Në betejën për mjedisin, aktivizmi nuk është armiku
Lufta e ambientalistëve kundër qeverive shkurtpamëse të Ballkanit dhe aleatëve afaristë të tyre po vazhdon e po diversifikohet.
“Ujërat e freskëta janë shumë të rrezikuara, pasi janë në garë me interesa që kërkojnë t’i shfrytëzojnë, siç janë hidrocentralet”. Jörg Freyhof, biolog, 2017.
Është ende e paqartë mbi ç’motive qeveria e Shqipërisë sivjet në shkurt vendosi t’i jepte lumit Vjosa statusin e zonës së mbrojtur përgjatë gjithë shtratit. Ajo që dihet është se këtij vendimi i parapriu fushata ndërkombëtare në rritje, nën sloganin “Vjosa Park Kombëtar Now”, për mbrojtjen e me të madhit lumë të mbetur të egër në Europë.
Në pesë vjet fushatash të ethshme, me përfshirje masive të shoqërisë civile, duke kombinuar shkencën me aktivizmin mjedisor për moslejimin e digave mbi Vjosë, aktivistët asnjëherë nuk pikëtakuan me qeverinë. Në fund, megjithatë, palët mbërritën në destinacione të përafërta: autoriteti shtetëror vendosi të mbronte lumin.
Fushata për mbrojtjen e lumenjve të egër të Europës, “Save the Blue Heart of Europe”, kishte nisur që në 2012 me mbështetjen e dy organizatave joqeveritare mjedisore RiverWatch nga Gjermania dhe EuroNatur nga Austria; por vetëm në pesë vitet e fundit, me përfshirjen e partnerëve lokale, fokusi i saj ishte përqëndruar në mbrojtjen e lumenjve të Ballkanit Perëndimor nga rreziku i ndërtimit të hidrocentraleve.
Beteja për Vjosën fitoi përmasë të re në vitin 2017, me mbërritjen e 30 shkencëtarëve europianë, që do të eksploronin rrjedhën qendrore të lumit, segmenti ku ishte projektuar ndërtimi i digave. Shumica e departamenteve të Fakultetit të Shkencave në Universitetin e Tiranës iu bashkuan kërkimeve disamujore. Ndërkohë që rezultatet fillestare konfirmuan ekzistencën e një larmie të jashtëzakonshme biologjike, qeveria shqiptare provokoi, duke miratuar edhe një projekt dige, pikërisht në kohën kur aty po zhvilloheshin kërkimet shkencore.
“Për Vjosën siguruam mbështetjen e shkencëtarëve nga universitete të ndryshme. Në këtë fushatë u përfshinë aktivistë, artistë, politikanë e juristë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe aktivistë lokalë”, thotë Olsi Nika, drejtues i EcoAlbania, partneres shqiptare të fushatës. “Të dhënat që ofroi fushata tërhoqën interesin e disa mediave të rëndësishme për ta raportuar. Bëmë gjithçka të mundshme; pra, ishte presion i vazhdueshëm, i hapur dhe i drejtpërdrejtë”.
Në vitin 2018, Vjosa fitoi vëmendje të re ndërkombëtare. Konventa e Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) i rekomandoi Shqipërisë të pezullonte projektet e digave mbi këtë lumë. Në të njejtën kohë, Parlamenti Europian i rekomandoi të rishikonte strategjinë e energjisë së rinovueshme, në mënyrë që ta ulte varësinë e prodhimit të energjisë prej hidrocentraleve.
Qeveria premtoi se do të reagonte në përputhje me rekomandimet, por në heshtje autoritetet vazhduan procedurat për zbatimin e kontratave të nënshkruara. Nga fundi i 2018-ës, shkencëtarët europianë prezantuan në Tiranë rezultatet shkencore të kërkimit. Sipas të dhënave përfundimtare, 40% e gjallesave të eksploruara ishin të reja për vendin, ndërsa dy prej tyre iu prezantuan planetit për të parën herë. Studimi kishte konfirmuar shkencërisht rëndësinë ekologjike të një sistemi lumor, shtrati i të cilit ruhej i paprekur, por edhe rrezikun e degradimit të këtij ekosistemi prej ndërtimit të digave.
Autoritetet nuk reaguan. Një takim i kërkuar në dhjetor 2018 nga një grup akademikësh ndërkombëtarë me kryeministrin Edi Rama, u refuzua. Ndërkohë, kompania koncesionare që do të bënte ndërtimet, po përmbyllte procedurat për marrjen e lejes për fillimin e punimeve.
Kundër qeverisë nuk ishin vetëm aktivistët. Shtatorin e shkuar, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, rival politik i kryeministrit Rama, mbështeti mbajtjen e një konference ndërkombëtare shkencore për Vjosën në Tiranë, nën sloganin: “E ardhmja e lumit Vjosa – ndërtim digash apo Park Kombëtar”. Ai madje pranoi që ftesat për konferencën të shpërndaheshin me emrin e tij. Qeveria nuk iu përgjigj ftesës, ndonëse të nesërmen e konferencës, Rama reagoi në Twitter, në favor të shpalljes së një pjese të Vjosës “Park Kombëtar”, një kategorizim që ndalonte absolutisht, ndërtimin e hidrocentraleve. Kjo ishte deklarata e parë publike në emër të qeverisë shqiptare, qysh kur Vjosa qe shndërruar në çështje mjedisore ndërkombëtare. Duket se taktika e aktivizmit për të tërhequr Vjosën në konfliktin mes grupeve politike, funksionoi.
“Mbështetja e Presidentit ishte e rëndësishme, pasi i jep çështjes një përmasë të re”, thotë Ulrich Eichelmann, drejtor ekzekutiv i RiverWatch. “Ideja që vendimmarrja mjedisore të mbështetej mbi të dhëna shkencore ishte qëndrim dhe model i drejtë, ishte ajo çka kërkonim prej vitesh”.
Sivjet në shkurt, ndërsa vendi po i drejtohej zgjedhjeve qendrore të 25 prillit, rrodhën në media disa harta të Ministrisë së Mjedisit, të cilat shpalosnin të tjera plane: Vjosa nuk siguronte statusin e Parkut Kombëtar dhe, akoma më keq, rrjedha qendrore, segmenti ku ishte projektuar ndërtimi i digave, mbetej jashtë mbrojtjes.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe i gjithmbarshëm. EcoAlbania dhe RiverWatch reaguan publikisht. Një numër organizatash, kombëtare dhe ndërkombëtare, nënshkruan një peticion drejtuar qeverisë, me të cilin i kujtuan premtimet e dhëna lidhur me të ardhmen e qëndrueshme të Vjosës. Në 25 mars, përmes një rezolute, Parlamenti Europian nxiti qeverinë shqiptare “të krijojë, sa më shpejtë që të jetë e mundur Parkun Kombëtar të Vjosës, në të gjithë gjatësinë e lumit”. Disa media e shpërndanë lajmin.
Por, në tipologjinë e lidershipit politik të Ballkanit, për të cilin veprimi, më shumë sesa nga bindjet, ushqehet prej përfitimeve, loja me premtimet parazgjedhore shpesh ka rezultuar edhe në favor të interesit publik. Kësisoj, qeveria nxori të tjera harta dhe këtë radhë, shtrati i Vjosës mbrohej plotësisht, ndonëse jo në kategorinë e Parkut Kombëtar, por të atij Natyror, një kategori shumë më e dobët e cila, jo vetëm minimizonte rëndësinë biologjike të lumit, por shtonte njëkohësisht, mundësitë për ndërtimin e hidrocentraleve. Për më shumë, degët kryesore të lumit, Shushica dhe Bënça, mbeteshin jashtë mbrojtjes. Vendimi ishte përfundimtar. Sidoqoftë, ishte arritur diçka.
“Situata ka ndryshuar, rreziku prej digave është zbehur”, thotë Eichelmann i RiverWatch. “Ne kërkuam shpalljen e Vjosës ‘Park Kombëtar’, ndërkohë që statusi i dhënë, një kategori më ulët, nuk përfaqëson vlerat e jashtëzakonshme unike të lumit. Sidoqoftë, ai mbetet diçka më mirë sesa asgjë”.
Vendimin e përgëzoi, me një postim në Instagram, edhe aktori holivudian Leonardo DiCaprio, i mirënjohur edhe si veprimtar i spikatur që mbështet çështjet mjedisore dhe që i solli edhe më shumë vëmendje kampanjës.
“Gjatë kësaj fushate zbuluam dhe përdorëm mekanizma të paprovuar më parë, siç ishin konventat ndërkombëtare, ose institucionet e tjera të qeverisjes mjedisore globale; konsumuam të drejtat për t’ia kaluar çështjet gjykatave”, thotë Nika nga EcoAlbania. “Pikërisht kjo praktikë tregoi se si aktivizmi mund të sfidojë dhe të rrëzojë vendimmarrje të gabuara, jo domosdoshmërisht për çështjet e mjedisit”.
Në Ballkan, fushata “Save the Blue Heart of Europe” po merr përmasat e një lëvizjeje rajonale. Aksioni për mbrojtjen e lumenjve ka zgjeruar shtrirjen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi e më gjerë. Nën moton “Lumenjtë bashkojnë, digat ndajnë”, vendet e Ballkanit Perëndimor, dikur të ndara prej konflikteve etnike, sot, falë aktivizmit mjedisor, po bashkohen kundër një armiku të përbashkët – mbi 3400 projekte ndërtimi të hidrocentraleve, pjesë të një plani zhvillimi të mbështetur nga Komisioni Europian, Banka Europiane e Zhvillimit dhe të tjera institucione financiare ndërkombëtare, janë parashikuar nëpër rrjedha lumenjsh, një e treta e të cilave brenda zonave të mbrojtura, ende të pastra e të paprekura.
Megjithatë, ndërsa po eksploron rrugë dhe metoda të reja në mbështetje të konservimit të burimeve të fundme, duke kundërshtuar të ashtuquajturat praktika të zhvillimit të qëndrueshëm, aktivizmi mjedisor po përballet me armiq të dyfishtë: nga njëra anë, korporatat financiare, aksionerët e të cilave janë përfituesit kryesorë nga shfrytëzimi i këtyre burimeve, ndërsa nga tjetra qeveritë, të cilat gjithmonë e më shumë po e shohin krahmbajtjen në favor të biznesit si detyrim moral.
Sivjet në qershor, disa aktivistë dhe banorë të zonës së Dibrës në Shqipëri u ndaluan nga policia për tri ditë dhe më pas u gjobitën, pasi kundërshtuan paqësisht ndërtimin e një hidrocentrali brenda territorit të Parkut Kombëtar të Lurës. Vjet në Kosovë, Shpresa Loshaj, aktivistja që kundërshtoi ndërtimin e një kaskade hidrocentralesh brenda territorit të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, u padit në gjykatë me një shifër rekord prej 100.000 eurosh nga investitori, nënkontraktor i Kelkos, korporatës austriake për prodhimin e energjisë elektrike që operon pothuajse në të gjithë Ballkanin perëndimor. Megjithatë, simboli i rezistencës mjedisore mbeten gratë e Krushicës (fshat në perëndim të Sarajevës), të cilat, duke nisur para katër vjetësh, nën dhunën dhe kërcënimin e policisë, bllokuan për plot 503 ditë kalimin e makinerive për ndërtimin e digës, duke kushtëzuar kësisoj anulimin e kontratës koncesionare mbi ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi Lumin Krushica, që rrezikonin t’i linin pa ujë.
Për banorët e Ballkanit Perëndimor, pjesë e një trashëgimie lidershipi me tipoligji totalitare, pikëpamja për aktivizmin mjedisor, ose për ecurinë e tij përgjatë historisë, rrezikon të marrë një shpjegim të gabuar. Nisur nga mungesa e aktivizmit në të shkuarën për shkak të regjimeve ekstremisht të majta që mbizotëronin në vendet e të ashtuquajturës “demokraci popullore”, dikush mund të mendojë (gabimisht) për një qasje alternative, një qasje miqësore me atë të aktivizmit mjedisor të demokracive liberale perëndimore, kur ai u pat shfaqur për herë të parë.
Rrënjët e aktivizmit: Greenpeace
“Njeriu me dëshirën e tij nuk mund të komandojë shiun ose diellin, erën, acarin, ose borën, megjithatë është e sigurt se vetë klima ka ndryshuar gradualisht dhe është përmirësuar, ose përkeqësuar nga veprimi njerëzor”. George Perkins Marsh, filolog, 30 shtator 1847, Vermont, SHBA.
Është e vështirë të imagjinohet sot aventura e një anijeje të vogël peshkimi, e cila 50 vjet më parë përshkoi një distancë prej 4000 kilometrash drejt Gjirit të Alaskës, për të ndaluar kryerjen e testeve bërthamore 400 herë më të fuqishme sesa bomba që goditi Hiroshimën. Ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, kur bota, e përfshirë në garën e armatimit, përballej me të tjera rreziqe.
Më 15 shtator 1971, një grup ekologësh dhe gazetarësh vizionarë udhëtuan nga Porti i Vankuver (Vancouver) në Kanada drejt ishullit Amçitka (Amchitka) të Alaskës për të ndaluar shpërthimet bërthamore të ushtrisë amerikane. Nga bordi i anijes, fare pranë destinacionit, nëpërmjet valëve të radios, ata iu drejtuan botës me këto fjalë: “Ne e quajmë anijen tonë Greenpeace për të bashkuar dy çështje të mëdha të kohërave tona, mbijetesën e mjedisit dhe paqen e botës. Ne nuk jemi radikalë, por konservatorë, që këmbëngulim në ruajtjen e mjedisit, për fëmijët tanë dhe për brezat e ardhshëm”. Lëvizja ekologjike sapo kishte filluar.
Aktivistët e Greenpeace nuk e ndaluan shpërthimin, por ngjarja u bë ndërkombëtare, duke nxitur një varg reagimesh, politike dhe diplomatike, kundër Shteteve të Bashkuara. Presidenti Nikson anuloi disa prej testeve të tjera, por gara e armatimeve vijoi. Greenpeace grumbulloi rreth vetes me mijëra simpatizante, vullnetarë dhe donatorë, duke zgjeruar aktivitetin dhe flotën. Por në vitin 1985, anija më e mirë iu fundos në Aukland (Auckland) të Zelandës së Re nga shpërthimi i dy minave të njëpasnjëshme, të cilat, siç u provua më pas, u vendosën nga agjentët e shërbimit sekret francez, me urdhër të Presidentit François Miterrand. Franca, e cila asokohe përgatitej të kryente teste bërthamore në disa ishuj të Paqësorit, e eliminoni anijen përpara se aktivistët të fillonin protestat.
Por Greenpeace nuk erdhi rastësisht. E ushqyer nga një kontekst rrethanash dhe lëvizjesh të mëhershme, ajo reflektoi kurajon e përbashkët të një grupi vizionarësh për mbrojtjen e planetit. Në fakt, disa prej aktivistëve në bordin e anijes, të cilët themeluan më pas Fondacionin Greenpeace, ishin frymëzuar nga libri i biologes amerikane Rachel Carson, “Silent Spring” (Pranvera e heshtur), e cila në 1962 kishte tërhequr vëmendjen mbi rrezikun e përdorimit të pesticideve në jetën e gjallë.
Në agim të boom-it ekonomik postwar (pas Luftës së Dytë Botërore), krahas rreziqeve të prodhimit të armëve bërthamore, mjedisi po vihej nën presionin e konsumerizmit, një model kapitalizmi që mbështetej në prodhimin masiv ushqimor dhe në rritjen e popullsisë. Ndërtimi i makinave, i avionëve dhe i infrastrukturës mbështetëse po shtonte depozitat e karbonit që emetoheshin në atmosferë.
Përpjekjet për të kuptuar ndikimin e emetimeve në atmosferë për shkak të aktiviteteve ekonomike, filluan shumë kohë para se korrelacioni të pranohej zyrtarisht.
Kimisti britanik, Robert Angus, kishte zbuluar qysh në vitin 1872 ndryshimin e motit për shkak të ndotjes që shkaktohej prej djegies së qymyrit në fabrikat e prodhimit të leshit në Anglinë veriore. Por u deshën më se 140 vjet nga kryerja e këtij studimi që njerëzimi të pranonte ndikimin e tij në rritjen e temperaturës globale (Global Warming). Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin e Klimës (IPCC), konkludoi për herë të parë në vitin 2013 se: “Është ekstremisht e mundshme që ndikimi njerëzor të ketë qenë shkaku kryesor i ngrohjes së vëzhguar qysh prej mesit të shek. XX”.
Ky konstatim ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të qartësuar shkencërisht koncepte ende të mjegullta. Ndryshimet Klimatike, Ngrohja Globale, Periudha Antropocene (që kur veprimtaria njerëzore ndikon mbi mjedisin dhe klimën), madje dhe vetë lëvizja mjedisore, ose dinamika e riformatimit të saj, janë rezultat i këtij konstatimi.
Avancimi i politikave neoliberale, forcimi i lëvizjeve antiglobalise si dhe zhvillimi i Internetit në fund të viteve ’90, e gjeti aktivizmin mjedisor në aleancë me retorikën antikapitaliste.
Në fund të viteve ’80, kryeministrja Margaret Thatcher në Britani po zbatonte politika të reja ekonomike. Hapja e tregjeve me Europën kontinentale, e kombinuar me liberalizimin e politikave financiare bankare, po krijonte mundësi për një zhvillim të shpejtë. Në Amerikë, presidenti Ronald Regan ndoqi një politikë të ngjashme në hapjen e tregjeve, duke themeluar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Shumë shpejt u kuptua se detyrimet shtetërore kundrejt çështjeve sociale po zbeheshin. Rreziku i degradimit të habitateve ishte i lartë.
Në këto kushte, aktivistët filluan protestat. Disa vende në Evropë, SHBA-ja dhe Australia rënduan legjislacionin kombëtar, duke kriminalizuar aktivizmin. Por, lëvizja do të kërkonte strategji dhe taktika të reja.
Avancimi i politikave neoliberale, forcimi i lëvizjeve antiglobalise për shkak të zgjerimit të pushtetit të korporatave financiare, si dhe zhvillimi i Internetit në fund të viteve ’90, e gjeti aktivizmin mjedisor në aleancë me retorikën antikapitaliste. Një numër aktivitetesh dhe protestash kundër korporatizimit dhe komercializimit të burimeve u zhvilluan globalisht. Protestat për drejtësi globale, kundër rritjes së shpejtë ekonomike dhe politikave neoliberale përfshinë Evropën në një shkallë të gjerë. Forumet ndërqeveritare ndërkombëtare, G8 (grupi i tetëshes) dhe G20 (grupi i njëzetëshes), ose më pas Cop21 (Konferenca e vitit 2015 për ndryshimet klimatike e Kombeve të Bashkuara në Paris), u shndërruan në objektivin kryesor të këtyre protestave.
E ardhmja: skicë e një distopie mjedisore
“Shqipëria duhet të bëhet superfuqi e vogël energjetike në mbarë rajonin”. Iish-kryeministri Sali Berisha, 2011.
Qysh prej fillimit të mijëvjeçarit, vendet e G7-s janë emetuesit më të mëdhenj të karbonit në planet, ndërkohë që emetimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, të marra bashkë, është i papërfillshëm. Po kaq e papërfillshme do të jetë për Evropën fuqia totale e energjisë së prodhuar nga ndërtimi i mundshëm i 3400 hidrocentraleve të projektuara në Ballkanin Perëndimor.
Le ta ilustrojmë me një shembull: kapaciteti total energjetik i rreth 900 kontratave koncesionare për ndërtime hidrocentralesh, të miratuara vetëm në dekadën e fundit në Shqipëri, nuk arrin as gjysmën e kapacitetit total të instaluar në të gjitha hidrocentralet e ndërtuara në vend deri në vitin 1985. Pesha e investimeve do të rëndojë vetëm natyrën dhe natyrisht, do të sigurojë të ardhura për një grup të vogël përfituesish, një pjesë e të cilëve janë përfaqësues korporatash të huaja.
Në Shqipëri, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi, kriza mjedisore i referohet kryesisht mbishfrytëzimit të burimeve natyrore dhe tjetërsimit të ekosistemeve të egra, në favor të investimeve të huaja, të ushqyera financiarisht prej bankave të zhvillimit dhe të mbështetura me stimuj shtetërorë. Ndaj dhe beteja mjedisore për mbrojtjen e burimeve kundër modelit agresiv të rritjes së vazhdueshme ekonomike, veçanërisht në vende me sipërfaqe relativisht të vogla, duhet të jetë fokusi parësor i aktivizmit mjedisor.
Pak muaj më parë, në ceremoninë festive të mandatit të tretë të fituar, kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli objektivin e qeverisjes së re katërvjeçare: Shqipëria kampione e turizmit në rajon; pothuajse i njëjtë ky, nga pikëpamja e imazhit distopik mjedisor që projekton, më atë që kundërshtari i tij politik, Sali Berisha, shpalosi dhjetë vjet më parë, nën devizën: Shqipëria, një mini-superfuqi energjetike në rajon.
Qeveria ka përshpejtuar procedurat për të hyrë në marrëveshje me kompanitë private për thithjen e investimeve në fushën e shfrytëzimit të burimeve natyrore. Por, ky veprim ka shtuar shqetësimin se në praktikë ajo ka shmangur llogaridhënien e autoriteteve, duke përjashtuar njëkohësisht banorët nga informimi.
Disa ekspertë mendojnë se ndarja e përgjegjësive mes shtetit dhe partnerit privat tregon mungesën e një kontrolli të fortë. Ekonomiksi – shkenca që shqyrton shkallën e përdorimit të burimeve natyrore – ka provuar se kapitali është në gjendje të operojë edhe në kushtet e mungesës së masave kufizuese. Vendimi për t’ia kaluar përgjegjësitë bizneseve private kufizon aftësinë e qeverisë për të imponuar respektimin e standardeve mjedisore.
“Janë më shumë plane konsumi sesa politika për ruajtjen e standardeve”, thotë Klodian Ali, ekspert i pavarur shqiptar për qeverisjen mjedisore. “Modeli që ushqejmë nxit konsumin e energjisë për të prodhuar edhe më shumë energji, që t’i shërbejë ekonomisë. Falë kësaj ekonomie, ne mund të prodhojmë akoma më shumë energji për të mbështetur një tjetër ekonomi, akoma më të madhe, e kështu pa mbarim”.
Por, presioni ndaj burimeve provokoi një aksion të ri mjedisor. Lëvizjet me bazë komunitare dolën në dritë.
Protestat nuk drejtoheshin më nga ekologë, apo të ashtuquajtur ekspertë mjedisorë, por nga vetë banorët, burimet e të cilëve rrezikoheshin. Ndonëse më të vogla në numër, ato ishin të shpeshta dhe disa prej tyre përfundonin në përplasje fizike. Sakrifica dhe sinqeriteti i organizatorëve tërhoqën vëmendjen e medias.
Lumi i Valbonës konsiderohej i paprekshëm dhe egërsia e tij ishte bërë pjesë e vetëdijes popullore.
Në veri të Shqipërisë, në Valbonë, komuniteti protestoi kundër ndërtimit të hidrocentraleve brenda territorit të Parkut Kombëtar. Banorët u organizuan dhe protestat e tyre u shtrinë edhe në Tiranë. Lumi i Valbonës konsiderohej i paprekshëm dhe egërsia e tij ishte bërë pjesë e vetëdijes popullore. Kryeministri Rama u përpoq të shfajësohej me pretendimin se kontratat ishin dhënë përpara ardhjes së tij në pushtet, por pikërisht në këtë periudhë në media u raportua se në Valbonë u dhanë edhe tri hidrocentrale të tjera, njëri nga të cilët binte brenda zonës së mbrojtur. Catherine Bohne, turistja amerikane e dashuruar me peizazhin alpin në Valbonë që prandaj vendosi të jetonte përgjithmonë aty, u bë simboli i kësaj proteste. Shumë shpejt ajo u padit nga kompania koncesionare për prishje imazhi. Dëmshpërblimi i kërkuar arrinte në 150,000 euro.
Të tjerë banorë protestojnë prej tre vjetësh kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi Përroin e Zall-Gjoçajt, që është pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës. Deri tani, policia ka ndaluar protestuesit mbi katër herë, por jo punimet e paligjshme që vijojnë brenda territorit të parkut.
Gjatë 2020-ës tubimet u ndaluan për shkak të pandemisë COVID-19, por punimet për zbatimin e kontratave koncesionare (jo vetëm për shfrytëzimin e burimeve ujore, por edhe për shfrytëzimin e burimeve të tjera natyrore) vazhduan. Në kushtet e izolimit, autoritetet mjedisore vijuan miratimin e dokumentacionit, duke legjitimuar procesin në favor të bizneseve, edhe pse në disa raste u konstatua mungesa e publikut.
Kufizimet për shkak të koronavirusit u kombinuan më të tjera kufizime ligjore, për shkak të mospërputhjes mes Kodit Penal dhe Kushtetutës.
”Policia ka shfrytëzuar shpesh klauzolën e ‘marrjes së lejes nga organi kompetent’, duke e konfonduar me ‘të drejtën për të njoftuar’”, thotë juristi Dorian Matlija, Drejtori Ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra Ligjore Res’Publica. “Vetë legjislacioni është i paqartë, çka ka bërë që disa protesta të ndalohen në mënyrë selektive”.
Në të vërtetë, ajo çka lejohej me një ligj, ndalohej nga një tjetër. Sipas Kodit Penal, çdo kërkuesi tubimesh i kërkohej leje paraprake, ndërsa sipas Ligjit për Tubimet, kërkuesi duhej vetëm të njoftonte.
Në muajin maj Gjykata Kushtetuese shfuqizoi “detyrimin” për të marrë leje nga organi kompetent, në favor të “njoftimit”, çka përbën një hap drejt lirisë së tubimeve. Por sidoqoftë, vendimi nuk është i menjëhërshëm dhe aktivistëve do t’u duhen edhe gjashtë muaj, derisa protestat e mundshme të mos kufizohen apriori, por të prezumohen si të drejta.
Lëvizja mjedisore ka detyruar qeveritë e disa vendeve në Ballkanin Perëndimor për të rishikuar kontratat koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla dhe kufizimin e stimujve financiarë, por deri tani nuk ka ende një rezultat të qartë. Në Shqipëri, Ministria e Energjisë filloi procesin e vlerësimit të kontratave ekzistuese, por përfundimet po mbahen sekret prej qeverisë.
“Lëvizjet kundër hidrocentraleve në Ballkan po shndërrohen në lëvizjet më të forta të shoqërisë civile në Evropë”, thotë Eichelmann nga RiverWatch.
Ndërsa në Mal të Zi ekziston frika se procesi i skanimit të këtyre kontratave mund të shfrytëzohet vetëm për të dëmtuar kundërshtarët politikë. Në Kosovë, një raport ekspertësh i ngjashëm, i përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i sapo publikuar, ka konstatuar parregullsi dhe shkelje ligjore në lëshimin e lejeve për shfrytëzimin e rrjedhave ujore, të fituara prej kompanive, por deri tani, asnjë prej këtyre lejeve nuk është anuluar.
Lëvizjet kundër hidrocentraleve në Ballkan po shndërrohen në lëvizjet më të forta të shoqërisë civile në Evropë”, thotë Eichelmann nga RiverWatch. “Lëvizja mjedisore po grumbullon më shumë njerëz. Në këtë mënyrë ata nuk mbrojnë vetëm mjedisin, por edhe vendin nga korrupsioni”.
Si të administrohet protesta mjedisore?
“Aktivizëm do të thotë aksion”! Arben Kola, aktivist nga Shqipëria.
Përfshirja e aktivizmit mjedisor në politikën e protestës daton qysh prej fundit të viteve ’60. Praktikat e vjetra të organizimit u referohen formacioneve hierarkike nga lart-poshtë. Këto lloj organizatash ishin të pasura në burime dhe arrinin përtej kufijve. Ndërkohë, lëvizjet e reja, më shumë në formën e organizimit të grupeve lokale të bazës, tentojnë të jenë edhe më radikale, duke ushqyer një mosbindje civile në rritje.
Në Shqipëri, disa aktivistë mendojnë se ndalimet e gjata në polici, gjobat, dënimet me punë të detyruar në komunitet nga gjykata penale, fushatat denigruese, si dhe përdorimi i rënduar i Kodit Penal ndaj tyre, u shërbejnë interesave të përbashkëta të dy aleatëve: qeverisë dhe korporatave financiare. Natyrisht një mendim i tillë ka provokuar përvijimin (në dukje) e një tipi më radikal të aktivizmit mjedisor të bazës, krahasuar me format tradicionale. Por, ndonëse më i pavarur, aktivizmi i bazës nuk është domosdoshmërisht i dhunshëm në origjinë.
“I jam bashkuar një rrjeti vullnetarësh, me dëshirën për të qëndruar larg organizatave”, thotë Arben Kola, aktivist nga Shishtaveci i Kukësit. “Disa prej tyre kanë abuzuar me vullnetarizmin. Pjesa dërrmuese e tyre më shumë shpenzojnë kohën dhe paratë nëpër workshope, sesa punojnë në terren”.
"Nëse kemi nevojë për doreza, transport ose qese, njerëzit na ndihmojnë”, thotë Kola.
Ai mban qeleshe dhe ndërron shpesh bluza me simbolet kombëtare, duke kombinuar pasionin për natyrën me atdhedashurinë. I specializuar si ciceron turistik, Arbeni ka shëtitur nëpër gjithë territorin e vendit, duke ua prezantuar turistëve egërsinë magjike të natyrës shqiptare. Ai është i kudondodhur dhe mund të quhet aktivist i pashoq.
Bashkëpunëtorët e tij janë dekanë me grada shkencore, ekonomistë e mësues, inxhinierë, por edhe studentë. Ata gjenden kudo, kur vjen puna për të protestuar kundër ndotjes, keqmenaxhimit të mbetjeve ose mbishfrytëzimit të burimeve. Lidershipi është zëvendësuar nga një rrjet koordinatorësh dhe vendimet merren mbi bazën e një konsensusi të gjerë. Duke shfrytëzuar rrjetet sociale, koordinatorët e lëvizjes organizojnë aktivitete të përjavshme në dobi të aksionit mjedisor.
“Ne i drejtohemi publikut nëpërmjet profileve personale. Nëse kemi nevojë për doreza, transport ose qese, të gjitha kërkesat i shpallim publikisht para se të kryejmë aktivitetin dhe njerëzit na ndihmojnë”, thotë Kola. “Nëse dikush kërkon të na japë para për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit, ne i pranojmë. Reagimi ka qenë i mirë dhe për ne është tepër frymëzues”.
Atá është një tjetër përpjekje e ngjashme, por më e strukturuar, ndonëse mbetet informale. Prej disa kohësh, ky grup të rinjsh, kryesisht gra, po mbështet banorët e Laknasit (në veri të Tiranës) për të mbrojtur hapësirat e gjelbra rreth banesave të tyre nga investitorët që synojnë të zhvillojnë aktivitete private. Më parë, ata patën mbështetur një tjetër komunitet, që protestoi kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Mirditë.
“Ne i mbështesim banorët. Shumica jonë jeton këtu. Jemi të rinj dhe kërkojmë për t’iu ardhur në ndihmë më të vjetërve”, thotë Diana Malaj, njëra nga themelueset e grupit. “Në Laknas, disa investitorë duan të presin një pyll plepash me qëllim që të ndërtojnë një thertore. Bashkia nuk po i mbështet banorët”.
Pjesa më e madhe e banorëve të Laknasit – të parët e tyre – mbërritën aty rreth tri dekada të shkuara. Vendi ku parashikohej ndërtimi i thertores kishte qenë hapësirë që shfrytëzohej nga fëmijët për kamping. Por me kalimin e kohës, krahas popullimit me banorë të rinj, natyra, në heshtje, vazhdoi punën e saj dhe në tridhjetë vjet krijoi aty, pranë brigjeve të lumit, një pyll të mrekullueshëm, të cilin banorët e rinj e pagëzuan “Plepat e Brukës”. Për ta, ky pyll plepash është diçka që lidhet drejtpërdrejt me të shkuarën e tyre të afërt.
Malaj, një avokate e sapolicensuar, së bashku me Aurora Lekën (një tjetër themeluese e grupit), kanë krijuar edhe Qendrën Ligjore Kujri, duke ofruar shërbime falas në mbështetje të komuniteteve për barazi sociale dhe mjedisore.
Kujri, një koncept i shkuar për publiken, që përmendet në Kanunin e Lekë Dukagjinit, mund t’u shërbejë komuniteteve në të ardhmen për të mbrojtur hapësirat e tyre të përbashkëta.
Ndërkohë, organizata Vëzhguesi Rural, që ndër të tjera angazhohet t’i mbrojë komunitetet nga aktivitetet e pakontrolluara të industrisë nxjerrëse dhe të hidroenergjetikës, në vitin 2019 po mbështeste komunitetet lokale në katër qarqe të vendit. I mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, projekti synonte përmirësimin e transparencës dhe të llogaridhënies së autoriteteve shtetërore, si dhe të bizneseve të cilat shfrytëzonin burimet natyrore. Disa komunitete e shihnin projektin si të vetmin instrument sigurie, që mund të mbronte burimet prej agresivitetit të korporatave.
Gjatë dy vjetëve projekti përfshiu një numër të madh të grupeve të interesit: ekspertë, gazetarë, juristë, aktivistë dhe qytetarë të thjeshtë të angazhuar; organizoi forume dhe workshope; ndërtoi një platformë virtuale në web me informacion të bollshëm, si dhe kreu intervista promovuese nëpër televizione qendrore e lokale.
Pak para përfundimit, projekti zbuloi dhe dokumentoi ndërtimin e një hidrocentrali brenda territorit të Parkut Kombëtar Shebenik-Jablanicë në Shqipërinë Lindore, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Rasti ishte flagrant, pasi nuk lejohej ndërtimi i një hidrocentrali brenda Parkut Kombëtar. Mbetej vetëm hapja e një padie në emër të banorëve.
Por, padia nuk u hap. Kontrata me juristët, si dhe i tërë projekti, përfundonin pas pak ditësh, ndërkohë që ecuria e procesit në gjykatë mund të kërkonte disa muaj, ndaj koha ishte e pamjaftueshme. Drejtuesit e projektit nuk negociuan për ta shtyrë ose për të rinegociuar kontratën. Çështja u braktis dhe hidrocentrali u ndërtua aty ku vazhdon dhe sot të prodhojë energji elektrike në mënyrë të paligjshme.
“Organizatat janë më të kornizuara dhe shpesh aksionet kushtëzohen nga skema burokratike, gjithnjë e më të forta të donatorëve”, thotë Ermelinda Mahmutaj, Drejtore Ekzekutive e EDEN, Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim. “Ndonëse aktivizimi mbetet përgjegjësi morale, individuale, gjykoj se dokumentacioni aplikues dhe raportues nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete, pasi rrezikon të zbehë efektivitetin e aksionit”.
Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSh), institucioni publik buxhetor që nxit zhvillimin e qëndrueshëm të Shoqërisë Civile, përmes fondeve buxhetore ka shpërndarë rreth një milliard lekë (afro 10 milionë euro) mbështetje financiare në dhjetë vjet. Por, projektet e mbështetura mjedisore rezultojnë të zbehta dhe ndonëse të pakta, asnjë prej tyre a prej organizatave zbatuese të tyre, nuk kanë qenë të rëndësishëm, së paku krahasuar më çështjet mjedisore të konsideruara publikisht si të nxehta.
Nga shqyrtimi i të dhënave që ofron vetë Agjencia, publikisht, individët dhe grupet informale nuk kanë qenë kurrë pjesë e thirrjeve të kësaj Agjencie.
Teknologjia dhe sfidat e reja të aktivizmit
“Jo, jo, nuk ju njoh, sepse nuk jemi shokë në Facebook”. Mesazh në Whatsapp, 2017.
Kriza mjedisore është bërë shqetësim global. Po kaq globale po bëhet edhe lëvizja për mbrojtjen e mjedisit. Natyrisht, nuk do të mbërrinim këtu pa mbështetjen e medias. Ajo ka qenë instrumenti kryesor për formësimin e opinionit dhe ka ndikuar në rritjen e ndërgjegjes mjedisore. Në dy dekadat e fundit asgjë nuk ka ndryshuar më shumë dhe më shpejt sesa prodhimi dhe shpërndarja e informacionit. Kësisoj, në një farë kuptimi, dinamika e lëvizjes mjedisore është produkt edhe i këtij presioni.
Por, ashtu sikurse në krizën mjedisore, konsumerizmi rëndon mbarëvajtjen e burimeve, edhe në media, konsumerizmi i lajmeve nuk garanton raportim të shëndoshë.
Sipas një studimi mbi raportimin e çështjeve mjedisore në media, të përgatitur nga EcoAlbania, rezultoi se nga monitorimi i edicioneve qendrore të lajmeve nëpër stacionet televizive kombëtare gjatë vitit 2018, raportimet mjedisore u pozicionuan në grupin e lajmeve të fundit.
Deri tani, asnjë redaksi shqiptare lajmesh nuk ka një gazetar të dedikuar që raporton ekskluzivisht çështjet mjedisore. Struktura e redaksive i jep ende prioritet raportimit të “kronikës së zezë”, duke lënë pas raportimin e krizës së burimeve.
Teknologjitë e reja mediatike, ndonëse me përfitime të dukshme, kanë krijuar disa probleme për aktivizmin.
Zbatimi në praktikë i një strategjie komunikimi mediatik, veçanërisht në median sociale, mund të rezultojë në humbjen e fokusit, çka mund të cënojë arritjen e qëllimeve ose të degradojë protestën. Mediatizimi nuk mund të shërbejë si shenjë suksesi; ai është pasojë e tij.
Redaktori i një platforme lajmesh në Tiranë me përhapje relative, nuk i ndaloi gazetarët e tij të raportonin një aktivitet në mbrojtje të lumenjve, që zhvillohej në sheshin qendror të kryeqytetit (sipas një modeli artivizmi), por i këshilloi që të talleshin sa më shumë me organizatorët e aktivitetit. Ky qëndrim reflekton perceptimin publik se disa organizata e shohin aktivizmin më shumë mjet për të reklamuar vetveten, sesa për të zgjidhur problemin. Aktivizmi nuk duhet të shndërrohet në strategji marketingu.
Një tjetër rrethanë zhgënjyese mund të jetë krijimi i iluzioneve të rreme, për shkak të pëlqimeve të marra në rrjetet sociale, të cilat jo domosdoshmërisht përputhen më pas me pjesëmarrjen fizike në terren. Për më tej, rrjetet sociale mund të dëmtojnë aktivistët, pasi deklaratat e tyre publike, ose postimet sensibilizuese mund të përdoren kundër tyre nga kompanitë, ose nga policia, si evidenca nëpër gjykata.
Në Tiranë, postimet personale të disa aktivistëve në mbrojtje të Parkut të Madh të Tiranës (2016), u përdorën si prova kundër tyre nga Prokuroria në Gjykatë. Në Kosovë, aktivistët Adriatik Gacaferri dhe Shpresa Loshaj u paditën (2020) nga KelKos Energy sh.p.k., për shkak të qëndrimeve kundër ndërtimit të hidrocentraleve brenda Parkut Kombëtar të Bjeshkëve. Paditësit shfrytëzuan postimet e aktivistëve nëpër llogaritë personale në Facebook dhe i paraqitën si prova në padi, duke u kërkuar dëmshpërblime prej mijëra eurosh.
Por, përpos një debati të gjerë dhe aktiv mbi dobinë relative të rrjeteve sociale, ato po përdoren masivisht e me sukses në përhapjen e çështjes mjedisore dhe, ndonëse me rrezikun e pasaktësive e të manipulimit, po kontribuojnë si altoparlant që zëri i aktivistëve të dëgjohet.
Nga ana tjetër, gjenerata e re virtuale krijoi platformën për zhvillimin e një gazetarie alternative, të ashtuquajturën ”gazetaria qytetare”, e cila po i shndërron aktivistët nga konsumatorë, në prodhues të produktit mediatik, duke e përcjellë krizën mjedisore, nga lokalja te globalja.
Kështu, në vitin 2016, kur një grup aktivistësh në Tiranë, në mbrojtje të një hapësire të gjelbër protestuan për 77 ditë kundër planeve të bashkisë për shndërrimin e pyllit në park urban, ata caktuan një prej tyre për të regjistruar video të vazhdueshme, të cilat më pas u përcilleshin rrjeteve, por edhe medias tradicionale në kohë reale.
Mjedisi: çështje e të gjithëve
“Në vendet kapitaliste, prioriteti i qeverive, në politikën mjedisore dhe kudo tjetër, është t’i bëjë investitorët e korporatave të lumtur”. John Dryzek, profesor universitar, 1997.
Beteja për mjedisin dhe aksioni për politikë të gjelbër kanë ndjekur itinerar të përbashkët qysh në agim të lëvizjes mjedisore. Por, qeverisja e gjelbër nuk u bë e pranueshme, derisa në horizont të mund të shfaqej alternativa e një tregu të ri.
Në Rio të Brazilit, në vitin 1992, në Samitin e Tokës, konferencën e organizuar nga Kombet e Bashkuara për mjedisin dhe zhvillimin, u promovua për herë të parë koncepti “zhvillim i qëndrueshëm”, që nënkupton përfshirjen e potencialit mjedisor në politikat neoliberale ekonomike. Por, siç u pa shpejt, kjo në praktikë shërbeu vetëm si një garanci më shumë për mbrojtjen e këtyre politikave në kurriz të mjedisit.
U krijua përshtypja se hapja e tregjeve dhe liberalizimi financiar ishin në përputhje dhe madje të nevojshëm për mbrojtjen e mjedisit. Protokolli i Kiotos (Japoni) më 1997, vazhdim i Rios, shërbeu si pikë fokale për t’i çelur rrugën krijimit të tregjeve alternative të energjisë.
Duke krijuar një imazh miqësor për mjedisin, në emër të Ndryshimeve Klimatike, përmes skemave të Partneritetit Publik-Privat, e ashtuquajtura “qeverisje e gjelbër” gjeneroi tregje të reja për të ushqyer financiarisht korporatat.
Gjithçka kulmoi në vitin 2015 me “Marrëveshjen e Parisit” – shtetet e botës (pa Kinën, Turqinë, Iranin dhe pak të tjera) premtuan se brenda gjysmës së dytë të këtij shekulli do ta mbajnë rritjen e temperaturës mesatare globale në më pak se 2°C mbi nivelet e periudhës paraindustriale.
Duke nxitur edukimin mjedisor dhe promovuar produkte bio, qeverisja globale e gjelbër po përshtat një sjellje ambientaliste, e cila po rrezikon të dominojë çështjen mjedisore. Zgjidhja e situatave nga lart-poshtë ka zbehur aksionin mjedisor dhe ka demotivuar shoqërinë civile për mbrojtjen e së përbashkëtës.
Në fund të qershorit, ministritë e mjedisit të Kosovës dhe të Shqipërisë zhvilluan një aksion të përbashkët pastrimi të mbeturinave plastike në Vërmicë, pranë kufirit mes dy vendeve. Ministrat respektivë të Mjedisit tërhoqën aktivistë dhe shpërndanë mesazhe të gjelbra në media.
“Aksionet e pastrimit janë të nevojshme, pasi kultivojnë një ndërgjegje mjedisore qytetare”, thotë Mahmutaj nga organizata mjedisore EDEN. “Por aksionet e organizuara nga qeveritë janë jashtëzakonisht të dyshimta dhe u shërbejnë qëllimeve të tjera, propagandistike. A mos ndoshta në këtë mënyrë ato po përpiqen që të fshehin përgjegjësinë që kanë për situatën?”.
Ngjajshëm mendon edhe aktivisti Kola. “Detyra e qeverisë është që të zbatojë ligjin dhe jo të bëjë demagogji. Jemi në këtë situatë kaotike, së pari për shkak të keqadministrimit të mbeturinave prej autoritetit shtetëror”, thotë ai.
Një tjetër përpjekje demotivuese ndaj aksionit mjedisor është mendimi jodemokratik se çështjet mjedisore janë teknike.
Në të vërtetë, mbi këtë taktikë të trushpëlarjes së gjelbër (greenwashing), Ministri i Mjedisit të Shqipërisë ka ndërtuar imazhin e tij ekologjik si rrallëkush më parë. Çdo fundjavë, me grupin e vet të PR-it ai udhëton nëpër grykëderdhje lumenjsh të ngarkuara me depozitime plastike, pastron plazhe të brishta, por të ndotura, përuron bujtina nëpër terrene të egra rurale, ose pret e përcjell avionë me turistë të huaj, të cilët, sipas tij, kërkojnë me padurim të zbulojnë magjinë dhe sekretet që ofron Shqipëria e virgjër.
Por, propaganda e qeverisë për të asociuar fjalorin e vet të gjelbër me gjoja praktikat e gjelbra, është vetëm njëri prej synimeve. Një tjetër përfitim propagandistik lidhet me mbulimin e përgjegjësive nëpërmjet keqinformimit, pasi gabimisht krijohet bindja se përmirësimi i situatës kërkon rritjen e vetëdijesimit publik, ndërkohë që lihet në harresë fajësia e autoriteteteve për gjendjen.
Një tjetër përpjekje demotivuese ndaj aksionit mjedisor është mendimi jodemokratik se çështjet mjedisore janë teknike. Argumenti mbështet kryesisht prej burokratëve, por jo rrallë edhe nga një pjesë e shoqërisë civile, e përfaqësuar nga teknicienë që veprojnë brenda organizatave mjedisore me strukturë konvencionale.
Promovimi i këtij koncepti me rrezikshmëri të lartë për çështjen mjedisore në debatin publik, ka disa qëllime. Së pari, ai kërkon të përjashtojë vendimmarrjen mjedisore nga transparenca dhe llogaridhënia; së dyti, kërkon të ruajë privilegje ekskluzive të supremacisë së ekspertëve dhe së treti, kërkon të sabotojë çështjen mjedisore duke përjashtuar aktivistët nga beteja për mjedisin.
Ndonëse mjedisi ka nevojë për të dhëna shkencore, fokusi i tij është social. Kalimi i mjedisit në ambientalizëm reflekton një marrëdhënie mes njeriut dhe natyrës. Mjedisi nuk duhet t’u shërbejë përfitimeve të ngushta, por interesave të gjithë shoqërisë. Nëse në strategjinë e propagandës së trushpëlarjes mjedisore, për disa burokratë mjedisi konsiderohet ‘çështje teknike’, në praktikën e administrimit burokratik, ai shihet si mundësi për t’i ushqyer tregjet në favor të korporatave.
Një kod i kuq për njerëzimin
“Sa më shumë që mësojmë rreth Ndryshimeve Klimatike, aq më shumë duhet të shqetësohemi”. Mark Howden, zëvendëskryetar i Panelit Ndërkombëtar të Ndryshimeve Klimatike, IPCC, 2021.
Sidoqoftë, planeti po ngrohet për shkak të veprimtarisë njerëzore. Raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, i Kombeve të Bashkuara (IPCC), i publikuar në fillim të këtij gushti, konkludoi, qartësisht, se temperaturat janë në rritje. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres tha se raporti ishte “një kod i kuq për njerëzimin”. Por alarmi nuk ka të bëjë shumë me gjendjen e klimës, se sa me masat që duhen marrë për zbutjen e saj.
IPCC ka shprehur optimizëm për nxitjen dhe përkrahjen e mundësive për përdorimin e energjisë së rinovueshme prej qeverive. Të njëjtin optimizëm tregoi presidenti i SHBA-së Joe Biden, pak ditë më parë, kur u kërkoi udhëheqësve të industrisë amerikane të prodhimit të makinave që gjysma e shitjeve, prej 2030-s, t’u përkisnin makinave elektrike. Madje ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që i kërkonte qeverisë mbështetje për arritjen e objektivit.
Por në praktikë, retorika për energjinë e rinovueshme ndjek një tjetër dinamikë. Me gjasë, masat do të ngadalsohen prej taktikave që do të ndjekin korporatat dhe grupet financiare.
Kriza mjedisore është një krizë globale dhe kërkon bashkëpunim global. Të dhënat e IPCC-së synonjë të arrijnë përtej vendimmarrësve, drejt një publiku më të gjerë, sikurse aksioni në terren prej aktivistëve mjedisorë, nga ana tjetër, mund t’i shërbejë Panelit për të kuptuar se si përceptohen prej publikut, gjetjet e tyre.
Sot, në kushtet kur gjithçka duket kaq e paqëndrueshme, kaq në disfavor; kur përmasa e krizës mjedisore është kaq serioze, aktivistët mjedisorë përbëjnë një forcë që duhet dëgjuar dhe duhet dialoguar. Tendenca e qeverive për t’i kriminalizuar, si dhe përpjekja për të konfiskuar fuqitë dhe liritë e organizatave dhe të aktivizmit mjedisor, përbëjnë kërcënim po aq të rëndë ndaj ekosistemeve, sa edhe shkatërrimi fizik i tyre.
Por, diçka është jashtëzakonisht e qartë dhe bindëse: aktivistët janë të vetmit që deri tani vazhdojnë të refuzojnë, shpesh edhe radikalisht, propagandën e qeverisjes së gjelbër me aksione direkte. Ata vijojnë të jenë në rrugë, pranë pyjeve dhe liqeneve, në krah të komuniteteve, përballë burokratëve dhe korporatave, në emër të barazisë dhe të drejtësisë mjedisore, mbrojtjes së burimeve dhe të së shkuarës, për vendin e tyre dhe për brezat që do të vijnë.
Imazhi i ballinës: Artan Rama.
Ky rrëfim mbështetet nga Rosa-Luxemburg-Stiftung Gesellschaftsanalyse und politische Bildung e.V. – Zyra në Bosnjë dhe Hercegovinë.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.