Pikëpamje | Dezinformimi

Nevoja për gënjeshtra

Nga - 17.11.2022

Një përzierje eksploduese e injorancës dhe vetëbesimit të tepërt.

Nëse pasioni për konsumim të dezinformatave do të klasifikohej si varësi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), si do t’i identifikonim personat e varur? Ndoshta këtë mund ta bëjmë duke shtruar një grup pyetjesh të standardizuara, njësoj si kur diagnostikojmë dikë nëse është duhanpirës i madh apo alkoolist.

Ta zëmë se një person i quajtur Marko Marković nga Beogradi vjen për t’u kontrolluar; ai navigon gjithë ditën nëpër xhunglat e Facebook-ut dhe është i ekspozuar ndaj përmbajtjeve të ndryshme fantastike, mistike, sensacionale, eksploduese dhe ekskluzive. Ai është mësuar kaq shumë me këtë rutinë, sa që lajmet e përditshme nuk e ngazëllejnë më, posaçërisht nëse janë më të gjata se dhjetë rreshta.

Para së gjithash, duhet të përcaktohet nëse e ka shprehi këtë. A ndieni, zoti Marković, një nevojë për dezinformim? Ai përgjigjet po.

Në rregull. A e ke vërejtur se ke nevojë për një sasi më të madhe të dezinformatave për ta arritur të njëjtin nivel të kënaqësisë? Ai thotë po dhe kjo përbën shqetësimtë veçantë për të.

A ke provuar ndonjëherë ta kufizosh kohën që shpenzon duke konsumuar përmbajtje të tilla? Ai ka provuar, por ky kufizim e çoi në një krizë e rëndë.

Personazhi fiktiv, z. Marković — bashkë me qindra mija njerëz të vërtetë në Serbi, të ngjashëm me të — ka një diagnozë që mund ta përmbledhim me një paragraf të marrë nga vepra e Mirjana Vasović, profesore e shkencave politike në Universitetin e Beogradit. Në trajtimin e saj të teknikave të manipulimit në propagandë, ajo shkruan:

“Shumica e njerëzve i tejthjeshtojnë gjërat kur shqyrtojnë çështje komplekse. Shumica e njerëzve duan t’i konfirmojnë, në vend se t’i hedhin poshtë, paragjykimet e tyre, edhe nëse përballen me informacione të reja për një çështje ose individ. Njerëzit kanë nevojë të përkasin dhe, në të njëjtën kohë, t’i përjashtojnë të tjerët nga grupi. Kanë nevojë t’i fajësojnë të tjerët për zhgënjimet e tyre, duke shpikur armiq dhe duke i drejtuar gishtat te personat me faj. […] Aktet specifike të propagandës mbështeten pikërisht në disa nga këto modele psikologjike, të cilat janë afër gjykimit të shëndoshë për çështje të ndryshme”.

Këtë vit, skena mediale serbe i ka ofruar publikut të vet të gjitha materialet e nevojshme për t’i plotësuar nevojat e mësipërme. Ja një zbërthim.

Nevoja për thjeshtëzim

Në Serbi ekziston një numër i madh platformash që mobilizojnë qytetarët më të zellshëm duke u shërbyer prezantimeve manipuluese dhe të tejthjeshtuara të temave të ndryshme me interes publik. Grupi në Facebook “Stop lejimit të emigrantëve” vitet e fundit mblodhi mbi 300,000 ndjekës duke përhapur përmbajtje ksenofobike përpara se ta zhvendosnin vëmendjen në teknologjinë 5G dhe më pas, gjatë pandemisë, te vaksinat dhe në fund te lufta në Ukrainë.

Një studim rajonal, i bazuar në gjithsej 1,500 dezinformata rreth luftës në Ukrainë të mbledhura nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi, tregoi se nga 20 burimet më të shpeshta të manipulimit, 16 ndodhen në Serbi. Propaganda pro-ruse e kryetitujve dhe transmetuesve publikë serbë synon të reduktojë gjithçka në një binar të thjeshtë bardh e zi: ukrainasit janë provokues dhe nazistë, ndërsa rusët janë viktima, patriotë dhe mbrojtës të Serbisë.

Ata përdorin një sërë strategjish manipuluese për ta vërtetuar këtë argument iluziv. Shpeshherë, në mënyrë të pakujdesshme, pamjeve të flamujve, ndërtesave ose tankeve të Ukrainës, u shtohen svastika. Edhe presidenti ukrainas Zelensky u portretizua me një buzëqeshje në fytyrë teksa mbante një fanellë me dizajnin e një svastike. Shpejt u kuptua se kjo “dëshmi” në fakt ishte montuar me fotoshop — në foton origjinale, fanella ka të shënuar numrin 95 përmbi, jo një svastikë.

Dezinformatat mbi trafikimin e organeve të fëmijëve në Ukrainë, krimet e luftës kundër ukrainasve që po “inskenohen” dhe laboratorët sekretë të kërkimit biologjik në Ukrainë u përhapën në vija të ngjashme.

Nevoja për konfirmim

Pasi këto lloj mediash të mbyllin në një model të caktuar ideologjik ose pseudoshkencor me anë të teknikave të ndryshme propagandistike, ata përpiqen të të mbajnë aty, duke sjellë gjithmonë “prova” të reja se je në rrugën e duhur, në mënyrë që të mos shkosh diku tjetër. Ky mekanizëm përdoret gjithkund.

Kur bëhet fjalë për vaksinat Covid-19, fillimi i vitit 2022 u mjegullua nga narrativa manipuluese që siguronin personat kundër-vaksinës se kishin të drejtë kur refuzuan të vaksinoheshin. Kishte një sërë raportesh në atë formë për efikasitetin e dobët të vaksinave ose për kundër-indikacionet, si “sindroma e vdekjes së papritur kardiake” — që supozohet se prek njerëzit e vaksinuar disa muaj pasi ata marrin vaksinën.

Nevoja për përkatësi

Politika e mençur e jashtme serbe e balancimit midis “katër shtyllave” (Bashkimi Evropian, Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës) mund të përshkruhet më mirë si politika e “e as këndej as andej” dhe që sjell pak rehati në një moment kur duket Serbia nuk përket askund, veçanërisht duke pasur parasysh se vendet e tjera po forcojnë aleancat e tyre. Për të ndihmuar që ky shqetësim të ulet me lehtësi, mediet serbe shtyjnë përpara teori për “rendin e ri” në horizont, në të cilin statusi i Serbisë do të jetë më i favorshëm dhe padrejtësitë historike do të korrigjohen.

Në korrik 2022, tabloidi Srpski Telegraf raportoi se kryeministri hungarez Viktor Orbán “bën thirrje për një ushtri evropiane dhe dëshiron që Serbia të jetë pjesë e saj”. Kur u pyet për këtë nga FakeNews Tragač, qeveria e Hungarisë mohoi që një gjë e tillë të jetë planifikuar ndonjëherë.

Kjo është pjesa e tretë e dezinformatave që u shpërndanë nga Srpski Telegraf në linja të ngjashme. Ata shpikën fillimisht projektin e Orbán,”E6″, në vitin 2020 — një bashkim i ri i supozuar i Serbisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Çekisë dhe Sllovakisë — përpara se t’i fabrikonin planet e bashkimit “E8” dy vjet më pas, që përfshinte brenda edhe Kroacinë dhe Slloveninë. Në të tri rastet, qeveria hungareze hodhi poshtë pretendimet e Srpski Telegraf, por kjo nuk e pengoi medien e kryetitujve të vazhdonte t’i zbukuronte fantazitë e veta. Mbetet për t’u parë se çfarë ka rezervuar Orbán — po mendoj, Srpski Telegraf, më falni — për vitin 2023.

Nevoja për armiq

Pas disa vitesh në të cilat Krenaria e Beogradit u mbajt në kushte relativisht paqësore, atmosfera para EuroPride sivjet, të mbajtur në Beograd, u tensionua jashtëzakonisht shumë dhe u shoqërua me raste të përditshme të gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBTQ+ dhe madje edhe me kërcënime me vdekje. Kjo fushatë kundër krenarisë u drejtua jo vetëm nga partitë apo lëvizjet e djathta, por edhe nga disa medie.

Dezinformimi lidhur me përfshirjen e lëvizjes LGBTQ+ në pedofili, shkatërrim të “familjes tradicionale serbe” dhe promovim të “ideologjisë homoseksuale” përmes teksteve shkollore dhe shkollave u shoqëruan me dezinformata të tjera që u përhapën gjerësisht, si lija e majmunëve, çmimi i supozuar tetë-shifror i Krenarisë dhe karakterin e saj “anti-serb”, si dhe rënien morale në vendet e Bashkimit Evropian, që kanë legalizuar martesat e të njëjtit seks.

Ky ishte shembull i një fushate propagandistike që shumë shpejt solli shumë pasoja të drejtpërdrejta dhe të dukshme në jetën reale; dhuna ndaj personave LGBT u rrit, kurse një grup aktivistësh nga Gjermania dhe Shqipëria u sulmuan pas marshit të krenarisë në Beograd.

Nevoja për burime të kufizuara 

Mungesat dhe një normë jashtëzakonisht e lartë e inflacionit me gjasë nuk duken aq të frikshme nëse të tjerët ndodhen në pozitë më të keqe se ne. Pranverën e kaluar, të gjitha mediet e kryetitujve serbë raportonin për “raftet e zbrazura nëpër markete anembanë Evropës” si të ishin të gjitha pjesë e një redaksie të integruar; nuk hezituan t’i shoqëronin këto lajme me pamje që datojnë që nga vala e parë e pandemisë.

“Si në Serbi në vitin 1993. Një market ushqimor në Gjermani — dje”, shkruhej në mbishkrimin e Informer nën fotografinë e shkrepur në mars të vitit 2020 në shtetin amerikan Nebraska. Dhjetëra artikuj të tillë (1, 2, 3) u publikuan, bashkë me dëshmitë e supozuara të familjeve serbe që u dërgonin ushqime dhe furnizime të tjera të afërmve të tyre të uritur jashtë vendit. Nga fundi i verës, njerëzit në Serbi përfituan përvojë të dorës së parë për atë se si duken raftet e zbrazëta të marketeve ushqimore, veçanërisht ato ku gjendej njëri nga produktet bazë — qumështi.

Tepricë e vetëbesimit

Padyshim që z. Marković i sajuar ndodhet në disavantazh. Megjithatë, ai bëri hapin e parë drejt gjetjes së një zgjidhjeje, duke pranuar se ka një problem. Shumë njerëz në Serbi si ai nuk shohin asnjë problem tek vetja e tyre. Për më tepër, kanë shumë vetëbesim për njohuritë e tyre mediale dhe aftësitë e të menduarit kritik.

Sipas një studimi të kryer nga IPSOS, 78% e të anketuarve me vendbanim në Serbi pajtohen me pohimin në vijim: “Jam i sigurt se mund ta dalloj lajmin e vërtetë nga lajmi i rremë”. Vetëm 15% e të anketuarve nuk u pajtuan, që është përqindja më e ulët nga 27 vendet pjesëmarrëse. Kur i hedhim një vështrim parametrave të tjerë — idetë për Covid-19 dhe shkallën e vaksinimit MMR ose qëndrimin ndaj ekonomisë, të drejtave të njeriut, dhunës ndaj grave dhe gjendjes së rëndë të njerëzve në Ukrainë, si dhe gjendjes së njerëzve serbë me orientim të ndryshëm seksual — përfundimi është i qartë: jetët tona mund të jenë të vështira dhe të zymta, prapë se prapë e kemi një ngushëllim, jemi më të zgjuarit në botë.

Fotografia e ballinës: Majlindë Hoxha/K2.0
Autorja e gjeneroi këtë fotografi pjesërisht me GPT-3, model i OpenAI për gjenerimin e gjuhës.

Ky artikull është i dyti i serisë së artikujve nga platformat e verifikimit të fakteve në vendet e Ballkanit. Përmes kësaj serie, verifikuesit e fakteve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut shtjellojnë trendet e përbashkëta të dezinformimit e keqinformimit.

Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të ZiInstituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?