Lajmi për vrasjen e Sebahate Morinës në mars të këtij viti tronditi dhe zemëroi shumë qytetarë. Disa aktiviste feministe i mobilizoi në protestë për ta ripërsëritur për të shumtën herë që femicidi është i parandalueshëm dhe që shteti po dështon ta mbrojë jetën e grave. Kur Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu lanë trupin e pajetë të Marigona Osmanit te Qendra e Emergjencës në Ferizaj në muajin gusht, edhe një herë aktvistët, të shoqëruar me shumë qytetarë kërkuan drejtësi dhe i bënë thirrje shtetit t’i jap fund femicidit, kësaj pandemie në hije.
Por, sikur për këto dy –raste të mos kishin reaguar qytetarët dhe aktivistët, vrasjet e tyre mund të ishin thjesht pjesë e Kronikës së Zezë së shumicës së mediave kosovare që me shumë gjasë do të kaloheshin me një të lexuar titulli dhe pa shumë zhurmë.
Kronika e Zezë në media është një nga ato rubrikat e vjetëruara, me shumë gjasë e kopjuar nga shtypi ish-jugosllav — te shumica e mediave në rajon gjendet nën të njëjtin emërtim (Crna Kronika). Kjo e fundit duket të jetë përshtatje e asaj që në mediat amerikane dhe ato angleze ka filluar si “crime reporting” që nga fillet e gazetarisë. Pronarët e gazetave atëkohë shpejt kishin identifikuar se si raportimi për krimin — për shkak të natyrës “joshëse” — i apelon kuriozitetit grotesk dhe është veçanërisht i ndjeshëm ndaj sensacionalizmit. Ndërkaq, përshkrimi i kronikës së krimit me ngjyrë të zezë e thekson edhe më shumë dramën e lajmit, dhe e ngulfat brenda senzacionit.
Lajmet e ditës së sotme, 25 nëntor — në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave — si zakonisht do të tregojnë se po zhvillohen disa ngjarje publike, ndërsa gjatë mbrëmjes se ndërtesa e monumente ikonike do të ndriçohen në të portokalltë për ta sjellë ndërmend thirrjen për të luftuar dhunën në baza gjinore.
Por derisa dëgjojmë e lexojmë nga mediat për këto thirrje që vetë ne i drejtojmë tek intervenimet në arsim, organe të drejtësisë e në qeveri, duhemi përfundimisht të kërkojmë përgjegjësi edhe tek një segment tjetër i pushtetshëm — vetë mediat — që mirëmban dhe riprodhon narrativat e dëmshme për atë se si i shohim gratë dhe burrat, duke komunikuar dhe përjetësuar imazhe dhe mesazhe të gabuara për gjinitë.
Trajtimi i rasteve të dhunës me bazë gjinore vetëm si lajme që futen në kategorinë e Kronikës së Zezë tregon qartë se shumicës së mediave kosovare u mungon perspektiva gjinore në politikat redaktoriale. Nxjerrja e rasteve nga raporti 24 orësh i policisë dhe publikimi i tyre si informacion i zakonshëm, pa i vënë në kontekst, i shndërron përvojat me histori të gjatë të shtypjes në spektakël të dhunës.
Vrasjet e Sebahate Morinës dhe Marigona Osmanit, si çdo femicid tjetër, e si çdo formë tjetër e dhunës, për pjesën dërrmuese të gazetarëve, redaktorëve dhe kryeredaktorëve kosovarë mbesin një lajm tjetër, por gjithsesi i klikueshëm afër lajmeve tjera që zgjojnë kurreshtjen, siç janë vjedhjet, aksidentet, konfiskimet e gjobitjet për kundërvatje.
Në fakt, vetë kategoria Kronika e Zezë është e diskutueshme sepse në çastin kur raportimet hyjnë në atë kuti, shkëputen tërësisht nga konteksti social dhe ekonomik, dhe ngecin si kopje të dobëta të raporteve të policisë. Për shembull raportimet, jo të rralla në Kronikën e Zezë, për therjet me thikë midis burrave për një vend parkingu vetëm sa e përforcojnë idenë që temperamentet “gjaknxehta” rëndom përfundojnë në dhunë. Pra, e lënë tërësisht të pashtjelluar rëndësinë e diskutimeve për maskulinitetin toksik dhe kontekstin ekonomik e social që e mundëson shfaqjen e tij.
Por, kur media është tërësisht në pronësi private, interesi për përfitim bën që përmbajtja të jetë përplot me lajme komerciale, kështu lehtësisht të tejkalueshme, e jo-kritike. Kështu, Kronikat e Zeza dhe përfaqësimi i krimit në media përmes tyre bëhet përmbajtje e domosdoshme. Por derisa vazhdon diskutimi i kahmotshëm për atë se si ideologjitë dominuese dhe faktorët e ndërlidhur politikë, ekonomikë dhe teknologjikë përcaktojnë përzgjedhjen dhe prodhimin e storieve, përfshirë ato të krimit, mediat kosovare duhet ta asgjësojnë Kronikën e Zezë, ose të paktën t’i largojnë rastet e dhunës më baza gjinore nga aty.
Kronikat e Zeza përjashtojnë rrëfimet e dhunës ekonomike përderisa analizat dhe raportimet e hollësishme për barazinë dhe marrëdhëniet ekonomike do ta analizonin më thellësisht kompleksitetin e realititet të dhunës në baza gjinore. Kjo do ta ndihmonte diskutimin publik feminist që shpesh kufizohet tek organizatat për të drejtat e grave.
Në vend të këtyre, gati në mënyrë sistematike, mediat mjaftohen duke riviktimizuar gratë qoftë përmes formulimeve gjuhësore: “Vritet një grua…”, e “Dhunohet një vajzë…”, qoftë duke e ilustruar lajmin me fotografinë që e njohin të gjithë ku vëmendja bie tek autori i dhunës në pozitën e sulmuesit e gruaja me duar duke mbuluar fytyrën. Me këtë, gruan vazhdojnë ta portretizojnë si viktimë të pafuqishme derisa titulli që nuk e shohim ‘’Burri vret gruan”, do ta vendoste përgjegjësinë tek autori i krimit dhe do t’ua ofronte viktimave dinjitetin që e meritojnë.
Prej kategorizimit të lajmeve të kësaj natyre, deri te gjuha dhe fotografitë e përdorura, redaksitë duhet të tregojnë se e kuptojnë që femicidi nuk është thjesht një kundërvajtje dhe se vënia e tij në kornizë të senzacionit e argëtimit i zhvleftëson të drejtat fundamentale të grave. Roli i mediave nuk reduktohet në informim të një vrasjeje më shumë, por në gërmimin dhe vënien nën llupë të pabarazive ekonomike e patriarkatit të institucionalizuar që shpesh po e mundëson dhe lehtëson vrasjen e grave. Në listën e atyre që kanë përgjegjësi sociale për ta luftuar dhunën në baza gjinore dhe femicidin, mediat janë në fillim.
Imazhi i ballinës: Anete Lusina / CC
Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd.
Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.