Duke ia dalë mezi
Živković krahason ndikimin e pandemisë tek individi me “sindromën e bretkosës së zier”, një term që përdoret për një situatë kur një person jeton në kushte që duhet të jenë të padurueshme dhe të papranueshme për të, por nuk e vëren sepse mbërrin aty gradualisht, duke u mësuar me çdo ndryshim veç e veç me kalimin e kohës.
“Gjatë gjithë këtyre viteve kemi humbur shpresën se gjërat do të përmirësohen, se do të ecim në një drejtim pozitiv; çfarë ka rënë poshtë më së shumti sot janë besimi, marrëdhëniet ndërpersonale dhe shpresa”, tha Džamonja Ignjatović.
“Vazhdimisht jetojmë nga dita në ditë, duke pritur për një të nesërme më të mirë, e cila na largohet gjithnjë. Vazhdon të notosh e të notosh, teksa bregu sa shkon e bëhet më i largët. Natyrisht, kjo është shumë e lodhshme”, tha ajo.
“Nuk kemi më ndjeshmëri as për të tjerët e as për veten tonë”, tha Živković. “Ndasitë në shoqëri po thellohen gjithnjë e më shumë; nuk ka dialog dhe jemi gati t’i mbrojmë në mënyrë agresive qëndrimet tona, qoftë tema e debatit vaksinimi apo një reklamë e të brendshmeve. Kjo flet shumë për mungesën e ndjeshmërisë”, tha ajo, duke përfunduar se në këtë situatë, me zero mbështetje institucionale, zgjidhja e vetme është që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin. “Ne duhet t’i zgjasim dorën personit që ka rënë dhe jo vetëm ta kalojmë pa bërë gjë. Kjo vërtetë na mungon me të vërtetë”.
Imazhi i ballinës: K2.0