“Përgjigja për pyetjen se a flitet e njëjta gjuhë në Bosnje e Hercegovinë, Malin e Zi, Kroaci dhe Serbi — është pozitive”. Pikërisht kjo fjali, më shumë se gjithçka tjetër në një Deklaratë të shkurtë për gjuhën e përbashkët, e botuar në fund të marsit, shkaktoi një valë të madhe reagimesh në shumë shtete të ish-Jugosllavisë .
Deklarata u bë publike gjatë një serie konferencash të mbajtura si pjesë e projektit “Gjuhët dhe nacionalizmat”, të drejtuara dhe të financuara nga organizatori i ngjarjeve kultore dhe letrare, Shoqata Krokodil, dhe nga dega ballkanike e OJQ-së gjermane Forum ZDF, e cila sponsorizon projekte të paqes dhe të pajtimit në mbarë rajonin.
Shumë shpejtë pasi u bë publike, Deklarata mori mbështetjen e mbi 8,000 njerëzve nga të katër vendet në pyetje; kryesisht akademikë, studijues, gazetarë e punëtorë të kulturës. Ata të cilët e mbrojnë Deklaratën dhe vetë idenë e saj besojnë se ajo paraqet përpjekjen e parë serioze drejt mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve që kanë dalur nga shpërbërja e Jugosllavisë .
Megjithatë, ajo nuk ka marrë mbështetjen e mediave më të mëdha apo të politikanëve të rajonit dhe ka prodhuar reagime nacionaliste tek ata të cilët pretendojnë se Deklarata e vë në pyetje të drejtën e njerëzve të atyre shteteve për ta pasur gjuhën e vet.
Që nga viti 1954 e këtej, gjuha e përdorur anembanë Jugosllavisë njihej si serbokroatishte apo kroatoserbishte. Pas shpërbërjes së Federatës socialiste, koncepti i gjuhës u bë vegël politike dhe ashtu ka mbetur edhe për shumë vjet.
Nacionalistët këmbëngulin se njerëzit në shtetet e pasjugosllavisë flasin gjuhë të ndryshme, dhe se madje kanë nevojë edhe për interpretë, së paku në komunikim zyrtar; në të kaluarën janë bërë disa përpjekje që të përkthehen librat e filmat. Në disa raste, interpretët, detyra primare e të cilëve është të interpretojnë nga një gjuhë në tjetrën, janë angazhuar madje në institucionet publike. Kjo është sidomos e pranishme në Bosnje e Hercegovinë — shteti më multietnik i ish-Jugosllavisë — ku institucionet zyrtare janë të detyruara të përkthejnë gjithçka në boshnjakisht, serbisht e kroatisht.
Deklarata për gjuhën e përbashkët u bë në kuadër të një serie konferencash “Gjuhët dhe nacionalizmat” të organizuara në rajon. Foto nga: jezicinacionalizmi.com.
Duke folur në konferencën “Gjuhët dhe nacionalizmat” në Podgoricë, profesoresha e Universitetit të Sarajevës, Hanka Vajzovic, dha një pasqyrë përshkruese të dallimeve ndërmjet këtyre gjuhëve, që, sipas saj, shpesh përkthehen në mënyrë absurde dhe shfrytëzohen sinonimet e panevojshme kur secili e kupton gjuhën shumë mirë: “Për shembull, falë njohjes së këtyre tri varianteve, apo gjuhëve, versioni serb i një teksti të Gazetës Zyrtare përdor fjalën ‘ekzekutim’, fjala kroate e cila përdoret është ‘zbatim’ dhe për të pasur një fjalë të tretë, boshnjake, e cila duhet të dallojë nga dy të tjerat, përdoret fjala e bukur dhe autoktone boshnjake — ‘implementim’”.
Pasi u bë publike deklarata, një përkthyes nga Bosnja dhe Hercegovina shkroi në profilin e tij në Facebook: “Jam shumë i lumtur kur puna ime është të përkthej në boshnjakisht, serbisht dhe kroatisht, duke fituar trefishin e parave për një punë gati të njëjtë”.
Politika e gjuhës
Kur reaguan politikanët rajonalë, ata ishin shumë të zëshëm për ta dënuar Deklratën, sidomos në Kroaci e cila po bën çmos për të dëshmuar se ajo fare nuk i takon rajonit. Presidentja e vendit, Kolinda Grabar-Kitarovic, e kundërshtoi debatin mbi gjuhët, duke pretenduar se kjo “është një gjë krejt margjinale e cila as që duhet të diskutohet”. “Njëfarë gjuhe e përbashkët ishte projekt politik i cili vdiq së bashku me ish-Jugosllavinë, dhe ai nuk do të përsëritet kurrë më”, tha presidentja Grabar-Kitarovic.
Në Serbi, politikanët nuk reaguan por pati një sërë komentesh në mediat e mëdha të cilat në masë të madhe kontrollohen nga partitë në pushtet.
Një grup i cili reagoi ishte Komisioni për Gjuhën Serbe, pjesë e Kooperativës Letrare Serbe (SKZ) — shoqatë që merret me promovimin dhe ruajtjen e kulturës serbe. Ata vendosën të mos e mbështesin Deklaratën, për shkak se, siç thonë ata “qëllimi i saj është të kundërshtohen shkencërisht themelet historike dhe statusi aktual i gjuhës serbe”.
Reagimet ndaj kësaj Deklarate të përbashkët nga gjuhëtarët e rajonit kanë qenë të llojllojshme, nga kundërshtimi i plotë e deri te mbështetja e madhe. Dr. Milos Kovacevic, profesor në Fakultetin e Filologjisë në Beograd dhe anëtar i Komisionit të Gjuhës Shqipe i SKZ-së, i quajti ata të cilët morën pjesë në përpilimin e kësaj Deklarate si jokompetentë, dhe si të tillë rekomandimet e tyre, tha ai, gjuhëtarët duhet t’i shpërfillin .
Në një deklaratë për media, Kovacevic me plot qortim i akuzonte autorët e Deklaratës se “po e zbulonin ujin e nxehtë” në çështjet për të cilat, sipas tij, pajtohet çdokush. Komisioni pajtohet se të gjithë njerëzit në rajon e flasin të njëjtën gjuhë, duke sugjeruar se “historikisht dhe shkencërisht” gjuha e serbëve quhet serbisht, derisa gjuha letrare e kroatëve, boshnjakëv dhe malazezëve duhet të quhet kroatoserbisht, boshnjakoserbisht, apo malazezoserbisht. “Meqë vetëm serbishtja ka themele gjuhësisht të arsyetueshme, variantet e saj janë gjuhë politike”. shpjegoi Kovacevic.
Profesori Enver Kazaz, nga Fakulteti i Filologjisë në Sarajevë është njëri prej autorëve dhe nënshkruesve të Deklaratës. Ai thekson se ndryshe nga shqetësimet e Kovacevic-it dhe të SKZ-së, autorët e Deklaratës nuk kishin për qëllim ta cënonin vlerën simbolike të gjuhës standarde, por mu të kundërtën: “Deklarata thekson se dallimet ndërmjet gjuhëve ekzistuese standarde po krijohen në aspekte kryekëput ideologjike, dhe ajo kërkon liberalizim të rregullave ortografike”, i tha ai K2.0.
“Kjo do të thotë se çdo mundësi e iluzioneve hegjemoniste të gjuhës serbokroate eliminohet, apo ato iluzione të cilat dëshirojnë të dominojnë karshi standardit tjetër. Variantet e standardit në një gjuhë të përbashkët, policentrike e standarde me të drejtën që ato të quhen në pajtim me vlerat e folësve të tyre, nuk duhen shërbyer si kufi të rreptë ideologjik ndërmjet identieteve kolektive”.
Megjithatë, Dzevad Jahic, profesor i gjuhës boshnjake pranë Fakultetit të Filozofisë në Sarajevë, e hedh poshtë idenë e një gjuhe të përbashkët, duke potencuar se një gjuhë e dallueshme boshnjake ka ekzistuar gjatë gjithë historisë. Pas luftës së fundit, kur gjuha boshnjake zyrtarisht u fut në Bosnje dhe Hercegovinë, ai e përpiloi fjalorin e parë të kësaj gjuhe, një libër të cilin gjuhëtarët dhe një pjesë e publikut e konsiderojnë shumë kundërthënës, duke thënë se ai futi një numër fjalësh arkaike vetëm për t’i argumentuar bindjet e tij.
Jahic e quan Deklaratën për gjuhën e përbashkët një eksperiment i cili, sipas tij, mund të ndodhë vetëm në Bosnje e Hercegovinë. “Kjo [pajtueshmëri se ekziston vetëm një gjuhë] edhe njëherë mund të bëhet në dëm të hapësirës boshnjake — shtetësisë boshnjake; në dëm të çdo gjëje që është autentike në këtë mjedis”, thotë Jahic, duke aluduar në të kaluarën e shekullit të kaluar kur gjuha zyrtare quhej serbokroatisht. Nëse ekziston populli, ai domosdoshmërisht e ka edhe gjuhën e vet, atë nuk e kanë huazuar prej askujt. Rëndom, gjuhët tona kuptohen ndërmjet veti, por e drejta nuk mund t’i merret një populli”.
Ndryshe, gjuhëtari i njohur botëror, Ranko Bugarski — i cili ka lindur në Sarajevë por jeton në Beograd — konsideron se Deklarata nuk e kërcënon asnjë grup nacional apo gjuhë. Në një intervistë për gazetën beogradase Vreme, ai sugjeron se njerëzit e vetëm të cilët potencialisht janë të rrezikuar nga kjo deklaratë janë “ato qarqe politike dhe individë të cilët e kanë krijuar fuqinë, ndikimin, dhe nganjëherë edhe karrierat politike mbi këto dallime”, dha prandaj kanë qenë të parët që e kanë ngritur zërin.K
Foto kryesore: Majljinda Hodža / K2.0.