Në thelb | Të Drejtat e Grave

Nga nëna te bija: feminizimi i varfërisë

Nga - 15.10.2020

Varfëria e grave në Kosovë ngelet në mes të politikave seksiste dhe dhunës ekonomike.

Vera* 53 vjeçe nga Prishtina është kryefamiljare dhe e vetmja përgjegjëse për rritjen e katër fëmijëve të saj, qysh prej përfundimit të luftës në të cilën iu vra burri. Ajo e konsideron fat që për pak kohë pati mundësi të punonte si pastruese në spitalin publik të psikiatrisë, ndonëse kontratën e kishte të përkohshme dhe iu ndërpre pas tri viteve. 

Më pas, përgjatë 16 viteve të fundit ka punuar si pastruese dhe përkujdesëse e pleqve nëpër shtëpi private kurdo që ka mundur të gjejë punë. Tash fëmijët e saj janë të rritur, por ajo kujton se sa e vështirë ka qenë t’i rrisë ata e vetme. “Me fmi të vegjël kom dalë kom pastru, veç për bukë”, thotë ajo.

Në pyetjen nëse dy vajzat e saj janë të punësuara dhe nëse kanë jetë më cilësore, ajo përgjigjet prerazi: “Jo”. Që të dyja sot janë të martuara; njëra prej tyre kishte punuar edhe vetë si pastruese deri kur është martuar, e tash jeton jetën e një amviseje të varfër. 

Kjo rrjedhë e rrethanave jetësore nuk është atipike. Gratë në Kosovë trashëgojnë pak, mbesin të izoluara në shtëpi si nëna dhe amvise, dekurajohen nga tregu i punës, nuk pranojnë përkrahje të mjaftueshme institucionale, dhe u mohohet drejtësia kur kërkojnë të mirat materiale që u takojnë. Vetëm 13 % e grave në Kosovë punojnë, ndërsa përqindja e atyre që as nuk janë duke kërkuar punë është 78%.

Këto forma diskriminimi tanimë njihen, madje edhe merren për të mirëqena. Por ajo çka nuk njihet gjerësisht është që varfëria e grave dallon me atë të burrave, dhe se dinamika varfëri-gjini në kombinim me shenjues të tjerë identiteti si klasa, mosha, apo etnia, luajnë rol kyç në debatin për fuqizimin ekonomik të grave.

Prioritetet qeveritare për investime infrastrukturore sugjerojnë se fokusi nuk është te politikat për mirëqenie dhe lëvizshmëri sociale.

Sipas ekonomistes feministe Dita Dobranja, në Kosovë varfëria trashëgohet, sidomos prej nënës te bija. 

“Studimet tregojnë se nënat që kanë të ardhura të veta e investojnë shumën dërrmuese të tyre në fëmijë: në edukim, në shëndet, krejt çka ka të bëjë me fëmijët dhe mirëqenien e familjes në përgjithësi”, shpjegon ajo. “Por nëse në një familje nëna është me të ardhura më të vogla ose në varfëri, ajo nuk ka me pasë çka me investu në familje”.

Të ardhurat ndër gjenerata sipas Dobranjës lidhen ngusht me sistemin politik të një vendi dhe atë arsimor në veçanti. Sipas saj, një shtet i mirëqenies me sistem të mirëfilltë të arsimit publik — siç është rasti me shtetet skandinave — mundëson lëvizshmëri sociale, pra gjasa më të mëdha që një person i lindur në familje të varfër të kalojë në shtresë të mesme apo të lartë përgjatë jetës. Por në këtë aspekt, vendet skandinave janë përjashtimi dhe jo rregulli. 

Në Kosovë, prioritetet qeveritare për investime infrastrukturore sugjerojnë se fokusi nuk është te politikat për mirëqenie dhe lëvizshmëri sociale.

Për më tepër, është vështirë të flitet për lëvizshmëri kur mungon siguria e të ardhurave. Mimoza Mustafa, matematiciente dhe ligjëruese në Universitetin Amerikan në Kosovë, është nënë vetushqyese e një vajze të vogël. Duke mos pranuar përkrahje financiare dhe as morale nga babai i vajzës, ajo është i vetmi prind përgjegjës për rritjen dhe edukimin e së bijës. 

Mimoza Mustafa, ligjëruese universitare dhe nënë vetushqyese, konsideron se gratë në Kosovë përkrahen vetëm sipërfaqësisht. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Si profesioniste e kyçur në tregun e punës që 21 vjet, ajo thotë se përvoja shumëvjeçare ia ofron njëfarë sigurie. Por sipas saj, në momentin që e humb vendin e punës në Kosovë, shumë lehtë kthehesh në “rast social”. “Sa mundesh me u ndi e sigurt në një vend si Kosova ku përkrahja për gratë në përgjithësi është sipërfaqësore, ndërsa nënat vetushqyese nuk e di madje as që janë të regjistruara diku, e lëre më të përkrahen në ndonjë formë”, thotë ajo.

Punë joformale dhe me ndihma sociale

Pandemia COVID-19 ka shpërfaqur aspektet më kritike të cilat pasqyrojnë varfërinë e grave në Kosovë. 

Saxhide Mustafa, zëvendësdrejtore në Institutin Riinvest, një think tank që trajton çështje socio-ekonomike dhe biznesore, flet për ndikimin që ka pasur izolimi si pasojë e pandemisë në të ardhurat e grave të punësuara në sektorin joformal. 

“Gratë të cilat janë varfëru më së shumti gjatë pandemisë janë gratë në sektorin joformal”, thotë ajo. “Pra është fjala për pastrueset, dadot, ato që përkujdesen për pleq apo bëjnë mirëmbajtjen e shkallëve [nëpër ndërtesa të banimit]. Po ashtu, gratë që kanë kompani private por që ndoshta nuk i kanë të regjistruara”.

Për shumë gra të tjera, të ardhurat nuk ishin të mjaftueshme as para pandemisë. 

Sipas Nora Latifi-Jasharit, njohëse e çështjeve socio-ekonomike dhe drejtore në Institutin për Studime të Avancuara GAP, nga rreth 25,000 familje në Kosovë që marrin ndihmë sociale, rreth një e treta e bartësve të ndihmave janë gra. “Gjendja ekonomike në Kosovë është mjaft e rëndë për shumë grupe të shoqërisë, por ajo rëndohet edhe më shumë për grupet e margjinalizuara e sidomos për gratë që u përkasin këtyre grupeve”, thotë ajo. 

Sipas Strategjisë Kombëtare për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali 2017-2021, gratë e këtyre komuniteteve diskriminohen në mënyrë të dyfishtë — si gra dhe si anëtare të komuniteteve Rom dhe Ashkali në veçanti. Strategjia në fjalë e thekson mungesën bazike të këtyre qytetareve në ushqim, strehim, qasje në barna dhe kujdes shëndetësor, punësim, dhe edukim.

Ndërsa Dobranja vlerëson që nëse skemat sociale do të dizajnoheshin në atë mënyrë që njerëzit më të prekur të përfitonin, kjo do të përmirësonte dukshëm relievin e varfërisë. Për më tepër, testime të skemave sociale në vende të ndryshme kanë treguar se gratë dhe burrat i menaxhojnë në mënyra të ndryshme mjetet në dispozicion.

“Dihet që të ardhurat e tyre gratë i shpenzojnë kryesisht në familje, posaçërisht në ushqim, veshmbathje, shëndet, dhe edukim të fëmijëve. Kjo është e vërtetë edhe kur të ardhurat janë nga skemat sociale”, thotë ajo. “[Në Kosovë] në shumicën e rasteve në familje janë burrat që menaxhojnë me të ardhurat dhe grave nuk u jepet mundësia e vendimmarrjes”, thotë ajo. 

"Mendësia patriarkale dhe përkrahja e pamjaftueshme institucionale po i mbyll gratë në shtëpi."

Vesa Rezniqi-Pallaska, Gratë për Gratë Kosova

Superioriteti ekonomik i burrave ende mbrohet nga shoqëria e gjerë e nuk adresohet sa duhet nga institucionet e vendit, dhe si i tillë është vështirë i cenueshëm.

Latifi-Jashari shpjegon se për gratë që duan t’i marrin në dorë të ardhurat financiare duke hapur biznes të vetin, ndërmarrja e një hapi të tillë është shumë më e vështirë se për burrat meqenëse ato trashëgojnë shumë më pak pronë të paluajtshme e si pasojë kanë qasje të limituar në financa. 

Kjo shpesh është posaçërisht e vështirë për gratë në zona rurale, për shkak të qasjes më të limituar në informacion dhe burime si dhe lëvizshmëri më të kufizuar.

Vesa Rezniqi-Pallaska, menaxhere për monitorim dhe vlerësim në Gratë për Gratë Kosova, organizatë që merret mes tjerash me projekte ndërmarrësie dhe ofron grante përkrahëse për gratë në bujqësi, blegtori dhe artizanate, thotë se përfitueset e tyre kanë sfida të ndryshme për t’i udhëhequr bizneset në mënyrë të qëndrueshme.

“Gratë e targetuara nga ne kanë qasje të kufizuar në mundësitë për shitje, për rrjetëzim, dhe në resurse të tjera për avancime profesionale”, thotë ajo. “Kjo ndodh për shkak se mendësia patriarkale dhe përkrahja e pamjaftueshme institucionale përmes subvencioneve po i mbyll gratë në shtëpi ku ato merren me bujqësi dhe blegori, por pa të ardhura”.

Një treg seksist i punës 

Përveç barrierave që duhet t’i kalojnë nëse duan të hapin biznes të vetin, gratë shpeshherë përjashtohen nga tregu i punës në përgjithësi, sidomos ato në të 40-tat dhe 50-tat. Sipas Dobranjës, ky diskriminim moshe në Kosovë nuk problematizohet fare, por reduktohet si “zgjedhje” e grave. 

“Për burra diskriminimi në këtë grupmoshë nuk është aq i theksuar sepse burrat janë pjesë e jetës aktive ekonomike shumë më shumë se gratë”, shpjegon ajo. “Dhe gratë që nuk kanë qenë pjesë të tregut por që dojnë me u kyçë e kanë të vështirë për shkak të paragjykimeve jashtëzakonisht të mëdha në stilin ‘i ka bo do vjet, pse nuk ka punu deri tash?’”.

Ekonomistja feministe Dita Dobranja vlerëson se diskriminimi i grave në bazë të moshës ende nuk është problematizuar në Kosovë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përveç diskriminimit në moshë, mënyra se si trajtohen gratë përmes politikave të pushimit të lehonisë tregon për praktikat që në shumë raste i lënë gratë mbrapa në treg të punës.

Ligji ekzistues i Punës, i cili parasheh 6 muaj të pushimit të lehonisë të paguar me 70% të pagës nga punëdhënësi, konsiderohet si tejet problematik nga sektori privat dhe si rrjedhojë ky ligj nuk ka gjetur zbatim të gjerë jashtë sektorit publik. Kjo sepse në të shumtën e rasteve bizneset — shumica e të cilave janë të vogla dhe të mesme — nuk ia dalin ta mbulojnë atë. 

Ndërsa një Projektligj i ri, i cili do ta rregullojë në veçanti pushimin e lehonisë dhe atë prindëror pritet të procedohet së shpejti në Kuvend. Kjo do të thotë që nga Ligji ekzistues i Punës do të hiqen dispozitat për pushim të lehonisë.

Sipas koalicionit të organizatave joqeveritare Forumi Ekonomik i Grave, kjo gjë  do t’ua pamundësojë grave punëtore që t’i gëzojnë të drejtat e tyre në kuadër të Ligjit të Punës. Prandaj anëtarët e këtij forumi kanë kërkuar që pushimi i lehonisë të kthehet në Ligjin e Punës me nen të veçantë. 

Po ashtu, ata kanë kërkuar që shteti ta marrë barrën financiare për pushimin prindëror përmes një fondi të veçantë që do të krijohej për këtë qëllim, ngjashëm me shumë vende të BE-së. Por Sexhide Mustafa, anëtare e forumit, thotë se nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë marrë përgjigje se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ta bërë këtë, dhe se projektligji i ri është në linjë me direktivat e BE-së. 

Dhunë ekonomike dhe diskriminim institucional

Në strehimoren për mbrojtje nga dhuna në familje në Prishtinë është strehuar Agimja*, një 41-vjeçare nga komuna e Drenasit. Ajo ka mavijosje të theksuara në fytyrë, që thotë se janë pasojë e dhunës fizike që ka përjetuar nga bashkëshorti, kunati dhe kunata e saj. Prezantohet si grua skajshmërisht e varfër që jeton me familjen e burrit në një shtëpi që gati po shembet, dhe tregon se i duhet të dalë e të kërkojë lëmoshë për bukë. 

“Unë s’guxoj as me hongër, as fmive me iu qitë me hongër. S’guxoj me prekë pa izë të saj”, thotë ajo, duke iu referuar pushtetit të vjehrrës së saj që nëse nuk i nënshtrohet, rezulton në goditje brutale nga bashkëshorti.

Por sipas stafit të strehimores, gruaja në fjalë nuk është nga rastet tipike të grave të varfëra që nuk kanë zgjidhje përpos të qëndrojnë në ambiente të dhunshme ku u mohohen edhe të drejtat bazike sikur qasja në ushqim. Agimja ka leje qëndrimi në Kroaci pasi ka emigruar atje me familje kur ishte 15 vjeçe. Atje ka takuar burrin me të cilin është martuar dhe janë kthyer në Kosovë me vendim të tij. 

Përgjatë martesës së saj 20-vjeçare, ajo thotë se i vëllai që jeton në Kroaci e ka përkrahur financiarisht, por ato para ia kanë marrë burri, kunati, dhe anëtarët e tjerë të familjes. “Vllaznitë më mbajnë prej që jam martu, dhe apet më shahet nana”, thotë ajo ndërsa shpjegon se fëmijët janë arsyeja që ka qëndruar në Kosovë me burrin dhe familjen e tij, pasi i është bërë e qartë që nuk do ta lejojnë t’i marrë me vete nëse vendosë të dalë nga shtëpia.

Në Kosovë, dhuna ekonomike është koncept i ri, madje edhe për institucionet e drejtësisë që kanë për detyrë ta dënojnë përdorimin e dhunës dhe t'i mbrojnë viktimat.

Pra, ndodh që edhe atëherë kur gratë kanë në dispozicion të mira materiale — pavarësisht burimit të të ardhurave — shpesh nuk mund t’i zotërojnë ato për shkak të normave të dhunshme gjinore nëpër shoqëri thellësisht patriarkale. Për ta adresuar në mënyrë ligjore këtë lloj të abuzimit, vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian kanë përkufizime të qarta rreth dhunës ekonomike. 

Për shembull, Sllovakia në përkufizimin e dhunës në familje në Kodin Penal — që daton nga viti 2005 — e njeh dhunën ekonomike si mohim i pabazë i ushqimit, pushimit apo gjumit dhe mohim i kujdesit të nevojshëm personal, veshmbathjes, higjienës, kujdesit shëndetësor, strehimit, apo edukimit. Ndërsa Sllovenia në ligjin që adreson dhunën në familje e përkufizon dhunën ekonomike si “kontroll i tepruar apo një varg kufizimesh të cilitdo anëtar/e të familjes që ka të bëjë me asgjësimin apo menaxhimin e aseteve financiare, apo edhe kufizime të tepruara të menaxhimit të aseteve të përbashkëta financiare të anëtarëve të familjes”.

Në Kosovë, dhuna ekonomike është koncept i ri në diskursin kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, madje edhe për institucionet e drejtësisë që kanë për detyrë ta dënojnë përdorimin e dhunës dhe t’i mbrojnë viktimat. Po ashtu ka paqartësi ligjore lidhur me atë se çka është dhuna ekonomike, si manifestohet, dhe cilat janë mekanizmat mbrojtës institucionalë.

Kjo ka ndikuar që të ketë mungesë të të dhënave statistikore në nivel shteti. K2.0 ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dhënat raportuese për dhunën ekonomike, por nuk ka pranuar përgjigje. 

Sipas Basri Kastratit, udhëheqës i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave në Prokurori të Shtetit, të dhëna raportuese rreth dhunës ekonomike nuk ka. “Përderisa nuk kemi pasë diçka specifike të definume si dhunë ekonomike, nuk mundemi me dhonë statistika, por shumica e viktimave ‘kërcënohen’ në aspektin ekonomik për shkak të varësisë nga bashkëshorti”, thotë ai.  

Por qartësia dhe korrektësia në emërtimin e termave ligjorë ndikon drejtpërdrejt në punën e përditshme të zyrtarëve përgjegjës për ta adresuar dhunën në familje. 

Ish-koordinatori nacional kundër dhunës në familje dhe i sapozgjedhuri Avokat i Popullit Naim Qelaj thotë se dhuna ekonomike bashkë me dhunën psikologjike — që janë të lidhura ngusht me njëra tjetrën — janë nocione të panjohura për shumicën e profesionistëve që zbatojnë Kodin Penal. “Është detyrë e Gjykatës Supreme të japë sqarime dhe interpretime se çka nënkuptohet me dhunë ekonomike dhe cilat janë elementet qenësore që e përcaktojnë ekzistimin e kësaj forme të dhunës”, thotë ai. 

Këtë detyrë në njëfarë forme e ka marrë vullnetarisht përsipër aktivistja për të drejta të grave Luljeta Aliu, e cila jo vetëm që i ka mbijetuar dhunës ekonomike nga ish-bashkëshorti, por edhe i ka bërë publike përpjekjet e saj për të mbrojtur atë që i takon, duke inkurajuar edhe gratë e tjera ta bëjnë të njëjtën gjë. 

Luljeta Aliu, aktiviste për të drejta të grave e cila ka përjetuar dhunë ekonomike nga ish-bashkëshorti, kërkon publikisht drejtësi. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në vitin 2018, Aliu i dërgoi kërkesë Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut që dhuna psikologjike dhe ajo ekonomike të përkufizohen qartë brenda Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje. Pas asaj kërkese, Komisioni formoi një grup punues dhe hartoi një projektligj të ri në bazë të propozimeve të grupit punues. Por puna për këto ndryshime ligjore ka mbetur pezull për shkak të situatës së turbullt politike.

Ndërsa Kastrati thotë se qartësimi i dhunës ekonomike do të jetë më i lehtë tani që Kuvendi e ka miratuar Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të njohur si Konventa e Stambollit. “Aty sqarohet shumë më qartë, dhe tash kur hyn ligji i ri bazohet edhe në Konventën e Stambollit për shkak se është ratifiku në Kuvend dhe deshtëm apo jo nuk kemi çare pa e implementu”, thotë ai.

Në ndërkohë, dhuna ekonomike ndaj grave të Kosovës manifestohet me barriera që vazhdojnë edhe pas shkëputjes së marrëdhënies bashkëshortore. Avokatja Merita Emini-Stublla, e cila përfaqëson gra në procese divorci, thotë që në 90% të rasteve burrat e regjistrojnë pasurinë në emër të vet. Dhe në rastet kur në çiftin bashkëshortor fillojnë të shfaqen pakënaqësi që çojnë në shkurorëzim, burri ia dhuron pasurinë vëllait, babës, nënës, në mënyrë që të mos hyjë në procesin e ndarjes së pasurisë me gruan.

Ajo tregon se ka pasur një rast në gjykatë ku burri e ka regjistruar të gjithë pasurinë në emër të babait të vet dhe ka refuzuar t’ia paguajë gruas alimentacionin për fëmijën me arsyetimin se nuk ka të ardhura të mjaftueshme në dispozicion. “Nuk mund të mos e paguash alimentacionin nëse ke tokë tënden në dispozicon — ndoshta nuk ke para të gatshme, por shite tokën dhe kryeji obligimet që të takojnë”, thotë ajo, ndërsa tregon se ka bërë padi ndaj pronarit të regjistruar të tokës, pra ndaj gjyshit të fëmijës.

Avokimi feminist për të drejta ekonomike 

Edhe pse në vitin 2016 është bërë e obligueshme që pasuria e fituar gjatë martesës të regjistrohet në emër të të dy bashkëshortëve, problemet institucionale që gratë i hasin drejt drejtësisë ekonomike janë të thella. Dhe në kombinim me shpenzimet materiale që kërkon inicimi i një procedure ligjore, shpeshherë i detyron ato të heqin dorë nga drejtësia dhe të mbesin të varura.

“Për një çështje pronësore, ti pret mesatarisht 10 vjet në gjykatë. Kjo grave u kushton sepse duhet ta paguajnë avokatin, taksat, eskpertizën —- këto të holla kthehen nëse e fiton rastin”, shpjegon Emini-Stublla. “Por për të hyrë në lëndë, gratë duhet t’i kenë afro 1,000 euro. E kur nuk kanë para, nuk ka se çka inicojnë; ato e durojnë dhunën fizike, psikologjike, ekonomike”.

Sipas avokates Merita Emini-Stublla, shpenzimet që kërkon një proces gjyqësor i divorcit për shumë gra nuk janë të përballueshme. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

E në strehimoren në Prishtinë, Agimja tregon për realitetin e hidhur që e ka përjetuar në lëkurën e saj. “Buka e huj kurrë s’të bon rahat”, thotë ajo me zhgënjim të hidhur.

Kjo parehati —- e manifestuar me izolim e me dhunë të shumëfishtë — jo rrallë rezulton me kërkesa për divorc. Trendin në rritje të divorceve në vitet e fundit Emini-Stublla ia atribon në shkallë të konsiderueshme ndërgjegjësimit të grave që jo me çdo kusht duhet të qëndrojnë në një martesë të dhunshme dhe të pabarabartë.

Sipas saj, gratë dhe burrat ende nuk po arrijnë ta kuptojnë konceptin e “arkës së përbashkët”, arkë e cila jo domosdo nënkupton paranë e barabartë në vlerë. “Ndonjëherë burri i qet 4 euro e gruaja 1, ose e kundërta; familjet nuk po arrijnë të kuptojnë që zhvillimi i familjes bëhet me vendime të përbashkëta”, thotë ajo.

Për Avokatin e Popullit Naim Qelaj, gratë janë të vetëdijëshme për mënyrat se si po diskriminohen sepse vetë po e pësojnë. Sipas tij, janë burrat ata që duhet vetëdijësuar se duhet hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga besimi dhe tradita se kanë të drejta që gratë nuk mund t’i kenë.  

Më shumë se në politika shtetërore dhe në vullnetin politik të personave përgjegjës, Mimoza Mustafa beson në insistimin e grave dhe vajzave për të drejta të plota njerëzore, ekonomike dhe politike. “Kam shpresë që insistimi ynë si gra nga cilado gjeneratë, etni, klasë shoqërore dhe fushë veprimi do t’i shtyjë mekanizmat shtetërorë dhe qeveritarë që të ndërrojnë qasjen diskriminuese ndaj grave”, thotë ajo.K

*Shënim i redaksisë: Emrat e dy grave janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre. 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.