit të arsimit, për t’u lidhur me ata 40 fëmijë dhe për t’ua dhënë mundësinë të arsimohen, në mënyrë që kur të dalin nga qendra korrektuese e Lipjanit të mos rrezikohen nga trafikimi njerëzor, të mos shkojnë në një botë që po i pret me aq shumë të këqija.

Ata janë të fuqizuar dhe kanë aftësi për t’u punësuar. Plot OJQ janë aty, por ka shumë nevoja. Përcaktimi i vizionit është i rëndësishëm në nivel kombëtar. Qeveria duhet të tregojë se si dëshiron ta shohë Kosovën në vitin 2025.

Pas pesë vitesh, çfarë vendi duam t’ua japim fëmijëve tanë?

A mund ta ndihmojmë ne atë vizion?

Mund ta ndihmoni. Mendoj se mediat mund ta luajnë një rol të rëndësishëm sepse ju keni kontakt me shumë njerëz. Sa njerëz hyjnë në uebfaqen tuaj dhe lexojnë çdo ditë? Ju i shihni gjërat nga një nivel tjetër. Nëse flisni me një ekspert të arsimit apo shëndetësisë, ata e shohin si arsim apo shëndetësi, por gazetarët e shohin me gjithë spektrin e jetës sepse ju ndërveproni me njerëzit. Pra mendoj se e keni një rol për ta luajturl si gazetarë të Kosovës.

Secila familje kosovare dëshiron që fëmijët e tyre të kenë shëndet të mirë, arsim të mirë dhe vende pune. A do të ndodhë kjo? Do të ndodhë vetëm në qofshim me fat, nëse nuk ka përpjekje të koordinuara nga partnerët të cilët duhet të ulen dhe të thonë “Ky është sistemi i arsimit që e duam, ky është shërbimi i shëndetësisë që e duam”.

Të rinjtë këtu janë shumë të mençur. Në të gjitha vendet ku kam punuar, asnjëherë s’kam parë kaq shumë energji. Kur eci rrugëve, ndihem si personi më i vjetër këtu. Është komb i ri. Mosha mesatare në Prishtinë është 26. Si mund t’i përfshijmë njerëzit në formësimin e dizajnit të qytetit? Si mund t’ua dëgjojmë zërat më shumë në mënyrë që të jenë të përfshirë në formësimin e përvojave të tyre?

Ndoshta kjo është pyetje për qeverinë e re?

Po. Do t’i thoja qeverisë që më së miri është t’i dëgjojnë të rinjtë, t’u japin më shumë mundësi atyre. Analizoni, vlerësoni, dhe thuani: “Ky është 30 vjetori i Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Pas pesë vitesh, çfarë energjie duam të japim, dhe çfarë vendi duam t’ua japim fëmijëve tanë?” K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është zhvilluar në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.