Pikëpamje | Kulturë

Nevojitet pak shkencë në arkitekturën e betonuar kulturore

Nga - 11.10.2018

Para strategjive, skenës kulturore të pavarur i duhet një diskurs i konsoliduar.

Çfarëdo kategorizimi që e lidh kulturë-bërjen me progresin shoqëror në Kosovë është shumë i paqëndrueshëm që të konsiderohet si argument: progresi kulturor i Kosovës nuk mund të vlerësohet për shkak se nuk janë kryer matje. Matjet nuk mund të bëhen pa u zhvilluar indikatorët që do të përfaqësonin shtyllat për zhvillim dhe ndikim kulturor në shoqërori.

Me qëllim që të niset një dialog i brendshëm me dhe për skenën e pavarur të kulturës, ky tekst jep sugjerime mbi ciklet e proceseve të pavarura kulturore që duhet të përthekohen, duke u nisur me idenë se kultura është një proces dinamik që është parakusht për krijimin e vlerave shoqërore dhe vlerësimin e përgjegjshëm. Ndryshimet shoqërore dhe kulturore implikojnë ndryshime në shkallë vlerash dhe këto vlera duhet të maten me qëllim të kuptimit e drejtimit të një kursi shoqëror.

Ideja e argumentimit mbi atë se çka nënkupton skena e pavarur kulturore domosdoshmërisht duhet të ketë kornizë diskutimi. Pika nismëtare e ofrimit të argumenteve në këtë tekst fillimisht përjashton ndjekjen e fajtorëve e shpikjen e tyre. Kjo skenë e vogël nuk ka nevojë për prokuror kulturor apo për ndonjë proces lustrimi artistik.

Duke mos dashur që të përcillet me ndonjë reagim sipërfaqësor në vend të atij përmbajtësor (lexo: personal), ky tekst niset prej parimit që secili ka të drejtë të refuzojë të gjykojë tjetrin për keqinterpretim të qëllimshëm.

Me të njejtin parim, ky tekst niset prej dëshirës dhe nevojës për të investuar më shumë kohë për të kuptuar arsyet e vërteta të pakënaqësive për mënyrën se si funksionon kjo skenë, me atë se çka u ofron qytetarëve kjo skenë, si dhe për të kuptuar raportin e skenës me qytetarët.

Ideja është që të mos i vihet fokus problemeve, por zgjidhjes së tyre.

Retropolis

Asnjë episodë kulturalisht historike nuk është tërësisht e parëndësishme në kronikën e 18 vjetëve të Kosovës së çliruar, duke përfshirë: administrimin e Biyala Rao-s në Departamentin e Kulturës në fillimet e UNMIK-ut, nismat e pavarura kulturore jo-qeveritare, ndërrimin e ministrave e drejtorëve të institucioneve kulturore, harresën e aferave të tyre si dhe ndërprerjen e organizimeve kulturore si pasojë e mungesës së financimit.

Sidoqoftë, për tu kuptuar konteksti në të cilin kanë ndodhur këto zhvillime, në fillim duhet të sqarohen kushtet, shkaqet e rrethanat që kanë përcaktuar drejtimin, të cilin skena kulturore e pavarur e ka marrë (nëse mund të quhet skenë bashkësia e jo më shumë se 15 organizatave kulturore, programi i përbashkët vjetor i të cilave deri goxha vonë përthekonte jo më shumë se 60 ditë aktivitete).

Fillimisht duhet kuptuar se si produkt post-socialist gjatë rivendosjes së caqeve strategjike kulturore pas rënies së murit të Berlinit, ndërrimit të strukturave kulturore globale dhe qasjeve të reja të administrimit kulturor në vitet e 90-ta, në pjesën dërmuese të kohës ne si shoqëri kemi qenë vetëm vëzhgues. Rrethanat shtypëse të viteve 90-ta kanë ndikuar që roli joformal i kulturës në ristrukturimin e identitetit kulturor post-socialist të pësojë regres, të marrë karakter defanziv e të manifestohet me ripërtëritjen e miteve dhe figurave kombëtare përmes shfaqjeve a ekspozitave, si mënyrë e konservimit të qenies së rrezikuar kombëtare. Shumë normale, në atë rrethanë.

Me ardhjen e mileut të ri, me vendosjen e strukturave të organeve vendim-marrëse të përkohshme edhe në kulturë, ka pasur shumë hijeshi në mënyrën se si janë themeluar disa bashkësi kulturore në pak prej qyteteve të mëdha të vendit. Njerëzit i kishte bashkuar dëshira për t’i kthyer një jetë kulturore qyteteve e qytetarëve; një jetë kulturore që e kishin pasur në një rrethanë krejt tjetër, kur produktet kulturore i nënshtroheshin filtrit të vlerave nga një trup profesionistësh dhe filtrit të përmbajtjes nga administrata ideologjike e politike para se t’i shërbeheshin audiencës.

Kjo është një nga rolet e skenës së pavarur – të krijojë rrethanat për lindjen e këtyre qytetarëve kulturalisht të pavarur.

Me pak vullnet e shumë shtytje nga të hollat e konsiderueshme të taksapaguesve evropianë, filloi të krijohej e të marrë formë një mikro-kosmos i pavarur kulturor, i manifestuar përmes festivalizimit dhe organizimeve të gostive festive. Kështu nisën të krijoheshin konsumatorë kulturorë, por jo edhe publik kritik me qytetarë aktivë që i përcjellin ngjarjet e që dinë të vlerësojnë, krahasojnë, të masin e të përkthejnë produktin kulturor në një mendim vlerësues të tyrin.

Për mendimin tim, kjo është një nga rolet e skenës së pavarur – të krijojë rrethanat për lindjen e qytetarëve kulturalisht të pavarur. Mendoj se lirinë kulturore individi e arrin përmes një procesi që ndërlidh emocionin me të kuptuarit e gjykuarit kritik. Një qytetar aktiv është agjent i pavarur kulturor që ka nevojë për – dhe i kupton e promovon – vlerat kulturore, kujtesën (kolektive), kreativitetin e kritikën dhe rëndësinë e tyre për zhvillimin komunitar.

Këtë nocion e këtë proces duhet ta paketojë, prezantojë e ofrojë si opcion skena e pavarur e një vendi.

Monopolis

Gjatë periudhës kur po përgatitej shpallja e pavarësisë së vendit, me një shpejtësi të paarsyeshme filluan të shpërfaqeshin shenjat e të çarave të kësaj skene: nuk kishte nisma për tu përfshirë në rrjete rajonale kulturore, nuk kishte peticione a deklarata të përbashkëta sa herë që flitej për ndonjë ndërkombëtarizim eventual të vendit në rrafshin kulturor, apo kur shteti i ri mëtonte të anëtarësohej në ndonjë organizatë kulturore botërore e as bile kur ndonjëri nga ministrat e rinj vendoste që duke mos e financuar, të shuante ndonjë ngjarje kulturore që kishte lënë shenja në identitetin kulturor e artistik të vendit.

Në rastin e deridjeshëm, për shembull, u pa një qasje krejtësisht jo-unifikuese rreth idesë së shembjes së objektit të Gërmisë e ndërtimit të një sallë koncertale pavarësisht mospërfilljes se sa do ti kushtonte kjo xhepit të qytetarëve. Në të njejtën kohë, u shpërfaq edhe paaftësia e brishtë skenës së pavarur për të zgjidhur vetë këtë çështje e për të vetë-organizuar një diskutim të brendëshëm në mbrotje të objektit, për shkak të vlerave të kujtesës arkitektonike të qytetit. Askush nuk e ftoi qytetarin që të jetë pjesë e këtij debati. E krejt në fund – pavarësisht rezultatit – u pa që politika ditore ka fuqi shumë të madhe që ta menaxhojë pavarësinë e kësaj skene kulturore.

Për më tepër, ishin shumë të rralla tentativat ku organizatat e kulturës i qaseshin komunitetit me të cilin bashkëjetonin në qytetet ku organizoheshin festivalet. Nuk mbahet mend nëse në bazë të statusit të tyre të pavarur qytetar e jo-qeveritar, këto organizata kanë organizuar ngjarje të vogla për personat me aftësi të kufizuar në dëgjim, shikim, në të folur dhe në lëvizje apo fëmijët bonjakë. Gjatë viteve të 90-ta në Kosovë këto kanë qenë organizime të shpeshta. Për shembull, në kampet e refugjatëve në Maqedoni gjatë vitit 1999, artistët e Kosovës kanë mbajtur programe muzikore e teatrore për fëmijë e të rritur.

Po në atë hov të zhvillimit të organizatave kulturore, para se të nisej çfarëdo matje për progresin e ndikimin kulturor të arritur në çfarëdo niveli e çfarëdo fushe artistike, para se të flitej për investime kulturore, për lehtësira financiare për prodhuesit kulturorë, apo për zhvillimin e ndonjë kurrikuli artistik e inovativ për sistemin e mjerë të arsimit në vend – në këtë infrastrukturë të fragmentuar kulturore nisën të dalin idetë e shpalosjes së një politike e strategjie kulturore në nivel vendi.

Kjo qasje ad-hoc është në kundërshtim me parimin se politikat dhe strategjitë – jo vetëm kulturore – do duhej të hartoheshn në bazë të matjeve e vlerësimeve mbi indikatorët, dhe se të dhënat nga këto analiza do ofronin kursin më të duhur se kah duhet shkuar politikat.

Kultura dhe artet – si sferë – i takojnë interesit publik.

Në masë të madhe i reduktuar deri në levërdi, ky diskutim mbi strategjitë kulturore i nisur nga organizatat e pavarura dhe i financuar gjithmonë nga mjetet e agjencive të huaja, përmblidhej në një seri tubimesh të paneleve e grupeve punuese të talentuara në hartime projektesh që konkludonin, rekomandonin por më së shumti ankoheshin në nivelin qëndror përgjegjës për kulturë. Ky nivel qëndror kishte kohë që kishte humbur busollën e vet strategjike për të ofruar diçka më normale e më të kuptimtë për qytetarët, diçka jashtë formateve të shfaqjeve patetike të patosit kombëtar dhe ekspozitave të ekzodit – veçori kjo e ‘politikës’ së 90-ve në mbrojtje të identitetit kombëtar si strehë kundër shtypjes e asimilimit.

Në mënyrë ilustrative, ky barikadim i ngjan vështrimit nga vrima e çelësit ndërkohë që i tërë peizazhi huqet. Ajo çka nuk e di është nëse dera është e mbyllur apo thjesht nuk ekziston dëshira e vullneti që kjo derë të hapet e të sfidohen normat regresive shoqërore bashkë me zonën e rehatisë, në të cilën ka dëshirë të jetojë qytetari. Për kohën në të cilën jetojmë, kjo vrimë ofron një pikëpamje të papranueshme.

Kultura dhe artet – si sferë – i takojnë interesit publik. Përveç bashkëpunimit, deri më tani ende nuk është shpikur ndonjë mënyrë tjetër me të cilën mbrohen vlerat dhe interesat e përbashkëta e ato të qytetarëve. Të gjithë e dimë se çka ndodh me ata që ndërtojnë mure rreth vetes.

Qytetari si diskurs e busollë

Politikat kulturore në botë kanë të bëjnë kryesisht me qytetin, qytetarin dhe qytetarinë. Ato ndihmojnë dhe promovojnë matjen e progresit kulturor, krijimin e tregut kulturor e vendeve të punës në sektorin e kulturës, gjenerimin e mjeteve financiare dhe investimin në sektorin e pavarur të kulturës.

Një skenë duhet të jetë afër njerëzve: e kjo është arsyeja pse një skenë ka ndikim në rrjedhat shoqërore, e jo vetëm në politikat kulturore. Një skenë krijon rrafsh real e reformues në shoqëri. Një skenë lë shenjë e krijon politikë shoqërore të qyteteve. Një skenë investon në skenën e vogël që vjen dhe në qëndrueshmërinë e lidhjes me qytetarët.

E kjo me të drejtë nxit pyetjen: cila forcë shtytëse ndikon në skenën kulturore në Kosovë? Cilat forca e inicojnë mobilitetin kulturor tek ne?

Si aparat shoqëror i krijuar prej individëve të pavarur e jo-politikë, skena e pavarur kulturore në Kosovë eshte motor i progresit shoqëror. Është indikator i demokracisë e shoqërisë së hapur tek ne.

Kosova ka skenë të pavarur kulturore, por nuk ka dialog të brendshëm as në mes akterëve të skenës e as me vendim-marrës e politikë-bërës në mënyrë që të krijohet një diskurs i përbashkët kulturor.

Si iniciativë e shtresës së mesme gjithnjë e më të tkurrur, skena e pavarur kulturore e Kosovës është dizajnuesi më serioz i agjendës kulturore të Kosovës. Kjo skenë – bashkë me super yjet e sportit –  është narratori dhe hartuesi i vetëm i rrëfimit të ri të Kosovës. Është një rrëfim ‘a la grassroots’, rrëfim qytetarësh që ka kapacitet katalizues. Vetëm kjo skenë angazhohet që me aktivitetet e saj, me pjesëmarrjen e përfaqësimin dhe aktivizmin qytetar të sigurohet që shoqëria të angazhohet e reagojë më fuqishëm edhe në rrafshin e politikave publike e të mos mbetet një ‘societé du spectacle’.

Kosova ka skenë të pavarur kulturore, por nuk ka dialog të brendshëm as në mes akterëve të skenës e as me vendim-marrës e politikë-bërës në mënyrë që të krijohet një diskurs i përbashkët kulturor. Mendoj që vendi ynë ka nevojë për një diskurs të përbashkët kulturor me të cilin e tregon rrëfimin e vet. Si shtet jashtë agjendave kulturore rajonale, Kosova duhet të aplikojë strategji aleancash rajonale kulturore, proces ky, fatin e të cilit e ka në dorë skena e pavarur e jo niveli qëndror.

Për ta bërë këtë, skenës i nevojitet strukturë, kornizë e përfaqësues, të cilët nuk i ka. Kjo skenë ka ndikim të vogël në bërjen, ndryshimin e zbatimin e politikave kulturore apo atyre publike. Deri më tani, pak veprime të skenës kanë dalë si pasojë apo vijimësi e ndonjë raporti hulumtues, ndonjë dokumenti vlerësues mbi perspektivat strategjike të kulturës në Kosovë apo mbi ndonjë krahasim të domosdoshëm vlerësues së paku me vendet e rajonit.  

Kjo skenë – e cila aktivitetin e saj e shtrin kryesisht nëpër vendbanime urbane – është e centralizuar e si e tillë ka pak ndikim në proceset shoqërore e kulturore në hapësirat, shkollat e sheshet e fshatrave. Skena kulturore kryesisht përbëhet prej facilitatorëve e ndërmjetsuesve kulturorë meqenëse ajo që prodhohet në Kosovë, është vetëm produkti i një grusht organizatash kulturore.

E çka ka nevojë tash? Si arrihet në një pozitë ku reagohet njëzëri kur ta zëmë Ministria vendos që të mos financojë diçka si festivalet SkenaUP apo Prishtina Jazz Festival, siç ndodhi në vitin 2014? Si të arrihet në një pozitë ku organizatat e skenës së pavarur kulturore ia paraqesin Ministrisë një dokumenti të përbashkët të strategjisë së kulturës 2020 – 2030?

Para se të arrihet një qëndrim i përbashkët për objektin e Gërmisë, skena e pavarur duhet t’i kuptojë nevojat e qytetarëve dhe t’i bindë ata se pse i nevojitet qytetit një sallë e tillë më shumë se sa të themi një fond i veçantë për zhvillimin profesional të instrumentistëve të Filarmonisë.

Kapitali njerëzor

Procesi i të bërit kulturë nuk duhet të shihet si ndonjë proces ekskluziv. Më shumë ka të bëjë me krijimin e qendrave gravituese rreth së cilës mblidhen qytetarët e edukohen të vegjëlit, me krijimin e hub-eve e klubeve të vogla shkollore e kreative edhe në qyteza dhe hapësira më pak të urbanizuara. Atëherë mund të flitet për matje. Nuk mund të flitet për progres kulturor pa gjithëpërfshirje, matje vlerash e krahasime të bazuara në hulumtim. Nuk ka vullnet politik për ta njohur rëndësinë e kulturës në zhvillimin e qytetarit kritik.  

Se për nivelin qëndror ekzekutiv kultura konsiderohet vetëm si një shfaqje apo një ekspozitë e ka treguar mungesa e një inovacioni financiar me fokus në kulturë e arte. Askush nuk ka lobuar për ndonjë TVSH kulturore, qoftë në blerjen e produktit apo si një taksë e shtuar a e ndarë nga produktet e shumta të importit që hyjnë në Kosovë. Askush nuk ka inicuar ndonjë marrëveshje me ministrinë e financave për zbritjen e taksave për bizneset që kontribuojnë në kulturë apo që të krijojë lehtësi ekonomike për kompanitë e industrisë kreative.

Si duket, nuk dëshirohet të kuptohet që duke i krijuar këto kushte e lehtësira, investohet në kapitalin njerëzor të Kosovës, në qytetarin e mirë, në kosovarin e përgjegjshëm.

Duhet konsideruar se Kosova faciliton kulturë e sjell produkte të gatshme kulturore, por prodhon pak. Nuk ka mjaft brumë për eksport për shkak se nuk ka prodhues e as treg. Edukimi kulturor është aspekti më i dobët i politikës kulturore dhe investohet shumë pak në ngritjen kulturore të të vegjëlve.

Fatmirësisht, në Kosovë artet nuk krijohen vetëm duke filluar prej vitit 2000, por qysh prej kohës kur kultura e artet kanë filluar të institucionalizohen, që tek ne i bie pas Luftës së 2-të Botërore. Por kulturë-bërjen e ka shoqëruar mungesa e qëndrueshmërisë.  Shumë ngjarje të bukura e festivale me shumë kuptim që janë organizuar në vitet e 70-ta, 80-ta, e bile edhe kanë vazhduar edhe në vitet e 90-ta, kanë dështuar të organizohen pas luftës duke e këputur kështu një vazhdimësi të një rrëfimi kulturor të Kosovës.

Mjafton të shihet se në shkolla, artet mësohen pak a shumë sikurse në vitin 1984 dhe se nuk mendohet strategjikisht për ata që do të vijnë të shohin, se si do të vlerësojnë e të çmojnë atë që do t’u ofrohet në të ardhmen. Besoj se nuk ka kohë më të mirë se kjo për të menduar për të ardhmen e një kulture të qëndrueshme.

Dialogu i përgjegjshëm komunitar

Për pak vite, ambasadat e agjencitë e huaja në Kosovë do të konsiderojnë se vendi ynë – si shtet i pavarur – tanimë ka fituar kapacitetet që t’i tregojë botës se mund të jetë shtet i qëndrueshëm dhe se politikat e saj fiskale, ekonomike e kulturore janë stabile dhe se sigurojnë procese të qëndrueshme.

Përveç kësaj, poashtu për pak vite, gjenerata e katërt e diasporës nuk do të gjejë dot vullnet për të ardhur e kaluar një pjesë të verës në Kosovë; të ndikuar nga valët e refugjatëve, të cilët duke ikur nga luftërat po e mësyjnë kontinentin – buxheti i kësaj gjenerate ka pësuar rënie të ndjeshme bashkë me dëshirën për të parë të parët e për të kontribuar në vendin ku kishte lindur stërgjyshi i tyre. Në mes tjerash, kjo ‘braktisje’ do të ketë edhe implikime financiare dhe do të ndikojë në procesin e konsolidimit edhe të skenës së pavarur kulturore.

Para vetëm 30 vjetesh ky skenar i supermarketit të paskajshëm të produkteve e vlerave, nuk ka mundur të imagjinohet.

Sot, pothuajse të gjithë fëmijëve në Restelicë të Dragashit u duhet një click për t’i shkarkuar e shikuar të gjithë filmat e Disneyit, të shohin Kullën e Eiffel-it në 3D drejtpërdrejt në Google Maps apo të lexojnë cilindo strip online a të dëgjojnë cilindo koncert. Ata zgjedhin se çka dëshirojnë të shohin, lexojnë e dëgjojnë. Ata zgjedhin për shijen e tyre. Ata vetë e qepin dhe prejnë sistemin e vet të personalizuar të vlerave artistike dhe vetë e ndërtojnë përkufizimin se çka u pëlqen e çka jo.

Para vetëm 30 vjetesh ky skenar i supermarketit të paskajshëm të produkteve e vlerave, ku ofrohet gjithçka përveç idesë dhe kuptimit të vlerave komunitare, nuk ka mundur të imagjinohet. Para vetëm 30 vjetësh nuk ka ekzistuar asnjë mundësi që të kemi qasje në produktet ushqimore (e lëre më kulturore) ku secili zgjedh sipas shijes së vet. Krijimi i këtyre produkteve që ushqejnë  preferencat individuale atëherë është klasifikuar si i dëmshëm e i rrezikshëm dhe prezenca e tyre në sferën publike nuk e ka kaluar filtrin e vlerave e atë ideologjik të të vetmit emitues televiziv në gjuhën shqipe. Por, tani fëmijëve të Restelicës, dhe të gjithë fëmijëve të Kosovës, aq u bën për mendimin e ish-redaktorëve përgjegjës në TVP. E aq më pak prindërve të tyre.

Lensi dhe difuzioni kulturor ka shumë të bëjë me të ardhmen e shoqërisë. Telefoni i mençur para 30 vjetësh na është dukur pajisje fantastiko-shkencore. Ndikimet kulturore përcaktojnë zhvillimin e progresit shoqëror dhe ndërtojnë aftësi adoptuese me pajisjet fantastiko-shkencore që do të përdoren pas 30 vjetësh. Kjo është një kohë e mirë për mospajtim të hapur e për ofrimin e argumenteve që nënkuptojnë diçka subtanciale për shoqërinë. është kohë e mirë për të testuar se sa e hapur është shoqëria për të parë se në cfarë mase jeta qytetare konsumohet nga politika ditore dhe në ç’masë dinamika e zhvillimit shoqëror kompromentohet nga politikanët.

Sot, kur pothuajse gjithçka është e qasshme me një ‘click’ e ‘search’, ideja e programit kulturor shkollor dhe metoda e edukimit për publikun e ardhshëm kulturor ofrohet si fabrikisht ‘e mençur’ dhe varet e reduktohet në një telefon dhe një modem interneti. Me këtë qasje krijohen individët. Artistë luftarakë. Karateistët. Xhudistët. Por, kështu nuk aspirohet që të krijohet përgjegjësia si vlerë për ekipin, kolektivin e shoqërinë e të dokumentohet mbamendja e kujtesa si njësi matëse e vlerave kulturore e komunitare.

Nëse dëshirojmë të krijojmë yje në Youtube, por nuk na tërheq orientimi kah perspektiva që një ditë të kemi një Filarmoni të mirë të Kosovës dhe qytetarë kritikë e të përgjegjshëm atëherë, le të më tregojë dikush, pse duhet të ekzistojë një skenë e pavarur kulturore?

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.