Lindur në një familje serbo-rumune, Nataša Urban — fotografe, regjisore e filmave dokumentarë dhe montazhere filmash — u rrit në Jugosllavi, edhe pse kjo e fundit pushoi së ekzistuari teksa ajo po rritej. Pas luftës në vendin e saj, u shpërngul në Bukuresht për studimet universitare dhe më pas u largua përfundimisht nga Serbia për në Norvegji. në vitin 2011.
Që atëherë ka punuar në projekte të shumta artistike dhe ka marrë pjesë në akademi dhe festivale prestigjioze. Ka kaluar kohë të konsiderueshme duke punuar në Nepal, ku realizoi filmat e saj “Journey of a Red Fridge” (në shq. Udhëtimi i një frigoriferi të kuq) dhe “Big Sister Punam“ (në shq. Motra e madhe Punam) të cilët fituan çmime të ndryshme.
Filmi më i ri nga Urban “The Eclipse” (në shq. Eklipsi) pati premierën botërore në fillim të këtij viti në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Kopenhagës (CPH:DOX) ku fitoi çmimin për dokumentarin më të mirë ndërkombëtar artistik. “Teksa e tashmja jonë e luftës dhe e dhunës na kërcënon se një ditë do të bëhet lajm i së djeshmës, ky film na tregon me terme ta qarta: mos e kthe kokën anash; mos harro”, tha juria e çmimeve në Kopenhagë.
“The Eclipse” përcjell Urban teksa ajo kthehet në Serbi për t’i diskutuar ngjarjet që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë me familjarët dhe shoqërinë e saj të afërt, në një përpjekje për ta kuptuar se si u përball secili prej tyre me realitetet e vështira të kohës. Kjo qasje shkaktoi një reagim emocional nga publiku i të gjitha moshave, qoftë ata që identifikohen me brezin e vjetër, të cilët besonin se po bënin më të mirën në atë kohë, ose brezin e ri, i cili paraqitet në përpjekje për ta mbyllur këtë kapitull të jetës dhe për të ecur përpara.
Në film, Urban mbështetet në shënimet të marra nga ditari i babait të saj, një ditar që përqendrohet në ngjitjen nëpër male në atë periudhë kohore. Këto shënime mbi ngjitjen dhe natyrën bien në kontrast në mënyrë dramatike me konfliktet që po ndizeshin nëpërJugosllavi. Ajo i përdor këto kujtime personale për të nxjerrë tregime nga shoqëria e saj rreth asaj se si prindërit e tyre sfiduan regjimin, gjersa me kujdes i dëgjon ata që ishin viktima të drejtpërdrejta të konflikteve.
I vendosur në periudhën kohore midis një eklipsi të plotë diellor në fillim të viteve të ’60-ta dhe atij që ndodhi në fund të viteve të ’90-ta, filmi me një estetikë të gdhendur me kujdes, ofronnjë pamje të mënyrës se si vendi dhe njerëzit e tij reaguan ndaj eklipseve në kontekste të ndryshme historike.
“The Eclipse” është shfaqur në festivale anembanë Evropës duke përfshirë Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe “Dokufest” në Prizren. Në prag të premierës së “The Eclipse” në Beograd, në Festivalin e Filmit “Slobodna Zona/Free Zone” (shq. Zonë e Lirë), K2.0 bisedoi me Urban rreth asaj se çka e frymëzoi për ta krijuar këtë film, cilat teknika përdori gjatë produksionit dhe post-produksionit të tij, si ajo dhe familja e saj i përjetuan konfliktet në Jugosllavi dhe shumëçka tjetër.
Pas shfaqjeve në Bosnjë dhe Kosovë, “The Eclipse” pati premierën serbe në Festivalin e Filmit “Zonë e Lirë”. Fotografia: Tanja Drobnjak / Festivali i Filmit “Zonë e Lirë” / Promo.
Në fillim të filmit, ju e përmendni se gjetja e ditarëve të babait të nxiti ta bësh një dokumentar. A e kishe në mend këtë temë më parë apo të nxitën ditarët ta mendosh krijimin e një filmi rreth saj?
Në vitin 2011 u shpërngula fizikisht nga Serbia, por në rrafsh emocional dhe mendor e kisha larguar veten prej aty shumë kohë më parë. Pasi u shpërngula në Norvegji, fillova menjëherë të punoja me producenten time, Ingvil Giske dhe ajo shpesh si me fshehtësi, në mënyrën tipike norvegjeze, më nxiste t’i eksploroja përvojat e mia të luftës apo çkado tjetër që lidhej me periudhën formuese në Jugosllavi.
Gjithmonë e kam refuzuar idenë — ideja për t’u marrë me diçka të tillë tingëllonte qesharake për mua. Mendoja se gjithë ato përvoja, gjithë ato fatkeqësi dhe gjithë ato shkatërrime me të cilat u përballëm papritur, me të vërtetë ishin pjesë e imja, por nuk mendoja për to ose nuk dëshiroja të mendoja për to. E pyesja veten: ç’dobi mund të sjellë?
Megjithatë, humba dikë të afërt, gjë që ndoshta — bashkë me shumë gjëra të tjera — kontribuoi që kjo mburojë e imja të thyhej pas një kohe të gjatë që kisha kaluar duke varrosur gjithçka brenda meje. E dija se duhej të përballesha me të, kështu që krijimi i një filmi doli të ishte diçka e lehtë, pasi mora vendimin. Por, vetë vendimi m’u afrua tinëz. Përveç kësaj, fakti që jetoj në Norvegji dhe që kam familje dhe shoqëri këtu — kjo largësi ma mundësoi që të vazhdoj dhe t’i trajtoj të gjitha këto çështje.
E përmendët se nuk ke dashur ta mendosh atë kohë. Megjithatë, në film, ti flet me shoqen tënde anonime, e cila gjithashtu nuk dëshiron të gërmojë në të kaluarën dhe dukesh sikur po përpiqeni t’ia hapni sytë për rëndësinë e diskutimit të çështjes.
Në fakt, ajo ende ndodhet në atë fazën ku nuk dëshiron të mendojë apo të merret me atë kohë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ajo humbi nënën në mes të gjithë asaj dhe babai i saj — i cili u mbajt në Begejci, një kamp paraburgimi për kroatët — është gjithçka që ka, kështu që thjesht nuk dëshironte ta vendoste babain e saj në një pozitë të vështirë. S’mund as ta imagjinoj se çka përjetoi ajo; dhe normalisht, ka të drejtë ta mbrojë veten dhe e kuptoj se kjo është pikërisht ajo çfarë po bën. Në njëfarë forme, me të vërtetë filmi ka të bëjë me mënyrën se si secili prej nesh u ballafaqua me të gjitha këto çështje dhe dhimbjen që na rrethon të gjithëve.
Ndoshta pjesa më e fuqishme e filmit për mua ishte pjesa për ditarët e ngjitjes së babait tuaj dhe kontrasti mes asaj që ai shkruante dhe asaj që ndodhte në atë kohë në vend. A ke folur me të para se ta xhironit filmin dhe a ishte në dijeni të efektit të mundshëm të pjesëmarrjes së tij në të?
Nuk folëm paraprakisht për këtë; Nuk mund t’i qasesha gjithë kësaj në atë mënyrë, sepse më duhej ta ruaja freskinë e përgjigjeve të tij. Kështu që nuk zbulova asgjë përpara se të bisedoja me nënën dhe babain, biseda të cilat dëgjohen në film. Ata pranuan sepse janë prindërit e mi. Nuk i pyetja nëse nëse donin ta bënin apo jo — thjesht u thashë se do ta bëjmë.
Filmi është plot pyetje dhe kujtime, si dhe ka në qendër të tij bisedën mes Urban dhe familjes së saj. Fotografia: Pamje nga “The Eclipse” / Festivali i Filmit ‘Zonë e Lirë’ / Promo.
Në ato momentet e rralla kur flet për temën e luftës, babai juaj ka vështrime interesante, si rasti kur e përmend se shkoi në Vukovar dhe se mendimi i tij i parë kur pa të gjitha ndërtesat të mbushura me vrima plumbash ishte se dukej sikur ata as nuk e dinin pse po gjuanin. Për disa njerëz ky koment mund të tingëllojë naiv, ndonëse duket se nuk është shumë larg të vërtetës.
Kjo është temë shumë emocionale për mua. Ai ishte baba i dy fëmijëve të vegjël dhe një pacifist, i cili befas u rrethua nga luftërat, urrejtja dhe dhuna. Pra, pyetja është: Çka bën një prind në një situatë të tillë? Prindërit na çonin në male për të na mbrojtur.
Me të vërtetë është absurde, gjithçka që ka ndodhur dhe e gjitha po ndodh ende. Asgjë prej tyre nuk i përket të kaluarës, sepse ekziston një përpjekje aktive për t’i përsëritur ato gjëra. Mendoj se kjo është diçka që duhet të diskutohet dhe të punohet vetëdijshëm dhe të gjithë duhet të fillojnë nga mjediset që i rrethojnë — nga familjet e tyre, siç bëra unë në film. Për më tepër, qeveria duhet të jetë në gatishmëri të punojë për këtë përmes arsimit.
Çfarë nënkupton titulli i filmit për ju personalisht — si lidhet eklipsi diellor si fenomen me subjektet që ju i eksploroni në film?
Skena kryesore e filmit sillet rreth eklipsit të vitit 1999, kur të gjithë po fshiheshin në shtëpitë dhe bunkerë nga një fenomen i jashtëzakonshëm natyror. Megjithatë, e përdora eklipsin diellor si metaforë. Si fenomen natyror, eklipsi i plotë i diellit ndodh në intervale të rregullta. Kjo natyrë ciklike e eklipsit diellor pasqyron natyrën ciklike të luftës në këtë pjesë të botës, ku lufta e kaluar përdoret për t’i krijuar kushtet për luftën e radhës.
Filmi kombinon pamjet arkivore me pamjet që Nataša dhe ekipi i saj shkrepën gjatë xhirimeve në Serbi. Fotografia: Pamje nga “The Eclipse” / Festivali i Filmit “Zonë e Lirë” / Promo.
Biseda juaj me shoqen tuaj Milena paraqet kontrast të plotë me reagimin e prindërve tuaj ndaj kohës — prindërit e saj në mënyrë aktive kundërshtuan regjimin e Slobodan MIloshević që nga fillimi, gjë që çoi në vuajtjen e pasojave të mëdha për ta dhe në fund humbjen e punës. Ndonëse i thoni Milenas se duhet të ndihet krenare për prindërit e saj, si qëndroni në raport me këto qasje të ndryshme? Duket se nuk i gjykon prindërit e tu.
Familja ime kurrë nuk votoi për Milošević dhe menduan se kjo ishte e tëra që mund të bënin, se nuk mund të bënin asgjë përtej kësaj. Ndonëse pyetja nëse kanë mundur të bënin më shumë apo jo mbetet. Sigurisht që nuk e gjykoj askënd — mendoj se është krejtësisht e gabuar, sidomos kur bëhet fjalë për kinematografinë. Filmat prekin emocionet dhe supozohet të ngjallin ndjeshmëri — gjykimi është e kundërta e kësaj.
Personalisht, për t’u rikthyer te problemi i mëparshëm, zhvendosem para dhe mbrapa, por më kursen fakti që jam duke bërë filma — kështu që mendoj se mund të angazhohem përmes filmbërjes. I kuptoj të dy palët, ndonëse anoj më shumë nga këndvështrimi i Milena. Mendoj se kemi fuqinë t’i ndryshojmë disa gjëra.
Deri në çfarë mase besoni se vendimi për t’u izoluar nga një luftë është vendim i vetëdijshëm nëse nuk luftohet drejtpërdrejt në hapësirën ku jeton?
E kuptoj plotësisht faktin se shumë njerëz në Serbi nuk kishin shumë njohuri për atë që po ndodhte në atë kohë, por besoj se s’ka asnjë justifikim që të vazhdojnë të mbeten injorantë — dhe jo veç të mbeten injorantë, por edhe ta mohojnë dhe ta drejtojnë gishtin nga njerëzit e tjerë, duke thënë: “Po, e bëmë, por çka na kanë bërë ata?” Qasja e tillë s’na nxjerr nga asgjëkundi.
Si vendosët të bashkëpunoni me kineastin Ivan Marković? Ai ka një stil shumë specifik dhe të veçantë që duket se u përshtat mirë me mënyrën se si e ke konceptuar filmin.
Çdokush që ka punuar në këtë film e ka bërë këtë sepse ishte personi i duhur për ta bërë — asnjë gjë e vetme nuk ishte e paqëllimtë. Punoj shumë intuitivisht — pashë disa gjëra që Ivan filmoi dhe gjithashtu edhe një koleg ma rekomandoi. Më kujtohet që disa gjëra që bëri Ivan ishin shumë emocionale, kështu që ndjenja e brendshme më thoshte se Ivan dhe Jelena Maksimović, montazherja, ishin njerëzit e duhur për këtë film. Ivan mund të ketë qenë bashkëpunëtori më i ngushtë, pasi që ishte i pari që u përfshi në produksion. Është regjisor fotografie dhe bashkëpunëtor fenomenal.
Pse vendosët të xhironi në film 16 milimetra? Një praktikë jo e zakonshme në kinematografinë bashkëkohore.
Kjo ishte hera e parë që xhiroja në film. Xhirimet kryesore u bënë në film 16 mm pasi i gjithë filmi është si kolazh kujtese, doja ta prezentoja këtë kujtim vizualisht. Për mua, filmi celuloid përbën një materializim të caktuar të kujtesës. Më pëlqen të punoj me kundërpika pamore si pamjet e mëdha 16 mm, që Ivan filmoi në një tripod, duke përfshirë ato të natyrës dhe ushqimit të ndërthurura me pamjet më “të çrregullta” të filmuara me një kamerë Super 8, të cilat duhet t’i reflektojnë kujtimet e mia.
Ekuipazhi i “The Eclipse” në bisedë me publikun pas premierës në Serbi. Fotografia: Tanja Drobnjak / Festivali i Filmit “Free Zone” / Promo.
Disa xhirime madje i ngjajnë pjesëve të pamjeve arkivore. Po ashtu, tingulli s’është i sinkronizuar me pamjet.
Po, doja ta vizualizoja kujtesën në të gjitha aspektet e saj. Asnjëri nga efektet nuk është bërë me efekte digjitale mbi to. E zhvilluam filmin në zgjidhje të ndryshme në mënyrë që pamjet tona të duken në një formë specifike, e cila ishte e tëra e llogaritur në mënyrë precize. Kjo ishte gramatika pamore që doja ta përpunoja — një kontrast midis kujtimeve të tanishme dhe subjektive.
Sa i përket zërit, u incizua ndaras dhe u shtua më vonë; kjo gjithashtu duhej ta pasqyronte dikotominë mes asaj që është reale dhe asaj që ndodhet në kokën time. Më pëlqen të punoj me shirit, edhe pse është stresuese, sepse s’mund ta shohësh pamjen tënde menjëherë. Megjithatë, kur e përfundon në fund, të bën t’i harrosh të gjitha ato gjëra me të cilat ke pasur probleme — e kupton se ia ka vlejtur e gjitha.
Sa i ke planifikuar saktësisht xhirimet para se ato te ndodhnin?
Gjithçka duhej menduar paraprakisht. Për çdo javë xhirime, na u deshën të paktën tre ditë për t’u përgatitur për to. Xhirimi me shirit është i shtrenjtë dhe duhet planifikuar me kujdes. Megjithatë, që nga momenti që vendosa të bëja një film e tutje, gjithçka shkoi vërtet mirë.
Çfarë reagimi prisni pas shfaqjes së filmit në Serbi?
Më intereson shumë reagimi në Serbi, por më mirë të mos spekuloj rreth kësaj. Sidoqoftë reagimi, qëndroj me filmin tim dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë.
Imazhi i ballinës: Pamje nga “The Eclipse” / Festivali i Filmit “Zonë të Lirë” / Promo.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.